Floktarja e bijės sė Faraonit |
|
|
|
Shkruar nga --
|
e shtunė . 24 prill 2010 |
Nga Ibnu Abbasi radijall-llahu anhu, përcillet se i Dërguari i Allahut, alejhi selam, ka thënë: “Natën kur u ngrita në qiell, ndjeva një aromë të këndshme! Pyeta Xhibrilin: “Ç’është kjo aromë e këndshme, o Xhibril?!”
“Është aroma e shërbëtores së bijës së Faraonit dhe e bijve të saj.” – ma ktheu ai.
Thashë: – “Si është puna e saj?!”
Tha: – “Ndërkohë që ajo po ia krihte flokët bijës së Faraonit, i ra krehri nga dora dhe tha: “Bismil-lah (Me emrin e Allahut).”
E bija e Faraonit e pyeti atë: – “Me emrin e babait tim?!”
Ajo iu përgjigj: – “Jo, por të Zotit tim, Zotit tënd dhe Zotit të babait tënd, Allahut.”
Tha: – “A ke Zot tjetër përveç babait tim?!”
Ajo ia ktheu: – “Po!”
– “A t’ia tregojë atij këtë gjë?”
– “Tregoja!”
Kur ajo i tregoi Faraonit për këtë, ai e thirri menjëherë shërbëtoren dhe i tha: – “A mos vallë ti ke ndonjë Zot tjetër veç meje?”
Ajo iu përgjigj: – “Po! Kam Zotin tim dhe Zotin tënd, e Ai është Allahu.”
Atëherë, ai dha urdhër që të sillnin një enë të madhe prej bakri dhe të skuqej. Pastaj urdhëroi që të hidhen bijtë e saj, një nga një brenda në të.
“Kam një kërkesë ndaj teje!” – i tha shërbëtorja.
“Çfarë është ajo kërkesë?” – e pyeti Faraoni.
– “Dëshiroj që t’i bashkoni eshtrat e mia me ato të birit tim të mbështjella në një rrobë të vetme dhe të na varrosni së bashku.”
“Do ta plotësojmë kërkesën tënde.” – i tha Ai.
Kështu që, pasi i hodhën të gjithë fëmijët e shërbëtores në enën me bakër, i erdhi radha edhe fëmijës së saj më të vogël, foshnjës së gjirit.
E ndodhur përballë kësaj situate, për shkak të foshnjës së saj, ajo filloi të lëkundej, por për çudi, foshnja foli duke iu drejtuar nënës me fjalët: “O nëna ime! Me të vërtetë dënimi i dunjasë është më i lehtë se ai i ahiretit, prandaj hidhu!”Përfitimet që nxjerrim nga hadithi:
1. Durimi dhe qëndrueshmëria gjatë kohës së sprovave.
2. Shpërblimi është sipas veprave.
3. Shpërblimi i madh i takon atij që tregohet i qëndrueshëm në fenë e tij dhe nuk i trembet qortimit të asnjë qortuesi. "Vërtet, ata që janë të durueshëm, do të kenë shpërblim pa masë."
4. Me të vërtetë që Allahu i jep rrugëzgjidhje të dashurve të Tij në vuajtje dhe vështirësi.
5 Vërtetimi i kerameteve (mrekullive) të të dashurve të devotshëm të Allahut.
Marrë nga libri: “60 tregime të rrëfyera nga Pejgamberi dhe shokët e tij”.
Përktheu: Jusuf Kastrati
Hadithin e transmetojnë Ahmedi (3/309), Taberaniu në El-kebir (12279), (12280), dhe Ibnu Hibbani (2892), (2893). |