MЁNYRA E ABDESIT

 
Maria Koptja PDF Printoni E-mail
Shkruar nga --   
e martė. 15 maj 2007

 


Maria Koptja (egjiptiania), Allahu qoftë i kënaqur me të, është vajza e Shemunit.


I Dërguari i Allahut i dërgoi Mekaukisit (Perandorit të Egjiptit) një mesazh për ta ftuar në Islam me anë të Hatib bin Belteahut. Përgjigja e Mekaukisit ishte:
“E lexova mesazhin tënd dhe e kuptova për çfarë flet dhe në çfarë fton. E kam ditur se do të paraqitet një Pejgamber, por kam menduar se do të paraqitet në Sham. E kam respektuar emisarin tënd dhe me të po të dërgoj dy robëresha, të cilat kanë pasur vend të dalluar tek unë. T’i dërgoj këto dhurata si dhe një mushkë për të kalëruar dhe es-selamu alejk!”  
Emisari u kthye në Medinë bashkë me atë që kishte shkruar Mekaukisi. Me vete ai mori Marien dhe motrën e saj, Sirinin, një rob që quhej Mabur, një mijë mithkalë ari, njëzet rroba të buta nga tekstili i Egjiptit, një mushkë që quhej deldel, mjaltë dhe parfume. 

I Dërguari i Allahut zgjodhi Marien. Motrën e saj ia dhuroi poetit të tij, Hasanit, ndërsa dhuratat e tjera i shpërndau.
 
Maria e pranoi Islamin bashkë me motrën e saj, Sirinin, dhe u mbuluan. Ajo nuk kishte qëllim tjetër vetëm se të kënaqte zotërinë e saj, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të.  

I Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, qëndroi gjatë te Maria dhe kjo i bëri xheloze gratë e tij. Maria i tregoi të Dërguarit të Allahut se ishte shtatëzënë. I Dërguari u kënaq shumë, ndërsa hipokritët hodhën akuza kundër nderit të Maries dhe nisën të thoshin: “I pafeu po hyn tek e pafeja.” Ata e kishin fjalën për Maburin. I Dërguari i Allahut thirri Ali bin Ebi Talibin. El-Bezari transmeton nga Aliu, i cili ka thënë: “Janë shtuar fjalët mbi Marien, Um Ibrahimin, dhe egjiptianin, djalin e xhaxhait të saj, i cili e vizitonte.” I Dërguari i Allahut më tha mua: “Merre këtë shpatë dhe shko. Nëse e gjen tek ajo, vrite.” I thashë: “O i Dërguari i Allahut, jam nën urdhrin tënd ku të më dërgosh. Nuk më pengon asgjë që të shkoj në atë që më urdhërove. A e sheh ai i cili është prezent atë që nuk e sheh ai që nuk është prezent?” Tha: “Po, ai që është prezent e sheh atë që nuk e sheh ai që nuk është prezent.”

Kur shkova atje, e gjeta atë tek ajo. Unë nxora shpatën dhe kur më pa që isha nisur në drejtim të tij, e kuptoi se unë po kërkoja atë, prandaj u ngjit në një pemë hurme. Më pas zbriti, i ngriti këmbët për t’u mbrojtur, por unë e kapa dhe e vrava. Shkova tek i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimet e Zotit qofshin mbi të, dhe i tregova, kurse ai tha: “Falënderimi i takon Allahut, i Cili e mbrojti familjen e të Dërguarit.”
 

El-Bezari transmeton se Enesi ka thënë: “Kur lindi Ibrahimi, i biri i Muhamedit prej Maries, robëreshës së tij, i Dërguari i Allahut ndjeu diçka në vetvete, derisa i erdhi Xhibrili dhe i tha: “Es-selamu alejke, ja Eba Ibrahim!” (Paqja qoftë mbi ty, o babai i Ibrahimit!)
 
Dikush ka thënë: “I Dërguari i Allahut shkoi me të shpejt te Maria, robëresha e tij, e liroi atë dhe tha: “E ka liruar djali i saj.” 
Kur Ibrahimi, djali i Muhamedit, u bë dy vjeç, u sëmur nga një sëmundje e rëndë dhe Maria dërgoi njerëz që të thërrisnin babain e tij, në mënyrë që ta shikonte. Enesi thotë: “E pashë Ibrahimin në duart e të Dërguarit. Ishte duke dhënë shpirt. Të Dërguarit i lotuan sytë dhe tha: “Loton syri, zemra mërzitet dhe nuk themi vetëm se atë që e kënaq Zotin tonë. Pasha Allahun, o Ibrahim, ne jemi të mërzitur për ty!” 

Maria e përshëndeti të vetmin e saj duke përsëritur fjalët: “In-na lil-lahi ue in-na ilejhi rraxhiun!” (Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi!)
 
Maria ka jetuar pesë vjet pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut. Në vitin e gjashtëmbëdhjetë të hixhrit, në kohën e kalifatit të Omer ibnul Hatabit, Umu Ibrahimi e dorëzoi shpirtin e saj te Krijuesi. Njerëzit u mblodhën për xhenazen e saj dhe e varrosën në Bekia me nënat e besimtarëve, Allahu qoftë i kënaqur me to!

Perktheu nga arabishtja: Merita Rexha
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.