MЁNYRA E ABDESIT |
|
|
|
Shkruar nga Mustafa Ukad
|
e premte . 18 maj 2012 |
Për secilin që e ka nënën gjallë: “Ruaje këtë dhunti të madhe para se të pikëllohesh për humbjen e saj…” Për secilin që ka humbur nënën e tij: “Kujtoje çdoherë se sa shumë është lodhur ajo për ty. Mos e harro në lutjet e tua...”
Tregimi fillon me lindjen time. Isha fëmija i vetëm në një familje shumë të varfër, nuk kishim ushqim që do të na mjaftonte. Nëse ndonjë ditë gjenim pak oriz ashtu që ta largojmë urine, pasi e mbaroja pjesën time, nëna edhe pjesën e saj ma dhuronte mua, dhe thoshte: “O biri im! Haje këtë oriz, sepse nuk jam e uritur.” Kjo ishte gënjeshtra e parë e saj.
Kur u rrita pak, nëna pasi mbaronte punët e shtëpisë dilte për të gjuajtur peshq në lumin e vogël që ishte afër shtëpisë. Shpresonte që nëse ha peshk do t’më ndihmojë në zhvillimin tim.
Një herë me lejen e Allahut kishte nxënë dy peshq. Shpejtoi për në shtëpi në mënyrë që t’i përgatisë; i vendosi para meje dhe unë fillova ta ha peshkun e parë dalë-ngadalë, ndërsa nëna ime hante atë që mbetej në mes të eshtrave. M’u rrëqeth zemra dhe peshkun tjetër ia dhurova asaj.
Ma ktheu mbrapsht dhe më tha: “O biri im! Ha edhe këtë peshkun, a nuk e di se unë nuk i dua peshqit?!” Kjo ishte gënjeshtra e dytë e saj.
U rrita dhe duhej që unë patjetër të shkoja në shkollë, por nuk kishim pasuri që t’i mbulojmë shpenzimet e shkollës. Nëna shkoi në treg dhe bëri marrëveshje me një tregtar të rrobave, që ajo të ecte shtëpi për shtëpi për të prezantuar mallin. Një natë dimri u vonua nëna ime ndërsa unë po e prisja në shtëpi. Pastaj dola ta kërkoj në rrugë afër lagjes, e gjeta duke bartur rrobat dhe duke trokitur shtëpi për shtëpi, e unë e thirra: “Oj nënë, eja të kthehemi në shtëpi sepse është bërë vonë dhe moti është i ftohtë, ti nesër mund ta vazhdosh punën qysh prej mëngjesit. Buzëqeshi nëna dhe më tha: “O biri im! Unë nuk jam e lodhur.” Kjo ishte gënjshtra e tretë e saj.
Në shkollë kishim provim përfundimtar dhe nëna këmbënguli të vinte me mua. Hyra në provim e ajo qëndronte jashtë duke më pritur mua në nxehtin e madh. Kur cingërroi zilja dhe përfunduam, dola, ndërsa ajo më përqafoi fort dhe me ngrohtësi, më pas më përgëzoi për suksese të mëtutjeshme. Me vete kishte një lëng të cilin e ruante për mua kur të dalë nga provimi, piva nga ajo dhe shuajta etjen, por nënës sime i dilnin djersët në fytyrën e saj nga vapa e madhe, ia ofrova lëngun menjëherë dhe i thashë: “Pi, oj nëna ime!” Ndërsa ajo ma ktheu: “O biri im! Pije ti se unë nuk jam e etur.” Kjo ishte gënjeshtra e katërt.
Pas vdekjes së babait tim, nëna ime jetoi si e vejë, dhe përgjegjësitë e shtëpisë ranë mbi atë, kështu që ajo duhej të sjellë të gjitha gjërat e nevojshme në shtëpi. Jeta u bë e vështirë dhe filluam të ndiejmë urinë.
Xhaxhai im ishte njeri i mirë dhe jetonte afër nesh, na sillte ushqime me të cilin largonim urinë, e kur fqinjët tanë panë gjendjen tonë të vështirë që dita-ditës po keqësohej, e këshilluan nënën time që të martohej me ndonjë burrë që do të shpenzonte për atë, por ajo u përgjigj: “Nuk kam nevojë për dashuri.” Kjo ishte gënjeshtra e pestë.
Kur mbarova studimet universitare, gjeta një punë të mirë deri diku, mendova se tash është koha që nëna ime të pushojë, e unë të marr mbi supe obligimet e familjes. Në atë kohë ajo nuk kishte shëndet të mirë që t’ia mundësonte asaj ecjen shtëpi për shtëpi, kështu filloi të shiste perime. I caktova një pjesë të rrogës sime vetëm e vetëm ta linte punën, refuzoi t’i marrë dhe tha: “O biri im! Ruaji paratë e tua, unë kam aq pasuri sa më mjafton!” Kjo ishte gënjeshtra e gjashtë e saj.
Punoja dhe në të njëjtën kohë regjistrova magjistraturën, vërtet korra suksese dhe në të njëjtën kohë m’u ngrit paga e punës.
Firma në të cilën punoja ishte gjermane, kështu që më transferuan në degën kryesore të saj në Gjermani. U ndjeva shumë i lumtur.
Fillova të ëndërrojë për fillim të mbarë dhe jetë të lumtur. Pasi udhëtova dhe u vendosa, i telefonova nënës sime që të vinte të jetonte me mua, por ajo nuk donte t’më ngushtojë, dhe më tha: “O biri im! Unë nuk jam mësuar të jetoj jetë me standard të lartë.” Kjo ishte gënjshtra e shtatë e saj.
Nëna ime u plak dhe atë e goditi sëmundja e kancerit në sy. Dikush duhej të ishte afër saj që ta mjekojë, por mes meje dhe asaj kishte shtete. Lashë çdo gjë dhe shkova ta vizitojë. Ishte e shtrirë në shtrat pas kryerjes së operacionit. Kur më pa, u mundua të buzëqeshë, por zemra ime digjej pasi ajo ishte e dobësuar. Nuk ishte nëna ime që e njihja më parë, filluan të më rridhnin lotët, ndërsa ajo mundohej të më qetësonte.
Më tha: “Mos qaj, o biri im, unë nuk po ndiej dhimbje.” Kjo ishte gënjeshtra e tetë e saj dhe e fundit…
Pasi ma tha këtë, ia mbylla sytë që më kurrë nuk i hapi. Për secilin që e ka nënën gjallë: “Ruaje këtë dhunti të madhe para se të pikëllohesh për humbjen e saj…” Për secilin që ka humbur nënën e tij: “Kujtoje çdoherë se sa shumë është lodhur ajo për ty. Mos e harro në lutjet e tua, Allahu të mëshiroftë!”
Përshtati: Valdet Kamberi |
|
|
|
|