MЁNYRA E ABDESIT

 
Pse na duhet tė besojmė? PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Valbona Kelmendi   
e mėrkurė. 16 gusht 2006


Cilat mund të jenë arsyet që mund të na bëjnë të besojmë tek ajo që nuk e shohim?
                    

Nevojën për të besuar tek diçka që nuk të zhgënjen, që nuk varet nga koha, nga hapësira, që nuk laget, që nuk digjet, që nuk mund të të lërë të presësh se mund të ketë nevojat e veta apo që nuk ka nevojë për shpikjen pasardhëse.
Që nga e qara e parë për veten ashtu dhe për të tjerët, që nga e qeshura me vete ashtu edhe me të tjerët, ne mbetemi më shumë pjesmarrës se sa vendimtar. Arsyet tona për të shpjeguar atë që na gëzoi apo tronditi do të mbeten sërish të kufizuara, pasi mjetet dhe fjalët që zotërojmë nuk mund të jenë kurrsesi e tëra. (Asnjë njeri nuk mund të pretendojë se i tha të gjitha çka deshi, duke mbetur fizikisht edhe jashtë asaj që vetë e ka përjetuar nga fillimi në fund).
Cilido musliman, që ka kuptuar sadopak nga domethënia e librit të zbritur nga Allahu i lartësuar  nëpërmjet Muhamedit, sal-lall-llahu alejhi ve selem,  ka për detyrë të kuptojë se, përsosmëria nuk është në natyrën njerëzore. Nëse këtë fakt, pra të papërsosmërisë sonë, arrijmë ta pranojmë, atëherë lidhja me dobësinë tonë është e pranueshme, e për pasojë shpeshherë edhe e zgjidhshme.
Ne duhet të besojmë për të mos u ndjerë të vetmuar apo padronë, për të mos u ndjerë skllav apo skllavopronar. Duhet të besojmë që, kur të na rrëmbejë hidhërimi, të dimë të ndajmë sebepin nga kaderi (ajo që duhet të ndodhë). Duhet të besojmë që, kur të na rrëmbejë gëzimi, të dimë të ndajmë sebepin nga kaderi. Sepse, gjithçka që ndodh është kader ( caktim), veçse ne duhet të shikojmë pjesën tonë, përpjekjen tonë, marrëdhëniet me veten e më pas edhe marrëdhëniet me të tjerët, për të mos bërë askë padron, përveç Krijuesit, e për të mos u bërë padron i askujt, por veçse përpjekës për të njohur vetveten.
Duke llogaritur pafuqinë tonë, dobësinë tonë dhe fuqinë e asaj që duhet të ndodhë, atëherë ekuacioni ka zgjidhjen. Sepse, përtej asaj që mundemi të kuptojmë ne vetëm besojmë se ajo ndodh, se ajo është. Ky është dhe kufiri i parë real mes besimtarit dhe jobesimtarit. Sepse, për atë që beson, bota është përtej asaj që mundemi ne dhe se, rregullator i gjithçkaje nuk është njeriu, por Krijuesi. Ndërsa jobesimtari mund të rreket për t’ia arritur, duke qenë gjithmonë një hap larg zhgënjimit apo trishtimit që nuk e arriti.

Njeriu ka nevojë që të besojë për të mos u ndjerë i vogël, por edhe për të mos u ndjerë i pafund. Besimtari merr nga Kur’ani dhe Hadithet e Profetit, sal-lall-llahu alejhi ve selem, rregullin themelor të jetës së tij, se është i zgjedhur si përfaqësuesi më i lartë në tokë. Por, në të njëjtën kohë, njeriu merr edhe kufijtë e tij, duke u konsideruar si një i zgjedhur i kufishëm dhe me të dhëna absolutisht të pamjaftueshme për të arritur atë që e krijoi.
Mes këtyre brigjeve muslimani ndërton jetën e tij, ku gëzimi dhe hidhërimi nuk janë veçse pjesët lozonjare të jetës, për të cilën ne duhet të falenderojmë Krijuesin që solli aq shkaqe sa ne të mundemi t’i shijonim ato, qoftë në të mirë e qoftë në të keq. Ndërsa jobesimtarit i duhet të gjejë idhullin e vet në të mirë dhe armikun e jetës së vet, në të keq, duke kërkuar që këtij lumi t’i vërë brigje të kapshëm, të mundshëm dhe të ndryshueshëm. Ndërkohë që idhulli apo armiku i jetës për besimtarin nuk ekzistojnë – ato janë vetëm pjesë e kaderit dhe muslimani merret me to si të merret me një send.
(Muslimani është falenderues ndaj atij që e ndihmon dhe nuk e çon dëm kohën për të urryer askënd nga i cili ka pasur një dëm. Ndërkohë që, në të dy rastet, si në të mirë dhe në të keq, muslimani është falenderues ndaj Krijuesit, që solli ato sebepe për të ndodhur diçka.
Këto brigje nuk janë version për trishtimin e një muslimani, sepse kaderi nuk e ndalon muslimanin kurrë që të përpiqet për të kryer misionin e vet. Por, Islami është thirrje për t’i kuptuar hapat tonë e për të mos rënë kurrë pre e vështrimit tonë të largët, e rastësisë që mund të na bëjë skllevër apo mbretër. Ne duhet të besojmë për të kuptuar përkohësinë tonë. Duke menduar vdekjen ne mund të nxitojmë të kuptojmë se, fuqia jonë, mendja jonë, paraja, miqtë, nuk do të na arrijnë të na ndihmojnë, nëse ne vetë nuk kemi rregulluar më parë marrëdhëniet me to nëpërmjet Atij që na krijoi të  gjithëve.
Ne duhet të besojmë për të mos patur frikë nga njeriu. (Sot jemi në kohën kur njeriu adhuron njeriun, duke përbërë ndoshta skllavërinë më moderne). Ne duhet të besojmë për t’u përgatitur përpara Atij që na solli nga asgjëja, nga një “pështymë”, që na rriti nëpër barqe nënash e që na dha dritën e të parit. Besimi është fillimi i lirisë së madhe, është porta nga ku mund të fillosh të bisedosh me veten pa mbivlerësuar apo nënvleftësuar krijesat që i ka sjellë në jetë po Ai që të ka sjellë edhe ty.
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.