MЁNYRA E ABDESIT

 
Dielli ndriēon pėr tė gjithė njėsoj PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Valbona Kelmendi   
e enjte . 30 gusht 2012

Islami me vlerat e tij që i ka, na ka bërë që të jemi njerëz me identitet, me dinjitet dhe me vlerë.







Në epokën ku ne jetojmë njerëzimi duket se ka gjetur në zhvillimet e shpejta të shkencës si arsyet e frikës, ashtu edhe të shpresës. Mes arsyeve të shpresës vendin e parë e zë ecja përpara e njohjes historike. Sepse ndërgjegjësimi për të kaluarën e vet mund të ndihmojë njeriun në përpjekjet e tij për të gjetur rrugën dhe për të përcaktuar të ardhmen e tij.

Arritjet historike janë të qarta. Koha e gjetur shfaqet sot me një larmi dhe tërësi të re. Aspektet politike, ushtarake, diplomatike të së kaluarës e të së tashmes, tërhoqën si para dhjetëvjeçarëve e tash, pothuaj tërë vëmendjen e njeriut analitik, të urtëve dhe atyre me vizion për suksese e drejtësi për të gjithë. Por, korniza e ngushtë e kërkimeve u shpërthye dhe pas veprimeve të atyre që dukej se kishin hyrë në lojë, u vizatuan realitete të ashpra të jetës kolektive dhe asaj vetjake. Përballë zhvillimit të habitshëm të shkencave të quajtura të sakta, gjendemi edhe përballë asaj që ushtron padrejtësi ndaj të tjerëve por që thotë se jamë i drejtë dhe mbroj drejtësinë.

Gjatë njëzetëvjetëshit të fundit, e veçanërisht gjatë dhjetëvjetëshit të fundit, Islami si religjion, kulturë e qytetërim po kalon nëpër një fazë të rëndë, madje dramatike të zhvillimit të vet. Nga jomuslimanët dhe nga të ashtuquajturit “muslimanë” po cilësohet si anakronik e regresiv, militant e ekskomunikues, frymëzues i iridentizmit e seperatizmit, frymëzues i terrorizmit botëror dhe si kërcënim për botën jashtislame.

Lidhur me këtë, është dëshirë jona dhe pretendim yni që, brenda kësaj hapësire që kemi, të shtrojmë faktet dhe dëshmitë konkrete si në aspektin teorik ashtu edhe në atë praktik rreth çështjes së temës në fjalë, se dielli ndriçon për të gjithë njësoj dhe se Islami e as myslimanët nuk njihen e as nuk mund t’i njohë e personifikojë askush me nofka e terme aq të ulta e fyese të cilat u lartpërmendën.

Jemi të vetëdijshëm se me një shkrim nuk mund të thuhet çdo gjë. Përkundrazi, mjafton të inicojmë shkrime e leksione konstruktive e objektive, analitike e të thella, që t’i kontribuohet mirëkuptimit e dialogut ndërmjet religjioneve, kulturave e qytetërimeve, e të flaken paragjykimet dhe centrizmat e ndryshëm që i kontribuojnë krijimit të hendeqeve dhe ekskomunikimit midis njerëzve, kulturave e qytetërimeve ndër shekuj.

Kur’ani ekspozon të kaluarën, duke ftuar hulumtuesit që ta gjurmojnë historinë. Kontributi më i rëndësishëm i botës myslimane mesjetare, dhënë botës së krishterë, është ajo që Evropa u njoh me klasikët e mëdhenj grekë dhe romakë nëpërmjet përkthimeve, komenteve dhe krijimeve autoriale muslimane.

Në kohën e sundimit të halifit El-Me’mun (813-833), derisa Evropa ende nuk dinte të lexonte, ai në Bagdad themeloi Akademinë Daru’l-hikmeh, e cila merrej me përkthimin, komentimin dhe shkrimin e veprave shkencore e filozofike. Me përfundimin e shek. IX, në gjuhën arabe ishin të përkthyera gati të gjitha veprat e Aristotelit, Platonit, Galileut, Ptolemeut, Euklidit, Arkimedit etj. Në këtë mënyrë, kultura myslimane, me ripërtritjen e kulturës së harruar heleniste, paraqet bazën themelore për Renesansën dhe Humanizmin evropian.

Pastaj, myslimanët i ndihmuan Perëndimit me futjen e metodës shkencore dhe induktive të hulumtimit. Perëndimi, deri në shek. XV, filozofinë dhe shkencën i konsideronte kundërshtare të fesë. Për këtë arsye, Aristoteli, El-Kindiu, Ibn Sinai, Ibn Rushdi e shumë të tjerë, janë gjykuar e refuzuar, Xhordano Bruno është djegur, Kepleri është përndjekur, Galileu është detyruar të tërhiqet nga mendimi i tij nën kërcënimin e hedhjes në zjarr të tërbuar. Myslimanët bënë që Perëndimi t’i respektojë të dyja. Pastaj ndikimi edhe në misticizëm, siç pohon A.J. Arberry, shumë krijime evropiane nuk mund të kuptohen ndryshe, pos si ndikime të myslimanëve.

Në vazhdimësi të kësaj, duke u ndalur e përqendruar në vendin tonë, do të vërejmë një dukuri e cila aspak nuk është për t’u lavdëruar, përkundrazi, do të shohim padrejtësitë të cilat janë bërë e që ende po vazhdojnë të bëhen. P.sh. në trojet shqiptare, gjatë sundimit të Partisë Komuniste e cila ushtroi presion në forma të ndryshme, detyroi besimtarë të besimit islam që ta braktisin namazin, agjërimin, haxhin, veshjen sipas rregullave islame, mosndërtimin e xhamive. Ua servoi këtyre njerëzëve për konsumim mishin e derrit, alkoolin etj. Mirëpo, nga vitet e tetëdhjeta e më dukshëm nga ato të nëntëdhjetat nga shekulli i kaluar, filloi një proces i rikthimit të gjërave të përmendura në jetën e muslimanëve, thuajse në të gjitha trojet shqiptare, por më shumë vërehet në Prizren, Shkup e Tetovë.

Nga kjo kohë e sidomos në vitet e shekullit që jemi, filloi një vetëdijesim më i madh i popullit kundrejt vlerave fetare dhe tradicionale kombëtare, e njëkohësisht filloi braktisja e vlerave të huaja të imponuara në mënyrë sistematike në shkolla e institucione të tjera.

Kjo jep të kuptohet se në këto procese të transformimit nuk kemi të bëjmë me ndonjë Islam militant, përkatësisht nuk kemi të bëjmë me kurrfarë ekstremizmi apo instrumentizmi të besimtarëve islamë ndër shqiptarë nga qarqe të ndryshme të huaja panislamiste, por kemi të bëjmë me një vetëdijesim aktiv, pas një periudhe të qëndrimit pasiv e indiferent ndaj besimit islam. Me fjalë të tjera, rikthimi i disa vlerave fetare islame si: veshja islame te femrat, falja e namazit, agjërimi i ramazanit, shkuarja në haxh nga të rinjtë në shumicë dhe duke mos i anashkaluar as grupmoshat tjera, ndërtimi i xhamive në çdo qytet shqiptar, po edhe nëpër fshatra ku ka numër të madh banorësh, të jep të analizosh se, Islami me vlerat e tij që i ka, na ka bërë që të jemi njerëz me identitet, me dinjitet dhe me vlerë.

Po ky religjion e mbrojti popullin tonë nga asimilimi, ia ruajti vlerat, doket e zakonet dhe e urdhëroi që ta kërkojë diturinë dhe ta mbrojë vendin e tij. Po ky religjion (islam) i dha shqiptarit mundësinë e zgjedhjes për përcaktim e aspak nuk qëndron ajo se iu imponua. Në lidhje për këtë, Instituti i Studimeve Ballkanike pranë Akademisë Bullgare të Shkencave ka botuar librin e Nikollaj Todorovskit dhe Asparuh Velkovit “Situata demografike e Gadishullit Ballkanik” fundi i shek.XV dhe fillimi i shek. XVI. Sofje, 1988). Autorët e këtij libri japin një pasqyrë të sanxhaqeve në vendet që përfshijnë territoret ku banojnë popujt e këtij gadishulli. Aty janë të regjistruar sipas numrit të shtëpive myslimanët dhe jomyslimanët e çdo sanxhaku. Arsyen e kthimit të pjesës më të madhe të popullit shqiptar në myslimanë na e sqaroi Aristidh Kolja në librin “Arvanitët”, Athinë 1986, duke thënë se: “Ndërrimi i fesë së shqiptarëve me anë të dhunës është pjellë e fantazisë dhe shpikje e murgjëve dhe nuk është aspak e hijshme që ta pretendojnë këtë historianët”. Të vjen keq që disa lakej në shërbim të shovinizmit grek mbështesin tezën e kthimit me dhunë. Këtë tezë kryetari i arbërotëve të Greqisë, Aristidh Kolja, e quan një “gënjeshtër qëllimkeqe”. Për këtë citojmë autorin: “Nuk ka ekzistuar absolutisht asnjë rast kthim feje me dhunë nga ana e turqve.” Kurse, koloneli Lik në librin “Udhëtime nëpër Shqipëri“, thotë: “Shqiptarët bëheshin myslimanë sepse kjo fe pajtohej me natyrën e tyre dhe nuk toleronte përuljen, martirizimin, servilizmin dhe ofendimin”.

Duhet theksuar se feja islame, as burimet madhore të imamëve ose dijetarëve islamë, nuk i njohin nocionet fyese që i bëhen Islamit. Madje, Kur’ani famëmadh insiston në liritë fetare apo religjioze. Në të janë versetet të cilat thonë: Në fe nuk ka dhunë.” (Bekare: 256).Ky verset flet për principin themelor të besimit islam. Pastaj në lidhje me zgjedhjen e besimit si çështje private thotë: “E ti thuaj: "E vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë.” (Kehf: 29).
Ky koncept tolerues ndaj besimeve të tjera gjindet edhe tek versetet në vijim të cilët definojnë rolin dhe kufijtë e pejgamberisë së Muhammedit alejhi salatu ve sel-lem:
“E ti pra, këshillo, se je vetëm përkujtues,  Ti ndaj tyre nuk je mbizotërues!”. (Gashije: 21-22).“Thuaj: "O ju jerëz, juve ju erdhi e vërteta nga Zoti juaj, e kush merr rrugën e drejtë, ai ka vetëm për veten e vet, ndërsa kush e merr të shtrembëren, ai e ka humbur veten. Unë nuk jam rojë e juaj!". (Junus: 108).“…Ne nuk të bëmë përcjellës të tyre e as që je mbikëqyrës i tyre.”. (En’am: 107).

Pastaj principi tjetër themelor i cili gjindet në Kur’an thotë:
Ju mos ua shani ata (zota) që u luten (idhujtarët), pos All-llahut, e (si hakmarrje) të fyejnë Allahun nga armiqësia, duke mos ditur (për madhërinë e Tij)…”. (En’am: 108).Ndërsa, për ata të cilët besojnë në hyjnitë e rrejshme ekziston urdhëresa për respektimin e pjestarëve të feve tjera të shpallura:“Ne dërguam në çdo popull të dërguar…”. (Nahl: 36).“Ne nuk bëjmë dallim në asnjërin nga të dërguarit e Tij…”. (Bekare: 285)Duke bërë një përmbledhje, qartë vërehet se roli i të gjithë pejgamberëve është të përcjellin porosinë e Allahut.

Kurse, nëse flasim edhe për shembullin personal të të dërguarit të fundit Muhammedin alejhi salatu ve sel-lem, do të gjejmë vetëm shembuj admirues, madje edhe nga personalitete të shquara nga fusha të ndryshme të botës joislame. Të përmbledhim këtë shëmbëlltyrë vetëm me dy-tre shembuj për hir të mosbezdisjes tuaj. Ai alejhisselam gjatë periudhës trembëdhjetë vjeçare në Islam, para shpërnguljes së tij në Medine, u mundua e persekutua së bashku me pasuesit e tij, madje disa edhe i mbytën.

Kur i Dërguari alejhis selam e arriti shtrirjen e bujshme të mbizotërimit islam në gadishull, ai në asnjë mënyrë nuk u bë as imponues e as dhunues, madje edhe as hakmarrës. Ta shkoqisim shembullin e Ebu Xhehlit i cili ka qenë së bashku me të birin armiku më i rreptë në Mekë ndaj Muhammedit alejhis selam dhe pasuesve të tij. Ebu Xhehli u vra në betejën e Bedrit, kurse djali i tij mbeti ende në fenë e tij, dhe lirinë për të jetuar e për të hapur fenë e tij e vazhdoi edhe pasi që Pejgamberi alejhisselam e mori Mekën. Këtë liri ia dha i Dërguari alejhiselam.

Ruajtja e institucioneve është e një rëndësie të madhe dhe mjaft e veçantë. Ia vlen ta shkoqisim shembullin e të Dërguarit alejhis selam kur dha urdhër të prerë që të ruhen institucionet e krishtera në Nexhran. I tillë ka qenë shembulli i Muhammedit alejhis selam në lidhje me bamirësinë dhe tolerancën që ia ka lënë botës. Me respekt të tillë është sjellë ndaj vlerave të mirëfillta të njeriut pa marrë parasysh ngjyrën e tij të lëkurës, besimin ose vendin e lindjes. Ky është dhe do të jetë themel i paqes në mes njerëzve që ai e ka vënë. Për të mos u ndalur edhe në historitë e pasuesve të Muhammedit alejhis selam se si janë sjellur dhe se çfarë shembulli kanë lënë, këtë po ia lëmë vetë vullnetit tuaj që ta lexoni historinë ngaqë historia nuk i fsheh faktet e as të vërtetat, ajo i ruan me fanatizëm dhe i ndriçon gjërat duke ua dhënë meritën që ju takon. Por, dua të kaloj tek ajo që po e përjetojmë sot. Pse kaq shumë po anashkalohemi dhe pse kaq shumë po privohemi nga të drejtat tona individuale dhe kolektive si shkak i asaj vetëm pse e praktikojmë besimin tonë? Është e papranueshme që të pajtohemi me faktin se, vetëm pse i takojmë besimit islam dhe vetëm pse i zbatojmë rregullat e këtij besimi të shihemi me një sy të keq dhe të përbuzemi, majde kjo ngjarje i takon një turpi të cilin e prodhon dhe kultivon shtresa e cila e quan veten shtresë ose brez “intelektual i demokracisë”.

Po që se i prekim pikat e civilizimit ose qytetërimit, qytetërimi dhe civilizimi islam është fryt dhe prodhim i këtij besimi apo religjioni (Islamit). Ky qytetërim dhe civilizim është paraqitur bashkë me paraqitjen e fesë islame ngado që ka arritur kjo fe. Madje, çdo popull që e pranoi këtë fe, e pranoi edhe qytetërimin dhe civilizimin e saj.
 
Islami, ishte dhe do të jetë një fuqi kozmike, që arriti ta nxjerrë botën nga errësira në dritë, sistem shoqëror që rregulloi të gjitha aspektet e jetës së njeriut dhe fuqitë e tij krijuese, dhe e orientoi atë nga të mirat dhe mirëqenia. Islami ishte dhe mbeti një forcë aktive, që vepron edhe sot në realitetin e kësaj bote.

Nëse historia shikohet e studiohet drejt dhe për së mbari, do të arrijmë ta gjej vijën e drejtë të respektit ndërnjerëzor e social dhe do t’i shuajmë të gjitha urrejtjet dhe mosrespektet dhe do të vjen çdo gjë në vendin që i takon dhe që e meriton, pa marrë parasysh përkatësinë e tij/saj fetare dhe dukjen e tij/saj.

Një verset thotë: ”…Ditët e atilla i ndërrojmë ndërmjet njerëzve…” (Al-Imran: 140). Kështu që përmes këtij shkrimi ne thërrasim që ditët e kaluara t’ia lëmë historisë dhe së kaluarës, e ardhmja le të na gjejë me drejtësi dhe barabarësi, dhe i njëjti diell le ta ngrohë e ndriçojë çdo njërin njësoj.
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.