MЁNYRA E ABDESIT

 
Seude bintu Zemah, nėna e besimtarėve PDF Printoni E-mail
Shkruar nga --   
e mėrkurė. 08 gusht 2007




  

“O i Dërguari i Allahut! Unë nuk e lakmoj këtë dynja. Vetëm dëshiroj të jem bashkëshortja jote në ahiret, që të kem shpërblim si gratë e tjera.”

Seude bint Zemah bin Kajsi është nënë e besimtarëve. Ajo është martuar me të Dërguarin e Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, pas vdekjes së Hatixhes dhe para martesës me Aishen. Seuda e ka pranuar Islamin në Mekë dhe më pas ka bërë hixhret me bashkëshortin e saj për në Abisini. Në hixhretin e dytë bashkëshorti i saj ka vdekur atje.

Historia e martesës me Seudën

Tre vjet pas vdekjes së Hatixhes, Haula bint Hakimi i ka thënë të Dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, kur ai ishte në Mekë: “A nuk po martohesh?” Ai i ka thënë: “Me kë?” Haula i ka thënë: “A dëshiron të virgjër (beqare) apo të ve?” Ai tha: “Të virgjër?” Ajo i tha: “Vajzën e më të dashurit tënd prej krijesave, Aishen, vajzën e Ebu Bekrit.” Ai tha: “Po prej të vejave?” Ajo tha: “Seude bint Zemah bin Kajsin. Ajo ka besuar në atë që të është shpallur ty dhe po të pason.” Ai tha: “Shko dhe më përmend te të dyja.”

Haula shkoi te shtëpia e Ebu Bekrit. Më pas doli dhe hyri te Seuda dhe i tha: “Ej Seuda! Çfarë hajri dhe bereqeti të ka sjellë Allahu!” Seuda i tha: “Ç’është?” I tha: “Më ka dërguar i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, në lidhje me fejesën me ty.” Seuda i tha: “Dëshiroj që të shkosh te babai im dhe t’ia thuash këtë.”

Babai i saj ishte shumë i moshuar. Haula shkoi tek ai dhe e përshëndeti me përshëndetjen jo islame, pastaj i tha: “Muhamedi, i biri i Abdullahut, i biri i Abdul Mutalibit, më ka dërguar që të kërkoj për të Seuden.” Ai tha: “Është derë bujare. Çfarë thotë Seuda?”

Haula i tha: “Ajo është dakord me këtë.” Ai tha: “Thirre që të vijë tek unë.” Haula e thirri Seudën dhe kur erdhi Seuda, ai i tha: “Oj Seuda, kjo po pretendon se Muhamed bin Abdullah bin Abdul Mutalibi e ka dërguar që t’ju fejojë dhe ai është derë bujare. A dëshiron që të të martoj me të?” Ajo tha: “Po.” Atëherë babai i saj i tha Haules: “Thirre të vijë.” Haula e thirri të Dërguarin, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, dhe ai erdhi e u martua me Seudën.

Seuda si bashkëshorte

Seuda pranoi që të martohej me të Dërguarin e Allahut dhe zuri pozitë të lartë në shtëpinë e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të. Ajo tregonte kujdes për vajzat e tij të nderuara. Seuda ishte shpirtmirë dhe dëshironte ta shikonte të Dërguarin gjithnjë të buzëqeshur.

Gratë e tjera të të Dërguarit të Allahut
Pas hixhretit në Medinë, i Dërguari i Allahut u martua edhe me Aishen, vajzën e Ebu Bekrit. Seuda i la hapësirë të Dërguarit për bashkëshorten e re, pasi kujdesej që ta kënaqte atë. Më pas i Dërguari i Allahut caktoi për çdonjërën shtëpinë e saj. Më pas erdhën edhe bashkëshorte të tjera në shtëpinë e të Dërguarit, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të.

Kur Seuda filloi të ndiejë pleqërinë dhe të merrte atë që nuk ishte e drejtë e saj, duke e larguar të Dërguarin nga mesi i bashkëshorteve të tjera, pasi ajo nuk kishte mundësi t’ia plotësonte dëshirat bashkëshortore. I Dërguari, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, e liroi nga përgjegjësitë bashkëshortore, por ajo nuk pranoi që të jetonte larg të Dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të. Ajo mori rrobat e saj dhe u vendos në rrugën në të cilën i Dërguari i Allahut kalonte kur shkonte për namaz dhe i tha atij: “Ditën time ia kam lënë Aishes. Vetëm dua që të shikoj fytyrën tënde, se pasha Allahun nuk dua atë që dëshirojnë gratë, por dëshiroj të më ringjallë Allahu me gratë e tua Ditën e Kiametit.”

Kështu që ajo mbeti në shoqërinë e të Dërguarit të Allahut në këtë dynja dhe në ahiret.

Vdekja e saj
Seuda, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka vdekur në fund të kohës së Omer ibnul Hatabit. Edhe pasi Seuda kishte vdekur, Aishja gjithmonë e kujtonte dhe e përshkruante si besnike dhe si shembull në jetë.

Perktheu: Merita Rexha

 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.