Shkruar nga Nexhbedia
|
e diel. 26 maj 2013 |
NEVOJITEN:
350 gr ananas i konzervuar, 300 ml qumësht, 6 vezë, 150 gr margarinë, 6 lugë sheqer, 100 gr sheqer pluhur, 4 lugë miell, 2 lugë bajame të grira, 1 pako buding ananasi ose vanilje, 100 ml lëng ananasi, 200 ml shtalpë.
PËRGATITJA:
I thyejmë vezët dhe i ndajmë të bardhat nga të verdhat. I rrahim të bardhat me mikser, i shtojmë 6 lugë sheqer dhe pasi shkrihet sheqeri i shtojmë edhe të verdhat e vezës. E shtojmë miellin dhe bajamet e grira dhe i përziejmë me lugë derisa të bashkohet masa. Kallëpin e lyejmë me margarinë dhe e derdhim në të brumin për pandispanjë. Kallëpin e vëmë në furrë. E pjekim 15 minuta në temperaturë prej 200 gradë. Ndërkohë e përgatisim kremin. Në tenxhere në zjarr e hedhim qumështin. Pluhurin për puding e zbusim me lëngun e ananasit. Duke përzier me tel, në tenxhere me qumësht e shtojmë pudingun e zbutur. E ziejmë derisa pudingu të fitojë dendësinë e duhur. Ananasin e presim në copë dhe e shtojmë në tenxheren me kremin e ftohur. Margarinën dhe sheqerin pluhur i rrahim me mikser dhe i shtojmë në tenxhere. Përziejmë me tel derisa të bashkohet masa. Shtalpin e rrahim me mikser derisa kremi pana të fitojë dendësinë e duhur. Disa lugë krem pana i shtojmë në tenxheren me krem. Pandispanjën e presim në tri petë. E lyejmë petën e parë me krem. Sipër e vëmë petën e dytë dhe e lyejmë me krem. E vëmë petën e tretë dhe tërë tortën e lyejmë me krem pana. Kremin pana të mbetur e mbushim në shiringë të kuzhinës dhe me të zbukurojmë pjesët anësore dhe pjesën e sipërme të tortës. Ananasin e mbetur e presim në copë me të cilat e zbukurojmë krem tortën me ananas.
Ju bëftë mirë! |