MЁNYRA E ABDESIT

 
Aishja, vajza e Ebu Bekėr Es-Sidikut PDF Printoni E-mail
Shkruar nga --   
e premte. 25 maj 2007


Aishja është nëna e besimtarëve, vajza e imamit të madh dhe të sinqertë, kalifit të të Dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, Ebu Bekër bin Kuhafes.

 

Aishja dhe babai i saj kanë bërë hixhret në Medinë. Aishja është fejuar me të Dërguarin e Allahut para hixhretit dhe pas vdekjes së Hatixhe bintu Huvejlidit. Në lidhje martesore me Aishen ai ka hyrë në muajin sheual, pas luftës së Bedrit, kur ajo ishte nëntë vjeçe.
Aishja ka transmetuar shumë dituri nga i Dërguari, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të. “Musnedi” i Aishes arrin në 2210 hadithe. Aishja ka lindur në Islam dhe është tetë vjet më e vogël se Fatimja. Aishja ka thënë: “Unë i mbaj mend prindërit e mi vetëm si praktikues të fesë.”


Aishja ka qenë e bukur dhe bardhoshe. E thërrisnin “Humejra” për shkak të mollëzave të kuqe. Ajo ka qenë gruaja e vetme beqare me të cilën është martuar i Dërguari i Allahut. Ai e ka dashur Aishen më shumë se bashkëshortet e tjera. Nuk ka pasur më të ditur se ajo në mesin e umetit të Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të. Aishja është bashkëshortja e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, në këtë dynja dhe në ahiret.


Transmetohet se Aishja ka thënë: “Më ka thënë i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të: “Tre net të kam parë në ëndërr. Të solli engjëlli të mbuluar me një petk mëndafshi, duke më thënë: “Kjo është gruaja jote.” Thashë: “Zbuloje fytyrën tënde!” Kur të pashë, ishe ti. Thashë: “Nëse kjo është prej Allahut, le të bëhet.”


I Dërguari i Allahut është martuar me të pas vdekjes së Hatixhes. Ai është fejuar me Aishen dhe me Seudën në të njëjtën kohë, por më parë është martuar me Seudën dhe ka qëndruar me të tre vjet, pastaj është martuar me Aishen në muajin sheual pas betejës së Bedrit dhe nuk është martuar me beqare tjetër përveç saj. I Dërguari e donte shumë Aishen dhe dashurinë ndaj saj nuk mund ta fshihte. Amru ibnu El-Asi, i cili është prej atyre që e kanë pranuar Islamin në vitin e tetë hixhri, e ka pyetur të Dërguarin: “Kë do më shumë prej njerëzve, o i Dërguari i Allahut?” Ai ka thënë: “Aishen.” I ka thënë: “Po prej burrave?” Ka thënë: “Babain e saj.” (Ebu Bekrin)


Ez-Zuhri ka thënë: “Më ka treguar Ebu Selemeja, se Aishja ka thënë: “Më ka thënë i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të: “Oj Aishe, ky është Xhibrili, po të dërgon selam.” Ajo i tha: “Ue alejhis selam ue rahmetullah! Shikon atë që nuk e shohim ne, o i Dërguari i Allahut.”

Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Është fejuar me mua i Dërguari i Allahut pas vdekjes së Hatixhes, ndërkohë që unë isha vajzë e të gjashtave (gjashtë vjeçe) dhe jemi martuar kur unë isha vajzë e të nëntave (nëntë vjeçe). Më erdhën gratë për të më uruar dhe për të më përgatitur, ndërsa unë isha duke luajtur. Pastaj më morën dhe më dërguan tek i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të.”
Aishja gjithashtu ka thënë: “E pashë se i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, po qëndronte te dera e dhomës sime, ndërkohë që fëmijët abisinas po luanin. Unë kisha dëshirë t’i shihja, prandaj i Dërguari i Allahut më mbuloi me petkun e tij që unë të shikoja lojën e tyre. Ai qëndronte në këtë mënyrë për shkakun tim dhe nuk largohej derisa unë të largohesha.”

Transmetohet prej Aishes se ajo ka thënë: “O i Dërguari i Allahut, po të zbrisje në një luginë në të cilën ka pemë nga të cilat kanë ngrënë dhe do të gjeje një pemë tjetër nga e cila nuk kanë ngrënë, te cila do ta lidhje devenë tënde?” Ai i tha: “Te pema nga e cila nuk kanë ngrënë.” Ajo i tha: “Unë jam ajo.”
Aishja kishte për qëllim të tregonte se i Dërguari i Allahut nuk ishte martuar me beqare tjetër përveç saj.

Aishja gjithashtu ka thënë: “Kam dalë me të Dërguarin e Allahut në disa udhëtime të tij. Kur ishim në fushë, në mes të ushtrisë, m’u këput qaforja. I Dërguari i Allahut nisi ta kërkonte. Bashkë me të Dërguarin e Allahut u çuan edhe njerëzit e tjerë. Në atë vend nuk kishte ujë dhe ata nuk kishin ujë me vete. Njerëzit erdhën tek Ebu Bekri, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe i thanë: “Si e shikon atë që bëri Aishja? Ka lënë të Dërguarin e Allahut dhe njerëzit duke kërkuar qaforen në një vend ku nuk ka ujë dhe kur as ata nuk kanë ujë me vete!” Aishja thotë: “Më qortoi Ebu Bekri dhe më tha atë që dëshiroi Allahu ta thoshte. Më pas filloi të më godiste me gisht në bel. Unë nuk mund të lëvizja, pasi i Dërguari kishte vendosur kokën në prehrin tim. Fjeti i Dërguari i Allahut dhe u gdhi pa ujë, pastaj Allahu zbriti ajetin e tejemumit, i cili gjendet në suren El-Maide, ajeti 6, në të cilin i Lartësuari thotë: “Në qoftë se jeni të sëmurë, ose në ndonjë udhëtim, ose ndonjëri prej jush vjen prej vendit të nevojës, ose keni kontaktuar me gratë dhe nuk gjeni ujë, atëherë mësyni (merrni tejemum) dheun e pastër dhe me të fërkoni fytyrat dhe duart tuaja, Allahu nuk dëshiron (me obligim për abdest) t’u sjellë vështirësi, por dëshiron t’u pastrojë (prej mëkateve), t’u plotësojë të mirën e Tij ndaj jush e që ta falënderoni.”


Usejd bin Hudajri ka thënë: “Kjo nuk ishte dhurata e parë për ju, o familja e Ebu Bekrit!” Aishja thotë: “Kur u çua deveja në të cilën kisha hipur, e gjetëm qaforen poshtë saj.”

Transmetohet nga Aishja se ka thënë: “I Dërguari i Allahut ma jepte kockën për ta lëpirë, pastaj e merrte dhe e kthente nga ana që e kisha lëpirë unë dhe e vendoste gojën në të njëjtin vend ku e kisha vendosur unë.”

Transmetohet se Ebu Musai ka thënë: “Kur ndërmjet sahabëve të të Dërguarit kishte ndonjë mospajtim për ndonjë çështje, shkonim dhe pyesnim Aishen dhe e gjenim tek ajo dijen e hadithit.”

Transmetohet nga Ibn Ebi Mulejke se Dhukvani i ka treguar duke i thënë: “Erdhi Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe mori leje për të hyrë tek Aishja, ndërkohë që ajo ishte në prag të vdekjes.Tha: “Erdha dhe te koka e saj ishte vëllai i saj, Abdullahu, dhe i biri i vëllait të saj, Abdurrahmani. I thashë: “Ka ardhur Ibn Abasi dhe kërkon leje për të hyrë. Ai është prej fëmijëve të tu (Aishja është nënë e besimtarëve) të devotshëm, po të jep lamtumirën dhe të përshëndet.” Ajo tha: “Jepi leje të hyjë, nëse dëshiron.” Tha: “Hyri Ibn Abasi dhe kur u ul, i tha: “Të përgëzoj, se pasha Allahun nuk ka ngelur shumë ndërmjet teje dhe kësaj vuajtjeje për të takuar Muhamedin, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, dhe të dashurit e tu; (ka ngelur) vetëm dalja e shpirtit prej trupit. Ajo i tha: “Eh, o Ibn Abas!”

Ibn Abasi i tha: “Ke qenë më e dashura prej grave të të Dërguarit të Allahut dhe ai nuk donte vetëm se të mirën. Të humbi qaforja natën e Ebvas dhe i Dërguari nisi ta kërkonte. Njerëzit nuk kishin me vete ujë dhe Allahu zbriti ajetin e tejemumit. Kjo ndodhi për shkakun tënd. Allahu zbriti lehtësimin për këtë umet. Pastaj zbriti Allahu shfajësimin tënd (nga akuza e bërë nga hipokritët për tradhti bashkëshortore) prej shtatë qiejve dhe s’ka xhami prej xhamive në të cilat përmendet Allahu që të mos lexohet shfajësimi yt gjatë ditës dhe natës.”

Ebu Ed-Duha transmeton se Mesruku ka thënë: “Pasha Allahun, i kam parë shokët e mëdhenj të Muhamedit duke e pyetur për dispozitat e fesë.”

Transmetohet nga Hishami se babai i tij ka thënë: “Kam qëndruar një kohë të gjatë me Aishen dhe nuk kam parë njeri më të ditur se ajo për ndonjë ajet që ka zbritur, për ndonjë dispozitë ose për ndonjë sunet. Nuk kam parë më të ditur se ajo as në poezi e as në transmetimet e saj, as në historinë e ndonjë ditë prej ditëve të arabëve, as në prejardhje, as në ndonjë vendim e as në mjekësi. I kam thënë asaj: “Oj teze, mjekësinë nga e ke mësuar?”Aishja ka thënë: “Sëmuresha dhe më jepej diçka, ose sëmurej dikush dhe i jepej diçka. Dëgjoja që njerëzit kuronin njëri-tjetrin dhe i mësoja ato përmendësh.”

Ez-Zuhri ka thënë: “Sikur të tubohej dija e Aishes dhe dija e të gjitha grave të tjera, dija e Aishes do të ishte më e vlefshme.”

Transmetohet nga Atae se ka thënë: “Muaviu i ka dërguar Aishes një qafore me vlerë njëqind mijë dërhemë dhe ajo e ka shpërndarë ndërmjet nënave të besimtarëve.”

Urvete transmeton nga Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ajo ka dhënë sadaka shtatëdhjetë mijë dërhemë, ndërkohë që veshjen e saj e arnonte.

Umu Dher-ra ka thënë: “Ibni Zubejri i ka dërguar Aishes një shumë të hollash, të cilat arrinin shumën njëqind mijë dërhemë. Ajo kërkoi që t’i sillej një tabaka. Ia sollën dhe filloi t’ua ndante njerëzve. Kur erdhi mbrëmja, më tha: “Oj Xharije, ma sill iftarin.” Unë i thashë: “Oj nënë e besimtarëve, a nuk mund të blije mish me një dërhem?” Aishja tha: “Mos më qorto. Sikur të ma kishe kujtuar, do ta bëja.”

Transmetohet nga Shabe se ka thënë: “Na ka lajmëruar Abdurrahman bin El-Kasimi, e ky nga babai i tij, se Aishja agjëronte gjithë vitin.”

Aishja ka vdekur në moshën gjashtëdhjetë e tre vjeçare, Allahu qoftë i kënaqur me të!

Nga arabishtja: Merita Rexha
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.