MЁNYRA E ABDESIT

 
Kontrollimi i lindjeve dhe aborti ne Islam PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Mohammed Ibn Adam Al-Kawthari   
e enjte. 14 qershor 2007


Të dhënat aktuale tregojnë se aborti dhe kontrollimi i lindjes janë çështjet më të ndieshme sot, në botë në përgjithësi dhe në vendet perëndimore në veçanti. Debati rreth tyre pasqyron qëndrime dhe bindje të ndryshme personale, kulturore, politike dhe fetare.

Sheriati Islam, si sistem i cili i udhëheq muslimanët në çdo aspekt të jetës së tyre personale dhe publike, ka pikëpamjet e veta në lidhje me çështjen e abortit dhe kontrollimit të lindjes.

E para, në parim, Islami nuk miraton asnjë praktikë e cila çon në shkatërrimin e jetës njerëzore, të cilën Islami e konsideron dhuratë të shenjtë nga Allahu, Zoti dhe Krijuesi ynë. Askush s'mund t'ia merr jetën tjetrit, duke përfshirë veten, përveç përmes drejtësisë ose në pajtim me situatat e tjera të shënuara nga ligji Islam. Në Kur'an thuhet:
"Për këtë (shkak të atij krimi) Ne u shpallëm (ligj) beni israilve se kush mbyt një njeri (pa të drejtë), pa pasë mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa pasë bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t'i kishte mbytur të gjithë njerëzit. E kush e ngjall (bëhet shkak që të jetë ai gjallë) është si t'i kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit..." (5: 32)
"Ju mos i mbytni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë, se Ne ua sigurojmë furnizimin atyre dhe juve, e mbytja e tyre është mëkat i madh." (17: 31)
Pra, është mëkat i madh të merret jeta e fëmijës, siç vepronin disa njerëz në të kaluarën ose siç mund të veprojnë disa edhe sot në disa shoqëri. Jeta e atij që s'ka lindur ende nuk lejohet të mirret për ndonjë arsye përveç në disa situata të rralla kur ka rrezik të madh nëse vazhdon të mbahet në mitër dhe që mund të shkaktojë vdekjen e nënës.

Gjithashtu, Islami është kundër kontrollimit të lindjeve dhe abortit sepse ato shkojnë kundër pikëpamjeve dhe ideve të martesës dhe e sheh seksin jo si fund në vetvete por si kuptim të përfundimit të mirë- më kryesorja e të cilit është lindja. Prandaj, gruaja nuk lejohet të ketë abort thjesht sepse ajo e dëshiron këtë ta mbrojë formën e mirë të trupit, për të përparuar në karrierë ose për t'iu shmangur përgjegjësisë. Qëndrimet e tilla janë vetjake dhe larg nga të qenit arsye të pranueshme për të marrur jetën e fëmijës së saj.

E dyta, në përgjithësi, janë dy lloje të kontraceptivëve – e pakthyeshme (e përhershme; pa mundësi të mbetjes shtatzënë më) dhe teknikat e kthyeshme.
Metoda e pakthyeshme e kontraceptimit nga operacioni i sterilizimit është i njohur si vazektomi në burrin dhe salpingektomi në gruan (ky është formulimi i përgjithshëm- detajet e tjera të rëndësishme do të njihen për kuptime të duhura të këtyre procedurave).
Metoda e kthyeshme i referohet përdorimit të metodave të ndryshme bashkëkohore të kontracepsionit, si: ndërprerjes së aktit seksual (në gjuhën arabe – azl; e quajtur gjithashtu tërheqje dhe sot është e zakonshme veçanërisht në mes të çifteve të cilat nuk duan të mërziten me teknikat medicinale), tabletave të kontraceptivëve oralë, kondomave, mjeteve intrauterine, injeksioneve, etj..

Kontracepsioni i pakthyeshëm është plotësisht haram ose i paligjshëm ndonëse disa dijetarë kanë thënë se mund të lejohet në raste ekstreme dhe të detyrueshme.
Periudha e gjatë e kontracepsionit të kthyeshëm, në anën tjetër, konsiderohet shumë e papëlqyer nëse bëhet pa ndonjë nevojë të qartë.

Duhet të jetë e ditur, sidoqoftë, se ky lejim është vetëm për dëshira individuale dhe prandaj përdorimi i kontraceptivëve për kontrollimin e popullatës është haram sipas Sheriatit. Çdo rast individual do të duhej të studiohet veçmas dhe rregullat e përgjithshme nuk mund të përdoren direkt në rastet individuale. Njerëzit kompetentë, të mirëinformuar dhe dijetarët që ia kanë frikën Allahut do të mësojnë për çështjen (posaçërisht me mjekët) dhe do të japin një vendim sipas çdo rasti.

E treta,format e kthyeshme të kontraceptivëve të cilat e pengojnë shtatzëninë pasi që veza është fekonduar, nuk lejohen përveç në disa raste të pakta medicinale.

E katërta, kryerja e abortit pas 120 ditësh prej kohës kur ka ndodhur shtatzënia është plotësisht haram ose e paligjshme dhe konsiderohet vrasje sepse shpirti veç ka hyrë në fetus. Aborti para 120 ditëve të shtatzënisë është gjithashtu haram por nuk konsiderohet vrasje. Lejohet vetëm në rast të nevojës së vërtetë.

Aborti i kryer për të shpëtuar nga shtatzënia prej marrëdhënies seksuale të paligjshme është e ndaluar në Islam. Fëmija i palindur si pasojë e këtij seksi jo të ligjshëm nuk është fajtor për ndonjë punë të keqe dhe nuk duhet të mbahet si përgjegjës për kryerjen e punës së keqe nga prindërit e tij mëkatarë. Në këtë mënyrë, shtatzënia e tillë nuk duhet të përfundojë, më mirë është të mbahet në kohën e plotë të saj. Në një hadith Profeti Muhamed, salallahu alejhi ue selam, e urdhëroi një grua, e cila e pranoi para tij shtatzëninë nga seksi i paligjshëm, të presë derisa fëmija i saj të lindë dhe të largohet nga gjiri, e pastaj të zbatojë dënimin e ligjshëm për kurvërinë e saj.

E pesta, roli i doktorëve muslimanë dhe ekspertëve medicinalë është shumë i rëndësishëm. Kështu që, është e domosdoshme që ata ta edukojnë veten me rregullat e Islamit në lidhje me kontrollimin e lindjeve dhe abortin dhe të veprojnë në përputhje me to. 

Përktheu: Fexhrie Kaçiu
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.