Në kuptimin gjuhësor shprehja "as-sabru" (durim) nënkupton të përmbajturit, të penguarit, të ndaluarit, etj. Në kuptimin fetar kjo shprehje do të thotë ruajtja e shpirtit nga hidhërimi, ruajtja e gjuhës nga ankimi dhe vajtimi dhe ruajtja e trupit nga ajo që është e dëmshme. Njeriu në jetën e tij deri në vdekje, çdo ditë has në situata dhe gjëra të ndryshme andaj, për të pasur sukses ai duhet të tregojë shkallë të lartë të aftësisë dhe durimit. Pasi jeta është sprovim, para individit nuk ka zgjidhje tjetër, përpos se t'i përballojë sprovës që e pret, me durim dhe dorëzim. Durimi është prej veçorive më të rëndësishme të moralit për robin. Durimi për imanin është pikërisht siç është koka për trupin. Durimi në çdo rast është dobi, është gjëja më e rëndë për njeriun. Durim mund të bëjë vetëm ai të cilin e ka mëshiruar Allahu. "…durimi është shkëlqim…" (Transmeton Muslimi) Allahu i Madhëruar durimin e ka bërë mirësi të pafund dhe duke i lavdëruar durimtarët, Ai thotë: "Dhe për hir të Zotit tënd duro!" (El-Mudeththir: 7) "… dhe bëhuni të durueshëm, ngase Allahu, vërtet, është në anën e durimtarëve." (El-Enfal: 46) "… ndërsa të durueshmve u jepet shpërblimi i tyre pa masë." (Ez-Zumer: 10)
Allahu, rolin udhëheqës në fe ua ka besuar atyre që janë durimtarë dhe të bindur: "Dhe prej tyre Ne caktuam prijës, të cilët, me urdhërin Tonë, udhëzonin, pasi ishin të durueshëm dhe besonin në argumentet Tona." (Es-Sexhde: 24)
Durimi është më i mirë se hakmarrja për padrejtësi: "…e nëse duroni, kjo, me të vërtetë, është më mirë për durimtarët." (En-Nahl: 126)
Allahu thekson durimin dhe devotshmërinë si parakushte për sukses: "O besimtarë, bëhuni durimtarë dhe të fortë, vigjëloni në kufi dhe kinie frikë Allahun, që ta arrini atë që e dëshironi!" (Ali Imran: 120)
Gjithashtu, Allahu i urdhëron Pejgamberit të Tij që durimtarët t'i gëzojë me tri gjëra: "...Kurse, ti i gëzo durimtarët; ata që, kur i godet ndonjë e keqe, deklarojnë: 'Ne jemi të Allahut dhe te Ai do të kthehemi!' Ata te Zoti i tyre i pret falja e mëkateve dhe mëshira; të tillët janë në rrugë të drejtë" (El-Bekare: 155-157)
Nga Ebu Seid el-Hudri transmetohet se Pejgamberi i Allahut, alejhi selam, ka thënë: "Atij që është durimtar, Allahu do t'i jep forcë të përmbahet. Askujt nuk i është dhënë dhuratë më e mirë se të përmbajturit." Omer bin Abdulazizi ka thënë: "Askujt Allahu nuk i ka dhënë bekim dhe ia ka marrë për ta zëvendësuar me durim, e që ajo me çka e ka zëvendësuar të mos jetë më e mirë se ajo që e ka marrur." Ebu Derda ka thënë: "Fryti i besimit të vërtetë është durimi në çdo gjykim dhe të pranuarit e caktimit (të Allahut) çfarëdo që të jetë."
Llojet e durimit
Durimi ndahet në tri lloje: 1. Durimi në kryerjen e urdhërave dhe veprave të mira, në mënyrë që ato të kryhen si duhet; 2. Durimi ndaj ndalesave dhe mëkateve, në mënyrë që të mos zhytet në to; 3. Durimi në fatkeqësi.
Në rastin e parë dhe të dytin robi mund të zgjedhë se a do të bëjë durim apo jo, derisa në rastin e tretë është i detyruar të bëjë sabër. Durimi në adhurim d.m.th. se njeriu për kryerjen e obligimeve duhet të ketë durim. "Kërkoni ndihmë (në të gjitha çështjet) me durim dhe me namaz, vërtet, ajo është e madhe (vështirë) por jo edhe për ata që kanë frikë (Zotin)."
Allahu, xhele shanuhu, na ka urdhëruar që të bëjmë durim duke mos u ankuar dhe thotë: "Ti pra, duro me një durim pa ankesë (të mirë)." (El-Me'arixh: 5)
Nëse i ankohesh një njeriu ankohesh ndaj Mëshiruesit te ai që nuk është mëshirues! Mirëpo, kur njeriu për gjendjen e vet i ankohet Allahut të Madhëruar, atëherë kjo nuk është në kundërshtim me durimin. Durimi dëmtohet duke u ankuar nga Allahu, e jo duke ia shprehur pikëllimin Allahut. Kështu Jakubi a.s. ka thënë: "…Unë hidhërimin tim dhe pikëllimin tim ia parashtroj Allahut…" (Jusuf: 83)
Të qenët durimtar në kryerjen e punëve të mira është lloji më i mirë i durimit. Durimi gjatë fatkeqësisë duhet të jetë në momentet e para. Muhamedi, alejhi selam, ka thënë: "Durimi është në goditjen e parë (sepse atëherë është më së vështiri)."
Allahu i Madhërishëm ka pohuar se njerëzit nuk kanë për të mbetur pa u sprovuar, derisa t'ua largojnë frikën telashet e pritura; kështu ata nuk mund t'i mposhtin befasitë, e as t'u nënshtrohen atyre. "Ne do t'u sprovojmë juve, derisa t'i njohim (të dihen konkretisht) luftëtarët dhe ata që ishin të qëndrueshëm nga mesi juaj, po edhe do të sprovojmë veprat tuaja." (Muhammed: 31) "Ju patjetër do të sprovoheni si në pasurinë tuaj, si në vetën tuaj, madje do të dëgjoni ofendime të shumta prej atyre që u është dhënë libri para jush, e edhe prej idhujtarëve, po në qoftë se duroni dhe ruheni, ajo është gjëja më vendimtare." (Ali Imran: 186)
Numri më i madh i virtyteve janë përfshirë me durim. Prandaj, kur në një rast e kanë pyetur të Dërguarin, alejhi selam, për imanin (besimin), është përgjigjur: "Ai është durim". Sepse imani më së tepërmi shprehet përmes durimit. Të gjitha këto lloje Allahu i quajti durim: "… dhe të durueshmit në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës. Të tillët janë ata të sinqertit dhe të tillët janë ata të devotshmit." (El-Bekare: 177)
Durimi bëhet shkak i hyrjes në Xhenet: "Dhe për shkak se ata duruan, i shpërbleu me Xhenet dhe me petka mëndafshi." (El-Insan: 12)
Në durim njeriu duhet të jetë i sinqertë, duhet të durojë vetëm për hir të Allahut të Madhëruar, e jo për shkak të arritjes së lëvdatave dhe famës ndërmjet njerëzve.
|