Shkruar nga Valdet Kamberi
|
e hėnė. 21 tetor 2013 |
Në Kur’anin Fisnik ka lloje të ndryshme të zemrave, prej tyre:
1- Zemra e shëndoshë
Kjo është zemra e sinqertë për Allahun, e pastër nga kufri, nifaku dhe shthurja. Allahu ka thënë: “Vetëm ai që vjen te Allahu me zemër të shëndoshë...” (Shuara, 89)
2- Zemra e përulur
Zemra e përulur është zemra e nënshtruar dhe e qetë në përmendjen e Allahut. Allahu ka thënë: “… dhe zemrat e tyre të jenë të përulura.” (Haxhxh, 54)
3- Zemra e penduar
Zemër e penduar është zemra që çdoherë kthehet, pendohet tek Allahu dhe nënshtrohet. Allahu ka thënë: “…i cili është frikësuar nga Allahu në mosprezencë (pa e parë) dhe ka ardhur i penduar.” (Kaf, 33)
4- Zemra e devotshme
Zemër e devotshme është ajo zemër që madhëron fenë e Allahut. Allahu ka thënë: “E kush madhëron fenë e Allahut, ajo është shenjë e zemrës së devotshme.” (Haxhxh, 32)
5- Zemra e dridhur
Zemër e dridhur është ajo zemër që i frikësohet Allahut, dhe frikësohet se mos vallë Allahu nuk ia pranon punët dhe nuk shpëton nga ndëshkimi. Allahu ka thënë: “Edhe ata të cilët japin (sadaka-zekat) nga ajo që u është dhënë, dhe u dridhen zemrat për shkak se do të kthehen te Zoti i tyre.” (Mu’minun, 60)
6- Zemra e qetësuar
Zemër e qetësuar është ajo zemër që qetësohet me njëshmërinë dhe përmendjen e Allahut. Allahu thotë: “… me të përmendur Allahun zemrat e tyre qetësohen…”. (Rrad, 28)
7- Zemra e udhëzuar
Zemër e udhëzuar është ajo zemër që është e kënaqur me caktimin e Allahut dhe e dorëzuar para urdhrave të Tij. Allahu thotë: “… dhe kush i beson Allahut, Ai do ta udhëzojë zemrën e Tij…” (Tegabun, 11)
8- Zemra e gjallë
Zemër e gjallë është ajo zemër që mendon dhe merr mësim. Allahu thotë: “Këtu ka njëmend argumente për ata që kanë zemër...” (Kaf, 37)
9- Zemra e sëmurë
Zemër e sëmurë është ajo zemër që e ka goditur dyshimi, nifaku, e kanë vërshuar mëkatet dhe sëmundja e epsheve të ndaluara. Allahu ka thënë: “… e të lakmojë ai, zemra e të cilit është e sëmurë …” (Ahzab, 32)
10- Zemra e verbuar
Zemër e verbuar është ajo zemër që nuk shikon, nuk përcepton dhe nuk respekton hakun. Allahu ka thënë: “… por verbërohen zemrat në kraharor.” (Haxh, 46)
11- Zemra e shkujdesur nga Kur’ani
Zemër e shkujdesur nga Kur’ani është ajo zemër e zënë me të kotën dhe epshet e kësaj bote, nuk mediton çka ka në të. Allahu ka thënë: “Me zemrat e tyre të shmangura (të llastuara).” (Enbija, 3)
12- Zemra mëkatare
Zemër mëkatare është ajo zemër që fsheh të vërtetën. Allahu ka thënë: “Dhe mos e fshehni dëshminë, sepse kush e fsheh atë, ai ka zemër mëkatare…” (Bekare, 283)
13- Zemra mendjemadhe
Zemër mendjemadhe është zemra që nuk pranon njëshmërinë dhe nënshtrimin ndaj Allahut, tirane me shumë padrejtësi dhe armiqësi. Allahu thotë: “Ashtu, Allahu vulosë zemrat e çdo arroganti përbuzës”. (Gafir, 35)
14- Zemra e papërgaditur
Zemër e papërgaditur është ajo zemër që nuk përmend Allahun, ka ndikuar epshi që mos e respektojë Allahun. Allahu thotë: “… dhe mos iu nënshtro atij zemrën e të cilit e kemi lënë të papërgaditur ndaj nesh dhe pason epshin e vet…” (Kehf, 28)
15- Zemra dyshuese
Allahu ka thënë: “… dhe zemrat e të cilëve dyshojnë…” (Teube, 45)
16- Zemra e ashpër
Zemër e ashpër është ajo zemër prej së cilës është larguar mëshira. Allahu thotë: “… sikur të ishe i ashpër dhe hijerëndë do të iknin prej rrethit tënd…” (Ali Imran, 159)
17- Zemra e prishur, që pason të dyshimtën
Allahu ka thënë: “… zemrat e të cilëve janë të prishura…” (Ali Imran, 7)
18- Zemra e vulosur
Zemër e vulosur është ajo që nuk dëgjon udhëzimin dhe nuk e kupton. Allahu ka thënë: “… dhe e ka vulosur zemrën e tij edhe veshët e tij…” (Xhathijeh, 23)
19- Zemra e fortë
Zemër e fortë është ajo zemër që nuk zbutet për imanin e as nuk ndikon tek ajo ndëshkimi, qëndron larg përmendjes së Allahut. Allahu ka thënë: “… dhe zemrat e tyre i bëmë të forta…” (Maide, 13)
20- Zemra në këllëf
Allahu ka thënë: “... (ata thonë) zemrat tona janë në këllëf…” (Bekare, 88)
O Allah, bëji zemrat tona të nënshtruara, të buta, dhe që të përkujtojnë Ty. Amin!
|