MЁNYRA E ABDESIT

 
Islami e trajton femren njeri PDF Printoni E-mail
Shkruar nga --   
e shtunė. 14 korrik 2007

     

Një nga mirësitë e shumta të Islamit është se ai e nderon femrën e trajton atë si njeri, pranon aftësitë e saj për të marrë mbi vete përgjegjësi dhe ia njeh të drejtën e shpërblimit. Islami i sheh si mashkullin edhe femrën me të drejtat dhe detyrat e veta, pasi secili nga ta janë degë të një trungu, që e kanë zanafillën nga një baba, Ademi dhe nga një nënë Hava.

Kështu, si femra edhe mashkulli janë të barabartë në origjinë, të barabartë në karakteristikat e përgjithshme njerëzore, të barabartë në obligime dhe përgjegjësi, të barabartë në shpërblim dhe përfundim. Për këtë, Kur’ani thotë: “O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqen) e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra. Dhe kini frikë All-llahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin, se All-llahu është mbikëqyrës mbi ju”. (En-Nisa: 1)

Për barazinë mes burrit dhe gruas në obligime e adhurime, Kur’ani thotë: “Nuk ka dyshim se për muslimanët e muslimanet, besimtarët e besimtaret, adhuruesit e adhurueset, të sinqertit e të sinqertat, durimtarët e durimtaret, të përvuajturit e të përvuajturat, sadakadhënësit e sadakadhënëset, agjëruesit e agjërueset, ruajtësit e nderit e ruajtëset e nderit, shumëpërmendësit e All-llahut e shumëpërmendëset e All-llahut, All-llahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh”. (El-Ahzab:35)

E për obligimet fetare e shoqërore themelore Kur’ani në shenjën e barazimit mes dy gjinive thotë: “Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë, e ndalojnë nga e keqja, e falin namazin dhe japin zekatin, respektojnë All-llahun dhe të dërguarin e Tij. Të tillët do t’i mëshirojë All-llahu…” (Et-Tevbe:71)

Në historinë e Ademit, shohim që obligimi hyjnor i drejtohet si Ademit ashtu edhe Havës, njëkohësisht: “E ne i thamë: O Adem, ti dhe bashkëshortja juaj banoni në Xhennet dhe hani lirisht nga frutat e tij kah të doni, por mos iu afroni asaj bime (peme) e të bëheni zullumqarë (të vetvetes suaj)”. (El-Bekare:35)

Por e keqja e kësaj historie është se nxitja në të keqe i adresohet djallit e jo Havasë, sikundër thuhet në Teurat (Tora). Por Kur’ani e cilëson ndryshe: “Po djalli i bëri që ata të dy të mashtrohen në atë (pemë ose Xhennetin) dhe i nxori ata nga ajo (e mirë) që ishin në të…” (El-Bekare:36)

Kështu, nuk ishte Havaja që e hëngri pemën e vetme, e as nuk ishte ajo që filloi e para, por gabimi ishte i të dyve bashkë, ashtu siç ishte edhe pendimi e keqardhja për atë që bënë: “Ata të dy thanë: “Zoti ynë, ne i bëmë të padrejtë vetvetes sonë, në qoftë se nuk na falë dhe nuk na mëshiron, ne me siguri do të jemi prej të shkatërrurve!” (El-A’raf: 23)

E sido që të jetë puna, gabimi i tyre bie vetëm mbi ta sepse askush nuk mban barrën e tjetrit: “Ai ishte një popull që kaloi, atij i takoi ajo që fitoi, e juve u takon ajo që fituat, prandaj ju nuk jeni përgjegjës për atë që vepruan ata”. (El-Bekare:134)
Mbi barazinë mes mashkullit dhe femrës në shpërblim All-llahu thotë: “Zoti i tyre iu përgjigj lutjes së tyre (e tha): “Unë nuk ia humb mundin asnjërit prej jush, mashkull qoftë apo femër. Ju jeni njëri nga tjetri…” (Ali Imran: 195)
Ndërsa mbi të drejtat financiare të femrës, Islami rrëzoi atë që praktikonin shumë popuj më parë të cilët e kishin zhveshur femrën nga e drejta e trashëgimisë dhe e zotërimit të pasurisë së saj.

Ashtu siç i dha të drejtën e arsimimit mashkullit, Islami i dha këtë të drejtë edhe femrës. Pejgamberi (sa-l All-llahu alejhi ve selem)ka thënë: “Kërkimi I diturisë është obligim për çdo musliman”.            

Po kështu, femra ka të drejtën e faljes kolektive në xhami, sepse asaj i detyrohen punët si edhe mashkullit si: namazi, agjërimi, zekati, haxhxhi, etj. Ajo është e obliguar edhe në punët shoqërore si edhe burri: “Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë, e ndalojnë nga e keqja…” (Et-Tevbe:71)

Marrë nga libri: “Mesazhi ynë në epokën e globalizmit” i Dr. Jusuf Kardavi
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.