MЁNYRA E ABDESIT

 
Zejnepe bintu Xhahshi, Allahu qoftė i kėnaqur me tė PDF Printoni E-mail
Shkruar nga --   
e hėnė. 16 korrik 2007

 

 
Kjo është nëna e besimtarëve, Zejnebe bintu Xhahsh bin Jamer bin Sabra bin Murra bin Kebir bin Ganem bin Dudan bin Esed bin Huzame, ndërsa nëna e saj është Umejme bintu El-Mutalibi, halla e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të.
Zejnebja më përpara quhej Bera, por kur i Dërguari i Allahut u martua me të, e quajti Zejnebe.

I Dërguari i Allahut e ka fejuar Zejneben me Zejd bin Harithin. Më pas ajo është ndarë nga Zejdi dhe është martuar me të Dërguarin e Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të.

Zejnebja ka qenë besimtare e sinqertë dhe e devotshme. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Nuk kam parë asnjëherë grua më të mirë në fe, grua që i frikësohej më shumë Allahut, që i mbante më shumë lidhjet farefisnore, që punonte dhe që jepte sadaka për t’u afruar tek Allahu më shumë sesa Zejnebja.”

I Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, u ka thënë grave të veta: “Ajo e cila do të më pasojë më së shpejti është ajo që i ka duart më të gjata.”

Zejnebja ka vdekur në vitin e njëzetë hixhri, në moshën pesëdhjetë e trevjeçare. Namazin e xhenazes ia ka falur emiri i besimtarëve, Omer ibnul Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të.Kjo është gruaja e parë që ka vdekur nga gratë e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të.

Thyerja e zakoneve

Nga e kemi nxjerrë këtë kuptim?
Nëse meditojmë për ngjarjen e martesës së Zejnebes me Zejd bin Harithin e më vonë ndarjen prej tij dhe martesën me të Dërguarin e Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, do të shohim se kjo ngjarje shoqërore ka pasur për qëllim dy çështje:
1-    thyerjen e zakoneve që janë në kundërshtim me fenë;
2-    thyerjen e tebennit në Islam (martesës me gruan e djalit të adaptuar, pasi është ndarë prej tij).
Dëshiroj që ta paraqes shkurtimisht ngjarjen, në mënyrë që lexuesi të kuptojë domethënien e këtij përfundimi

Zejd bin Harithi
Zejdi ka qenë një rob të cilin Hakim bin Huzami ia dhuroi Hatixhes, Allahu qoftë i kënaqur me të. Më pas ajo ia dhuroi të Dërguarit të Allahut,  paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të. Babai dhe nëna e Zejdit, të cilët e dëgjuan këtë ngjarje, erdhën në Mekë dhe kërkuan djalin e tyre nga i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të. Ata i ofruan të holla të Dërguarit, në mënyrë që t’ua kthente djalin, por i Dërguari i Allahut bëri me shenjë se Zejdi do të ishte ai që do të zgjidhte. Ata e pranuan këtë. Kur e lanë që të zgjedhë, Zejdi zgjodhi që të rrinte me të Dërguarin e Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të. Babai i Zejdit u mërzit për këtë, pasi ai zgjodhi robërinë dhe jo lirinë. I Dërguari, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, e mori Zejdin dhe shkoi me të në Qabe e tha: “Unë dëshmoj se Zejdi është djali im.” Kështu ai nisi të thirrej Zejdi, i biri i Muhamedit. I Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, e donte shumë Zejdin.

Fejesa e Zejdit me Zejneben
I Dërguari e fejoi Zejdin me Zejneben, e cila ishte vajza e hallës së  tij. Kur dëgjoi Zejnebja për këtë, ajo refuzoi dhe tha: “Nuk do të martohem asnjëherë. Unë jam zonjusha e Abdu Shemsit.”Si të martohej me një rob, kur ajo rridhte nga një familje e ndershme, me autoritet dhe me prejardhje? Ajo ishte vajza e hallës së të Dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, dhe njëra nga më të bukurat e femrave kurejshe. Si të martohej me një rob të cilin Hatixhja e kishte blerë dhe ia kishte dhuruar të Dërguarit, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, i cili nuk kishte nder dhe prejardhje të mirë?
Këtë qëndrim e kishte edhe vëllai i saj, Abdullahu, i cili e konsideronte këtë martesë si një turp të madh. I Dërguari i Allahut i tha asaj: “Martohu me të, se unë e pranoj atë si burrë për ty.” Me këtë ai deshi të thyente një traditë të përhapur (ai që është me prejardhje të mirë martohet vetëm me atë që ka prejardhje të mirë). Ai zgjodhi Zejdin dhe vajzën e xhaxhait të tij, Zejneben, për ta thyer këtë traditë tek arabët.

Përpara se Zenebja t’i përgjigjej të Dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, zbriti thënia e Allahut të Lartësuar: “Kur Allahu ka vendosur për një çështje, ose i Dërguari i Tij, nuk i takon (nuk i lejohet) asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në atë çështje të tyre personale të bëjnë ndonjë zgjedhje tjetërfare.” (El-Ahzab: 36)
Kur zbriti ky ajet, Zejnebja dhe vëllai i saj thanë: “Pranuam, o i Dërguari i Allahut!” Zejdi dërgoi te beni Xhahshët dhjetë dinarë dhe gjashtëdhjetë dërhemë, një parzmore, shami dhe mbështjellëse, pesëdhjetë grushte me ushqim dhe dhjetë grushte me hurma. Këto të gjitha ia ka dhënë i dashuri Muhamed, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të.

Mospajtimet ndërmjet Zejdit dhe Zejnebes
Zejdi nuk ishte i pashëm, prandaj Zejnebja nuk u rehatua shpirtërisht dhe filloi t’i krenohej për prejardhjen dhe lirinë e saj, ndërsa ai ishte rob. Zejdi e kuptoi se ajo nuk e donte. Zejdi ishte edukuar me dinjitet dhe nuk nënçmohej nga i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, prandaj e mundonin sjelljet e Zejnebes. Zejdi vazhdoi të ankohej tek i Dërguari i Allahut më shumë se një herë, se Zejnebja i krenohej me nderin e saj, se po hiqej mendjemadhe dhe se po e dëmtonte me gjuhën e saj. I Dërguari i Allahut gjithmonë e kthente dhe i thoshte: “Mbaje bashkëshorten tënde.” (Ahzab: 37)
Zejdi u ankua sërish dhe kërkoi të ndahej, por i Dërguari i Allahut e kthente me fjalët: “Mbaje bashkëshorten tënde.” (Ahzab: 37)

I Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, dëshironte të thyente edhe një traditë tjetër të arabëve. Ai dëshironte që Zejdi të rrinte me Zejneben, pastaj të ndaheshin dhe më vonë të martohej me të dhe kështu do të thyhej edhe tradita tjetër, ajo e martesës me gruan e djalit të adoptuar. Megjithatë, ai frikësohej prej fjalëve të njerëzve.

Më vonë, ai e lejoi Zejdin që të shkurorëzohej me Zejneben dhe Allahu shpalli në Kuran: “…E për të mos pasur besimtarët vështirësi (mëkat) në martesë me gratë e të adoptuarve të tyre, kur ata heqin dorë prej tyre. E vendimi i Allahut është i kryer.” (Ahzab: 37). Ky ajet ka zbritur pas martesës së Pejgamberit me Zejneben.

Martesa e të Dërguarit me Zejneben

Për këtë martesë i Dërguari i Allahut hasi vështirësi. Allahu zbriti thënien e Tij: “Pejgamberit nuk i përket asnjë qortim për atë që Allahu e ngarkoi me të. Ky ishte ligj i Allahut, edhe ndër ata që ishin më parë, e urdhri i Allahut është vendim i kryer. (ligj i Allahut ndër) Ata, të cilët i kumtojnë shpalljet e Allahut, i frikësohen vetëm Allahut dhe askujt tjetër pos Tij, e Allahu është i mjaft të jetë llogaritës.” (Ahzab: 38-39)  Allahu e kurorëzoi të Dërguarin e Tij prej qielli. Allahu i Lartësuar thotë: “E pasi Zejdi e kishte vendosur atë që kishte menduar ndaj saj, Ne ta kurorëzuam ty atë.” (Ahzab: 37)

Kur përfundoi ideti (koha e pritjes pas shkurorëzimit) i Zejnebes, i Dërguari i Allahut i tha Zejdit: “Shko te Zejnebja dhe më përmend tek ajo (për martesë).” Martesa e të Dërguarit me Zejneben ishte pa veli dhe pa dëshmitarë, sepse i kurorëzoi Allahu i Lartësuar. Zejnebja mburrej para grave të tjera të Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, dhe u thoshte: “Ju ju kanë kurorëzuar prindërit tuaj, ndërsa mua më ka kurorëzuar Allahu mbi shtatë qiejt.”
Allahu i Lartësuar thotë: “E pasi Zejdi e kishte vendosur atë që kishte menduar ndaj saj, Ne ta kurorëzuam ty atë.” (Ahzab: 37)

Thuhet se kur është martuar i Dërguari i Allahut me Zejneben, hipokritët kanë filluar të thonë: “Muhamedi e ka ndaluar martesën me gruan e djalit, por u martua me gruan e djalit të tij.” Allahu zbriti Fjalën e Tij, ku thuhet: “Muhamedi nuk ka qenë babai i asnjërit prej burrave tuaj.” (Ahzab: 40) dhe thotë: “Ju thirrni (mbështetni) ata në etërit e vërtetë të tyre, kjo është më e drejtë tek Allahu…” (Ahzab: 5)

Përfundimisht
Ndoshta ti lexues i nderuar e kuptove se sa e vështirë është të ndërrohen traditat në shoqëri. Ne këtë ngjarje e lexojmë për disa minuta, por në realitet vështirësitë dhe vuajtjet prej saj kanë zgjatur me ditë dhe muaj. Disa prej tyre janë
1-    vuajtjet e të Dërguarit të Allahut për t’ia mbushur mendjen Zejnebes që të martohet me Zejdin,
2-    vuajtjet e Zejnebes me Zejdin në shtëpi,
3-    vuajtjet e familjes së Zejnebes kur u martua,
4-    vuajtjet e të gjithëve në përballimin e presioneve të shoqërisë,
5-    vuajtjet e martesës dhe mossuksesi i saj,
6-    vuajtjet e të Dërguarit të Allahut në shkurorëzimin e të dy palëve,
7-    vuajtjet e të Dërguarit gjatë martesës me bashkëshorten e djalit të adoptuar,
8-    vuajtjet e të Dërguarit të Allahut në anulimin e traditës së adoptimit dhe vuajtje të tjera.

Megjithatë, Allahu e shpërbleu Zejneben për durimin e saj me martesën me të Dërguarin e Allahut. A ka nder më të madh se kjo martesë, e cila në procedurë dhe mënyrë ishte e veçantë? Prandaj ajo mburrej  para grave me tri gjëra:
1-    se gjyshi i saj dhe gjyshi i të Dërguarit ishte një,
2-    se Allahu e kurorëzoi me të Dërguarin e Tij,
3-    se ndërmjetësues për martesën ishte Xhibrili.

Diktatura e traditës dhe tri indianet
Është gabim që të anulohen traditat dhe zakonet e popullit, por gjëja më e mirë është që të mundohemi të ndryshojmë zakonet të cilat janë në kundërshtim me metodologjinë e Islamit. Përputhja e zakoneve në jetën e njeriut është një simbol i saj. Zakonet janë të dobishme për ruajtjen e esencës dhe kulturën e njeriut.

Kur është tradita diktaturë?
Ajo është e tillë kur njerëzit e veprojnë edhe nëse nuk përputhet me sheriatin islam. Disa shembuj prej rasteve të kohës sonë janë:
1-    mosshikimi i së fejuarës.
2-    mospranimi i martesës së vajzës së xhaxhait me djalin e xhaxhait.
3-    mehri i lartë
4-    mospranimi i martesës së vajzës së vogël para së madhes.
5-    ndalimi i femrës që të ketë trashëgimi dhe shumë zakone të tjera të cilat janë në kundërshtim me fenë.

Ne nuk dëshirojmë që të argumentojmë me sheriat çdo traditë që përmendëm, por i morëm vetëm si shembuj në mënyrë që të kuptojmë vuajtjet që ka përjetuar i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, kur dëshiroi të thyente dhe të ndërronte zakonet. Kjo çështje nuk është e lehtë, por ka nevojë për kohë dhe durim. 
Dëshiroj që t’ju tregoj ngjarjen e tri indianeve, që ta kuptojmë se çfarë shkaktojnë traditat shoqërore të cilat janë në kundërshtim me fenë.

Këto tri motra indiane kanë bërë vetëvrasje duke pirë helm insektesh. Një zëdhënës i policisë në Bombei ka thënë: “Prindi i këtyre vetëvrasëseve ka deklaruar në polici se nuk ka mundur të gjejë bashkëshort për vajzën e tij të madhe dhe ka refuzuar martesën e vajzave të tjera pa u martuar vajza e madhe.”
Vajzave e madhe ishte 30 vjeçe, e dyta ishte 25 vjeçe, kurse e treta vetëm 20 vjeçe.
Kjo është një prej mijëra ngjarjeve ku viktima të diktaturës së traditave dhe zakoneve kanë qenë vajzat. Unë di shumë ngjarje të tjera ku të rinjve u janë bërë padrejtësi për shkak të traditave dhe zakoneve që janë në kundërshtim me Islamin. Ndër më të përhapurat është mospranimi i martesës me një person që nuk ka prejardhje të mirë. Kjo është edhe ngjarja së cilës i ka kushtuar rëndësi i dashuri ynë, Muhamedi, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të.

A do të bëhen zakonet tona si të Perëndimit?
Ka katër lloje zakonesh: natyrore, mendore, shoqërore dhe shpirtërore. Dembelizmi dhe të dhënit pas duhanit është prej zakoneve natyrore, ndërsa leximi dhe lakmia pas bukurisë janë zakone mendore. Vizitat janë prej zakoneve shoqërore, ndërsa këshillimi, pastrimi i vetvetes dhe adhurimet janë zakone shpirtërore. Të gjitha mund t’i fitojmë dhe shpresojmë në veten tonë se gjithashtu mund t’i ndryshojmë. S’ka dyshim se edhe ambienti ndikon në edukimin dhe formimin e zakoneve të çdonjërit që në vegjëli.
Kur udhëhiqja programin “Shtëpitë e lumtura” në janar të vitit 2001, me titull “Mbulesa e femrave”, kam dëgjuar shumë gjëra të mira. Në këtë takim merrnin pjesë femra të cilat tregonin për shkakun e mbulimit të tyre. Kur po bisedonim, ma tërhoqi vëmendjen njëra prej vajzave, e cila tha: “Mjedisi i fëmijës në të kaluarën ka qenë familja, ndërsa sot mjedisi i fëmijës është ai që shikon dhe dëgjon, Ai sot ndikohet nga mediat, interneti dhe rruga. Bota është bërë për të mjedisi i tij, kurse prindërit ndikojnë fare pak tek ai.” 
Këto fjalë më bënë të mendoja shumë se kemi nevojë për meditim dhe shtjellim, në veçanti kur e dimë se Perëndimi po publikon kulturën e vet, ndërsa ne po e lëmë kulturën dhe parimet tona.
Nëse nuk do të lëvizim, zakonet tona në të ardhmen do të jenë si të Perëndimit, ose si të Amerikës. Duhet të ngrihemi dhe të lëvizim, kjo është ajo që mësojmë nga mësimi i Zejnebes, Allahu qoftë e kënaqur me të.

Nga arabishtja: Merita Rexha
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.