MЁNYRA E ABDESIT

 
Vuajtjet, kthim kah lumturia! PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Osman Ballazhi   
e hėnė . 28 maj 2012
 Vuajtjet e shkrijnë ngurtësinë e zemrës së akullt, duke e shndërruar atë në pika loti, dhe me këtë i bëhet vend lehtësimit, sepse "Me të vërtetë, pas vështirësisë vjen lehtësimi" (94: 5).






Të jetosh me dhimbje do të thotë të vuash, ndërsa vuajtja është vështirësi që stimulon arritjen e lehtësimit, e lehtësimi do të thotë qetësi e shpirtit. Sikur vuajtja të ishte lumturi, ndërsa lumturia vuajtje, atëherë jeta do të ishte vdekje e vdekja do të ishte jetë. Kjo është dhimbja që na jep dozën e optimizmit, që e nesërmja të mos ndikohet nga e djeshmja. Ata që të kaluarës ia dhanë rëndësinë e të ardhmes, humbën edhe rëndësinë e të tashmes, e kjo bëri që të jetojnë në iluzionin "sikur të ktheja kohën mbrapsht"! Kjo është koha kur lumturia kthehet në vuajtje, e harruam se vuajtja kërkoi kthimin e lumturisë.

Ndoshta është e vendit fjala e njohur: “Koha është para”, mirëpo paraja s’e blen dot kohën, e sikur ta blente, çdokush do të ofronte gjithë pasurinë e vet në mënyrë që ta ndalonte krismën e akrepit të orës, qoftë edhe për një orë të vetme!

Nëse paraja s’e bleu dot kohën, atëherë, a thua vallë, mund ta blen lumturinë? Vetë termi para, të bën të mendosh për shumë gjëra që të mundësojnë kthimin e lumturisë, por çfarë është kjo lumturi e blerë me para?! Nëse lumturia është e lidhur me paranë, atëherë pse loti është i lidhur me dhimbjen dhe vuajtjen? A thua paraja e kthen lotin përsëri në syrin nga i cili rrodhi, apo të paktën e ndalë atë?!
Çudi, atëherë loti do të rridhte vetëm në syrin e të varfrit ndërsa syri i të pasurit do të thahej përgjithmonë! Vuajtjet e shkrijnë ngurtësinë e zemrës së akullt, duke e shndërruar atë në pika loti, dhe me këtë i bëhet vend lehtësimit, sepse
"Me të vërtetë, pas vështirësisë vjen lehtësimi" (94: 5).

Duke shikuar qiellin menduam se arritëm ta prekim atë, ndonëse këmbët tona prapë në tokë mbetën. Kjo bëri që dhimbjet tona t'i ndajmë ndërmjet tokës dhe qiellit!
Po të mos ekzistonte vuajtja, atëherë asnjëherë s’do t'ia dinim vlerën lumturisë, por sikur të mos ekzistonte lumturia, a thua vallë, do të mbijetonim në vuajtjen e përhershme?

Çdo gjendje e ka gjendjen e kundërt të saj, meqë e mira plotësohet nga ekzistimi i të keqes, por jo gjithmonë dimë t'ia shtrojmë rrugën të mirës. E atëherë jeta kalon prej lotit në vaj, prej trishtimit në pikëllim, prej shkatërrimit në dërmim dhe prej të keqes në të ligë!

Një poet i madh thotë: "I mençuri e bën të nxirë jetën e tij duke jetuar në begati, e injorantit vështirësitë s'i duken gjë, jetën e kalon plot harmoni".
Prandaj, mos u pikëllo, sepse i sëmuri shërohet, e keqja shnëdrrohet në të mirë, mëkati pastrohet dhe falet, borxhi lahet, i burgosuri lëshohet, i ikuri kthehet, mëkatari pendohet dhe i varfri pasurohet!

Është zëri i Tij i Madhëruar që na thërret e që s'dëgjohet:
"O ti shpirt i bindur plotësisht, kthehu te Zoti yt i vetkënaqur e i pranuar." (89: 27), por harruam se ky është zëri që ia kthyem shpinën përjetësisht, dhe u mësuam me dhimbjet e jetës, e vuajtja u bë pjesë e pandashme e lumturisë!

 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.