MЁNYRA E ABDESIT

 
Dhjetė netėt e fundit tė Ramazanit PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Dr. Selman Avde   
e martė. 15 korrik 2014

Në mesin e këtyre netëve është nata e Kadrit - nata më e bekuar se një mijë muaj të tjerë.

   





   Dhjetë netët e fundit të Ramazanit janë shumë të veçanta. Nata e parë e këtyre netëve fillon në ditën e 21 të muajit Ramazan. Me fjalë të tjera, kjo është nata e cila fillon pas 20 ditë agjërimi. Nganjëherë janë nëntë net, kur muaji i Ramazanit zgjat vetëm 29 ditë. Sidoqoftë, ato janë akoma të njohura nga zakoni si “dhjetë netët e fundit”.

   Dhjetë netët e fundit të Ramazanit janë të veçanta. Këto janë netët ku i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i kalonte vazhdimisht me adhurim. Në mesin e këtyre netëve është “Lejletul Kadri-Nata e Kadrit”- nata më e bekuar se një mijë muaj të tjerë.
I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i veçonte këto net me adhurim dhe kryerjen e veprave të mira. Ai angazhohej në adhurim gjatë këtyre dhjetë netëve më shumë se çdo natë tjetër të vitit.

   Ajshja na tregon se: ”Gjatë dhjetë netëve të fundit të Ramazanit, i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, shtrëngonte rripin e tij dhe kalonte netët në adhurim. Ai po ashtu zgjonte edhe familjen e tij.” [Sahihul Buhari, 1920]
Ajshja po ashtu ka thënë: ”Nuk e kam parë asnjëherë të Dërguarin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, duke lexuar Kur’anin brenda një nate të vetme, apo duke kaluar tërë natën në namaz deri në mëngjes, apo duke kaluar tërë muajin në agjërim si në Ramazan.”[Suneni i Nesaiut, 1641 dhe Suneni i Ibën Maxhes,1348]

   Kur themi se i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka kaluar tërë natën në adhurim, ne duhet të sqarojmë këtë. Kjo për arsye se ai shpenzonte një kohë për të ngrënë darkë, pjesëmarrjen në syfyrin e tij, dhe aktivitete të tjera. Sidoqoftë, ai kalonte të shumtën e kohës në adhurim.


       Zgjimi i Familjes

   Ajshja na tregon neve se i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka zgjuar familjen e tij gjatë dhjetë netëve të fundit të Ramazanit. Në të vërtetë, ai zgjonte gratë e tij për namaz gjatë gjithë vitit, por ishte ashtu që ato mund të  faleshin vetëm në një copëz të natës.
 
   Gjatë dhjetë netëve të fundit të Ramazanit, i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, zgjonte gratë e tij për të falur namaz për një kohë më të gjatë të natës sesa gjatë tërë vitit.


       Përpjekjet për adhurim  

   Ajshja na tregon neve: ”I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, angazhohej në adhurim gjatë dhjetë netëve të fundit më shumë se çdo kohë tjetër të vitit.”[Sahihu Muslim, 1175]

   Fekihu (juristi) i madh, Shafiu deklaron: ”Është sunet për besimtarin të ketë angazhim të shtuar në adhurim përgjatë dhjetë netëve të fundit të Ramazanit.”[El-Mexhmu, 6/397]

   Kur Ajshja na ka treguar se i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka ”shtrënguar rripin e tij”, ajo ka folur në mënyrë figurative. Fraza e përdorur nënkupton gjallërimin e plotë të përkushtimit dhe çiltërsisë ndaj obligimeve.


       Kërkimi i natës së Lejletul Kadrit
 
   Njëra ndër veçantitë e këtyre dhjetë netëve speciale është se njëra nga to është Lejletul Kadri- Nata e Shpalljes. Kjo është nata më e madhe e vitit- më e mirë se një mijë muaj. Kjo nënkupton që muslimani mundet të fitojë më shumë shpërblime gjatë Lejletul Kadrit sesa që ai ka mundësi - duke përjashtuar këtë natë speciale- ai do të adhuronte Zotin e tij gjatë tetëdhjetë e katër viteve. Kjo është prej të mirave pa fund që Allahu i Madhërishëm i ka dhuruar gjithë umetit islam.

   Ibrahim En-Nehai tregon: ”Veprat e mira të realizuara gjatë kësaj nate janë më të mira sesa ato të realizuara në mënyrë të pandërprerë për mijëra muaj.”

   Ebu Hurejra rrëfen se i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: ”Kush kalon natën e Lejletul Kadrit duke u falur, me besim në Allahun dhe shpreson në shpërblimin e tij, do t’i falen gjithë mëkatet e kaluara.” [Sahihul Buhari, 1802 dhe Sahihu Muslim, 760]

   Besimi në Allahun, në këtë hadith, nuk nënkupton vetëm besimin në Allah, por edhe besimin në shpërblimin që neve na është premtuar për kujdesin  në lutjet e kësaj nate.
 
   Lejletul Kadri është një ndër netët tek. Ajshja rrëfen se i dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: ”Kërkojeni Lejletul Kadrin në netët tek gjatë dhjetë netëve të fundit të Ramazanit.” [Sahihul Buhari, 1913 dhe Sahihu Muslim, 1169]

   Kjo ka mundësi që të jetë njëra ndër shtatë netët e fundit. Ibën Umeri rrëfen që i dërguari i Allahut ka thënë: ”Kërkojeni atë në dhjetë netët e fundit. Nëse ndonjëri nga ju ndjehet i dobët apo i paaftë për një gjë të tillë, ai duhet të kërkojë së paku shtatë netët e fundit të mbetura.”[Sahihu Muslim, 1165]

   Si datë më e mundshme e Lejletul Kadrit është nata e 27-të e Ramazanit. Kjo dëshmohet nga deklarata e Ubej Bin Ka’b: ”Betohem në Allahun se unë e di se cila është ajo natë. Është nata në të cilën i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, na urdhëronte ne të jemi të vëmendshëm në namaz. Kjo është nata në prag të 27-të të muajit ramazan. Shenjë e kësaj është që dielli do të lind në mëngjes të asaj dite i bardhë dhe pa lëshuar ndonjë rreze.”[Sahihu Musilm, 762]

   Muslimani duhet të kërkoj këtë natë të veçantë duke kaluar  këto dhjetë net të fundit të Ramazanit i angazhuar në veprime të ndryshme të adhurimit. Këto përfshijnë përsëritjen e kujtimit të Allahut, leximin e Kuranit dhe lutjet për falje nga Allahu. 

   Më së miri për ne është që të përpiqemi në të gjitha dhjetë netët, sepse i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: ”Mënyra si ne e kërkojmë”Lejletul Kadrin” është me angazhimin në adhurim të shtuar.”.

   Kur i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë ”Kërkojeni në dhjetë netët e fundit” nuk ka nënkuptuar që ne në të vërtetë të “kërkojmë” shenja dhe tregues që dallojnë Lejtul Kadrin prej netëve tjera. Gjërat që e dallojnë Lejletul Kadrin prej netëve tjera janë pjesë të së padukshmes. 
 
   Allahu thotë: ”Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar. Ne dëshiruam t’ju tërheqim vërejtjen e njerëzit të jenë të gatshëm. Në atë natë zgjidhet qdo çështje në mënyrë të prerë.” [Ed-Duhan, 3 dhe 4]

   Allahu thotë: "Nata e Kadrit është më e rëndësishme së një mijë muaj! Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) në të zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje." [El-Kadr, 3-5]

   Këto janë argumentet në bazë të cilave Lejletul Kadri-Nata e Kadrit është e veçantë. Nuk janë sende që ne mund t’i shohim me sy. Askush përveç të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, nuk mund t’i shoh melaiket.


       Qëndrimi i vetmuar në Xhami (Itikafi)

   Qëndrimi i vetmuar në xhami është gjëja më e mirë që ne mund të bëjmë gjatë dhjetë netëve të fundit të Ramazanit. Ajshja na tregon që i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka qëndruar i vetmuar në xhami gjatë dhjetë netëve të fundit të Ramazanit çdoherë derisa ka ndërruar jetë. Gratë e tij kanë vazhduar të ndjekin këtë praktikë edhe pas vdekjes së tij.” [Sahihul Buhari, 1922 dhe Sahihu Muslim, 1172] 

   Praktika e I’tikafit është një vepër e fuqishme e rekomanduar. Është e definuar si qëndrim i vetmuar në xhami për të shprehur nijetin e adhurimit. Nijeti i tillë është përkushtimi i zemrave tona ekskluzivisht për Allahun. Personi i angazhuar në i’tikaf mban këtë qëllim afër shpirtit duke kërkuar bekimin e Allahut. Ai nuk duhet të harrojë arsyen pse është duke qëndruar i vetmuar.

   Personi që qëndron në i’tikaf nuk duhet të largohet nga xhamia përveç për atë që konsiderohet absolutisht e nevojshme (shembull shkuarja në banjo-tualet). Derisa është në xhami, ai duhet ta angazhojë veten në lutje ndaj Allahut. Ai duhet të jetë i sigurt në paraqitjen e lutjeve të mbrëmjes dhe mëngjesit dhe lutjeve të urdhëruara të pesë namazeve ditore. Ai duhet t’i falë të gjitha sunetet e namazeve dhe namazeve tjera të rekomanduara, siç është namazi i Duhasë. Ai duhet të lexojë sa më shumë Kuran.

   Ai duhet të shpenzon sa më pak kohë që të jetë e mundur duke ngrënë dhe fjetur. Ai duhet t’i shmanget fjalimeve të panevojshme. Megjithatë ai duhet të angazhohet në këshillimin e vëllezërve muslimanë dhe bashkimin mes të vërtetës dhe durimit.


       Bujaria

   Jemi të inkurajuar të jemi bujarë gjatë dhjetë netëve të fundit të Ramazanit, duke mos e tepruar dhe mburrur me dhurimin tonë. Ibën Abasi tregon se: ”I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ishte më bujari nga të gjithë njerëzit në veprimin e veprave të mira, dhe ishte në kulmin e bujarisë gjatë muajit ramazan. Xhibrili ka takuar atë për çdo vjet gjatë muajit ramazan, kështu që i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i lexonte Kur’an atij. Sa herë që Xhibrili takonte atë, ai bëhej më bujar se era e dërguar që sjell shiun (e freskët).” [Sahihul Buhari, 1902 dhe Sahihu Muslim, 2308]


   Neveviu deklaron [El-Mexhmu’, 6/398]: "Bujaria dhe dorëlirësia janë fuqimisht të inkurajuara në Ramazan, veçanërisht gjatë dhjetë netëve të fundit. Duke vepruar kështu ne garojmë me shembujt e të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe pasuesve të tij besimtarë të devotshëm. Po ashtu, ky muaj është madhështor, dhe kryerja e punëve të mira në këtë muaj janë më të bekuara sesa në çdo kohë tjetër. Po ashtu njerëzit janë të zënë me agjërim dhe adhurim, dhe kjo i shkëput nga mjetet e jetës dhe ndoshta atyre u duhet ndihmë gjatë kësaj kohe.
  

Përktheu: Ardian Klaiqi
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.