MЁNYRA E ABDESIT

 
Shirku i madh PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Imam Shemseddin Edh Dhehebij   
e martė. 24 prill 2007
  Mëkati më i madh është shirku (të bërit shok Allahut). Allahu i Lartësuar nuk e fal këtë mëkat përveç në rast se njeriu pendohet dhe kthehet te Ai. Allahu i Lartësuar thotë: “S’ka dyshim se Allahu nuk fal (mëkatin) t'i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e pos këtij (mëkati) i falë kujt të do. Kush i përshkruan Allahut shok ai ka trilluar një mëkat të madh.” (Nisa: 48) 
Shirku është disa llojesh. Ekziston shirku i madh i cili të nxjerrë nga Islami. Njeriu i tillë konsiderohet jobesimt dhe nëse vdes pa u penduar ngelet përgjithmonë në zjarrin e Xhehenemit.

Shfaqjet e shirkut të madh

- Adhurimi drejtuar dikujt tjetër përveç Allahut. Më i përhapuri është duaja (lutja) drejtuar dikujt tjetër përveç Allahut të Lartësuar, si: të vdekurve, qofshin ata evlia, salihinë ose diçka tjetër, ose lutja drejtuar idhujve, gurëve, pemëve, varreve ose dikujt tjetër duke besuar se këta të bëjnë dobi ose dëm. Nëse njeriu i lutet dhe kërkon prej tyre, ky është shirk i madh i cili të nxjerr nga feja islame edhe nëse e madhëron dhe e adhuron në të njëjtën kohë Allahun e Lartësuar, sepse ai i ka bërë ortak Allahut dikë tjetër në ibadetin e tij. Jobesimtarët të cilët i ka luftuar i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të, e madhëronin dhe e adhuronin Allahun, por kjo nuk ju bën dobi sepse ata i bënin shok Allahut duke i adhuruar  zotat e tyre siç pretendonin ata. Si argument kemi fjalën e Allahut të Lartësuar për mushrikët ku thotë:
“Po nëse i pyet ata kush i krijoi qiejt e tokën, sigurisht ata do të thonë: “Allahu!” Ti thuaju: “Më tregoni pra, për ata që i adhuroni, pos Allahut, nëse Allahu më godit mua me ndonjë të keqe, a munden ta largojnë ata atë të keqe, ose, nëse Allahu dëshiron ndonjë të mirë ndaj meje, a munden ta pengojnë ata të mirën e Tij?” Thuaju: “Mua më mjafton Allahu. Vetëm Atij i mbështeten të mbështeturit”. (Ez Zumer: 38)

Jobesimtarët kurejshë, të cilët i ka luftuar i Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të, konsideronin se në esencë është adhurimi dhe madhërimi i Allahut të Lartësuar, por ata i drejtoheshin me lutje dhe thernin kurban për zotat e tyre për t'u afruar sa më afër Allahut. Allahu i Lartësuar ka thënë: “... Ndërsa ata që në vend të Tij adhurojnë miq të tjerë (duke thënë): Ne nuk i adhurojmë ata për tjetër, vetëm që të na afrojnë sa më afër Allahut” (Ez Zumer: 3)
Dhe ka thënë: “Ata pos Allahut adhurojnë çdo gjë që nuk u bën dëm as dobi atyre, e thonë: “Këta janë ndërmjetësuesit tanë te Allahu!...” (Junus: 18)
 
- Prej shfaqjes së shirkut të madh i cili është i përhapur në shumë shtete të muslimanëve është: adhurimi i varreve duke kërkuar ndihmë prej të vdekurve ose bërja e tavafit (rrotullimit) rreth tyre, ku gjatë rrotullimit e prekin dhe e puthin varrin, i bien fytyrës me dhe, i bëjnë sexhde, qëndrojnë me frikërespekt duke u lutur për shërim të sëmundjes ose për lehtësimin e ndonjë nevoje, për të gjetur punë, për të ngelur shtatzënë, ose për martesë… Të gjitha këto nuk mund t'i plotësojë askush tjetër përveç Allahut të Lartësuar e kërkimi i këtyre gjërave është ibadet dhe nuk lejohet që t'i kërkojmë nga dikush tjetër përveçse nga Allahu i Lartësuar.
ـ
Prej shfaqjeve të shirkut të madh është edhe prerja e kurbanit jo për Allahun. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Thuaj: “Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve! Ai nuk ka shok (nuk adhuroj tjetër). Me këtë (thjeshtësi të adhurimit vetëm për Zotin) jam i urdhëruar dhe jam i pari i muslimanëve (i pari që pranoj dhe i bindem)!” (El En,am: 162-163)
I Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të, ka thënë: "E ka mallkuar Allahu atë që pret kurban për dikë tjetër përveç Allahut.” (Muslimi)  
Kush pret kurban por jo për Allahun ka bërë shirk për këdo që ta ketë prerë, për evlia, për varret, për Pejgamberin ose për dikë tjetër. Allahu i Lartësuar e ka urdhëruar të Dërguarin e Tij në ajetet që i përmendëm t'i lajmërojë njerëzit se namazi i tij, kurbani i tij, jeta dhe vdekja e tij janë për Allahun, Zotin e botëve i cili nuk ka ortak. Kush pren kurban por jo për Allahun i ka bërë shirk (ortak) Atij, gjithashtu edhe nëse falet por jo për Allahun, sepse Allahu i Lartësuar e ka bërë namazin dhe kurbanin të pandara, dhe ka lajmëruar se të dyja janë për Allahun i Cili është një dhe nuk ka shok. Kush pret kurban për xhinët, melekët, për të vdekurit, ose për dikë tjetër për t'u afruar te ata me këtë është sikur ai i cili nuk është falur për Allahun. Në kurban bashkohen dy lloje të ndalesës: kurbani jo për Allahun dhe kurbani jo në emër të Allahut. Të dy llojet janë të ndaluara dhe nuk lejohet ngrënia e tij. 
Disa njerëz therin kurban për xhinët, kur blejnë makinë ose kur hyjnë në shtëpi të re. Prejnë kurban te shtëpia ose në prag të saj nga frika se mos do t'i dëmtojnë xhinët. Në këtë mënyrë afrohen te ta dhe i kënaqin me prerje të kurbanit. Ky lloj i kurbanit është traditë e kohës së xhahilijetit e cila është e ndaluar. 
 Prej shfaqjeve të shirkut të madh i cili është i përhapur në mesin e shumë prej njerëzve në kohën bashkëkohore është përhapja e ligjeve evropiane të cilat lejojnë atë që e ka ndaluar Allahu dhe e ndalojnë atë që e ka lejuar Allahu, gjykimi me ligjet e jobesimtarëve në vend të ligjeve islame dhe supozimi se dikush mbizotëron të drejtën në lejimin ose ndalimin përveç Allahut të Lartësuar ose pranimi i të gjykuarit me ligjet aktuale. Këtu hyn edhe të menduarit se ka udhëzim tjetër përveç udhëzimit të të Dërguarit të Allahut ose gjykim më të mirë dhe më të përsosur se gjykimi dhe sheriati me të cilin është dërguar. Kur ka dëgjuar Adij bin Hatim,  Allahu qoftë i kënaqur me të, të Dërguarin e Allahut paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të, duke cituar fjalën e Allahut të Lartësuar: “Ata i konsideruan “ahbarët” (priftërinjtë jehudi) të tyre, “ruhbanët”(murgjit e krishterë) të tyre dhe Mesihun (Isain) birin e Merjemes, për zota pos Allahut...” (Et Teube: 31), ka thënë: Ata nuk i adhurojnë ata. Ka thënë: Po, por ua lejojnë atë që ua ka ndaluar Allahu  dhe ua ndalojnë atë që ua ka lejuar Allahu. Dhe ky është adhurimi i tyre për ta” (Tirmidhiu)  
ـ Magjia, parashikimi i së ardhmes. Allahu i Lartësuar ka thënë: “…po Sulejmani nuk ishte i pafe, po djajtë ishin të pafe, sepse ua mësonin njerëzve magjinë…”. (El Bekare: 102)
Fitimi i magjistarit është fitim i haramit. Gjykimi i magjistarit është mbytja e tij. Pjesëmarrës me magjistarin në mëkat janë edhe ata të cilët shkojnë për t’u bërë magji për t'i sulmuar të tjerët ose për t'u hakmarrë prej tyre, gjithashtu edhe ai i cili shkon te magjistari për të larguar magjinë të cilën ia ka bërë magjistari tjetër. Ajo çfarë obligohet është të kërkohet shërimi dhe t'i drejtohet vetëm Allahut që t'i shërojë nga magjia. Shërimi nga magjia bëhet vetëm me fjalën e Allahut si p.sh. me suren Felek dhe Nas dhe të tjera prej fjalëve të Allahut në Kur’an dhe me duatë e sakta të transmetuara nga i Dërguari i Tij, ndërsa fallxhorët të cilët pretendojnë se e dinë të fshehtën janë kafira sepse askush nuk e din të fshehtën përveç Allahut të Lartësuar. I Dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të, ka thënë: “Kush shkon te fallxhori dhe e beson në atë që thotë e ka mohuar atë që i ka zbritur Muhammedit.” (Ahmedi)
 
Ky është gjykimi për atë që shkon te fallxhorët dhe i beson për atë që e thonë, ndërsa kush shkon te fallxhorët për dëfrim dhe provë duke mos i besuar nuk i pranohet namazi dyzet net, do të thotë që nuk shpërblehet për namazin e tij dyzet ditë, megjithëse duhet që të falet që të bie obligimi i faljes nga ai, por nuk ka shpërblim. I Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush shkon tek fallxhori dhe e pyet për diçka nuk i pranohet namazi dyzet net.” (Muslimi) . 
-
 Shirku i dashurisë ose teprimi në dashuri. Nëse njeriu e tepron në të hyn te shirku i madh i cili të nxjerr nga Islami. Allahu i Lartësuar ka thënë: “E nga njerëzit ka te  atillë që në vend të Allahut besojnë idhujt, që i duan (i madhërojnë) ata, sikur (që besimtarët e vërtetë e duan) Allahun, po dashuria e atyre që besuan Allahun është shumë më e fortë…” (El Bekare: 165)  
Kush e don njeriun, idhullin, sistemin ose diçka tjetër dhe i jep përparësi dashurisë së tyre ndaj dashurisë dhe bindjes së Allahut të Lartësuar, i jep përparësi urdhërit dhe ndalimit të tij para urdhërit të Allahut dhe ndalesës së tij, ka rënë në këtë lloj të shirkut. Kjo mund të ndodhw edhe duke mos e ndier, prandaj muslimani duhet të jetë i kujdesshëm në teprimin e dashurisë së çfarëdo gjëje qoftë. Ta bëjë të ditur se çdo bindje dhe çdo dashuri duhet të mos ndeshet me bindjen dhe dashurinë e Allahut të Lartësuar. Mos t'i jep përparësi asnjë bindjeje ose dashurie ndaj njw njeriu para dashurisë dhe bindjes ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij. 
Ka dhe shfaqje të tjera të shirkut por ne i përmendëm më të rëndësishmet dhe më të përhapurat. 

Marrë nga libri: "Mëkatet e mëdha" të Imam Shemseddin Edh Dhehebij.
Përktheu: Merita Rexha
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.