MЁNYRA E ABDESIT

 
Asketizmi PDF Printoni E-mail
Shkruar nga --   
e mėrkurė. 22 gusht 2007


 Dynjaja mbjellja e ahiretit Kjo dynja është e përkohëshme, kalimtare prandaj besimtari duhet të jetë i përgatitur për këtë udhëtimin e tij. I lumtur është ai i cili merr për këtë udhëtim atë që e bën që Allahu të jetë i kënaqur me të, e bën që të fitojë xhennetin dhe e shpëtojë prej zjarrit.


Cfarë do të thotë Zuhd?

Zuhd është largimi prej një gjëje që e don për tek ajo që është më e mirë, lënia e rehatisë së kësaj dynjaje duke kërkuar rehatinë e ahiretit, të boshatiset zemra jote nga ajo që janë boshatisur duart tuaja. Për këtë njeriun e ndihmon dija se kjo botë është e përkohëshme dhe jo e përgjithmonshme.  Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ta dini, se jeta në këtë botë, nuk është tjetër vecse lojë, dëfrim e zbukurim, si dhe mburrje ndërmjet jush e rivalitet për më shumë pasuri dhe fëmijë! Ajo i shëmbëllen bimës, e cila pas shiut rritet dhe i gëzon bujqit, por më vonë zverdhet thahet dhe mbetet pa vlerë. Në botën tjetër ju presin vuajtje të mëdha ose falja e Allahut dhe kënaqësia e Tij, jeta në këtë botë është vetëm kënaqësi e rremë. (El Hadid: 20)

Thënie të të parëve tanë rreth zuhdit

Imam Ahmedi ka thënë: “Zuhd në këtë dynja është shkurtimi i shpresave”
Është pyetur Xhunejdi për Zuhdin dhe ka thënë: Zuhdi është të zvogëluarit e dynjasë dhe fshirja e gjurmëve të saj nga zemra.Ebu Sulejman Ed Darani ka thënë: Zuhd është lënia e cdo gjëje që të angazhon ngaAllahu.Ibrahim bin Ed,hem ka thënë: Zuhd është të zbrazës zemrën nga dynjaja e jo të zbrazësh dorën prej saj.Imam Zuhriu ka thënë: Zuhd është të falenderosh Allahun për rrizkun hallall që të dha, ta frenosh veten nga harami, të kënaqesh me atë që Allahu të ka dhënë.

Zuhdi në Kur’an

Allahu i Lartësuar e ka lavdëruar zuhdin në këtë dynja ku thotë: "Allahu shton begatinë për kë Ai do dhe e ngushton (për kë ai do). Dhe kënaqen me jetën e kësaj bote, ndërsa jeta e kësaj bote e krahasuar me botën e pastajme s’është vetëmse një argëtim i castit e që kalon shpejt" (Er Rad: 26) dhe thotë: "Vërtet ngjashmëria e jetës së kësaj bote është si shiu që Ne e dërgojmë mbi ju nga qielli dhe kështu, me anë të tij rriten prodhime të larmishme të tokës prej të cilave njerëzit dhe kafshët hanë, deri atëherë kur toka është veshur me stolitë e saj dhe është zbukuruar dhe banorët e saj mendojnë se ata kanë gjithë fuqitë e sundimit mbi të, mu atëherë urdhëri ynë e arrine atë natën ose ditën dhe Ne e bëjmë atë si të korrura të kositura e të pastruara, sikur të mos kishte lulëzuar një ditë më parë. Ja kështu i shpjegojmë Ne Ajetet Tona me imtësi për një popull që mendon thellë" (Junus: 24)  dhe thotë: "O njerëzit e mi! Nuk ka dyshim se kjo jetë e kësaj bote nuk është veqse një kënaqësi (e shpejtë, e përkohshme) dhe sigurisht se jeta e Fundit, ajo është banesa që do të mbetet përgjithmonë" (Gafir: 39)

Burrave u është hijeshuar dashuria për gjërat e dëshiruara: Për gratë, fëmijët, arin argjendin e grumbulluar, kuajt e bukur, bagëtitë dhe arat e lëruara. Këto janë kënaqësitë e kësaj jete, por shumë më i mirë është kthimi tek Allahu" (Ali Imran: 14)

"Kush dëshiron fitimin e botës tjetër, Ne do tia shtojmë fitimin e tij, e kush dëshiron fitimin e kësaj bote, Ne ia japim po në botën tjetër nuk ka hise" (Shura: 20)

"Thuaju: Kënaqësitë e kësaj jete janë të vogla. Jeta tjetër është më e mirë për ata që e kanë frikë Allahun e sbëjnë gjynahe. Juve nuk do tu bëhet asnjë fije padrejtësi" (En Nisa: 77) 

"Por ju, përkundrazi, më shumë po e parapëlqeni jetën e kësaj bote. Ndonëse jeta tjetër është më e mirë dhe e amshuar" (El Eala: 16-17)

Zuhdi në sunnet

Ibn Umer Allahu qoftë i kënaqur me ta tregon se i dërguari i Allahut paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të ka thënë: "Qëndro në këtë dynja sikur të jesh i huaj ose udhëtar" (Buhariu)

I dërguari i Allahut paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të ka thënë: Kjo dynja është burgu i besimtarit dhe xhenneti i jobesimtarit" (Muslimi)

Transmetohet nga el-Mustevrid ibn Shedad Allahu qoftë i kënaqur me të se i Dërguari i All-llahut paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të  ka thënë: “Kjo botë (dunjaja) ndaj botës tjetër (Ahiretit) është sikur kur njëri prej jush ta vendosë gishtin e tij në det, pastaj le të shikojë me çka i kthehet (nga uji i detit)”. (Muslimi)

I dërguari i Allahut paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të ka thënë: "Sikur dynjaja të kishte vlerë tek Allahu sa krahu i një mushkonje, nuk do t’i jepte të pinte jobesimtarit as edhe një gllënkë ujë" (Ibni Maxhe dhe Albani thotë se është sahi)

Transmetohet nga Sehl bin Sadi Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: Erdhi një njeri te i dërguari i Allahut paqja dhe shpëtimet e Zotit qofshin mbi të, dhe tha: O i dërguari i Allahut: Më trego mua një punë nëse e bëj, do më dojë Allahu, dhe do më duan njerëzit, pejgamberi tha: Largoju dynjasë që të dojë Allahu, largoju asaj që është në duart e njerëzve, që të duan njerëzit" (Ibn Maxhe) 

Transmetohet nga Xhabiri Allahu qoftë i kënaqur me të se i Dërguari i All-llahut paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të kaloi nëpër treg, kurse njerëzit ishin tubuar rreth tij. Pastaj kaloi pranë një cjapi të ngordhur me veshë të vegjël, e kapi për veshi dhe tha: “Cili prej jush dëshiron ta marrë për një dirhem?” I thanë: “Askush prej neve nuk jep për të asgjë, çka mund të bëjmë me të?” Pastaj tha: “A doni të jetë juaji?” Thanë: “Pasha All-llahun, edhe sikur të ishte i gjallë s’do ta merrnim se ështe me të meta, e lëre më i ngordhur!” Atëherë i dërguari tha: “Pasha All-llahun, dynjaja vërtet për All-llahun është më e pavlerë se sa ky  për ju”. (Muslimi)

Realiteti i zuhdit

Zuhd në dynja është ai në të cilin ka qenë i dërguari i Allahut paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të dhe shokët e tij.
Ai nuk është ndalimi prej të mirave dhe pasurisë dhe as veshje e rrobave të arnuara dhe as qëndrim në shtëpi duke pritur sadekanë.
Puna, fitimi i hallallit dhe shpenzimi i hallallit është ibadet i cili e afron njeriun tek Allahu. Me kusht që dynjaja të jetë në duart e tij dhe jo në zemër të tij. Kur dynjaja është në dorë të njeriut dhe jo në zemrën e tij eshtë e njëjtë për të si kur i vjen dhe si kur i shkon, nuk kënaqet nëse i vjen dhe nuk hidhërohet nëse i shkon.

Ali bin Ebi Talib, Abdurrahman bin Auf, Zubejri, Uthmani e shumë të tjerë Allahu qoftë i kënaqur me ta, kanë qenë prej zahidave edhe pse kanë poseduar pasuri.

Është pyetur Imam Ahmedi: A mund të jetë zahid ai i cili posedon pasuri? Ka thënë: Po, nëse nuk gëzohet me shtimin e saj dhe nuk hidhërohet kur ajo i pakësohet.  
Kjo është e vërteta e zuhdit, kështu që njeriu mund të jetë më i pasuri i njerëzve dhe njëkohësisht më zahidi prej tyre, sepse zemra e tij nuk është lidhur me dynjanë, tjetri mund të jetë më i varfëri i njerëzve dhe nuk bën pjesë te zuhdi, sepse zemra e tij është e lidhur për dynjanë.

Ndarjet e zuhdit

Ibnë Kajjim Allahu e mëshiroftë ka thënë: Zuhdi ndahet në
- Zuhdi në haram (largimi prej haramit) i cili është farz ajn (obligim për cdo njeri)
  - Zuhdi në dyshim, (largimi nga gjërat e dyshimta) i cili mvaret nga shkalla e dyshimit, nëse është e fortë hyn te vaxhibi (e obliguar lënia e saj) e nëse është e dobët hyn te mutehab (e pëlqyer lënia e saj)
- Zuhdi në kureshtje, të larguarit nga gjërat që nuk të interesojnë, prej fjalëve, shikimit, pyetjes…etj.
- Zuhdi i përgjithshëm, largimi prej cdo gjëje e cila të angazhon ndaj Allahut të Lartësuar.
Zuhdi më i mirë është zuhdi i fshehtë, ta fshehësh e jo ta shfaqësh atë. Zemra e cila është e lidhur me epshet nuk ka zuhd.

Faktorët që të ndihmojnë për zuhdin në dynja

Shikimi në dynjanë se ajo është kalimtare dhe jo e përgjitjmonshme.
Shikimi në ahiretin se ai është i përgjithmonshëm.
Të përkujtuarit e shpeshtë të vdekjes dhe botës së tjetër.
Të menduarit në ata të cilët kanë vdekur se nuk kanë marrë asgjë me vehte në varret e tyre dhe nuk përfitojnë nga dicka tjetër përvec punëve të mira të tyre.
Të angazhuarit me ahiretin, duke ju bindur Allahut të Lartësuar dhe duke i mbushur kohët me dhikër dhe lexim të Kuranit.
Dhënia përparësi fesë para dynjasë.
Dhënia sa më shumë sadeka.
Lënia e mexhliseve të kësaj dynjaje dhe angazhimi me mexhliset e ahiretit.
Mosteprimi me ushqim, pije, gjumë, qeshje dhe shaka.
Leximi i sires së të dërguarit të Allahut dhe sahabëve.
 Përgatiti: Merita Rexha 
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.