MЁNYRA E ABDESIT

 
Kėshilla e sinqertė PDF Printoni E-mail
Shkruar nga ..   
e martė. 12 shkurt 2008



Temim ed-Dari, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “I Dërguari, alejhis-selam, tha tri herë: "Feja është “nasiha” (këshillim i sinqertë)." Ne i thamë: “Ndaj kujt?” Ai tha: “Ndaj Allahut, ndaj Librit të Tij, ndaj të Dërguarit të Tij, ndaj prijësve të muslimanëve dhe ndaj njerëzve të thjeshtë." (Transmetuar nga Muslimi)

Duke komentuar këtë hadith, Imam Neveviu (vdiq në vitin 676 hixhri), ka thënë: “Për sa i përket këshillës ndaj Allahut të Lartësuar, kuptimi i saj i referohet të pasurit besim në Allah dhe mohimit të çdo rivali të Tij; të braktiset ateizmi, mohimi ose ndryshimi i kuptimit të Cilësive dhe Emrave të Allahut; t’i përshkruhen Atij cilësitë e plotësisë, të përsosmërisë dhe të madhështisë, duke e deklaruar Atë njëkohësisht të pastër nga çdo e metë; të braktiset mosbindja ndaj Tij; të duash dhe të urresh për hir të Tij; të mbash marrëdhënie të mira me ata që i binden Atij dhe të kesh armiqësi me ata që nuk i binden Atij; të luftosh kundër atyre që nuk besojnë tek Ai; t’i njohësh mirësitë e Tij dhe ta falënderosh për to; të kesh sinqeritet në të gjitha punët; të ftosh në gjërat e lartpërmendura dhe të inkurajosh në to dhe të tregosh mirësjellje karshi të gjithë njerëzve që janë të aftë në këtë thirrje. El-Hatabi (vdiq më 388 hixhri) ka thënë: "Realiteti i këtij atashimi i referohet të qenët i sinqertë me vetveten nga ana e robit, pasi Allahu i Lartësuar nuk ka nevojë për sinqeritetin e atij që tregohet i sinqertë."

Për sa i përket këshillës ndaj Librit të Allahut, ai duhet të besohet se është Fjala e Allahut, të Lartësuarit, dhe Shpallje e Tij. Asgjë nuk i ngjan atij nga e folura e krijesave. Asnjë krijesë nuk është në gjendje të sjellë diçka të tillë, prandaj Librit të Allahut i duhet bërë respekti që i takon, duke e recituar dhe duke vepruar sipas urdhrave të tij, ashtu si duhet dhe gjatë bërjes së kësaj të kihet përulësi dhe nënshtrim (hushu’). Shkronjat e këtij Libri duhen lexuar me saktësi. Ky Libër duhet mbrojtur nga keqinterpretimet e njerëzve që bëjnë mundohen të bëjnë ndryshime në te dhe nga sulmet e atyre që e sulmojnë. Duhet të besohet ajo që është në të dhe të zbatohen urdhrat e tij. Duhet të mësohen shkencat dhe shembujt e tij, duhen pasur parasysh paralajmërimet dhe të meditohet mbi çështjet magjepsëse që gjenden në të. Duhen zbatuar gjërat e qarta në të dhe të pranohen ato që nuk janë të prera. Të shikohen me kujdes çështjet e përgjithshme dhe specifike, të abroguarat dhe abrogueset. Të përhapësh shkencat e tij dhe të bëhet thirrje në të. E tërë kjo është këshillë e Librit të Allahut.

Për sa i përket këshillës ndaj të Dërguarit të Allahut, alejhis-selam, atëherë kjo është të dëshmosh për të Vërtetën me të cilën erdhi ai, t’i bindesh atij në atë që urdhëroi dhe ndaloi, ta ndihmosh atë kur ishte gjallë dhe pasi ndërroi jetë, të jesh i armiqësuar me këdo që është armiku i tij, të rreshtohesh në radhët e atyre që i kanë dhënë besën atij, të respektosh të drejtat e tij dhe nderin e tij, të ringjallësh rrugën dhe Sunetin  e tij. Gjithashtu, të përhapësh davetin e tij, të largosh çdo dyshim që ngrihet kundër tij, t’i kushtosh vëmendje të plotë shkencave të hadithit, të arrish të kuptosh kuptimin e tij dhe të bësh thirrje në të, të kesh butësi dhe sjellje të mirë gjatë mësimit dhe dhënies mësim të hadithit, t’i japësh vendin e rëndësishëm që meriton, të kesh sjellje të mirë kur e lexon atë, të mos flasësh për të pa pasur dije, t’u japësh respektin e duhur njerëzve që janë të lidhur me hadithin, të përvetësosh sjelljet dhe veprimet e tyre, ta duash familjen e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe sahabët e tij, t’u shmangesh atyre që fusin bidate në lidhje me sahabët dhe t’u shmangesh atyre që sulmojnë qoftë edhe vetëm njërin prej tyre.

Këshilla ndaj udhëheqësve: T’i ndihmosh ata për realizimin e së vërtetës, t’u bindesh atyre në të vërtetën, t’u kujtosh të vërtetën dhe t’i këshillosh me butësi dhe mirësjellje. Gjithashtu, të vetëdijesohen ata për atë që janë të pakujdesshëm ose neglizhues ndaj saj dhe të ndihmohen në përmbushjen e të drejtave të atyre muslimanëve që nuk u janë përmbushur ende të drejtat, të mos ngrihesh në kryengritje kundër tyre dhe të zgjosh në zemrat e njerëzve dashurinë e bindjes ndaj tyre. Hattabiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: "Këshilla ndaj tyre përfshin të falësh namaz pas tyre, të përfillen urdhrat e tyre për në xhihad, t’u japësh zekatin dhe të mos rebelohesh kundër tyre me shpatë kur ata shfaqin padrejtësi ose trajtim të keq, të mos lavdërohen me lavde të rreme dhe të bëhet dua për ta që të jenë të devotshëm." E gjithë kjo bazohet në faktin se ai që nënkuptohet me fjalën udhëheqës i muslimanëve është kalifi dhe pjesëtarët e administratës, të cilët kujdesen për çështjet e muslimanëve. Hattabiu gjithashtu thotë: "Dhe kjo merret se i referohet imamëve që janë Dijetarë të Fesë. dhe sinqeriteti ndaj tyre përfshin: të pranohet ajo që ata raportojnë, duke i pasuar ata në lidhje me vendimet dhe të ushqehet mendim i mirë për ta."

Këshilla ndaj muslimanëve të zakonshëm – ata që nuk janë udhëheqës ose dijetarë: T’i udhëzosh ata drejt asaj që është dobiprurëse për ta në këtë botë dhe në botën tjetër, t’i mbrosh ata nga e keqja duke u mësuar atë që nuk dinë në fe, t’i ndihmosh me fjalë dhe vepra, të fshehësh fajet e tyre dhe të përmbushësh nevojat e tyre, të largosh nga ta atë që u sjell dëm dhe t’u bësh mirë atyre, t’i urdhërosh për të mirë dhe t’i ndalosh nga e keqja me butësi dhe mëshirë për ta. Të kesh respekt për të moshuarit mes tyre dhe për të vegjlit. T’i këshillosh dhe të mos i mashtrosh ata, të duash gjëra të mira për ta, të cilat i do edhe vetë, të urresh gjërat që urren edhe për vete, të mbrosh pasurinë e tyre dhe reputacionin e tyre me fjalë dhe vepra, t’i inkurajosh dhe t’i këshillosh që të zbatojnë atë që thamë më lart, nga të gjitha llojet e këshillave dhe t’u japësh kurajë për akte bindjeje. Për disa nga selefët, Allahu qoftë i kënaqur me ta, këshilla ishte kaq e madhe, saqë ndikonte shumë në çështjet e tyre të kësaj bote.

Allahu e di më së miri!

                                     
Autor: Imam Ebu Zekerija en-Neveviu
                                     
Përktheu: Eglantina Muça      
                                      Burim: Sherh Sahihi Muslim (2/38)
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.