Shkruar nga Shariffa Al Andalusia
|
e shtunė. 25 gusht 2007 |
Kemi menduar se kemi bërë mirë. Jemi falur, kemi agjëruar, jemi munduar shumë për të bërë vepra të mira. Do të paraqitemi para Allahut në Ditën e Gjykimit. Mos jemi munduar aq shumë, që ta gjejmë veten të hedhur në zjarrin e xhehenemit? Mos jemi munduar aq shumë që t’i shohim veprat tona të mira teksa na merren sepse nuk mund të kontrollonim dot gjuhën tonë?!. Një person të cilin e kemi përgojuar mund të na marrë ato të mira vendimtare, që mund të na dërgojnë në xhenet. Sa të mira jeni në gjendje t’u JEPNI të tjerëve? Personalisht, nuk mendoj se kam të mira tepër. Në atë ditë, nëna do të lëshojë barrën e saj. Nëna juaj nuk do të dojë t’ia dijë për ju e as do të kujdeset për ju. Nëna juaj! Të Dërguarit, paqja qoftë mbi ta, do të jenë në gjendje të vështirë, po ne? Ku jemi ne në krahasim me ta? Nuk duhet t’i bëjmë qejfin vetes duke thënë se mund të lëmë të na ikë ndonjë e mirë atë ditë. Allahu i Madhëruar na ruajttë të gjithëve! Përgojimi është një mëkat i madh nga i cili duhet të ruhemi. Nuk mund t’ia lejojmë vetes të biem në të. Allahu na ka paralajmëruar se në atë ditë asgjë nuk fshihet. Edhe gjymtyrët tona do të flasin kundër nesh. Allahu thotë: Në atë ditë kur dëshmojnë kundër tyre gjuhët e tyre, duart dhe këmbët e tyre për atë që ata kanë punuar. (24:24) Edhe i Dërguari ynë alejhi selam na ka paralajmëruar nga e keqja e gjuhës dhe na ka treguar për shpërblimet që fitojmë nëse e ruajmë atë. Sehl bin Sa'di transmeton: “I Dërguari i Allahut tha: "Kush mund të garantojë pastërtinë e asaj që gjendet mes dy nofullave të tij dhe të asaj që gjendet mes dy këmbëve të tij (domethënë të gjuhës dhe të organit seksual), unë i garantoj xhenetin." (Sahih Buhari) Ukbe ibn Amir transmeton se i dërguari i Allahut ka thënë: “Kushdo që mbulon të metat e një besimtari është si të ketë sjellë në jetë një vajzë të varrosur të gjallë.” (Suneni i Ebu Davudit) Mashallah! Shpërblimi qenka kaq i madh. Le të bëhemi të kujdesshëm dhe të shmangim ndëshkimin e të fitojmë shpërblimin. Janë disa situata të pakta kur na lejohet të flasim për diçka, por këto mundësi janë të kufizuara. Ja disa prej këtyre situatave të lejuara: Këshillimi martesor ose mbrojtja nga e keqja e mundshme: Fatime bint Kajsi shkoi tek i Dërguari alejhi selam duke kërkuar këshillë martesore kur në të njëjtën kohë i propozuan për martesë Muavi Ibn Ebu Sufjani dhe Ebu Xhehmi. I dërguari alejhi selam i tha: "Muaviu është koprrac e dorështrënguar, kurse Ebu Xhehmi i rreh gratë e tij. Prandaj martohu me Usamën më mirë.” (Muslimi, Ebu Davudi, Tirmidhiu, etj.) Ankimi: Aishja rrëfen: “Hindi, nëna e Muaviut, i tha të Dërguarit të Allahut: “Ebu Sufjani (bashkëshorti i saj) është koprrac. A më lejohet të marr pasurinë e tij fshehurazi?" I Dërguari i tha: Ti dhe fëmijët e tu mund të merrni atë që është e mjaftueshme dhe e drejtë."(Sahih Buhari) Kërkimi i këshillës nga dikush që ka pushtet të ndihmojë: Ebu Hurejra ka rrëfyer se një njeri tha: O i Dërguari i Allahut, kam një fqinj që më bie në qafë.” I Dërguari i tha: “Shko dhe nxirri plaçkat e tua në rrugë.” Ky njeri shkoi dhe i nxori plaçka e tij në rrugë. Njerëzit u mblodhën dhe e pyetën: "Çfarë të ka ndodhur?” Ai i tha: “Kam një fqinj që më bie në qafë; i tregova të Dërguarit për këtë dhe ai më tha të nxirrja plaçka e mia në rrugë.” Njerëzit nisën të thoshin: “"O Allah, mallkoje atë! (fqinjin). Fqinji dëgjoi për këtë dhe shkoi te ky njeri dhe i tha: “Shko sërish në shtëpinë tënde, se pasha Allahun nuk do të të shqetësoj më." (Buhariu: Adab Al Mufrad 124 (Al Mundhiri e klasifikoi senedin e tij si hasen në Targhib wal Tarhib) Pasi i lexuam këta shembuj, le të mendojmë pak mbi to. Po nëse kemi bërë gibet, çfarë duhet të bëjmë? Imam Neveviu ka thënë: "Dijetarët kanë thënë se nëse ke bërë gibet, atëherë kërko falje për të. Duke komentuar këtë, shejh Albani ka thënë: "Pra, nëse nuk ke frikë se nga kërkimi i faljes do të shkaktohet ndonjë e keqe. Përndryshe, mjafton të lutesh për të.' (Përgojimi dhe efektet e tij negative në komunitetin musliman, Husayn Al Awayishah, 76) Pra, si pendohemi për këtë vepër të keqe? Së pari, duhet t’i kërkojmë Allahut të na falë dhe duhet të vendosim të mos e përsërisim atë. Pastaj, shkojmë tek ai person që kemi përgojuar, nëse është e mundshme, dhe e lusim të na falë. Mbani mend se Allahu do të na falë nëse i lutemi sinqerisht, por Ai nuk do t’ia marrë të drejtën besimtarit tjetër. Prandaj, duhet t’i kërkojmë gjithashtu falje edhe besimtarit që kemi përgojuar. Në fund, edhe diçka tjetër. Po të gjendemi në një situatë ku të tjerët janë duke bërë gibet, çfarë duhet të bëjmë? Së pari duhet të përmendim Allahun dhe t’i ftojmë me butësi edhe ata të bëjnë të njëjtën gjë. Nëse kjo nuk funksionon, duhet të largohemi, sepse ulja atje dhe dëgjimi i gibetit është po aq i keq sa edhe vetë gibeti. Dijetarët janë të pajtimit se një person që qëndron aty ku po bëhet gjynahu është po aq fajtor sa ata që po e bëjnë gjynahun. Prania juaj është njëfarë miratimi i asaj vepre. Nëse miqtë tuaj janë të mërzitur me ju sepse nuk merrni pjesë në gjynah, atëherë nuk janë miq të vërtetë. Përse dëshirojnë të të bëjnë keq ty ose fesë tënde dhe të shkatërrojnë mundësinë tënde për të shkuar në xhenet? Duke mos marrë pjesë në gjynah ju jeni duke mbrojtur nderin e motrës dhe vëllait tuaj musliman dhe mund të prisni shpërblimin e Allahut. Lexoni se çfarë ka thënë i Dërguari alejhi selam: "Në Ditën e Ringjalljes, Allahu do ta largojë zjarrin nga fytyra e atij që mbron nderin e vëllait të tij musliman në mungesë të këtij të fundit." (Tirmidhiu) O Allah! Na i ruaj gjuhët tona. O Allah! Na i ruaj veprimet tona. O Allah! Na fal gjynahet tona ndaj Teje dhe zbuti zemrat e atyre qe kemi dëmtuar, që edhe ata të na falin. Amin! Përktheu: Eglantina Muça |