MЁNYRA E ABDESIT

 
Gruaja muslimane dhe Zoti i saj PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Sadjida   
e premte. 11 gusht 2006

Asaj i është bërë e qartë se po qe se i ndodh diç, kjo bëhet me dëshirën e All-llahut dhe nëse shpëton nga ndonjë e keqe, askush nuk mund t’i bëjë dëm.

 Një ndër veçoritë më të shpeshta me të cilat shquhet muslimaneja është besimi i saj i thellë në All-llahun, të Lartësuarin dhe bindja e palëkundshme se çdo gjë që ndodh në këtë univers bëhet me dëshirën dhe lejen e All-llahut.

Tregimi i Haxheres i ofron gruas muslimane një ndër shembujt më të shkëlqyeshëm të besimit të thellë dhe mbështetjes së vërtetë në All-llahun e Lartmadhëruar.

Ibrahimi (paqja qoftë mbi të) e la atë të vetme me birin e saj Ismailin mbi burimin e Zemzemit në Qabe të Mekës kur nuk kishte as njerëz e as ujë. Andaj ajo pyeti burrin e saj me zë të qartë dhe të qetë:

“A All-llahu të ka urdhëruar për këtë, o Ibrahim?”

Ibrahimi a.s. ia kthehu: “Po”.

Në përgjigjen e saj shfaqej pajtueshmëria dhe optimizmi i saj, ngase u përgjigj duke thënë:

“Atëherë Ai nuk do të na lërë në humbje” (Transmeton Buhariu).

Gjendja e rëndë, e cila ka mbizotëruar këtu lë të dijë se çfarë mbështetjeje dhe çfarë besimi të thellë kishte Haxherja në Allahun e Lartësuar. Burri i saj e la atë dhe birin e saj të vogël në një shkretëtirë pa njerëz dhe mori çdo gjë me vete përveç disa hurma dhe pak ujë.

Po të mos ishte besimi i thellë dhe mbështetja e brendshme në All-llahun, e cila ishte ngulitur në zemrën e Haxheres nuk do të ishte ajo në gjendje që një situatë të tillë ta luftonte me aq qetësi.

Por, mu për shkak të kësaj cilësie është bërë gruaja, emri i së cilës përkujtohet ditë e natë nga haxhilerët në Shtëpinë e All-llahut kur pijnë ujë nga burimi i Zemzemit apo kur ecin ndërmjet kodrave Safa dhe Merva, siç kishte bërë Haxherja në atë ditë.

Ky vetëdijësim dhe ky besim i thellë në All-llahun e Lartësuar, në fakt kanë pasur një ndikim të paparamendueshëm në jetën e muslimanëve. Zgjonte mendjet e tyre dhe ua përkujtonte se All-llahu është dëshmitar mbi çdo gjë, njeh çdo fshehtësi dhe vazhdimisht është afër çdonjërit, pa marrë parasysh se ku gjendet ai.

Asgjë nuk na ofron një vështrim më të mirë në këtë vetëdijësim dhe devotshmëri, sesa tregimi në vijim, të cilin e përshkruan Ibnul Xhevziu në librin e tij “Ahkamun-Nisa”:

“Përderisa isha duke e shoqëruar Omer ibnul Hattabin, r.a. në gjiron e tij të natës në Medinë, u lodh ai dhe u mbështet për një muri. Ishte mesi i natës kur dëgjuam një nënë duke i thënë bijës së saj fjalët vijuese:

“Oj bija ime, zgjohu dhe shtoja qumshtit pak ujë”

Vajza u përgjigj: “Oj nënë, a nuk e ke dëgjuar sot vendimin e prijësit të muslimanëve, ka urdhëruar që të mos përzihet qumshti me ujë”

Nëna ia ktheu duke i thënë se sidoqoftë ajo duhet të ngritej, ngase Omeri, r.a. nuk mund ta shihte atë.

Atëherë bija i tha nënës së saj: “Unë nuk mund ta adhuroj All-llahun e Lartmadhëruar haptazi e të mos i bindem Atij kur jam në fshehtësi.”

Omeri, r.a. i cili e dëgjoi këtë më urdhëroi mua që të shkojë aty dhe ta marrë vesh se a ishte e martuar. Ajo ishte e pamartuar, kështuqë, Omeri thirri të gjithë bijtë e tij dhe i pyeti se a donte ndokush prej tyre ta martonte këtë vajzë fisnike.

Ajo u martua me birin e Omerit, r.a. Asimin dhe i fali një vajzë, e cila më vonë u bë nëna e Omer Ibn Abdul-Azizit.

Ky është kuptimi i thellë i vetëdijësimit, që e kishte mbjellur Islami në zemrën e kësaj vajze të re. Ajo ishte e drejtë në të gjitha veprat e saj, si në ato që i bënte haptazi poashtu edhe në ato që i kryente në fshehtësi, sepse ishte e bindur se All-llahu i Lartësuar dëgjon çdo gjë dhe di çdo gjë në çdo moment.

Akideja (besimi) i gruas muslimane është e pastër, e qartë dhe e pandotur prej çfarëdo injorance, iluzioni apo idhujtarie. Kjo akide bazohet në besimin  në Allahun, të Vetimin, të Lartmadhërishmin, të Përjetshmin, i Cili është në gjendje të bëjë çdo gjë, i Cili kontrollon tërë universin dhe te i Cili është kthimi.

"Thuaju: “Në dorën e kujt është i tërë pushteti i çdo sendi, dhe Ai është që mbron (kë të dojë), e që prej Atij nuk mund të ketë të mbrojtur, nëse jeni që e dini?”Do të thonë: “Në dorë të Allahut.” Thuaju: “E si mashtroheni pra?” (23:88,89)

Ky është besimi i thellë dhe i pastër, i cili e lartëson karakterin e muslimanes në forcë, mendje dhe në shkallë, kështuqë ajo vazhdimisht e sheh jetën si provim, rezultatet e së cilit do të shihen në një ditë në të cilën nuk ka dyshim.

"Thuaju: “Allahu ju sjell ju në jetë, pastaj ju bën të vdisni, pastaj Ai do t’ju grumbullojë juve në Ditën e Kijametit për të cilën nuk ka pikë dyshimi, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (45:26)

"A menduat se ju krijuam kot dhe se te Ne nuk do të ktheheni." (23:115)

"I madhëruar është Ai, që në dorën e fuqisë së Tij është i tërë sundimi dhe Ai ka fuqi mbi çdo send.
Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën për t’ju provuar se cili prej jush është më vepërmirë. Ai është Ngadhënjyesi, Mëkatfalësi." (67:1,2)


Në këtë ditë, ku nuk do të ketë aspak padrejtësi do të duhet të jepet llogari për çdo vepër të bërë.

"Sot shpërblehet secili njeri për atë që ka vepruar. Sot nuk ka padrejtësi, Allahu llogarit shpejt." (40:17)

"Në Ditën e Gjykimit Ne do të vëmë peshoja të drejta, e askujt nuk i bëhet e padrejtë asgjë, edhe nëse është sa peshoja e një kokrre të melit Ne do ta sjellim atë. E, mjafton që Ne jemi Llogaritës." (21:47)


Pa dyshim që muslimaneja e vërtetë, pasi që e ka kuptuar domethënien e këtyre ajeteve do të mendojë për këtë Ditë vendimtare dhe do t’i drejtohet Zotit të saj me nënshtrim, pendim dhe falënderim, duke bërë synim të sajin kryerjen e sa më shumë veprave të mira që të ketë mundësi për botën e amshueshme.

Motra juaj Sadjida

Përktheu nga gjermanishtja: J. Kastrati

 
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.