MЁNYRA E ABDESIT

 
Pėrfundimi i mirė PDF Printoni E-mail
Shkruar nga --   
e martė. 24 prill 2007
 Përfundim i mirë është: kur robi para vdekjes së tij largohet prej çdo vepre e cila e hidhëron Allahun e Lartësuar, pendohet për mëkatet e bëra, i bindet Allahut dhe vepron vepra të mira. Pas kësaj nëse ai vdes në këtë gjendje ka një përfundim të mirë. Si argument për këtë është hadithi të cilin e transmeton Enes bin Maliku se i Dërguari i Allahut paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të ka thënë: “Kur Allahu ia do të mirën një robi, e nxit të punojë për Të.” Thanë (sahabët): “Po si e nxit?” Tha: “Ia bën të mundur të punojë punë të mira para vdekjes.” (Ahmedi dhe Tirmidhiu)

Përfundimi i mirë ka shenja të cilat i shikon vet personi i cili është në agoninë e vdekjes, e disa prej tyre i shikojnë edhe njerëzit.

Shenjat e përfundimit të mirë të cilat shfaqen te robi janë përgëzim për të në momentet e vdekjes se Allahu i Lartësuar është i kënaqur me këtë njeri. Këto janë si meritë ose si dhunti prej Allahut të Lartësuar, siç ka thënë i Lartësuari: “E, s'ka dyshim se ata që thanë: “Allahu është Zoti ynë, dhe ishin të paluhatshëm, atyre u vijnë engjëjt (në prag të vdekjes dhe u thonë): Mos u frikësoni, mos u pikëlloni, keni myzhde xhenetin që u premtohej.” (Fussilet: 30)   

Këto përgëzime Allahu ia jep robit besimtar në momentet e vdekjes, në varrin e tij dhe kur të dalë prej tij (ringjallet).

Si argument kemi transmetimin e Buhariut dhe të Muslimit (në dy sahihat e tyre) nga nëna e besimtarëve Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të, ka thënë: “Ai i cili e dëshiron takimin me Allahun edhe Allahu e dëshiron takimin me të, e ai i cili e urren takimin me Allahun edhe Allahu e urren takimin me të.” I thashë: “A është fjala për urrejtje ndaj vdekjes? ne të gjithë e urrejmë atë.” I Dërguari i Allahut tha: “Jo, nuk është për qëllim kjo, por kur besimtari përgëzohet nga ana e Allahut me mëshirën, kënaqësinë, xhenetin e Tij e dëshiron takimin  me Allahun, ndërsa qafiri (jobesimtari) kur përgëzohet me dënimin e Allahut dhe hidhërimin e Tij e urren takimin me Të.”

Imam Ebu Ubejd El Kasim lidhur me kuptimin e këtij hadithi ka thënë: “Unë mendoj se nuk është për qëllim të urryerit e vdekjes dhe vështirësisë së saj, sepse kësaj nuk mund t'i ikë askush, por këtu është për qëllim të ndikuarit dhe të anuarit nga kjo botë dhe urrejtja e kalimit te Allahu dhe bota tjetër. Gjithashtu, ai ka thënë: ajo e cila e vërteton këtë është se Allahu i ka kritikuar ata të cilët e duan këtë botë. Allahu thotë: “Ata që nuk presin takimin Tonë, që janë të kënaqur me jetën e dynjasë dhe kanë gjetur prehje në të, dhe ata që janë indiferentë ndaj argumenteve tona.” (Junus: 7)

Hattabi ka thënë: Kuptimi i dashurisë së robit për ta takuar Allahun është kur i jep përparësi ahiretit (botës tjetër) para kësaj bote dhe nuk dëshiron të vazhdojë të jetojë në të, por përgatitet për shpërngulje prej kësaj bote, ndërsa urrejtja është e kundërta e saj.

Ndërsa, Imam Neveviu ka thënë: Kuptimi i hadithit se dashuria dhe urrejtja e cila konsiderohet në fe është ajo e cila ndodh në momentin e daljes së shpirtit, në momentin në të cilin nuk pranohet pendimi, gjë që zbulon gjendjen e atij që është në agoni të vdekjes dhe i bëhet e qartë ajo që po ndodh.

Përgëzimet të cilat argumentojnë përfundimin e mirë:

I Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të, ka paralajmëruar për përgëzimet të cilat argumentojnë përfundimin e mirë. Nëse njeriu vdes me njërën prej tyre kjo është një shenjë dhe përgëzim i mirë për të. Prej tyre janë:

- Shqiptimi i fjalës së teuhidit (shehadetit) në momentet e vdekjes. Si argument për këtë është ajo çfarë transmeton El Hakimi dhe të tjerët se i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të, ka thënë: “Fjala e fundit e të cilit është LA I LAHE IL LALL LLAH, do të hyjë në Xhenet.”

- Të vdekurit natën ose ditën e xhuma. I Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimet e Zotit qofshin mbi të, ka thënë: “Çdo musliman i cili vdes të xhumanë ose natën e xhumasë, Allahu do ta mbrojë atë nga sprova e varrit.” (Ahmedi, Tirmidhiu dhe Albani thotë se është sahih).

- Të vdekurit (shehid) në fushëbetejë për hir të Allahut ose ai që vdes si luftëtar në rrugë të Allahut, vdekja nga murtaja, vdekja nga sëmundja e barkut, i mbyturi në ujë. Si argument për këtë është thënia e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të: "Kë e konsideroni ju shehid?” Thanë: “O i Dërguar i Allahut, po ai i cili vdes në luftë për hir të Allahut, ai është shehid.” Tha: “Pra, sipas kësaj shehidët në umetin tim qenkan të paktë.” Thanë: “Po kush janë, o i Dërguar i Allahut?” Tha: “Ai që vritet në rrugë të Allahut është shehid, ai i cili vdes në rrugë të Allahut është shehid, ai që vdes nga murtaja është shehid, ai që vdes nga dhimbjet e barkut është shehid dhe i mbyturi në ujë është shehid.”

- Të vdekurit e femrës lehonë.  Prej shenjave të përfundimit të mirë që është e veçantë për gra është, kur gruaja vdes  në kohën e lehonisë. Argument për këtë është hadithi të cilin e transmeton imam Ahmedi dhe të tjerët me zinxhir të  vërtetë nga Ubade bin Samit se i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të, kur i përmendi llojet e shehidëve prej tyre përmendi edhe: “Gruaja e cila vdes, e si shkak është lindja e këtë do ta tërheq fëmija me kërthizën e tij për në xhenet.”

- Personi që digjet.

- Personi i cili vdes nga tuberkulozi.

- Të vdekurit duke mbrojtur pasurinë (kur dikush don t'ia marrë atë me forcë). I Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të, ka thënë: “Kujt i merret pasuria me pa të drejtë, e ky lufton, por vritet është shehid.” (Buhariu)

- Të vdekurit duke vepruar vepër të mirë. I Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush thotë LA ILAHE IL LALL LLAH duke shpresuar fytyrën e Allahut e përfundon me këtë, hyn në xhenet; kush agjëron një ditë për hir të Allahut e përfundon me këtë hyn në xhenet; kush jep sadaka për hir të Allahut e përfundon me këtë hyn në xhenet. (Ahmedi dhe të tjerët)
Motër dhe vëlla i nderuar, nëse shfaqet njëra nga këto shenja tek i vdekuri nuk duhet të sigurohemi se ky është prej banorëve të Xhenetit, por këto praqesin një përgëzim për të. Dhe, nëse nuk ndodh njëra prej këtyre shenjave te i vdekuri nuk duhet të gjykojmë se ai nuk është njeri i mirë, sepse këto janë gjëra të fshehta (gajb) për ne.

Shkaqet e përfundimit të mirë:

- Ndër shkaqet kryesore që njeriu të ketë përfundim të mirë janë:

- Që njeriu t'i bindet dhe t'i frikësohet Allahut të Lartësuar. Koka dhe themeli i gjithë kësaj është njësimi i Allahut të Lartësuar dhe largimi nga veprimi i harameve si dhe të shpejtuarit e pendimit ndaj asaj me të cilën është njollosur njeriu (mëkateve) ku më e madhja pre tyre është shirku i vogël dhe shirku i madh.

- Të bëjë sa më shumë dua që të vdesë me iman (besim) dhe duke iu frikësuar Allahut të Lartësuar.

- Të përpiqet njeriu me gjithë mundin e tij që ta përmirësojë të brendshmen dhe të jashtmen e tij dhe qëllimi i tij të jetë që kjo të realizohet.

- Paluhatshmëria. Allahu i Lartësuar thotë: "E, s'ka dyshim se ata që thanë: "All-llahu është Zoti ynë", dhe ishin të paluhatshëm, atyre u vijnë engjëjt (në prag të vdekjes dhe u thonë): mos u frikësoni, mos u  pikëlloni, keni myzhde xhenetin që u premtohej". (Fussilet: 30).

- Mendimi i mirë për Allahun e Lartësuar. Transmetohet nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të ka treguar se Allahu i Lartësuar thotë: “Unë jam me robin tim sipas mendimit të tij të mirë që ka ai për mua.” (Buhariu dhe Muslimi)

- Takvaja (frika ndaj Allahut). Allahu i lartësuar thotë: “E kush i frikësohet Allahut, Ai atij ia lehtëson punën.” (Et Talak: 4)

- Sidku (sinqeriteti). Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat! Ta keni në kujdes Allahun dhe të jeni me ata të drejtit.” (Et Teube: 119)  

- Teubja (pendimi). Allahu i Lartësuar thotë: “Pendohuni të gjithë te Allahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim.” (En Nur: 31)

- Vazhdimësia në ibadet.

- Përkujtimi i vdekjes dhe shkurtimi i shpresave.

- Frika nga shkaqet e përfundimit të keq.
 

Përshtati: Merita Rexha  
      
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.