MЁNYRA E ABDESIT

 
Atike bint Abdul-Mutalibi PDF Printoni E-mail
Shkruar nga --   
e diel. 23 shtator 2007



 

Kjo është Atike bint Abdul Mutalib bin Hashim Kurejshije el-Hashimije, halla e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të.

 

Atikeja ka qenë bashkëshortja e Umeje bin El-Mugires, babait të Umu Selemes, bashkëshortes së të Dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të. Me të ajo ka pasur disa fëmijë: Abdullahun, Zuhejrin, Kurejben, etj.. Ajo e ka pranuar Islamin në Mekë dhe ka bërë hixhret për në Medinë. Abdullahu nuk e ka pranuar Islamin, ndërsa Zuhejri ishte në mesin e atyre që deshën të prishnin kontratën në të cilën ishte bërë zotimi për të ndërprerë marrëdhëniet me të Dërguarin e Allahut dhe pasuesit e tij. Më pas edhe ai e pranoi Islamin.

 

Atike bint Abdul Mutalibi pa një ëndërr që e trishtoi, prandaj lajmëroi të vëllanë, Abas bin Abdul Mutalibin, dhe i tha: “Fshihe këtë ëndërr që do të të tregoj.” Ai i tha asaj: “Çfarë ke parë?” Ajo tha: “Pashë një kalorës të hipur mbi një deve, i cili ndaloi në Ebtah (luginë). Më pas nisi të bërtiste me sa fuqi që kishte: “O fisi Gudr, tubohuni në vendin ku janë vrarë njerëzit tuaj.” Këtë britmë e lëshoi tri herë. Pashë që njerëzit u grumbulluan përreth tij. Ai u fut në Qabe dhe njerëzit i shkuan pas. Ndërkohë që njerëzit ishin përreth tij, ai u shfaq me devenë e tij mbi Qabe dhe bërtiti përsëri tri herë duke thënë: “A nuk po tuboheni o fisi Gudr në vendin ku janë vrarë të afërmit tuaj?” Pastaj u shfaq me devenë e tij në majë të malit Ebi Kubejs dhe përsëri bërtiti tri herë. Më pas mori një gur të madh prej kodrës Ebi Kubejs dhe e hodhi. Guri nisi të binte, derisa ra në fund të kodrës e më pas u copëtua. Nuk ngeli shtëpi prej shtëpive të Mekës pa u hyrë copat e gurit, me përjashtim të shtëpive të fisit beni Hashim dhe beni Zehra.” Ibni Abasi i tha: “Pasha Allahun, ky është një parashikim. Po ti fshihe dhe mos ia trego askujt.”

 

Më pas Abasi doli i dëshpëruar dhe takoi Uelid bin Utbe bin Rabian, të cilin e kishte shok, prandaj edhe ia tregoi ëndrrën. Uelidi ia tregoi babait të tij, Utbes. Në Mekë u përhap lajmi i ëndrrës dhe kurejshët nisën të flisnin për të në vendtubimet e tyre. Abasi thotë: “Shkova për të bërë tavafin rreth Qabesë. Ebu Xhehli ishte ulur me një grup kurejshësh, të cilët po bisedonin rreth ëndrrës së Atikes. Kur më pa Ebu Xhehli, më tha: “O Ebul Fadl, kur të përfundosh tavafin, eja te ne.” Kur e përfundova tavafin, shkova dhe u ula me ta. Ebu Xhehli më tha: “O bijtë e Abdul Mutalibit! Kur ju ka folur kjo pejgambere?” I thashë: “Për çfarë?” Tha: “Ëndrrën që ka parë Atikeja.” I thashë: “Çfarë ka parë?” Tha: “O biri i Abdul Mutalibit, a nuk jeni të kënaqur me meshkujt, të cilët pretendojnë se janë pejgamberë, që po pretendojnë edhe gratë tuaja se janë pejgambere? Atikeja ka pretenduar se në ëndërr personi i ka thënë “tubohuni” tri herë. Do ta presim prej jush këtë treshe. Dhe nëse është e vërtetë ajo që po thotë, do të bëhet. Nëse kalojnë tri ditë dhe nuk ndodh diçka, do të shkruajmë për ju një libër se ju jeni fisi më rrenacak në mesin e arabëve.” Abasi tha: “Pasha Allahun, unë ia fsheha ëndrrën dhe e mohova se ajo ka parë diçka, pastaj u ndamë.”

 

Pastaj Abasi tregon: “Kur u ngrys, nuk ngeli asnjë femër prej fisit Abdul Mutalib pa ardhur për të më thënë: “A ia treguat atij fasiku të keq ëndrrën që flet për meshkujt tuaj dhe tani po flet për femrat? Ti po e dëgjon dhe nuk bëhesh xheloz për atë që po dëgjon?” Thashë: “Pasha Allahun jam munduar shumë. Nëse flet edhe një herë, do t’ju mbroj prej tij.”

 

Abasi vazhdon e tregon: “Në ditën e tretë të ëndrrës që kishte parë Atikeja isha shumë i dëshpëruar për atë që kishte thënë Ebu Xhehli. U nisa të shkoja tek ai që t’i thosha të tërhiqte fjalët që kishte thënë. Shkova në Qabe. E pashë Ebu Xhehlin dhe u nisa në drejtim të tij. Ebu Xhehli ishte i mprehtë në fytyrë, në gjuhë dhe në shikim. Kur më pa, nisi të mbështetej te dera. Thashë me vete: “Çfarë ka ky i mallkuar?!” Mendova se po frikësohej prej meje, por ai po dëgjonte atë që unë nuk po e dëgjoja. Ai po dëgjonte zërin e Damdama bin Amër El-Gafarit, i cili po bërtiste në një vend në luginë i hipur mbi devenë e tij, e cila kishte ndaluar e lodhur dhe e rraskapitur nga ecja e shpejtë. Duke goditur fytyrën e tij me shuplaka, ai po thoshte: “O kurejshë! Shpëtoni pasurinë tuaj, e cila është duke u shoqëruar nga Ebu Sufjani, se do të shkatërrohet! Muhamedi dhe shokët e tij do ta sulmojnë. Nuk jam i sigurt se do të arrini në kohë. Ndihmë, ndihmë!”

Ibni Abasi tha: “Me këtë u vërtetua ëndrra e Atikes, Allahu qoftë i kënaqur me të.”

E tërë paria e Mekës u drejtua për në Bedër, e prirë nga Ebu Xhehli, të cilin me ndihmën e Allahut e kanë vrarë sahabët e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të. Kjo ëndërr ndikoi shumë në shpirtin e Atikes për sa i përket vendosmërisë dhe besimit të sinqertë tek i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të.

Perktheu: Merita Rexha

 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.