Për të mbrojtur shëndetin tonë, është mirë të respektojmë disa rregulla për një sjellje të mirë higjieno-sanitare, edhe në fushën e ushqimit. Duken këshilla banale, por pikërisht falë atyre evitojmë helmimet nga ushqimet. Ja disa rregulla të thjeshta, të cilat është mirë të përsëriten: • Lani gjithmonë duart para se të uleni në tavolinë. Në qoftë se nuk keni mundësi për ujë e sapun, përdorni xhel dizinfektues për duart, të cilin duhet ta mbani gjithmonë me vete. Dhe ushqimin fillojeni me emër të Allahut, thuani Bismilah… • Mos ngrini kurrë një produkt të shkrirë: rrezikoni botulizmin, që është një helmim shumë i rrezikshëm nga ushqimet. Ky rregull vlen edhe për bukën që blihet në supermarket: shpesh janë me brumë të parapjekur dhe të ngrirë më parë dhe më pas të shkrirë e të ngrohur në dyqan. • Kontrolloni temperaturën e frigoriferit: nuk duhet të jetë më e lartë se 4°C, përndryshe ka rrezik që të krijohen mikrobe që mund të shkaktojnë infeksione ushqimore. • Pastroni vazhdimisht frigoriferin me një sfungjer të pastër dhe të dizinfektuar apo të njomur me uthull. Pa frikë, era do të avullojë menjëherë. • Mos i harroni ushqimet në frigorifer: kontrolloni vazhdimisht nëse ka nga ato që janë duke u prishur. • Para se t’i konsumoni, lani frutat e perimet, për të evituar praninë e mikrobeve dhe mbeturinat e antiparazitëve. Mirë do të ishte të përdorej soda e bukës në një enë me ujë për larjen e perimeve që konsumohen të freskëta. • Kontrolloni shpesh datën e skadencës së ushqimeve, duke përfshirë edhe ato që nuk prishen shpejt (miell, drithëra, erëza): rreziku është pikërisht te përdorimi i ushqimeve të vjetra që janë në dollap prej vitesh. • Pas gatimit, mos e lini ushqimin më shumë se 2 orë në temperaturën e ambientit. • Mbroni ushqimet e konsumuara, të gatuara apo gjysmë të gatuara, me një qese transparente ose futini në enë hermetike, për të evituar ndotjen. • Zgjidhni më mirë gatimin me avull, i cili ruan vlerat ushqimore. |