MЁNYRA E ABDESIT

 
Sofije bintu Hajij PDF Printoni E-mail
Shkruar nga --   
e premte. 11 maj 2007
   
Kjo është Sofije bintu Hajij bin Ahtabi. Origjina e saj lidhet me të Dërguarin e Allahut, Harunin, paqja qoftë mbi të.

Sofija thotë: “Isha fëmija më i dashur te babai dhe te xhaxhai im, Ebu Jasiri. Kur shkonin në ndonjë vend, gjithmonë më zgjidhnin mua në mesin e fëmijëve të tjerë. Kur i Dërguari i Allahut erdhi në Medinë, babai dhe xhaxhai im shkuan tek ai dhe nuk u kthyen deri në perëndim të Diellit. Ishin shumë të lodhur, saqë çalonin gjatë ecjes prej lodhjes. Unë i preka nga mbrapa si gjithnjë dhe pasha Allahun nuk u kthyen pas prej brengës së madhe që kishin.
E dëgjova xhaxhain tim, Ebu Jasirin, duke i thënë babait tim: “A ai është (i Dërguari)?” Tha: “Po, pasha Allahun!” Tha xhaxha im: “A e njeh, a je i sigurt?” Tha: “Po.” Tha: “Çfarë mendon për të?” Ai u përgjigj: “Kam një armiqësi që do të mbetet përgjithmonë.”


Lindja dhe vendi ku u rrit
Nuk dihet saktësisht data e lindjes së Sofijes, por vetëm se është rritur në fisin Hazrexh. Në kohën e paditurisë ajo ka qenë shumë e nderuar. Sofija ishte banore e Medinës dhe kishte përqafuar fenë çifute. Nëna e saj quhet Berra bint Semval.


Cilësitë e saj
Sofija njihej për personalitetin e mirë dhe të moralshëm. Ka qenë e bukur, e butë, e durueshme dhe ka pasur pozitë të lartë.


Jeta e saj para Islamit
Në familjen e saj Sofija ka pasur një vend të çmuar. Është thënë se ajo është martuar dy herë para se ta pranonte fenë islame. Bashkëshorti i saj i parë quhet Selame ibnu Meshkami. Ai ka qenë kalorës dhe poet te populli i tij. Më pas është ndarë dhe është martuar me Kenan ibnu Er-Rabia ibn Ebi El-Hakik En-Nesarijun, i cili ishte pronar i kalasë së Kamusit.

Si e ka njohur Sofija të Dërguarin e Allahut
Në muajin muharrem të vitit të shtatë hixhri, i Dërguari i Allahut u përgatit për të luftuar kundër çifutëve. Në këtë luftë u vranë burrat e Hajberit, ndërsa gratë u zunë robëresha, në mesin e të cilave edhe Sofija. Kalatë e Hajberit u pushtuan, në mesin e të cilave edhe kalaja e Ibn Ebi El-Hakikut. Kur u kthye Bilali me robërit e zënë, ai kaloi pranë disa të vrarëve të tyre dhe vajza e xhaxhait të Sofijes bërtiti dhe filloi të hidhte dhe në fytyrën e saj. I Dërguari i Allahut u ngushtua nga kjo gjë, prandaj dhe urdhëroi që ta largojnë prej tij, ndërsa Sofijes i tha të qëndronte pas tij. Ai e mbuloi me petkun e tij, në mënyrë që mos t’i shikonte të vrarët. Thuhet se i Dërguari i Allahut e ka zgjedhur për veten e tij.


Është transmetuar se Duhije bin Halifeja ka ardhur tek i Dërguari i Allahut për të kërkuar një robëreshë nga robëreshat që ishin zënë në Hajber. Ai zgjodhi Sofijen. Të Dërguarit iu tha: “Ajo është zonjë nga fisi Kurejdha dhe bën vetëm për ty.” I Dërguari i Allahut i tha: “Merr një robëreshë tjetër.”

Prani i Islamit nga Sofija

Si zakonisht, i Dërguari i Allahut nuk detyronte dikë që ta përqafonte Islamin, derisa vetë personi të ishte i bindur në atë që ka zbritur Allahu në Kuran dhe në Sunet. I Dërguari i Allahut e pyeti për këtë dhe e la të zgjidhte, se a dëshironte të mbetej në fenë çifute apo donte të përqafonte Islamin. Nëse do të zgjidhte fenë çifute, do ta lironte. Nëse përqafonte Islamin, do ta mbante për vete. Ajo zgjodhi fenë islame, e cila bën thirrje për sinqeritet dhe pendim dhe pasim të udhëzimit të Muhamedit, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të.

Kur u kthye nga Hajberi, ajo u vendos në shtëpinë e Harith bin En-Numanit. Gratë erdhën për ta parë, kur dëgjuan për bukurinë e saj. Në mesin e grave ishte edhe Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të. Pasi doli nga aty, i Dërguari i Allahut e pyeti Aishen për Sofijen dhe ajo u përgjigj: “E pashë çifuten.” I Dërguari i tha: “Ajo e ka pranuar Islamin.”


Dita e martesës së të Dërguarit të Allahut me Sofijen
I Dërguari i Allahut mori shtëpi në Hajber për t’u martuar me të, por ajo refuzoi. Kjo ndikoi në shpirtin e të Dërguarit tonë të nderuar. Ata vazhduan udhëtimin, derisa u vendosën në Es-Sahba. Atje Umu Selimi e zbukururoi duke ia krehur flokët Sofijes dhe e parfumosi, derisa u bë nuse e bukur që tërhiqte shikimet. Sofijen e kaploi gëzimi, saqë e harroi atë që e kishte gjetur familjen e saj. U bë dasma dhe mehri i saj ishte një shërbëtore që quhej Rezineh. Kur i Dërguari i Allahut shkoi te Sofija, ajo e lajmëroi të Dërguarin se natën e martesës së saj me Kenanin kishte parë në ëndërr Hënën që ishte ulur në prehrin e saj. Ajo ia kishte treguar ëndrrën bashkëshortit të saj dhe ai i kishte thënë: “Po më duket se ti po shpreson (të martohesh me) mbretin e Hixhazit, Muhamedin!”, dhe i kishte gjuajtur me shuplakë në fytyrë.

Më pas, i Dërguari, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, e pyeti për shkakun e refuzimit të martesës kur ishin në Hajber dhe ajo e lajmëroi se ishte frikësuar për të prej çifutëve. Umejete bintu Kajsi tha: “Kam dëgjuar se Sofija nuk i kishte mbushur shtatëmbëdhjetë vjet u martua me të Dërguarin e Allahut.”


Sofija dhe bashkëshortet e të Dërguarit
Sofija dëgjoi se Hafsa dhe Aishja kishin thënë për të se ajo ishte vajza e çifutit. Sofija u prek prej thënies së tyre, prandaj e lajmëroi të Dërguarin e Allahut për këtë dhe ai i tha asaj: “Thuaju atyre të dyjave se je vajzë e Pejgamberit dhe se xhaxhai yt është Pejgamber dhe se ti je martuar me Pejgamber. Për çfarë po më krenoheni?!”

I Dërguari u nis për në haxh bashkë me bashkëshortet e tij. Gjatë rrugës deveja e Sofijes u gjunjëzua dhe ajo filloi të qante. I Dërguari i Allahut ia fshiu lotët, por nuk i ndaleshin. I Dërguari e këshilloi që të mos qante. Pasi pushuan pak, i Dërguari i tha Zejnebe bintu Xhahshit: “O Zejnebe, ndihmoje motrën tënde të ngjitet në deve.” Ajo tha: “Unë ta ndihmoj çifuten tënde?!” I Dërguari i Allahut u hidhërua dhe nuk i foli derisa u kthye në Medinë. Në muajin rabiul eu-uel i Dërguari i Allahut shkoi te Sofija, e cila tha: “Kjo është hije burri, ndërsa tek unë nuk hyn i Dërguari i Allahut!” Hyri i Dërguari i Allahut dhe kur e pa, ajo i tha: “O i Dërguari i Allahut, çfarë të veproj?”
Zejnebja, e cila ka pasur një robëreshë që e fshihte prej të Dërguarit të Allahut, i tha: “Filania është e jotja.” Shkoi i Dërguari te shtrati i Sofijes dhe u pajtua me gruan e tij.”

Situatë tjetër për Sofijen
Një ditë prej ditësh, Sofija shkoi tek i Dërguari i Allahut për të biseduar me të, ndërkohë që i Dërguari i Allahut ishte në itikaf në xhaminë e tij. Ai doli dhe shkoi që ta çonte te shtëpia e saj. Gjatë rrugës takoi dy burra prej ensarëve. Kur i Dërguari i pa, u tha me zë të lartë: “Kjo është Sofija.” Ata thanë: “Allahu na ruajttë! Subhanallah, o i Dërguari i Allahut!” I Dërguari u tha: “Shejtani qarkullon në trupin e birit të Ademit siç qarkullon gjaku në damarë.”

Në kohën e Omer ibnu Hatabit, robëresha e Sofijes shkoi tek Omeri dhe e lajmëroi se Sofija e donte ditën e shtunë (festë javore te çifutët) dhe i mbante lidhjet me çifutët. Kur Sofija u pyet për këtë, ajo tha: “Sa i përket së shtunës, nuk e dua, pasi Allahu ma kompensoi me ditën e xhuma. Ndërsa sa i përket çifutëve, unë i mbaj lidhjet farefisnore.” Ajo e pyeti robëreshën e sa përse e bëri këtë dhe ajo ia ktheu: “Më ka shtyrë shejtani.” Sofija më pas e ka liruar.
Në kohën e Uthmanit, Allahu qoftë i kënaqur me të, ajo e ka përkrahur atë me gjithë mundin e saj.


Vdekja e të Dërguarit të Allahut
Kur i Dërguari i Allahut u sëmur nga sëmundjen që i mori jetën, gratë e tij u mblodhën përreth tij. Sofija tha: “Shpresoj të më bjerë mua dhimbja jote!” Gratë e të Dërguarit ia bënë me shenjë me sy njëra-tjetrës. I Dërguari ua ktheu: “Pasha Allahun, ajo po thotë të vërtetën!”
Pas vdekjes së të Dërguarit të Allahut, humbi mbrojtja dhe siguria dhe njerëzit e nënçmonin Sofijen për shkak të prejardhjes.


Transmetimet e haditheve
Ajo ka në librat e haditheve 10 hadithe të transmetuara. Një hadith është në dy sahihat dhe një në muttefekun alejh. Prej saj kanë transmetuar djali i vëllait të saj, robi i saj i quajtur Kenane, Jezid bin Meatebi, Zejnul Abidijn bin Alij bin El-Husejni, Is’hak bin Abdullah bin El-Harithi dhe Muslim bin Safëani.  

Vdekja e saj
Ka vdekur në Medinë në kohën e kalifatit të Muaviut, në vitin pesëdhjetë hixhri. Ajo është varrosur në Bekia me nënat e besimtarëve, Allahu qoftë i kënaqur me të gjitha!

Perktheu: Merita Rexha
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.