MЁNYRA E ABDESIT

 
Nganjėherė mė vėshtirė ėshtė tė falėsh sesa tė kėrkosh falje PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Valbona Kelmendi   
e enjte . 26 prill 2012
 A mund t’i thuash iman i kompletuar vetëm zbatimit të disa prej farzeve që i ka obliguar All-llahu, kurse instalimi i edukimit të lihet tërësisht dytësor!?






 Të integruarit tërësisht në shkollën dhe edukatën e profetit alejhis selam është gjëja më e vështirë e myslimanëve, e në veçanti është edhe më e vështirë dhe më e rëndë tek ata të cilët kanë probleme me dallimin e gjërave reale-humane dhe atyre ngacmuese-djallëzore, sepse kredibliteti i tyre me siguri është i ndikuar nga të maturit e gjërave me kandar të dynjasë, saqë i largon gati tërësisht nga ajo me të cilën duhet matur dhe duhet gjykuar.

Si shkak i tërë kësaj mendojmë se është rënia nga limiti minimal që duhet ta ketë një besimtar.
Është shumë e vërtetë se të gjithë i ngacmon dhe sulmon egoja. Nga kjo nuk përjashtohet asnjë mysliman sado që mund të jetë i dekoruar me tituj të lartë akademik, mirëpo ato ngacmime dallojnë nga shkalla dhe sasia e tyre, do të thotë te disa ka efekt më të madh e disa thuajse i përfshin në tërësi, por ajo çka është më e rëndë dhe e pakëndshme është se del në pah e dhimbshmja e hidhur, ku me një autenticitet ta kujton hadithin e profetit alejhis selam i cili ka thënë:"Së pari thirr dhe eduko familjen tuaj në Islam, e pastaj…", kurse në realitet sikur po ndodh e kundërta.

Lidhur me këtë do doja të theksoja se: a mund t’i thuash iman i kompletuar vetëm zbatimit të disa prej farzeve që i ka obliguar All-llahu, kurse instalimi i edukimit të lihet tërësisht dytësor!?

Për të mos ikur nga tema, po e përmendim këshillën e një nëne e cila këshillon fëmijët e saj në lidhje me edukatën dhe mirësjelljen që ata të mos bien ndesh me to se do t’ju vjen vështirë të falin ose ta lënë peng për botën tjetër të falurit e atyre që janë të pasjellshëm ndaj tyre. Ajo ju thotë:

"Nëse ju ofendon më i rrituri se ju, heshtni për hir të asaj se është më i madh se ju e më të madhin duhet respektuar; e nëse është më i vogël sesa ju, heshtni për hir të asaj se është më i vogël e të voglin duhet mësuar se si duhet të sillet me edukatë dhe mirëqenie; nëse të ofendon plaku, hesht për hir të asaj se ai është plak e plakun e lëshon memorja; e nëse të ofendon fëmija, hesht se ai është fëmijë e fëmija nuk din;  ndërsa nëse të ofendon bashkëmoshatari, hesht e munde djallin në mes jush, sepse të edukuarit nuk i ka hije të bie nën nivelin e asaj që s’duhet për të qenë. Kështu do të jesh ngadhënjyes i të gjithëve pa u lënduar as ti e as tjetri."

Edhe duke pasur parasysh këtë këshillë sot lehtë mund të vërejmë se njerëzit dinë të jenë aq të pasjellshëm saqë e vendojnë tjetrin në atë pozitë ku edhe s’mund t’ia falë, nëse din t’i kërkojë falje i pasjellshmi. Po e them këtë ngaqë të kërkuarit ndjesë është gjëja që më së paku mund ta dëgjosh sot, për shkak se rokadacionet edukatë dhe mosedukatë e kanë bërë të veten.

Andaj do të doja të pyes se çfarë mund t’i thuhet kësaj: integrim në shkollë profetike apo ngecje në atë edukatën e cila s’jep më shumë sesa një nivel të analfabetizmit, sepse s’ka asnjë shkëndijë reflektuese të rezonimit!?

Pa e mohuar faktin se çdo njeri i ka mëkatet e veta dhe do të llogaritet për to, por gjithsesi te All-llahu e jo te njerëzimi, edhe pse disa pretendojnë të marrin me çdo kusht obligimin hyjnor që të jenë kadi për të tjerët, sfidimi i rasteve të tilla s'kërkon gjë tjetër përveç se maturi dhe kujdes se çfarë flitet, ngaqë një fjalë e pahijshme flet dhe dëshmon shumë.

Si mostër po e rikujtojmë rastin e dialogut mes Ademit alejhis selam dhe Musait alejhis selam, se si Musai e kritikoi Ademin alejhis selam për shkak të mëkatit të tij duke e harruar mëkatin që e kishte bërë ai vet, alejhis selam, me vrasjen e një njeriu, por që All-llahu ia fali pasi që ky edhe kërkoi falje nga All-llahu, mirëpo Ademi alejhis selam e sfidoi Musain, e që për këtë tre herë dëshmoi i dërguari ynë, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, duke thënë"…Ademi kështu e sfidoi Musain".

Të metat ose ligështitë e njerëzimit s’do të ndalen derisa të jetë kjo botë, por disa të meta pa logjikë të bëjnë përshtypjen se sikur tamam ashtu edhe duhet të jetë ose duhet vepruar. Kjo sa iu përket disa njerëzve me tendencën për t’u bërë më me "autoritet" të cilët sikur kërkojnë që e tërë farefisnia t’iu vihet në atë shkallë saqë të mos i thyhet fjala, ngaqë parulla e tyre trumbeton se, ne jemi të mëdhenj dhe si ne kush është, saqë rrezik të të bindin se edhe xheneti iu është garantuar. Kjo ta jep këtë pasqyrë për shkak se mënyra e të shprehurit dhe ecuria e muhabetit ta zhvillon këtë peizazh të të qenurit të tyre në atë siç edhe e thonë.
Mirëpo, vallë, a mund të falet i tilli lehtë, edhe pse në këtë rast themi për të falurit nga vetvullneti dhe respekti për hir të asaj që kërkon ideali ynë?

Kjo gjendje aktuale sikur na bën të kuptojmë se verseti kur'anor:
"Allahu nuk i do mendjemëdhenjtë dhe arrogantët." (Nahël: 23), është harruar së kujtuari vetvetes nga shumë njerëz, kurse hadithi:
"Besimtari është nderuar me fenë që i ka dhuruar All-llahu, është nderuar me mendjen, dhe dallohet me sjelljen e tij (të mirë)", sikur nuk ekziston fare.

Andaj ku jemi e ku kemi mbërri ne të cilët i thërrasim të tjerët në atë se është e mirë dhe e drejtë, me çka thërrasim ne, apo mos vallë i thërrasim të tjerët e veten e shndërrojmë në qirinj që t’i ndriçojmë të tjerët e veten ta lëmë në humnerë!?

Duke mos dashur që të zgjatem më shumë në këtë diskutim, e lus All-llahun që të na bëjë prej atyre që së pari t’i praktikojmë vet urdhrat kur'anorë dhe sunetin profetik të Muhammedit alejhis selam, e pastaj t’i thërrasim të tjerët në praktikim; të jemi të gërshetuar mirë e mirë me porositë e Kur’anit dhe sunetit profetik që pastaj të jemi urë lidhëse e bashkimit të njerëzve dhe forcë kundër djallëzisë, e jo të bëhemi aleatët e djallit, që ky aleatizëm ta vejë djallin në pushim e ne njerëzimi t’i bëhemi shërbëtorë!
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.