MЁNYRA E ABDESIT

 
Profeti Muhamed - mėshirė pėr tė gjitha krijesat PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Fexhrie Kaciu   
e premte. 04 maj 2007


I Dërguari i Allahut, alejhi selam, ishte njeriu më i dashur dhe në këtë mënyrë ai u dallua nga të gjithë njerëzit e tjerë në guxim dhe trimëri. Të qenët tepër shpirtmirë dhe sytë e tij të mbushur me lot ishin edhe në sprovën më injoruese të mizorisë. Sahabiu, Shedad bin Avs, radijallahu anhu, ka transmetuar: "Allahu ju ka urdhëruar juve të tregoni mirësi ndaj secilit, kështu që nëse duhet të vrisni, vrisni në mënyrë të mirë, dhe nëse e therrni kafshën, therreni atë me butësi. Nëse dikush prej jush ka për ta therrur një kafshë, ai duhet ta mpreh thikën së pari dhe ta trajtoj kafshën si duhet."
Ibn Abasi, radijallahu anhu, tregon se e ktheu kurbanin në anën e tij dhe pastaj filloi ta mpreh thikën e tij. Kur profeti, alejhi selam, e pa atë tha: "A dëshiron ta mbysësh atë dy herë? Përse nuk e mprehe thikën para se ta hidhje atë në tokë?"

Mëshirë për besimtarët

Mëshira e Pejgamberit, alejhi selam, ndaj besimtarëve ishte në shkallën më të lartë. Kur'ani përshkruan mëshirën e tij në ajetin vijues:
"Juve ju erdhi i Dërguar nga lloji juaj, atij i vije rëndë për vuajtjet tuaja, sepse është lakmues i rrugës së drejtë për ju, është i ndjeshëm dhe i mëshirshëm për besimtarët." (Kur'an, 9: 128)

Sa'd bin Ubade, radijallahu anhu, njëherë u sëmur, kështu që i Dërguari i Allahut, alejhi selam, e vizitoi atë në shtëpinë e tij. Duke e parë shokun e tij besimtar në gjendje të mjerueshme, ai filloi të qajë. Pastaj, ai tha: "Allahu nuk dënon për shkak të lotëve, as për shkak të pikëllimit, por Ai dënon për shkak të kësaj" dhe tregoi me gisht kah gjuha e tij. (Buhariu)

Mëshira ndaj armiqve të tij

Robërit e luftës të zënë në betejën e Bedrit ishin armiqtë e tij më të mëdhenj. Megjithatë, ai siguroi që ata të trajtoheshin në mënyrën më të mirë. Në mesin e tyre ishte edhe Suhejl bin Amri, një orator i papërmbajtur i cili e kishte kërcënuar Pejgamberin alejhi selam.
Omeri, radijallahu anhu, njëri prej shokëve më të afërt të Pejgamberit, propozoi që t'ia shkulë dy nga dhëmbët e tij të poshtëm kështu që ai mos të mund të jetë aq i ndyrë në të folurit e tij. Profeti ia ktheu: "Po ta bëj këtë, Allahu do të më shëmtojë mua në Ditën e Gjykimit, pavarësisht nga fakti se unë jam i Dërguar i Tij."

Në Mekë, populli i tij i shkaktoi atij çdo lloj të vuajtjeve, përfundimisht e detyroi atë të emigrojë në Medine dhe pastaj zhvilluan luftëra me të për pesë vite. Sidoqoftë, kur ai e çliroi Mekën pa gjakderdhje në vitin e njëzetenjë të  Pejgamberisë, ai i pyeti pabesimtarët e Mekës të cilët ishin duke pritur vendimin e tij për ta: "Si mendoni se do t'ju trajtojë?" Ata u përgjigjën njëzëri: "Ti je një bujar, djali i një bujari." Ai i njoftoi ata me vendimin e tij:
"Ju jeni të lirë! Këtë ditë nuk do të ketë qortim për juve; Allahu ju faltë!"


Mëshirë për gratë

Muhamedi, alejhi selam, ishte gjithashtu shumë i sjellshëm dhe i dhembshëm ndaj grave. Në ato kohë gratë kishin qenë të trajtuara shumë keq. Profeti fisnik u dha atyre respekt dhe dinjitet baras me burrat në xhemat. Omeri, radijallahu anhu, ka thënë:
"Ne nuk kemi pasur shumë respekt për gratë sa ishim në Mekë, por ato ishin të trajtuara më mirë në Medine. I Dërguari i Allahut i përforcoi të drejtat e grave përmes thënieve dhe urdhrave të tij, të cilat përmirësuan pozitën dhe statusin e tyre."

Mëshirë për fëmijët

I Dërguari i Allahut, alejhi selam, ishte i mëshirshëm posaçërisht ndaj fëmijëve. Kur ai e pa një fëmijë duke qarë, ai u ul pranë tij dhe i ndau ndjenjat e tij. Ai e ndiente dhembjen e nënës për fëmijën e saj më shumë se vet nëna e tij. Njëherë ai tha: "Unë qëndroja në namaz dhe dëshiroja ta zgjasë atë. Mirëpo, dëgjova qarjen e një fëmije dhe e shkurtova namazin për shkak të shqetësimit që nëna ndiente." (Buhariu)

Ai i merrte fëmijët në krahët e tij dhe i përqafonte ata. Ai njëherë ishte duke i përqafuar nipat e tij të dashur, Hasanin dhe Husejnin, kur Ekrem bin Habisi i tha atij: 'Unë i kam dhjetë fëmijë. Deri tani, nuk e kam puthur asnjërin prej tyre.' I Dërguari i Allahut, alejhi selam, u përgjigj: "Ai që s'ka mëshirë për të tjerët, nuk do të mëshirohet." (Buhariu dhe Muslimi)
Ndërsa, në një transmetim tjetër, ai ka thënë: "Çka mund të bëj për ty nëse Allahu e largoi prej teje ndjenjën e mëshirës?" (Tirmidhiu)

Mëshirë për robërit

Pejgamberi, alejhi selam, fuqimisht urdhëroi sjelljen e mirë dhe bujare për robërit, shërbëtorët dhe punëtorët e angazhuar me punë fizike. Xhabiri, radijallahu anhu, transmetoi se Muhamedi, alejhi selam, ka thënë: "Ushqeni ata me ushqimin që e hani ju, vishni ata me aso rroba që i vishni edhe ju dhe mos u shkaktoni mundime  krijesave të Allahut."
Pejgamberi, alejhi selam, gjithashtu ka thënë: "Ata të cilët Allahu i ka bërë të varur prej jush janë vëllezërit tuaj, shërbëtorët dhe ndihmësit tuaj. Secilit, që vëllezërit e tij i janë bërë shërbëtorë, duhet që ta ushqejë atë me ushqimin që e han ai dhe ta veshë atë me rrobat që i vesh ai, mos ta urdhërojë atë ta bëjë atë që nuk mund ta bëjë vetë dhe nëse bëhet e domosdoshme të bëhet ajo ai duhet ta ndihmojë atë në kryerjen e punës."

Mëshirë për kafshët

Mëshira e tij nuk i përfshinte vetëm njerëzit por edhe kafshët.
Pejgamberi, alejhi selam, i ndaloi shokët e tij që t'i mbajnë kafshët të uritura ose të etura, t'i trazojnë ose t'i mbingarkojnë ato. Ai urdhëroi se mirësia dhe rehatia e tyre janë punë që e meritojnë afrimin e njeriut te Allahu. Ebu Hurejra, radijallahu anhu, transmeton se Muhamedi, alejhi selam, ka thënë:
"Udhëtari i cili ishte i uritur e pa një pus në rrugë. Ai hyri brenda në pus dhe kur doli jashtë ai e pa një qen të rraskapitur për shkak të etjes. Njeriu e kuptoi se qeni ishte i etur sikurse ai, kështu që ai hyri në pus përsëri, e mbushi çorapen e tij të lëkurës me ujë dhe e sjelli jashtë duke e mbajtur atë me dhëmbët e tij. Në këtë mënyrë ai e largoi etjen e qenit. Allahu u kënaq me këtë vepër të mirë dhe ia fali mëkatet e tij." Sahabët pyetën: "O i Dërguar i Allahut, a ka shpërblim edhe për shkak të egërsirave dhe kafshëve të gjahut? Profeti, alejhi selam, u përgjigj:
"Ka shpërblim për kujdesin e çdo gjallese.."

Abdullah bin Umeri, radijallahu anhu, ka transmetuar se Profeti, alejhi selam, ka thënë: ''Një grua u hodh në zjarr vetëm pse ia ndaloi ushqimin dhe ujin maces së saj dhe refuzoi ta lejë të lirë në mënyrë që ajo do të mund të sigurohej prej urisë duke ngrënë krimba dhe insekte."

Njëherë duke u kthyer nga një fushatë luftarake, disa sahabë i larguan të vegjlit e zogut prej folesë së vet për t'i ledhatuar. Nëna e zogjve u kthye dhe kur nuk i gjeti të vegjlit e saj në fole, filloi të fluturojë përreth duke klithur. Kur u informua për këtë çështje, i Dërguari i Allahut, alejhi selam, u zemërua dhe urdhëroi që zogjtë të ktheheshin në fole. (Ebu Davudi)

Përfundim

Dashuria dhe mëshira e të Dërguarit të Allahut për të gjitha llojet e krijesave nuk ishte sikur e quajnë sot 'humanizëm'. Ai ishte i sinqertë dhe i balanconte dashurinë dhe mëshirën e tij. Ai ishte më i mëshirshëm se çdo person tjetër. Ai ishte Profet, i Dërguar i Allahut, Krijuesit dhe Mbështetësit të  gjitha krijesave për drejtimin dhe lumturinë e krijesave të vetëdijshme - njerëzve dhe xhinëve - dhe harmonisë së ekzistencës. Për këtë, ai jetoi jo për vete por për të tjerët; ai është mëshirë për të gjitha botët.   

                                                      
                                                                                        Përktheu: Fexhrie Kaçiu

 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.