MЁNYRA E ABDESIT

 
Urtėsia e Haxhit PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Blerta Shaqiri   
e enjte. 19 shtator 2013

Haxhi është kongres vjetor islam ku tubohen muslimanët e të katër anëve të botës.





Muslimani është i detyruar që njëherë gjatë jetës së vet ta vizitojë Mekën, qytetin e shenjtë ku gjendet Kab’a,
(Qabeja) Shtëpia e Zotit (Bejtull-llahu). Kjo vizitë e vendeve të shenjta besimtarëve u sjell kënaqësi shpirtërore, ndikon për ta shtuar dashurinë dhe besnikërinë ndaj parimeve të shenjta islame.

Besimtarët, pa marrë parasysh cilës shtresë shoqërore i takojnë, vishen me ihrame të bardha për të kryer shartet e haxhit. Veshja e tillë përkujton Ditën e Gjykimit. Haxhi i bashkon besimtarët, pa dallim race e gjuhe. Sikurse ibadetet e tjera, edhe Haxhi synon pastrimin shpirtëror të njeriut, synon ta pastrojë atë nga mëkatet, ta forcojë karakterin e tij individual dhe të sigurojë paqen dhe stabilitetin e mbarë shoqërisë. Pra, haxhi është prej veprave që të pastrojnë nga gabimet, gjynahet dhe me kryerjen e këtij ibadeti Allahu ka dashur që robërit e Tij ta fitojnë Xhenetin.
Ebu Hurejra transmeton se Profeti, sal-all-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

 “Ai që e kryen haxhin për kënaqësinë e Allahut dhe i shmanget të gjitha fëlliqësive dhe mëkateve, do të kthehet pas haxhit i çliruar nga të gjitha mëkatet ashtu siç ka qenë në ditën që e ka lindur nëna.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Andaj, ti që je zhytur në mëkate merre këtë rrugë e inshallah do të jetë shkak që Allahu t’i falë ato gabime e mëkate!
Kryerja e këtij obligimi, është një ndër dëshmitë më të forta të besimit të sinqertë, sepse, përveç tjerash, është faktor me rëndësi në formimin, forcimin dhe ruajtjen e shoqërisë islame.

Obligueshmëria e haxhit bazohet në urdhëresën kuranore:

 “Është obligim i njerëzve ndaj Zotit vizita e Bejtullahit…”(Ali Imran: 97).

Po ashtu, edhe në hadithin e Muhammedit alejhi selam:
“O ju njerëz, rreptësisht, ju është urdhëruar haxhi, ndaj vizitojeni Qaben”.

Haxhi është urdhëresë e domosdoshme e All-llahut të cilën çdo musliman e ka për detyrë ta kryejë kur t’i plotësojë kushtet dhe këtë vetëm njëherë në jetë. Kjo detyrë i obligohet çdo muslimani të mençur, të moshës madhore, që është i lirë, i pasur dhe i shëndoshë.

Obligimi i haxhit hyn në fuqi sapo muslimani të sigurojë tepricë të caktuar të mjeteve materiale, të mos jetë borxhli, të ketë siguruar familjen me furnizim gjatë mungesës së tij si dhe të sigurojë mjete për shkuarje dhe ardhje nga haxhi.
Që muslimanja të jetë e obliguar për kryerjen e haxhit, patjetër duhet të ketë mahremin e vet, burrin apo atë me të cilin nuk i lejohet të martohet.

Personi që është i obliguar ta kryejë haxhin, por nuk është i aftë për shkak të shëndetit apo moshës, është i detyruar të përgatisë një bedel-zëvendës i cili do ta kryejë haxhin në emër të tij. Bedeli duhet ta bëjë nijet për atë që e zëvendëson. Për bedel duhet marrë personin që e ka kryer haxhin për vete dhe i cili i njeh dispozitat islame dhe ato të haxhit.

 Prej edukatës së haxhiut është të jetë në haxhin e tij i lirë nga tregtia që e preokupon zemrën e tij dhe shpërndan vëmendjen e tij, që të përqëndrohet në bindjen ndaj Allahut.
Allahu i Madhëruar e nderoi shtëpinë e Tij dhe e madhështoi atë, dhe e bëri vendin rreth e qark saj të shenjtë.
Kështu kur siguron paisjet e nevojshme le të kujtojë punët e përgatitura për në ahiret dhe le të ruhet se mos janë punët të prishura nga syfaqësia dhe dëshira për famë.

Kur thua “lebejke Allahume lebejk, lebejke la sherike leke lebejke” ndjeje se ju ke përgjigjur thirrjes së Allahut të Madhëruar.
Kur ta shosh Qaben sille në zemër madhështinë e saj dhe falënderoje Allahun e Madhëruar që të bëri prej atyre që e vizitojnë shtëpinë e Tij.
Ndërsa qëndrimi në Arafat: Përkujto me numrin e madh të njerëzve dhe ngritjen e zërave të tyre në gjuhët e ndryshme të tyre, ditën e kiametit dhe mbledhjen e njerëzve atje dhe kërkesat e tyre për ndërmjetësim.

Shkuarja në haxh, eksluzivisht, duhet të jetë në emër të All-llahut, për të arritur kënaqësinë dhe afërsinë e Tij.

 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.