MЁNYRA E ABDESIT

 
Bima e zemrės PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Valbona Kelmendi   
e shtunė . 09 maj 2009

Nuk është vështirë të bëhesh prind, por vështirë është të jesh prind.
                       




Nëse e dëgjojmë edhe vetëm një leksion nga kardiologët se si duhet të kujdesemi për zemrën dhe arteriet e saj, do të na bëjnë që në asnjë mënyrë të mos e rrezikojmë procesin e saj (zemrës), e sidomos vëmendje të veçantë t’i kushtojmë arterieve. Në vazhdën e kësaj, do të doja që të përkushtohem tek ajo më e rëndësishmja "arterie" e zemrës, që kur ka të bëjë me gjuhën e fesë ne e njohim si "bima e zemrës", e që personifikon fëmijën.

Pothuaj çdo e dyta temë në leksione e diskutime është e pamundur të mos prek në trajtim gjendjen e mjerueshme të disa prindërve, ku përmes atyre leksioneve thirren fëmijët (të rriturit) për respektim dhe kujdes ndaj prindërve të tyre. Megjithatë, në këtë shkrim ne do t’i thërrasim ato nëna të cilat vetëm emrin nënë e mbajnë por sikur nuk kanë aspak ndjenjën dhe dashurinë amënore që të kujdesen e të sakrifikojnë për të mirën e të mbarën e bimës së zemrës së tyre, të cilën e bartën barrë nëntë muaj, e lindën, e rritën dhe në fund po e shkatërrojnë me duart e tyre.

Shumë raste më kanë bindur se me vend qenka thënë urtia:"Nuk është vështirë të bëhesh prind, por vështirë është të jesh prind."

Sikur paskam menduar gabim se, vetëm nënat sakrifikojnë çdo gjë për fëmijët e tyre që ata (fëmijët) të jenë sa më të edukuar, sa më të qetë, të shëndoshë e sa me më pak brenga e probleme. Por tamam them se për disa nëna paskam gabuar, ngaqë disa të ashtuquajtura nëna, për kënaqësi të kësaj bote e për gjëra materiale të kësaj bote, prehrin e tyre e kanë shndërruar në gurë e gjemba për rehati të fëmijëve të tyre, buzëqeshjen në vrazhdësi të egër, ngrohtësinë e shtëpive në varre, ëmbëlsinë amënore në helm, lartësitë e epitetit nënë në llum fundërrinash, shkëlqimet si në errësira të netëve pa hënë, dorën përkëdhelëse në maje thikash për të lënë vraga të pashërueshme në mendjen e shpirtin e fëmijëve të tyre, ndërsa qetësinë dhe prehjet amënore në arrogancë e jorehati. Të tëra këto të japin bindjen parametrike se, ata fëmijë të këtyre nënave, s'mund të jenë ndryshe në të ardhmen përveç se si karikatura të atyre nënave, të cilat i kanë lindur e i kanë bërë të duken të tillë.

A thua nuk është e dhimbshme kjo? Dhe, a thua çfarë faji kanë këta fëmijë në radhë të parë e mëpastaj rrethet e tjera të shoqërisë!?Nëse nëna e cila e ka lindur, e ka rritur është në gjendje t’ia bëjë këto, kush do t’ia kompensojë dashurinë, ëmbëlsinë dhe ngrohtësinë amënore.

Ta marrim një shembull: nëse mësuesja e lëndon nxënësin e saj prej pakujdesisë ose mosnjohjes së "shenjtërisë" së profesionit që ka, sa keq dhe rëndë do të ndikojë në gjendjen emocionale dhe shpirtin e nxënësit, për shkak se mësuesja konsiderohet si personi i dytë pas prindërve tek fëmijët.
Profeti, alejhis selam, me një përkushtim të madh na flet përmes haditheve të tij se si duhet të sillemi me bonjakët, por si t’i quajmë rastet e tilla, të cilat sikur më bëjnë të mendoj se ndoshta janë edhe më të rënda sesa të jenë bonjakë, ngaqë pamjet që mund t’i shohësh nga tretmanët që ju bëjnë nënat e tyre, janë tepër shqetësuese dhe gjendje alarmante.
Ne nëse e kujtojmë legjendën mitologjike për të përhiturën, të cilën e kemi mësuar ose nga familjet tona ose nëpër shkolla sa kemi qenë fëmijë, do të na i mbushë sytë me lot, po nëse hasim në skena e raste konkrete se si nëna e fëmijëve divorcohet ose bën çoroditje, të cilat mendja e shëndoshë s’i pranon, vetëm e vetëm për përfitime të kësaj bote, çfarë mund t’i thuhet kësaj!? A nuk e meriton që t’i merren ata fëmijë e ajo të lihet e vetmuar derisa të këndellet e vetëdijesohet tërësisht se, për bimën e zemrës (fëmijën) duhet të sakrifikojë veten e saj, ta prishë rehatinë, ta kundërshtojë dëshirën për lukse e gjëra të kësaj bote, vetëm që fëmijët e saj të jenë të edukuar mirë e të avancuar në të mirë e për të mirën, sepse fëmija i mirë është ëmbëltia e saj në këtë botë dhe në botën tjetër.

Është gabim i madh nëse prindërit mendojnë se fëmijët duhet t’i përgatisin vetëm për përfitime sa më të mëdha. Fëmija nuk guxon të përdoret si vegël pune për çfarëdo përfitimi, por duhet të përgatitet që të jetë i lumtur në këtë botë dhe në botën tjetër, sepse përmes kësaj përgatitje të shëndoshë përfiton edhe vet prindi i tij e në veçanti nëna.

I Dërguari alejhis selam, kur është pyetur se kush e meriton shoqërimin më së shumti në këtë botë është përgjigjur tri herë radhazi:"Nëna e jote.” e pastaj kush? - u pyet ai. Së katërti tha: “Babai yt.”

Pastaj në një hadith tjetër ka thënë:
"Kush i edukon dy vajza të saj me edukatë të shëndoshë derisa ato të rriten, do të jenë ato mburojë për të nga zjarri."

Po ajo nënë që nuk e bën këtë, përkundrazi e bën të kundërtën e saj, ku e ka vendin në këtë botë së pari do të thosha, e pastaj ku në tjetrën nëse nuk pendohet?!
A mos vallë, duhet t’i meritojnë fëmijët grushtet ndëshkuese në vend të prindërve të tyre, apo vet prindërit duhet ta marrin këtë ndëshkim?

Ajo që po më shtyn ta ngre zërin dhe të kërkoj përkrahësit e ndihmës për parandalim të kësaj situate aktuale tek disa prindër të tillë, është që të gjejmë metoda për të arritur në kontakt me ato nëna që të këshillohen se hapi dhe vepra e tyre është gabim i madh, si dhe t’ju themi se sjellja e tyre ndaj fëmijëve të tyre për interesa të dynjasë, është krim. Gjithashtu, të bëjmë atë që duhet bërë, t’i këshillojmë sa më shumë me qëllim që të parandalohen sjellje të tilla tek gjeneratat e reja, të cilat ende janë të shëndosha nga kjo anomali e potencuar në tërë diskutimin tonë, për shkak se si shoqëri kemi nevojë të kemi sa më shumë trashëgimtarë të edukuar mirë e jo trashëgimtarë të paedukuar, sepse shkatërrimi si shoqëri mund të vjen edhe më shpejt sesa që mund të paramendohet.

Të punojmë që sa më shumë që të kemi aso nëna e fëmijë, të cilët e ndjejnë dhe përjetojnë edhe në praktikë urdhrin kur’anor i cili thotë:

"Ne njeriun e kemi urdhëruar për (sjellje të mira ndaj) prindit të vet, sepse nëna e vet atë e barti me mund pas mundi dhe pas dy viteve e ndau nga gjiri. (e porositëm) Të jesh mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve tu, pse vetëm tek Unë është kthimi juaj." (Lukman, 14) 

 

 
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.