MЁNYRA E ABDESIT

 
Gruaja e devotshme (9) PDF Printoni E-mail
Shkruar nga --   
e premte . 08 maj 2009

Nuk ka gra më të këqija sesa ato të cilat nuk e falënderojnë burrin e tyre...




Gruaja muslimane duhet të jetë falënderuese ndaj burrit të saj për punën e tij të lodhshme me qëllim që të furnizojë gruan dhe fëmijët e tij me ushqim dhe veshmbathje. Ajo duhet ta falënderojë atë sa herë që sjell ushqim apo diçka tjetër dhe të lutet për të. Ajo nuk duhet t’i injorojë mirësitë e tij ndaj saj.
Ajo duhet të ketë frikë që të mos jetë si gratë për të cilat Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu i Lartësuar nuk e shikon një grua e cila nuk e falënderon burrin e saj dhe duke pasur nevojë për të.” Nesaiu, Bezari dhe të tjerë. Shejh Albani ka thënë se hadithi është shih. Shih Silsiletus-Sahiha nr. 289.

Nëse gruaja harron mirësitë e burrit të saj dhe mundin e tij, Pejgamberi salallahu alejhi ue selem këtë vepër e ka quajtur kufër (të vogël) dhe Allahu i Lartësuar e ka bërë këtë vepër shkak për ta hedhur në zjarr të xhehenemit.

Transmetohet se Esma bintu Zejd El Ensarije, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Kaloi Pejgamberi salallahu alejhi ue selem pranë meje dhe unë isha duke ndenjur me disa fqinje, të cilat ishin moshatare të mia. Na dha selam dhe tha: “Kini kujdes dhe mos bëni kufër (mos mohoni) ndaj atyre të cilët ju furnizojnë ju.” I thashë: “O i dërguar i Allahut, si është kufri ndaj atyre që na furnizojnë?” Tha: “Ndoshta ndonjërës prej jush i shtyhet martesa duke qëndruar te prindërit dhe pastaj Allahu ju cakton ndonjë burrë (për martesë) dhe ju dhuron fëmijë dhe më pas kur hidhërohet (me burrin e saj) me një hidhërim të ashpër bën kufër duke thënë: “Nuk kam parë asnjë të mirë nga ti asnjëherë.” Buhariu në Edebul Mufred. Shejh Albani ka thënë se senedi i tij është i mirë. Shih Silsiletus-Sahiha nr. 823.

Po ashtu transmeton Ebu Seid El Hudri se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem u tha disa grave: “O ju gra, jepni lëmosh (sa ma shumë) se unë ju kam parë ju (gratë) se jeni shumica e banorëve të xhehenemit.” Ato thanë: “Dhe për çfarë o i Dërguar i Allahut?” Pejgamberi salallahu alejhi ue selem tha: “Për shkak se ju mallkoni shumë dhe i mohoni të mirat e burrit.” Buhariu dhe të tjerë(Avdetul Hixhab 2/489.

Nuk ka gra më të këqija sesa ato të cilat nuk e falënderojnë burrin e tyre me gjuhë dhe me gjymtyrë në çdo moment dhe në çdo vend, ta falënderojnë atë për punën, mundimin, lodhjen që është duke e bërë për t’i furnizuar fëmijët dhe gruan e tij me ushqim e veshmbathje etj.

Ku janë fjalë si: “Allahu të shpërbleftë”; “Të lumshin duart!”; “Allahu mos na lëntë pa ty”; “Allahu ta shtoftë jetën duke e adhuruar Allahun” dhe fjalë të tjera të ngjashme të cilat tregojnë një falënderim për burrin dhe nuk ka dyshim se kjo nuk i kushton gruas asgjë.
Ku është falënderimi i saj me gjymtyrë, duke u ngritur për t’i kryer kërkesat e tij duke i shërbyer me çdo send që kërkon ai (që nuk është haram).

Dijetari AbdulMuteal El Xhabiri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Çdo person ka dëshirë të shikojë vlerësimin e mirësisë së tij dhe sa vlerësim i mirë është fjala falënderuese ose “Allahu të shpërbleftë”. Nuk ka dyshim se këto fjalë joshin të mira edhe më të mëdha dhe falënderimi mbjell dashuri në zemrën e njeriut.

Nëse gruaja e falënderon burrin e saj në mungesë të tij, kjo shton vlerën e gruas dhe dashurinë e burrit ndaj saj sepse nëse gruaja e falënderon burrin e saj në mungesë të tij, para familjes së saj etj., kjo gjë ia mbyll rrugët shejtanit.

Kur fëmijët të rriten duke dëgjuar fjalë falënderuese nga prindërit, që falënderojnë njëri-tjetrin, fëmijët mësohen që edhe jashtë shtëpie të falënderojnë ata të cilët u bëjnë mirë atyre.
Edhe kur dëgjojnë fjalët “më fal” apo “po më vjen keq”, nëse gruaja bën ndonjë gabim, do të mësohen edhe fëmijët që të kërkojnë falje nga prindërit dhe do të kenë sjellje të mirë (El Meretu fit-tesavur El Islamij f.121).
 



Përktheu: Eroll Nesimi
 
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.