MЁNYRA E ABDESIT

 
Hafsa, ruajtėsja e Kuranit PDF Printoni E-mail
Shkruar nga --   
e premte. 08 qershor 2007

 

 
Ejani të kujtojmë fuqinë dhe trimërinë e muslimanëve që garonin për në kopshtin e vdekjes (për të rënë dëshmorë në rrugë të Allahut) duke luftuar kundër Musejletu El Kedh-dhabit dhe pasuesve të tij.
Muslimanët garonin për të fituar xhenetin. Në këtë betejë të parët ishin hafizët e librit të Allahut, me zemra të mbushura plot mallëngjim për të takuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Zemrat e tyre nuk i frikësonte lufta. Ata ëndërronin të zhduknin gjembat e idhujtarisë, të cilët u shfaqën në popull pas vdekjes së të Dërguarit, por ky mision do të merrte shumë jetë. Pas kësaj, në të gjitha anët e Gadishullit Arabik u përhap drita e Islamit, e cila ndriçoi me nurin e së vërtetës zemrat e atyre që i kishte kapluar idhujtaria për një periudhë kohore.
Edhe kur u largua mjegulla dhe u qetësua ritmi i luftës, zemrat e besimtarëve, shokëve të Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, i kaploi frika. I pari prej tyre ishte Omer El-Faruku, i cili shikoi rënien dëshmorë të hafizëve të Kuranit dhe tha me vete: “Po vdesin hafizat, ndërkohë që pjesa më e madhe e Kuranit është e ruajtur në zemrat e tyre!”Atë e mundonte kjo pyetje sepse ai ishte i kujdesshëm për fatin e fesë dhe të Kuranit.

Me atë frikë për fenë e Allahut në gjoksin e tij, këmbët e drejtuan për tek Ebu Bekri, kalifi i të Dërguarit të Allahut, për ta nxitur që ta mblidhte Kuranin Fisnik në mus’haf. Kalifit të muslimanëve nuk iu rehatua zemra derisa për këtë çështje të rëndësishme u caktua Zejd bin Thabiti.

Kjo punë madhështore u përfundua dhe Kurani u tubua në një libër. Es-Sidiku, shoku i të Dërguarit të Allahut dhe kalif pas tij, e pa të arsyeshme që mus’hafin ta vendosnin te një zonjë prej zonjave të dynjasë dhe të ahiretit.


Kush është kjo zonjë?

Kjo është Hafsa, e bija e Omer ibnul Hatabit, Allahu qoftë i kënaqur me të, nga fisi Adevij, kurejshe. Hafsa ka lindur pesë vjet para se t’i zbriste shpallja të Dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të. Ajo ka qenë bashkëshortja e Hunejs bin Hudhafe Es-Sehmit. Hafsa ka bërë hixhret bashkë me të për në Medinë. Burri i saj ka marrë pjesë në luftën e Bedrit, ku ka rënë dëshmor, kur Hafsa nuk i kishte kaluar tetëmbëdhjetë pranverat. U mërzit Omer ibnul Hatabi për atë që i ndodhi asaj dhe dëshironte që ta martonte me një njeri tjetër, me të cilin ishte i kënaqur Allahu dhe i Dërguari i Tij. Omer ibnul Hatabi thotë: “Ia paraqita këtë gjë Uthmanit, kur gruaja e tij, Rukija, vajza e të Dërguarit të Allahut, kishte vdekur. Ai heshti dhe nuk më ktheu përgjigje. Më vonë ia paraqita këtë çështje Ebu Bekër Es-Sidikut, por edhe Ebu Bekri heshti siç heshti Uthmani para tij. Kjo çështje më shqetësoi, prandaj shkova tek i Dërguari i Allahut për t’u ankuar për atë që më ndodhi.”Omeri nuk e dinte se Allahu i Lartësuar kishte zgjedhur për Hafsën dikë më të mirë se Uthmani dhe Ebu Bekri: Ajo do të bëhej bashkëshorte e të Dërguarit të Allahut dhe nënë e besimtarëve.

Hafsa, e bija e Omerit, ka jetuar me të Dërguarin e Allahut një jetë normale. Nga nënat e besimtarëve ajo ka zgjedhur Aishen, vajzën e Ebu Bekër Es-Sidikut, si shoqe dhe fole të sekreteve të veta. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, e ka përshkruar Hafsën si “vajza e babait të saj” për shkak të vlerës së saj.
Hafsa ka lënë pas vetes shumë libra që tregojnë për jetën dhe ngjarjet e saj me bashkëshortet e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të. Hafsa e përmbante veten nga epshi. Ndoshta edhe gabonte në ndonjë çështje të sajën, por pendohej shumë te Zoti i saj. Hasa mundohej në çdo çast që mos ta kaplonte hidhërimi i Allahut. Ajo ka qenë ashtu siç i ka thënë Xhibrili, paqja qoftë mbi të, të Dërguarit të Allahut: “Ajo është agjëruese (që agjëron shumë) dhe namazlie (që falet shumë natën) si dhe bashkëshortja jote në xhenet.”

Hafsa ka transmetuar shumë hadithe nga i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të. Thuhet se numri i haditheve të transmetuar prej saj arrin në gjashtëdhjetë.

Kjo agjëruese dhe namazlie është Hafsa, vajza e Omerit, nënë e besimtarëve, e cila ka jetuar me të Dërguarin e Allahut përafërsisht shtatë vjet. Nderi dhe pozita e saj u rrit edhe më shumë më vonë, kur u zgjodh në mesin e sahabëve që të jetë ruajtësja e Kuranit Fisnik.

Sa nderim i bën Islami femrës muslimane duke e bërë ruajtëse të Kuranit Fisnik, në kohën kur në qiellin e umetit islam janë shumuar yjet fisnikë!Ky është Islami ynë, fe madhështore, fe e drejtësisë, feja që i ka dhënë femrës pozitën e saj të merituar. Kujdestarja e parë e Islamit është Hatixhe bint Huvejlidi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ndërsa ruajtësja e parë e Kuranit është Hafsa, vajza e Omerit, Allahu e shpërbleftë me të gjitha të mirat!

Perktheu: Merita Rexha
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.