MЁNYRA E ABDESIT

 
Rregullat e haxhit - Temetu PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Blerta Shaqiri   
e diel. 25 nėntor 2007
   
  
Haxhi kryhet në tri mënyra dhe secila mënyrë i ka rregullat dhe obligimet e veta të cilat duhet të përmbushen nëse dëshiron që haxhi të jetë në rregull. Forma më e vlefshme është temetu
(bashkimi i umres dhe haxhit me një pushim në mes) dhe këtë formë i Dërguari, alejhi selam, ua ka preferuar shokëve të tij. Ai kryhet në këtë mënyrë: haxhiu hyn në gjendjen e ihramit për umre gjatë muajve të  haxhit dhe bën umren, pastaj del nga gjendja e ihramit dhe hyn sërish në ihram për të kryer  haxhin nga Meka ose rrethinat e saj në ditën e tetë të Dhul-hixhes gjatë të njëjtit vit kur e ka bërë umren e tij. Quhet temetu sepse pelegrini e ka përparësinë e kryerjes së haxhit dhe umres në të njëjtin udhëtim pa iu dashur që të kthehet në shtëpi sepse pas umres ky pelegrin vazhdon veprimtarinë e tij normalisht. Ky haxh e obligon pelegrinin me therjen e një kurbani.
Kur pelegrini arrin në Mekë, ai bën tavafin dhe sajin për umre dhe rruan ose shkurton flokët, pastaj del nga ihrami. Më pas, në ditën e 8-të të Dhul-hixhes, ai vesh sërish ihramin vetëm për haxh dhe bën të gjitha veprimet e haxhit. Pra, temetu përfshin një umre të plotë dhe një haxh të plotë.


Pasi të arrini në vendin e quajtur Mikat (vendi apo kufiri i veshjes së ihramit)  është e pëlqyeshme të merrni gusul dhe të lyheni me erëra të mira, po ashtu, edhe të shkurtoni mustaqet, thonjtë si dhe të pastroni sqetullat dhe vendet intime,  ndërsa sa i përket femrave ato nuk duhet që të parfumohen. Pasi të keni bërë pastrimet e sipërpërmendura mashkulli vesh një rrobë të përbërë nga dy pjesë  (njëra nga mesi e poshtë, tjetra nga mesi e lart). Gjithashtu, është e preferueshme që të mbathni sandale apo pandofla.
Mashkulli e ka të ndaluar të mbulojë kokën me gjërat që e prekin lëkurën si për  shembull: kapela, skaji i ihramit, valixhet, mirëpo nëse i bën hije me çadër duke qëndruar në automjet nuk ka problem, apo nëse bart valixhe në kokë nuk është mëkat. Mirëpo, nëse e mbulon kokën nga mosdija duhet që ta zbulojë atë kur t’i  bie ndërmend dhe nuk është i obliguar të kompenzojë. Femrat mund të veshin çfarëdo që dëshirojnë prej rrobave vetëm me kusht që mos t’ia tërheqin  vëmendjen të tjerëve.
Pas pastrimit dhe veshjes së ihramit ju duhet ta bëni nijetin për llojin e haxhit: për haxhin temetu ju duhet të thoni: “Lebejk Allahume umreten” që do të thotë “O Allah unë iu përgjigja thirrjes Tënde për umreh”. Pastaj, ju duhet që ta përsërisni lutjen e mirënjohur të haxhit: “Lebejk Allahume lebejk. Lebejk la sherijke leke lebejk. Inelhamde ue nimete leke uel mulk, la sherijke lek”. Është e pëlqyeshme që kjo lutje të përsëritet sa më shpesh dhe Allahu të përmendet sa më shumë derisa të arrish në Qabe.
Pas veshjes së ihramit je duke kryer ibadetin gjatë të cilit ndalohen: qethja e flokëve, mjekrrës apo thonjve (nëse i presim pa qëllim nuk obligohemi t’i  kompenzojmë).
Ndalohet të parfumohet trupi apo ihrami, ndalohet gjuetia, trembja e kafshëve në vendet ku janë duke qëndruar, këputja e bimëve të gjelbërta, marrja e sendeve të gjetura përveç rasteve kur e din të kujt janë dhe i merr për t’ia dërguar pronarit  apo policisë. Po ashtu, është
e ndaluar që muhrimi të fejohet, të martohet, ta prek  bashkëshorten me epsh apo të kryejë marrëdhënie seksuale. Është e ndaluar për  femrën veshja e dorëzave apo vendosja e perqes.

Kur të arrini në Kabe, ndërpritet thënia e lutjes tradicionale dhe duhet të hyni me këmbën e djathtë duke thënë: Bismilahi ue salatu ue selamu ala resulilah. Eudhu  bilahil adhijm ue biuexhhihil kerijm ue sulltanihil kadijm minesh shejtani rraxhijm. Allahume iftah li ebuabe rahmetik... Pastaj, bëni shtatë rrotullime rreth Qabes.
Në çastin e fillimit të Tauafit, duhet që godinën e Qabes ta kesh në të majtën tënde dhe është mirë që në fillim të tauafit të thuash: “Allahum-me imanen bike, ue tesdikan likitabike, ue uefaen biah dike”
Tauafi fillon që nga guri i zi dhe përfundon në gurin e zi. Putheni atë nëse keni mundësi ose vetëm drejtojeni dorën e djathë drejt tij dhe thuaj: Bismilah, Allahu ekber. Pastaj, përkujtoje Allahun duke kërkuar falje dhe mëshirë dhe lexo pjesë nga Kur’ani. Në tauafin e parë ihrami duhet të jetë në atë mënyrë që supi i djathtë të jetë i pambuluar ndërsa i majti po. Shpejtoni gjatë kryerjes së tri rrotullimeve të para dhe ecni normal gjatë katër rrotullimeve të fundit. Preke me dorën tënde këndin e jemenit sa herë që kalon afër tij, por mos e puth e as mos bëj shenjë nga ai. Ndërkohë që kaloni në mes të dy qosheve, është e rekomandueshme që të thuhet: “Rabena atina fi dunja haseneten ue kina adhabenar.”
Kur të kalosh pranë cepit të djathtë të ndërtesës së Qabes, preke atë me dorën e djathtë dhe thuaj: “Bismil-lah ue All-llahu ekber” e nëse nuk mund ta bësh, vazhdo tauafin dhe kur të kalosh pranë tij mos bëj me shenjë drejt tij e as mos e thuaj lutjen e përmendur.
Pas tauafit kthehuni në ihram normal, shkoni tek Mekami Ibrahim dhe thoni: “…ue tekhidhu musala…” (Bekare: 125) e pastaj falni dy rekate pas tij (nëse është e mundur afër vendit apo diku në xhami, larg rrugës ku njerëzit bëjnë tauaf). Këndoni suren Kafirun në rekatin e parë, kurse suren Ihlas në rekatin e dytë. Pas kësaj preket me dorën e djathtë guri i zi dhe niseni për në malin Safa.
Ngrituni në kodrën Safa dhe thuani ajetin kuranor: “Innes Safa uel Meruete min shea’iri lah…”, pastaj drejtojeni fytyrën tuaj nga Kabja dhe ngritni duart për t’u lutur duke thënë tri herë fjalët vijuese: “La ilahe il Allahu uahdehu la sherijke lehu, lehul mulku ue lehul hamdu juhji ue jumit ue huve ala kuli shejin kadijr. Allahu uahdehu, enxheze ue a’dehu ue nesere abdehu ue hezemel ahzabe uahdehu” Pastaj, bëni dua sipas dëshirës. Zbrisni nga Safa dhe drejtohuni drejt Mervasë, kur të arrini tek dy shenjat e gjelbërta, shpejtoni ritmin e ecjes për një kohë, por mos vraponi. Pastaj, kthehuni në ecje deri sa të arrini në Merva. Pasi të arrini në Merva,  ngjituni në të dhe drejtoni fytyrën nga Kabja dhe e thoni atë lutjen si në Safa. Kthehuni prapë në Safa duke ecur të qetë dhe shpejtoni kur të arrini te shenjat e gjelbërta. Hapat e njëjtë i përsërisni në secilin prej shtatë vajtje-ardhjeve. Ndërsa,  sa u përket femrave ato duhet që të ecin normal. Gjatë ecjes është e pëlqyeshme ta përmendësh sa më shumë Allahun dhe të lutesh sa më shumë.
Pas Sajit, ju përfundoni ritet e umres duke prerë flokët apo duke i rruar. Prerja e flokëve është e obligueshme. Pastaj, ju jeni të lirë deri në ditën e tetë të Dhulhixhes. Në këtë kohë ju liroheni prej ndalesave.
Haxhiu që e kryen këtë lloj të haxhit duhet ta bëjë nijetin për ihram që nga vendi ku qëndron, në ditën e tetë të Dhulhixhes.
Në ditën e nëntë të Dhulhixhes, ditën e Arafatit, shkoni në vendin e quajtur Arafat  dhe qëndroni atje deri në perëndim të diellit. Kërkohet nga ju që të falni drekën dhe ikindinë në Arafat, të shkurtuara dhe të bashkuara gjatë kohës së drekës. Pas  perëndimit të diellit, ditën e Arafatit në qetësi nisuni për në Muzdelife dhe bashkojeni namazin e akshamit me të jacisë dhe shkurtoni namazin e jacisë në dy rekate.
Kaloni natën në Muzdelife për të falur namazin e sabahut dhe përkujtoni Allahun.
Pas faljes së sabahut shkoni në Mina për të gjuajtur guralecët. Ecni në qetësi duke përsëritur telbijen. Duke mbërritur në Xhumerat, ndërprisni telbijen dhe gurëzoni me shtatë guraleca. Madhëroni Allahun me fjalët: “Allahu Ekber” gjatë  çdo gjuajtjeje dhe kërkoni nga Ai t’ua pranojë Haxhin.
Pas gurëzimit, haxhijtë shkojnë për ta therrur kurbanin e tyre personalisht ose i ofrojnë dikujt tjetër për ta bërë atë.
Pastaj, shkoni në Mekë për ta kryer tauafin ifada duke u rrotulluar rreth Kabes  shtatë herë dhe duke falur dy rekate pas Mekami Ibrahimit, pastaj bëni Sajin e Haxhit.
Pas tauafit ifada, duhet të ktheheni në Mina për të kaluar ditët e teshrikut (Ditën 11, 12, dhe 13). Dy netët e para janë të detyrueshme dhe duhet të plotësohen ndërsa dita e tretë është e pëlqyer.
Gjatë çdo dite të teshrikut duke thënë ”Allahu  ekber” gurëzoni tri xhemrat me gurë në vendet e quajtura xhemra e vogël, xhemra e mesme dhe xhemra e madhe.  Koha e gurëzimit është pasdite.
Tauafi lamtumirës është rituali i fundit i haxhit. Gratë të cilat janë me ciklin menstrual janë të liruara nga ky tauaf.
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.