MЁNYRA E ABDESIT

 
Umu Atije El Ensarije PDF Printoni E-mail
Shkruar nga --   
e enjte. 02 gusht 2007



Kjo është njëra nga gratë e virtytshme të sahabëve dhe njëra nga ato që ka lënë gjurmë në historinë e femrës me punën e mirë në xhihad, në fikh dhe në transmetimin e haditheve.
Emri i saj është Nusejbe bintu El Harith El Ensarije.Ajo e ka pranuar Islamin bashkë me gratë e ensarëve në fushëbetejë, nën hijen e shpatave.
Umu Atija ecte në mesin e ushtrisë duke ua shuar etjen muxhahidëve, duke ua mjekuar plagët dhe duke u përgatitur ushqim. Transmetohet se Umu Atija ka thënë: “Kam marrë pjesë me të Dërguarin e Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, në shtatë beteja. Përgatisja ushqimin dhe mjekoja të plagosurit.”
Umu Atija është njëra ndër njëzet gratë të cilat kanë dalë me të Dërguarin e Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, në betejën e Hajberit duke shpresuar shpërblimin e xhihadit (luftës në rrugë të Allahut) nga Allahu i Lartësuar. 
Umu Atija është ajo e cila e ka larë Zejneben, vajzën e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, kur ka vdekur. Transmetohet nga Umu Atija, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ajo ka thënë: “Kur ka vdekur Zejnebja, vajza e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, e kemi larë tri ose pesë herë. Në herën e fundit e kemi larë me kafur, ose diçka prej kafurit (lloj arome). Kur e përfunduam, e lajmëruam të Dërguarin e Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, dhe ai na dha hakuh (një lloj mbulese) për t’ia hedhur sipër.

Umu Atija ishte ajo që lante gratë të cilat vdisnin në kohën e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të. Ajo e bënte këtë duke shpresuar shpërblimin nga Allahu i Lartësuar.

Umu Atija ka transmetuar dyzet hadithe, gjashtë prej të cilëve janë në dy sahihat (të Buhariut dhe të Muslimit). Një hadith e ka transmetuar vetëm Buhariu dhe një vetëm Muslimi.

Hadithet e saj gjenden në katër sunenet (të Ebu Davudit, të Termidhiut, të Ibni Maxhes dhe të Nesaiut). Prej saj ka transmetuar edhe Enes bin Maliku, Allahu qoftë i kënaqur me të. Në mesin e tabiinëve prej saj kanë transmetuar Muhamed bin Sirini dhe motra e tij, Hafsa bint Sirini, Umu Sherahbili, Ali bin El Akmari, Abdul Melik bin Umejri dhe Ismail bin Abdu Rrahmani.

Nga fundi i jetës së saj ajo është shpërngulur në Basra (qytet në jug të Irakut), ku njerëzit kanë përfituar prej dijes dhe fikhut të saj. Një grup sahabësh dhe tabiinësh e kanë marrë prej saj formën e larjes së namazit të xhenazes.

Umu Atija ka jetuar përafërsisht deri në moshën shtatëdhjetë vjeçare, Allahu qoftë i kënaqur me të.

 
Perktheu: Merita Rexha 
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.