MЁNYRA E ABDESIT

 
Tė rinjtė, qendrat tregtare dhe shembulli i Musab bin Umejrit PDF Printoni E-mail
Shkruar nga --   
e enjte. 10 janar 2008



Nga Umm Rashid
 

Qytet i madh, drita të ndezura, makina që ecin me shpejtësi dhe muslimanë që po përgatiten të dalin në “skenën e natës”. Me këpucë dhe rroba të firmave të njohura, me celularët e modës së fundit dhe me orët më “trendi”, parfumet e tyre –mbi të gjitha- mbajnë aromë paraje.
I sheh teksa ecin vërdallë kot së koti në grupe, duke shëtitur e duke hyrë e dalë nëpër dyqane dhe duke blerë diçka për të ngrënë për të larguar mërzitjen, qoftë edhe për një sekondë. Mund t’i shohësh teksa pinë kapuçino në “Starbucks” kafe duke parë njerëzit që kalojnë, bëjnë shaka dhe qeshin pa kujdes, pa ua ndarë sytë televizorëve të mëdhenj që japin rezultatet e fundit të ndeshjeve të futbollit.
Sa herë që shoh një pamje të tillë, zë e mendoj për dikë. Për dikë që gjendet i varrosur në tokën e përgjakur të Uhudit, me këmbët e mbuluara nga bari dhe me trupin e mbuluar me një mbështjellëse prej leshi, e cila nuk mjaftoi për ta mbuluar të gjithin. Mendja më shkon te dikush që ishte i përkëdheluri i nënës së vet, që vishte rrobat më të mira që nëna e tij e pasur mund të blinte, parfumi i të cilit parfumonte rrugët nëpër të cilat ecte. Ai ishte objekti i bisedës së zonjave dhe vajzave idhujtare mekase në dhomat e tyre, ishte ajka e bashkëmoshatarëve të vet, djaloshi më i shquar i kurjeshëve, i cili la jetën e të kënaqurit të nefsit (vetes) për të fituar kënaqësinë e Allahut: ai është Musab bin Umejr bin Hashim bin Abdul Munaf, i cili njihej ndryshe si Musab el Khajri.
Musabi ishte ende i ri kur dëgjoi për një të Dërguar të Zotit dhe për mesazhin e tij të monoteizmit, i cili kishte dalë në mesin e kurejshëve; në Mekë ato ditë nuk bëhej bisedë tjetër. Kureshtja e tij e ngacmuar nga fjalët e shumta e shtyu t’i afrohej të Dërguarit alejhi selam dhe të shihte se a ishte i vërtetë mesazhi që ai kishte sjellë.
Një natë, në vend që të shkonte me shokët e vet në festat e tyre të zakonshme, Musabi shkoi në shtëpinë e Erkam Ibn el-Erkamit, që u quajt më vonë “Dar el Erkam” nga muslimanët. Ky ishte vendi ku i Dërguari alejhi selam takohej me bashkësinë në rritje të muslimanëve, larg nga sytë e kurejshëve. Në këtë shtëpi sahabët flisnin për të ardhmen e besimit të tyre, dëgjonin dhe recitonin ajetet e sapozbritura të Kuranit Fisnik dhe faleshin pas të Dërguarit të Allahut, paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të.
Atë natë, Musabi u ul në mesin e besimtarëve dhe dëgjoi të Dërguarin e Allahut alejhi selam teksa recitonte ajetet e Kuranit. Që nga ai moment, ai harroi përgjithmonë jetën e tij të luksit dhe të dembelisë, pasi zbuloi çelësin për në jetën e amshueshme.
Rruga e Musabit drejt besimit nuk ishte e lehtë. Nëna e tij, Khnas bint Malik, një grua me vullnet të fortë, e njohur për temperamentin e saj të mprehtë dhe për gjuhën e saj edhe më të mprehtë, ishte kundërshtarja e tij më e madhe.
Me qëllim që të shmangte përplasjen e pakëndshme me të ëmën, Musabi nuk i tregoi asaj në fillim për fenë e tij. Megjithatë, njerëzit e pikasën se ai frekuentonte Dar el-Erkamin dhe e panë se ishte nën ndikimin e të Dërguarit të Allahut, paqja qoftë mbi të.  Nuk kaloi shumë dhe nëna e tij e mori vesh se ai kishte pranuar Islamin.
Duke reaguar sipas natyrës së saj komanduese, me krenarinë e saj fisnore dhe besnikërinë e vjetër ndaj zotave, ajo e urdhëroi Musabin të kthehej e të pendohej para zotave që kishte braktisur për shkak të ‘idiotësisë’ së tij. E kur ai refuzoi, ajo e prangosi dhe e burgosi në një cep të shtëpisë.
Lajmi për emigrimin e parë të muslimanëve drejt Abisinisë arriti edhe te Musabi, të cilit i qante zemra për t’u bashkuar me vëllezërit e tij muslimanë. Duke përdorur zgjuarsinë e tij, ai arriti të arratiset dhe të niset për në Abisini bashkë me emigrantët e tjerë. Më vonë, ai u rikthye në Mekë për pak kohë dhe emigroi për të dytën herë, këtë herë si ambasadori i të Dërguarit të Allahut për të përhapur Islamin në qendrën e re të Islamit: në Jethrib (Medina e Ndritur).
Kur Musabi u kthye nga Abisinia, nëna e tij u përpoq ta prangoste sërish, por ai u betua se do të vriste këdo që do të ndihmonte nënën e tij për ta lidhur atë. Ajo e njihte vendosmërinë e tij më mirë se kushdo tjetër, prandaj i dha lamtumirën atij duke i thënë me mëri:
-Largohu, nuk jam më nëna jote!Në atë çast, Musabi iu afrua dhe i tha: -O nënë, të këshilloj me gjithë zemër, dëshmo se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i robi dhe i Dërguari i Tij! E zemëruar, ajo u betua: -Pasha yjet, kurrë nuk do të hyj në fenë tënde, që të ul veten dhe të shkatërroj ndjenjat e mia!Por, Musabi hyri në Islam plotësisht, sipas porosisë kuranore. Ai braktisi çdo kënaqësi për hir të fitimit të kënaqësisë së Allahut; rrobat e tij ishin të vjetra, ushqimi i tij ishte i thjeshtë, toka ishte shtrati i tij.
Një ditë ai shkoi për të takuar disa muslimanë që ishin ulur pranë të Dërguarit të Allahut dhe kur ata e panë Musabin, ulën kokat dhe në heshtje u dolën lot kur kujtuan sa i pasur kishte qenë në rini e tani e shihnin me rroba me arna, të cilat mezi e mbulonin. Pasi Musabi u largua nga ai tubim, i Dërguari i Allahut u tha: “E kam parë Musabin (më parë) dhe nuk ka pasur Meka djalosh më të përkëdhelur nga prindërit sesa ai. Por ai braktisi gjithçka për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij.”
Duke e njohur edukatën dhe durimin e shquar të Musabit, i Dërguari i Allahut, paqja qoftë mbi të, e dërgoi Musabin në Jethrib, që t’ua mësonte Islamin atyre banorëve të atij qyteti, të cilët ishin betuar para të Dërguarit alejhi selam në besëlidhjen e Akabasë, që t’i ftonte të tjerët në Islam dhe që ta përgatiste qytetin e Jethribit për shpërnguljen e mundshme të të Dërguarit të Allahut, paqja qoftë mbi të.Në atë kohë, në mesin e sahabëve gjeje burra të shquar, me karakter të lartë dhe me nerva çeliku, më të vjetër e të rrahur shumë nga jeta, por i Dërguari i Allahut alejhi selam zgjodhi Musab bin Umejrin si përfaqësues të tijin. Dhe Musabi e shpagoi plotësisht besimin e të Dërguari të Allahut alejhi selam, duke vepruar me durim dhe aftësi.

Musabi u fut në Jethrib si musafir i Sad ibn Zurarah i fisit Hazrexh. Ata filluan t’u shpjegonin banorëve të Jethribit mesazhin e monoteizmit islam dhe t’u lexonin atyre Kuran. Një ditë, Musabi dhe Sadi po rrinin ulur pranë një pusi në kopshtin e Beni Zafarëve, kur pranë tyre u afrua Usejd ibn Hudejri, i cili mbante në dorë një heshtë dhe turfullonte nga zemërimi. Sadi i pëshpëriti Musabit: -Ky është kryetari i popullit të vet. Allahu ia haptë zemrën për të vërtetën.
Musabi i tha qetësisht: -Nëse ulet, unë do t’i flas.”

Usejdi ishte i inatosur me suksesin e Musabit dhe i bërtiti: -Pse keni ardhur, që t’u prishni mendjen të dobëtëve në mesin tonë? Largohuni prej nesh, nëse doni të mbeteni gjallë.
Pas këtyre fjalëve, Musabi buzëqeshi dhe i tha me butësi: -Pse nuk ulesh të na dëgjosh? Nëse të pëlqen misioni ynë, pranoje dhe nëse nuk e pëlqen, ne do të ndalim së thëni atë që ti nuk dëshiron ta dëgjosh dhe do të largohemi.
Duke ngulur heshtën e tij në tokë, Usejdi u ul për të dëgjuar. Teksa Musabi po i tregonte atij për Islamin dhe t’i lexonte ajete nga Kurani, çehrja e Usejdit nisi të ndryshonte. Fjalët e para që ai shqiptoi ishin: -Sa të bukura dhe sa të vërteta qenkan këto fjalë! Çfarë duhet të bëjë dikush që të hyjë në këtë fe?
Musabi i shpjegoi: -Lahu, pastroje veten dhe rrobat e tua. Pastaj thuaj dëshminë e së vërtetës (shehadetin) dhe fal namaz.  
Më pas, Usejdi bëri si tha Musabi; u la, tha dëshminë dhe fali dy rekate namaz. Usejdi u pasua nga një tjetër burrë me influencë: Sad ibn Muadhi.
Kur i Dërguari i Zotit emigroi për në Medinë, çdo shtëpi e Medinës kishte dëgjuar për Islamin. Në haxhin pasardhës, ai ishte në krye të 70 burrave nga Jethribi, të cilët i dhanë besën të Dërguarit Muhamed, paqja qoftë mbi të.
Pas betejës së Bedrit, muslimanët kapën një numër mekasish jobesimtarë robër dhe kishin ndërmend të kërkonin shpagim financiar për ta. Duke kaluar pranë robërve, Musabi pa të vëllanë, Ebu Aziz ibn Umjerin. Në vend që të ndërhynte që t’ia lironin të vëllanë, ai i udhëzoi robëruesit e tij që të kërkonin një shpagim të majmë, pasi “nëna e tij ishte shumë e pasur”. Kur i vëllai u përpoq t’i kujtonte lidhjen e gjakut, Musabi ia ktheu: -Unë njoh vetëm vëllazërinë për shkak të fesë (e jo të gjakut). Ky njeri këtu është vëllai im e jo ti!
Në Uhud, i Dërguari i Allahut alejhi selam e zgjodhi Musabin si flamurtar. Pasi harkëtarët muslimanë u larguan nga kodra, duke thyer urdhrin e të Dërguarit alejhi selam, mekasit u kundërpërgjigjën fuqishëm. Të zënë në befasi nga furia e kalorësisë mekase, radhët e muslimanëve u shpërndanë të paorganizuara. Duke dashur të vrisnin të Dërguarin e Zotit, paqja qoftë mbi të, mekasit po e kërkonin, ndërkohë që ai mbrohej vetëm nga një grup sahabësh. Papritmas, një njeri bërtiti e tha se i Dërguari i Zotit nuk jetonte më. Aty doli më shumë në pah karakteri i Musab ibn Umejrit. Ibrahim ibn Muhamedi tregon nga i ati, i cili ka thënë: “Musab ibn Umejri mbante flamurin në Ditën e Uhudit. Kur muslimanët u shpërndanë, ai qëndroi burrërisht derisa takoi Ibn Kamian, i cili qëndronte mbi kalë. Ai e goditi Musabin me shpatë dhe ia preu dorën, por Musabi tha: “Dhe Muhamedi është i Dërguar i Zotit, edhe të Dërguar të tjerë kanë vdekur para tij.”
Pastaj e mbajti flamurin me dorën e tij të majtë, por kur ia prenë dhe dorën e majtë, ai u shtri mbi heshtën e flamurit dhe e mbajti atë me pjesën e sipërme të krahëve në gjoksin e tij, duke vazhduar të thotë: “Dhe Muhamedi është i Dërguar i Zotit, edhe të Dërguar të tjerë kanë vdekur para tij.” Një ushtar tjetër më pas e goditi Musabin me heshtë dhe heshta i doli tejpërtej. Pas betejës, i Dërguari alejhi selam dhe shokët shkuan në luginën e Uhudit për të varrosur dëshmorët, trupat e disa prej të cilëve ishin sakatuar rëndë nga gratë e kurejshëve. Kur pa Musabin, i Dërguari i Allahu recitoi ajetin: “
Prej besimtarëve kishte burra që vërtetuan besën e dhënë Allahut...” (Kuran, Ahzab:23)
Pastaj ai pa trupat e dëshmorëve dhe tha: “I Dërguari i Allahut dëshmon se ju jeni dëshmorë për Allahun.

Për të mbuluar Musabin nuk kishte qefin të mjaftueshëm. Habab ibn Al-Arati tregon: -Ne emigruam me të Dërguarin e Zotit alejhi selam për hir të Zotit, duke shpresuar shpërblimin e Tij.  Disa prej nesh e lanë këtë botë pa shijuar asgjë prej shpërblimit të Tij në këtë botë dhe njëri prej tyre ishte Musab ibn Umejri, i cili ra dëshmor në betejën e Uhudit. Ai nuk la pas asgjë përveç një rrobe të leshtë. Nëse ia mbulonim këmbët me të, i dukej koka. I Dërguari alejhi selam na tha: “Mbulojani kokën me të dhe vendosni bar në këmbët e tij.”
Duke kujtuar Musabin dhe rënien dëshmor të tij, sahabë si Abdur Rahmaan ibn Aufi qanin nga frika se nuk do të kishin hise në xhenet, pasi Allahu u kishte dhënë një jetë plot bollëk dhe rehati në këtë botë. Një ditë, shërbëtori i tij i solli atij ushqimin për të prishur agjërimin, por i shpërthyen lotët kur iu kujtua se Musabi e kishte lënë këtë botë pa i provuar të mirat e kësaj bote për hir të kënaqësisë së përjetshme në xhenet.
Teksa bie nata, mendoj për hijet që zgjaten në Uhud, aty ku dëshmorët prehen të varrosur. Unë mendoj për varet e shehidëve, të ndriçuara nga drita e fatlumësisë së vërtetë: Ata që janë të kënaqur me Allahun dhe Allahu është i kënaqur me ta.
Në dritën e neoneve të qendrave tregtare, ku muslimanë të shumtë kalojnë ditët në kërkim të kënaqësive, do të bënim mirë të kujtonim Musabin, Allahu qoftë i kënaqur me të, që të mos humbim në dritë.

                                                                                 
                                                                                      Përktheu: Eglantina Muça
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.