MЁNYRA E ABDESIT

 
Hatixhe bint Huvejlidi PDF Printoni E-mail
Shkruar nga --   
e diel. 03 shkurt 2008

 


Shkruar nga: Abdul Muhsin Ibën Muhamed el-Kasim


Falë nderimi i takon Allahut. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të Dërguarin Muhamed, mbi familjen e tij dhe mbi sahabët e tij.
Muslimanë, keni frikë Allahun ashtu si duhet pasur frikë! Frika ndaj Allahut është një përkujtim për robin e Tij të devotshëm dhe siguri për të nga ndëshkimi i Tij.
Gruaja muslimane do të përparojë nëse ndjek rrugën e grave më të mira, të cilat jetuan në gjeneratën më të mirë dhe u edukuan në Shtëpinë e Shpalljes. Ato janë gra me një status të lartë dhe me vlerë të çmuar. Allahu i lavdëron ato në Kuran:
O gratë e të Dërguarit! Ju nuk jeni si  gratë e tjera. Nëse keni  frikë Allahun, mos u llastoni në të folur e të lakmojë ai që ka sëmundje në zemrën e tij, por thuani fjalë të matura. (Ahzabë, 32)

Ato janë gra të bekuara dhe madhështore. Ndër më të shquarat mes tyre është gruaja inteligjente dhe e urtë, Hatixhe bint Huvejlidi, një grua fetare dhe fisnike. Ajo kishte karakter virtuoz dhe sjellje të mirë. Ajo ishte e ndershme dhe e shquar për bukurinë e saj. Ajo njihej nga banorët e Mekës si ‘e pastra’ (et-Tahire). I Dërguari i Allahut u martua me të dhe ajo ishte një grua e shkëlqyer për të. Ajo e ndihmoi atë me jetën, pasurinë dhe zgjuarsinë e saj. Gjatë ditëve të vështira, ai do të gjente mbështetje tek ajo dhe kishte shumë besim në të.
Kur atij i erdhi shpallja për herë të parë, shkoi te gruaja e tij dhe i frikësuar i tha: “Oj Hatixhe, frikësohem për veten.” Por, Hatixhja iu përgjigj frikës së tij me zemër të vendosur. Ajo i tha atij: “Pasha Allahun kurrë nuk do të të poshtërojë Allahu. Ti i mban lidhjet me të afërmit, je i sinqertë në fjalë, i ndihmon të vobektit, fiton pasuri dhe për dallim prej të tjerëve e shpërndan nëpër nevojtarë...

Islami filloi në shtëpinë e saj dhe ajo ishte personi i parë që pranoi Islamin. Ibn Kethiri ka thënë: “Hatixhja ishte personi i parë që pranoi Islamin, sipas konsensusit të muslimanëve. Asnjë burrë ose grua nuk e ka pranuar Islamin para saj.”

Në fillim të misionit të të Dërguarit, ai hasi në shumë pengesa e vështirësi, por ajo qëndroi krah tij me mëshirë dhe e përkrahu me inteligjencën e saj të jashtëzakonshme. Sa herë që ai dëgjonte ndonjë fjalë të pakëndshme nga njerëzit dhe shkonte tek ajo, ajo do t’i jepte kurajë. I Dërguari, alejhi selam, ka thënë për të: “Ajo më besoi (për të dërguar) kur njerëzit më mohuan; ajo më besoi mua kur njerëzit shpifnin ndaj meje; ajo më përkrahu me pasurinë e saj kur njerëzit refuzuan të më ndihmonin dhe ajo u martua me mua kur m’u mohua martesa me gra të tjera.” (Ahmedi)

Hatixhja ishte një grua e mrekullueshme për burrin e saj dhe një nënë e dashur për fëmijët e saj. Ajo lindi të gjithë fëmijët e të Dërguarit, alejhi selam, përveç Ibrahimit. Ajo kishte sjellje shumë të mira. Ajo nuk zihej kurrë me bashkëshortin e saj dhe nuk e bezdiste kurrë. I Dërguari i Allahut, alejhi selam, ka thënë: “Erdhi meleku Xhibril dhe më tha: “Jepi Hatixhes lajmin e mirë se ajo do të ketë një pallat të bërë nga perlat në xhenet dhe atje nuk do të ketë as zhurmë e as lodhje.” (Buhariu dhe Muslimi)

Es-Suhejli ka thënë: “Asaj iu dha lajmi i mirë për një shtëpi në xhenet sepse ajo kurrë nuk e ngriti zërin mbi zërin e të Dërguarit alejhi selam dhe kurrë nuk e bezdisi atë.”
Ajo ishte e kënaqur me Zotin e saj dhe Allahu është i kënaqur me veprimtarinë e saj.
I Dërguari, alejhi selam, ka thënë: “Meleku Xhibril më ka thënë: “Kur të shkosh te Hatixhja, dërgoji selamin e Zotit tim dhe timin gjithashtu.” (Buhariu dhe Muslimi)
Ibnul Kajjimi ka thënë: “Hatixhja është e vetmja grua që njihet se ka pasur këtë nder.”

Allahu i Lartësuar e deshi Hatixhen dhe po ashtu edhe engjëjt. I Dërguari alejhi selam e ka dashur Hatixhen shumë. Ai ka thënë: “Jam bekuar me dashurinë e saj.” (Muslimi)

Sa herë që i Dërguari, alejhi selam, e kujtonte atë, e përmendte atë me një përshkrim të bukur dhe tregonte mirënjohje për shoqërinë e saj. Aishja ka thënë: “Sa herë që i Dërguari i Allahut kujtonte Hatixhen, kurrë nuk lodhej së lavdëruari atë dhe duke lutur Allahun ta falte. Ai e vlerësonte dashurinë dhe sinqeritetin e saj dhe i nderonte shoqet e saj pas vdekjes së saj.” Aishja ka thënë: “Ai shpesh therte ndonjë dhi, e ndante në pjesë dhe ua shpërndante shoqeve të Hatixhes. Dhe sa herë e pyesja: “A nuk ka gra të tjera në botë përveç Hatixhes?” Ai thoshte: “Ajo ishte kështu e ashtu dhe më ka lindur fëmijë.” (Buhariu)

Pas vdekjes së saj, i Dërguari i Allahut, alejhi selam, dëgjoi zërin e motrës së saj. Pastaj u trishtua dhe tha: “Ajo më kujtoi Hatixhen.”

Hatixhja ishte e përsosur në fenë, urtësinë dhe sjelljen e saj. Transmetohet se i Dërguari, alejhi selam, ka thënë: “Prej burrave përsosmërinë që e arritën ishin shumë, ndërsa prej grave vetëm tri: Merjemja, e bija e Imranit (nëna e Isait alejhi selam), Asija, gruaja e faraonit dhe Hatixhe bint Huvejlid.” (Ibën Merdujah)

Ajo u priu grave të këtij umeti me devotshmërinë dhe fisnikërinë e saj. I Dërguari i Allahut alejhi selam ka thënë: “Merjemja (nëna e Isait alejhi selam) ishte gruaja më e mirë e kohës së saj, ndërsa gruaja më e mirë e këtij umeti është Hatixhja.” (Buhariu dhe Muslimi)

Hatixhja ishte e devotshme dhe i edukoi me devotshmëri edhe pjesëtarët e familjes së saj. Ajo voli frytet e punës së saj dhe vajza e saj u bë një nga gratë më të mira të të dy botëve në xhenet. I Dërguari alejhi selam ka thënë: “Gratë më të mira të xhenetit janë: Hatixhja, Fatimja, Merjemja (nëna e Jezusit) dhe Asija.” (Ahmedi dhe Nesaiu)

Ajo zuri një vend të madh në zemrën e të Dërguarit alejhi selam. Ai nuk u martua me asnjë grua tjetër para saj e nuk pati grua tjetër ose robëreshë gjatë kohës që ajo qe gjallë. Ai u pikëllua shumë për vdekjen e saj.
Dhehebiu ka thënë: “Hatixhja ishte inteligjente, fetare, e ndershme
dhe fisnike.
Ajo është një nga banoret e xhenetit.”
                                                             

                                                                     Përktheu: Eglantina Muça
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.