MЁNYRA E ABDESIT

 
Xhemile bintu Sad bin Er-Rabia PDF Printoni E-mail
Shkruar nga --   
e mėrkurė. 23 maj 2007

Tani jemi me jetëshkrimin e sahabijes fisnike, babai i së cilës ka rënë dëshmor në betejën e Uhudit. Kur i ka vdekur babai, nëna e saj ka qenë shtatzënë me të dhe pas disa muajsh pas rënies dëshmor të bashkëshortit të saj ka lindur Xhemile bintu Sad bin Er-Rabian, Allahu qoftë i kënaqur me të, e cila është e njohur me ofiqin e saj si Umu Sad.
 

Xhemile bintu Sadi është rritur jetime në prehër të Ebu Bekër Es-Sidikut, Allahu qoftë i kënaqur me të, duke marrë shumë nga virtytet dhe zakonet e tij të larta, duke e ngritur kështu pozitën e vet.
 

Allahu i Lartësuar për çështjen e nënës së kësaj sahabije dhe të motrës së saj ka shpallur ajetin i cili do të lexohet deri në ditën e fundit të kësaj dynjaje. Kur ka rënë dëshmor Sad bin Er-Rabia në betejën e Uhudit, vëllai i Sadit e mori të gjithë trashëgiminë e tij. Sad bin Er-Rabia kishte dy vajza. Muslimanët ende e ndanin trashëgiminë si në kohën e injorancës. Atëherë pasurinë e trashëgonin vetëm meshkujt. Kur xhaxhai i tyre u mori të gjithë pasurinë, Amra, bashkëshortja e Sadit, një grua e matur dhe durimtare, u brengos shumë për atë veprim të kunatit të saj. Ajo iu ankua të Dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, që të gjykonte me gjykimin e Allahut të Lartësuar dhe ta shpëtonte atë bashkë me dy vajzat e saj prej padrejtësisë së kohës së injorancës.
 

Transmetohet se Xhabir bin Abdullahu, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Erdhi gruaja e Sad bin Er-Rabias tek i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimet e Zotit qofshin mbi të, dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, këto të dyja janë vajzat e Sad bin Er-Rabias. Babai i tyre është vrarë ditën e Uhudit. Ka rënë dëshmor dhe xhaxhai i tyre ua ka marrë pasurinë dhe nuk u ka lënë asgjë. Askush nuk martohet me to nëse nuk kanë pasuri.”
 
I Dërguari i Allahut tha: “Allahu gjykon për këtë.” Zbriti ajeti i trashëgimisë dhe i Dërguari i Allahut dërgoi që ta thërrisnin xhaxhain e tyre. Kur erdhi, i tha: “Jepja nga pasuria dy të tretën dy vajzave të Sadit dhe nënës së tyre një të tetën, kurse ajo që ngelet është për ty.” 

Umu Sadi, Allahu qoftë i kënaqur me të, u martua me Zejd bin Thabit El-Ensarin, shkruesin e shpalljes dhe të mus’hafit, sahab i Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të. Ajo përfitoi shumë prej fikhut dhe dijes së Zejdit, duke u renditur në mesin e dijetareve (zotërueseve të dijes) në mesin e grave të ensarëve, Allahu qoftë i kënaqur me të gjitha!
 
Umu Sadi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka pasur shumë fëmijë. Ata janë: Harixheja, Sulejmani, Jahja, Amara, Ismaili, Esi, Adi, Ubade, Is’haku, Haseneja, Amra, Umu Is’haku, Umu Kulthumi. 

Kjo është sahabija fisnike Umu Sad. Ajo na ka treguar për veprat e Umu Amares, Allahu qoftë i kënaqur me të, në betejën e Uhudit. Ajo tregon: “Shkova tek Umu Amareja, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe i thashë: “Oj teze, ma trego ngjarjen.” Ajo tha: “Dola në fillim të ditës që të shihja se çfarë po bënin njerëzit dhe me vete kisha sika (enë prej lëkure) me ujë. Shkova tek i Dërguari i Allahut, i cili ishte në mesin e sahabëve. Muslimanët kishin ende epërsi në betejë. Kur muslimanët pësuan humbje, u tërhoqa dhe shkova tek i Dërguari i Allahut dhe vazhdova të luftoja duke mbrojtur me shpatë të Dërguarin e Allahut dhe duke gjuajtur me shigjeta derisa u plagosa.” Umu Sadi tregon: “Ia pashë në qafë plagën e rëndë dhe i thashë: “Kush të plagosi kështu ?” Umu Amareja tha: “Ibnu Kametu. Kur u larguan njerëzit nga i Dërguari i Allahut, ai u afrua duke thënë: “Më tregoni kush është Muhamedi! Mos shpëtofsha unë, nëse shpëton ai!” E ndalova unë me Musab bin Umejrin dhe njerëzit e tjerë, të cilët qëndruan me të Dërguarin e Allahut dhe ai më goditi me këtë goditje. Për edhe unë e godita disa herë, por ai armik i Allahut kishte veshur dy parzmore.”

Nga arabishtja: Merita Rexha
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.