MЁNYRA E ABDESIT

 
Madhėshtia e Ramazanit PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Blerta Shaqiri   
e hėnė . 08 korrik 2013
 Motra të dashura, mos të harrojmë se në këtë muaj, Allahu i Madhërishëm liron turma-turma njerëzit nga xhehenemi dhe i fut në xhenet.  

 

Allahu i Lartësuar thotë:
”O ju që keni besuar! Agjërimi ju është bërë obligim, sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”. (El-Bekare, 183)
I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:
“Kush e agjëron Ramazanin me besim të plotë dhe duke shpresuar në shpërblimin e Allahut, do t’i falen mëkatet e bëra më parë”. (Buhariu dhe Muslimi)

Gjithashtu, i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:
”Kur vjen muaji i Ramazanit, hapen dyert e Xhenetit, mbyllen dyert e Xhehenemit dhe lidhen me pranga djajtë.” (Buhariu dhe Muslimi)

Ky është muaji i Ramazanit, në të cilin besimtari duhet të japë maksimumin e fuqisë së tij që ta kalojë me sukses këtë garë dhe të fitojë shpërblimin që Allahu e ka përgatitur për të.

Lidhur me këtë, i Dërguari transmeton nga Allahu i Lartësuar, i Cili thotë:
“Çdo punë e birit të Ademit është vepër e tij, përveç agjërimit, ai është i Imi dhe Unë shpërblej për të…”

Çështja e këtij ibadeti është e lidhur shumë me qëllimin dhe zemrën e agjëruesit.Zemra e besimtarit, e cila është e nënshtruar ndaj urdhrit të Krijuesit dhe e di që një ditë do ta takojë Allahun, ka frikë nga gjuha që përgojon, nga shikimi në haram, dëgjimi në haram, etj., mirëpo në këtë muaj kujdesi duhet të shtohet shumë më shumë, sepse lehtë është të heqësh dorë vetëm nga ushqimi dhe pija.

Allahu ka sjellë bereqete të mëdha në këtë muaj. Ai mundësoi që të bëhen shumë ibadete të ndryshme që besimtari ta freskojë e ta ushqejë zemrën e tij me to.
Në këtë muaj duhet të shpeshtohet përmendja e Allahut, duatë dhe përkushtimi ynë ndaj Krijuesit.
Dhikri më madhështor është Kur’ani. Ky dhikër është pa konkurrencë dhe në vete ngërthen të gjitha llojet e përmendjes së Allahut. Askush nuk mund ta cilësojë, madhërojë, lavdërojë dhe falënderojë Allahun e Madhërishëm ashtu siç Ai ka thënë për veten e Tij në Kur’anin e Tij.

I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:
“Vlera e fjalës së Allahut ndaj fjalëve tuaja, është sikurse vlera e Allahut ndaj juve.”
Uthmani, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Sikur të ishin pastruar zemrat tona, nuk do të ngopeshin kurrë me leximin e Kur’anit.”
Prandaj, motra të nderuara, le të jetë ambicia jonë, jo vetëm në këtë muaj, por edhe në muajt e tjerë, afrimi tek Allahu i Madhërishëm me vepra sa më të mira, sepse vetëm tek Ai nuk ka dëshpërim. Tek Ai ka shpërblim, kënaqësi dhe përjetësi.E tillë duhet të jetë vendosmëria e besimtarit, në frenimin e nefsit të tij, lakmisë dhe dëshirës për të pasur në këtë botë duke e ditur se tek Allahu do të gjejë atë çka kurrë nuk e ka parë, as nuk e ka dëgjuar dhe as nuk i ka shkuar mendja për të.

Të bëjmë nijet me zemër dhe t’ia japim besën Allahut
se në këtë Ramazan do ta ndryshojmë gjendjen tonë, sjelljet tona, kujdesin ndaj gjuhës, do ta shpeshtojmë përmendjen e Tij, falënderimin që i takon vetëm Atij dhe të kujtojmë me lot në sy Ditën kur do të qëndrojmë përballë Tij.

Mos të harrojmë, motra të dashura, se në këtë muaj, Allahu i Madhërishëm liron turma-turma njerëzit nga Xhehenemi dhe i fut në Xhenet.

E lusim Allahun të jemi prej atyre që Allahu ua fshin emrat nga lista e zezë e banorëve të Xhehenemit dhe na bën prej banorëve të Xhenetit! AMIN!
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.