MЁNYRA E ABDESIT

 
A ke menduar tashmė pėr llogarinė mujore? PDF Printoni E-mail
Shkruar nga ---   
e premte . 02 gusht 2013

 A i kemi mëshiruar të varfrit dhe skamnorët, pasi që kemi ndier diçka nga ajo që e ndiejnë ata gjatë tërë vitit? A i kemi shfrytëzuar mjetet për fitimin e kënaqësisë së Allahut dhe largimin nga zjarri i xhehenemit?




Të dashura motra në Islam!

 Këto janë shtatë stacione në të cilat do të ndalemi shkurtimisht me shpresë se do t'i mbajmë zemrat tona në ritëm duke qenë gjithmonë të mbushura me iman. 

                                    
Stacioni i parë: Llogaria

  Çdo myslimane që ka frikë Allahun do të duhej që në fund të këtij muaji të shenjtë të ndërmarrë një llogari ndaj vetvetes. Llogaria e vetvetes është një nga metodat më efektive për pastrimin e zemrës dhe për nxitje në punë të mira.       
Këtyre ditëve po e përcjellim mysafirin tonë të bekuar, Ramazanin me ditët e tij të bukura dhe netët e tij të qeta. Ne po e përcjellim atë dhe ai po shkon nga ne. Poashtu nuk e dimë se a do ta shohim atë në vitin e ardhshëm përsëri. Apo do të mbarojë jeta jonë para kësaj?

’Ne e përcollëm atë’. Ndërsa, tash të shohim se cilat nga veprat e mira i kemi bërë në këtë muaj.
       
A e kemi përmbyllur këtë muaj me devotshmëri ndaj Allahut? A kemi marrë për këtë ndonjë shenjë nga Ai? A e kemi mësuar shpirtin tonë me durim, me garim në të dhe me gjakftohtësi, përmes së cilave i bëjmë veprat e mira dhe i lëmë ato të këqijat që ta fitojmë kënaqësinë e Allahut?       
A i kemi mëshiruar të varfrit dhe skamnorët, pasi që kemi ndier diçka nga ajo që e ndiejnë ata gjatë tërë vitit? A e kemi mësuar veten që të bëjmë përpjekje dhe që t'i mposhtim dhe t'i mundim qejfet dhe nevojat tona?       
A i kemi shfrytëzuar mjetet për fitimin e kënaqësisë së Allahut dhe largimin nga zjarri i xhehenemit?        

A i kemi spastruar zemrat tona nga zilia, zemërimi, moskënaqja dhe paragjykimi ndaj vëllezërve dhe motrave tona në Islam, dhe a e kemi filluar një faqe të re me ta, e cila është përplot dashuri, dashamirësi dhe solidaritet?       
A kemi, a kemi, a kemi...? Ka shumë, shumë pyetje, të cilave duhet t'i jepet nga ne një përgjigje e sinqertë dhe praktike. 

       
Stacioni i dytë: Adhuroje Zotin tënd derisa të vijë dija tek ti 
       
Robi duhet të jetë gjithherë në adhurim ndaj Zotit dhe i qëndrueshëm në zbatimin e urdhrave të Tij.
Nuk duhet të bëjë hile sikurse dhelpra, ta adhurojë Allahun vetëm në një muaj të caktuar dhe ta lërë adhurimin ndaj Zotit në muajt tjerë, apo në ndonjë vend të caktuar, apo me njerëz të caktuar. Ai që e bën këtë do të duhej të dinte se Zoti i Ramazanit është edhe Zot i muajve tjerë dhe i të gjitha kohëve dhe epokave.
Allahu thotë:
 „Ti (Muhamed) përqendrohu vendosmërisht ashtu si je i urdhëruar, e bashkë me ty edhe ata që u penduan.“ [Hud:112] 

Poashtu Allahu  thotë:  
Pra, drejtojuni Atij dhe kërkoni falje prej Tij.“ [Fussilet:6] 

I Dërguari, Muhamedi sal-all-llahu alejhi ve selem, ka thënë: “Thuaj: Besoj në Allahun dhe bëhu i vendosur.” (Transmeton Muslimi)        

Pas Ramazanit  ka agjërim vullnetar siç janë: gjashtë ditët e shevvalit (muaji pas Ramazanit), ditët e hëna dhe të enjte, ditët e bardha (13, 14, 15 e çdo muaji hënor) e kështu me radhë.       

Kur të përfundojë namazi i teravive dhe ngritja natën për falje në muajin Ramazan, sërish mund të falim namaz nate në shtëpi.
Thotë Allahu: 
Ata qenë të cilët pak flinin natën.”  [Edh-Dharijat:17]  

Kur të kalojë koha e sadakatul-fitrit kemi lëmoshën e detyrueshme (zekatin), të cilën duhet ta japë çdonjëri dhe dyert e lëmoshës, të punëve vullnetare dhe të përpjekjeve janë gjithherë të hapura. Leximi i Kur'anit nuk është diçka që duhet bërë vetëm gjatë Ramazanit, por në çdo kohë. Veprat e mira janë për çdo kohë dhe për çdo vend, prandaj bëni përpjekje.
Mjerë për ty nëse të bëhen monotone dhe të lodhin!

Nëse nuk do të bësh diçka vullnetare, atëherë asnjëherë nuk guxon t'i lësh detyrimet si faljen e pesë namazeve në kohët e caktuara të tyre në bashkësi dhe kështu me radhë.
Secili do të duhej ta luste Allahun për përforcim dhe qëndrueshmëri në rrugën e drejtë, ngase ti nuk e din se kur do të të vizitojë meleku i vdekjes. Mjerë për ty, po qe se të gjen në ndonjë mëkat.
O Allah, të gjitha zemrat janë në dorën tënde, forcoji zemrat tona në fenë tënde! 


Stacioni i tretë: Mjerë për ty dhe prapë mjerë për ty!        

Mjerë për ty motër e dashur, nëse nuk pendohesh!
Mjerë për ty po nuk e  mbajte premtimin ndaj Allahut!
Mjerë për ty po e prishe shtëpinë e devotshmërisë, të cilën e ke ndërtuar me gurët e veprave të mira në këtë muaj të bekuar!       

Mjerë për ty po e zëvendësove dëgjimin dhe leximin e Kur'anit me dëgjimin e zërit të shejtanit (muzikës)!       
Mjerë për ty po e le Kur'anin, pasi që ishte miku dhe shoqëruesi yt në Ramazan!       
Mjerë për ty po e harrove Zotin tënd, pasi që Ai t'i hapi në këtë muaj të bekuar dyert e mëshirës së Tij!


Stacioni i katërt: Shenjat e pranimit        


Duhet patjetër të dish - Allahu të ruajttë! - se një nga shenjat e pranimit të punëve të mira te Allahu është vazhdimi yt në vepra të mira edhe pas Ramazanit dhe se bërja e mëkateve pas këtij muaji është nga shenjat e mospranimit të tyre. Tash, pyete veten!

Thotë Allahu: 
Mirëpo, këtë nuk e arrin kush, pos atyre të durueshmëve, dhe nuk e arrin kush, pos atyre me virtyt të lartë.“ [Fussilet:35] 


Stacioni i pestë: Ti ke fuqinë       


Muaji Ramazan, të ka treguar se ti ke fuqi për praktikim dhe qëndrueshmëri në këtë fe. Dhe se ti ke fuqi për t’i lënë punët e këqija dhe për t'i zbatuar namazet në kohët e tyre të caktuara.
Muaji Ramazan poashtu të ka treguar se ti mund të ndalesh nga pirja e duhanit, po qe se je njëri prej atyre që e pinë. Tash, a do të marrësh mësim nga Ramazani... apo jo?    


Stacioni i gjashtë: Muslimanët pas festës         

Motër e dashur, kur të jesh me burrin  tënd dhe fëmijët e tu... duke jetuar në qetësi, në luks, me shëndet dhe në siguri, kujtoji vëllezërit dhe motrat tua në shumë vende dhe regjione të kësaj bote.
Kjo festë ua shton brengat dhe plagët e tyre, të cilat ende nuk janë shëruar. Ata gjenden në mjerim dhe fatkeqësi, të cilën e di vetëm Allahu. Disa kanë harruar se çdo të thotë siguri, të tjerët vdesin nga uria dhe sëmundja.
Në anën tjetër, të tjerët jetojnë, por nuk nderohen, nuk trajtohen njerëzisht dhe nuk u jepen kurrfarë të drejtash.
Çfarë ke bërë ti për të gjithë vëllezërit dhe motrat tua nga besimi!

Allahu do të na pyes në Ditën e Gjykimit për vëllezërit dhe motrat tona.
Pse ua kemi kthyer shpinën dhe nuk kemi treguar solidaritet ndaj tyre?  
A e ke falënderuar së paku ti Allahun për këtë nimet (dhunti)? 



Stacioni i shtatë: Kush do të duhej në të vërtetë t'i gëzohet festës?        

Shohim çdonjërin se si i gëzohet festës. Por, a thua kush mund të gëzohet gjatë festës? Festa  nuk është për atë që vesh rroba të reja, e as për atë që tubon shumë para. Festa në të vërtetë është për ata që i binden Allahut, të cilët do të jenë të sigurt në Ditën e Gjykimit dhe që kanë fituar kënaqësinë e të Plotfuqishmit, Gjithëdijshmit...        

Lusim Allahun e Lartësuar që t'i pranojë veprat e mia, tuat dhe ato të gjithë myslimanëve, agjërimin, namazin dhe të gjitha veprat e mira.  

Paqja qoftë mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin alejhi selam, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë rrugën e drejtë deri në Ditën e Gjykimit!


Marrë nga revista: AL-FATH

Përktheu nga gjermanishtja: Jusuf Kastrati
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.