MЁNYRA E ABDESIT

 
Tensioni i lartė i gjakut PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Fexhrie Kaēiu   
e hėnė. 02 prill 2007


Tensioni i gjakut është shtypja e gjakut në muret e enëve të gjakut (arterieve) në çdo pjesë të trupit. Gjaku rrjedh nëpër enët e gjakut pikërisht sepse gjendet nën tension të tillë. Tensioni krijohet me punën e zemrës si pompë. Gjatë secilës hedhje të gjakut nga zemra (sistola), tensioni rritet, kurse gjatë derdhjes së gjakut në zemër (diastola), tensioni ulet. Prandaj maten dy vlera të tensionit të gjakut, vlera e epërme (sistolike) dhe vlera e ulët (diastolike) e tensionit të gjakut.

Vlera normale e tensionit të gjakut, e cila mundëson jetë, kurse nuk dëmton sistemin e enëve të gjakut, është mesatarisht 120/80 milimetra të shkallës së zhivës (mmHg).

Tensioni i lartë i gjakut (TLGJ) ose hipertensioni në shumicën e rasteve është një sëmundje e trashëgueshme. Moshat e dyta dhe të treta, mbi 45 vjeç, janë më të prekurat nga sëmundja e hipertensionit.
Mbi 50 milionë amerikanë vuajnë nga hipertensioni (një në katër persona). Afrikano-amerikanët, në veçanti, kanë rrezikshmëri të lartë në vuajtjen nga hipertensioni (një në tre persona).
Tension i lartë i gjakut, sipas definicionit, domethënë vlera e matur e tensionit mbi normalen. Normale konsiderohet vlera e tensionit deri 140/90 mmHg. Por, hipertensioni mund ketë shkallë të ndryshme, varësisht nga vlerat e tensionit.

Diagnoza e tensionit të lartë të gjakut (hipertensioni) nuk vendoset në bazë të vetëm një matjeje të tensionit të gjakut. Po që se te një person i caktuar matet më shumë se tri herë tension më i lartë se 140/90 mmHg, llogaritet se ai person ka tension të lartë të gjakut. Ky është reflektim i punës së sforcuar të zemrës dhe rezistencës së rritur në muret e enëve të gjakut. Si pasojë e kësaj vjen deri te ngarkimi i përhershëm i zemrës si pompë e cila e përçon gjakun nëpër trup dhe dëmtimi i enëve të gjakut të të gjitha organeve në trup për shkak të tensionit të ngritur në muret e tyre. Tensioni i lartë i gjakut pothuajse në të gjitha rastet është sëmundje e baraspeshës së çrregulluar të mekanizmave të shumtë (prej reagimeve emocionale, lodhjes fizike e deri te sistemi autonom nervor i gjëndrave endokrine të cilat tajitin hormonet noradrenalinë, adrenalinë dhe angiotenzinë). Mekanizmat kontrollues të cilët rregullojnë tensionin normal dështojnë andaj tensioni ngrihet mbi normalen.

Hipertensioni - vrasës i heshtur
Tensioni i lartë i gjakut, fatkeqësisht, është sëmundje e heshtur, tinëzake, e cila mundet edhe me vite të mos tregojë kurrfarë shenje. Sëmundja përkeqësohet gradualisht dhe kjo ndodh gjatë një  periudhe të gjatë kohore dhe jo brenda pak ditësh prandaj është e vështirë që të  kuptohet nga vetë personi që në fillim. Vetëm atëherë kur të manifestohen dëmtimet në zemër, tru, veshka apo sy, i hetojmë edhe vlerat e larta të tensionit të gjakut. Megjithatë, ka disa simptoma të hershme që mund t'i kujtohen çdo personi me hipertension. Shenjat paraprake të TLGJ nuk duhen neglizhuar për shkak se janë me rrezik jetësor. Ato janë:
- Dhembja dhe shtypja në kokë të cilat janë pasojë e qarkullimit të forcuar të gjakut në arteriet e trurit, i cili nuk mund të mbrohet mjaft nga tensioni i lartë. Meqë truri është jashtëzakonisht i ndjeshëm në ndryshimet në qarkullim, sepse nevojat e tij për oksigjen janë të mëdha, kurse gjendet i mbyllur në kockat e kafkës pa mundësi të zgjerimit, kjo shtypje në sipërfaqen e trurit shkakton kokëdhembje.
- Skuqja e fytyrës është pasojë e zgjerimit të shtuar të enëve të gjakut të lëkurës dhe menjëherë nën lëkurë, për shkak të qarkullimit të shtuar të gjakut.
- Gjakderdhja nga kapilarët e vogël në hundë është një prej shenjave të para të tensionit të lartë të gjakut. Ndodh për shkak të ndjeshmërisë së kapilarëve, të cilët nuk arrijnë të përballojnë tensionin e brendshëm dhe prandaj pëlcasin. Në këtë mënyrë krijohen edhe gjakderdhjet në retinën e syrit.- Ndonjëherë i sëmuri heton lodhje më të lehtë, kryerje të vështirësuar të punëve të përditshme dhe dobësi gjatë koncentrimit. Të fjeturit e keq dhe lodhja gjithashtu mund të jenë shenja të hipertensionit, edhe pse janë jospecifike. Shqetësimi, puna e shpejtuar e zemrës ose puna jo e rregullt e zemrës, dinë që në mënyrë indirekte të tërheqin vërejtjen për tension të lartë. Simptomet e tjera janë:
- zhurma në vesh,
- marramendja,
- të vjellat ose ndjenja e të vjellit,
· depresioni, pa e ditur shkakun,
· personi nxehet pothuajse pa arsye,
· ndjenja e të fikëtit.
Shënim: Shpesh, nuk ka fare simptoma në persona me hipertension.

Faktorët që ndikojnë tek hipertensioni

Ka disa faktorë që ndikojnë në tensionin e gjakut si për shembull, volumi i ujit në trup, përmbajtja e kripës në trup, hormonet, niveli i aktivitetit, temperatura, gjendja emocionale si dhe gjendja e veshkave, sistemit nervor dhe enëve të gjakut.
Nga kërkimet e shkencëtarit Dahl kemi mësuar se fajtori kryesor në shkaktimin e hipertensionit është kripa. Në këta pacientë nëse ndërpritet sasia e madhe e kripës që ata marrin në ushqime edhe hipertensioni zhduket.
Por në shumicën e rasteve me hipertension ulja e konsumit të kripës (sodiumit) nuk mjafton.
Faktorë të rrezikshmëm për hipertension numërohen edhe:
. Jeta joaktive
. Pirja e duhanit, konsumimi i alkoolit
. Mjedisi me nivel të lartë stresi
. Dieta joushqyese
. Histori familjare e tensionit të lartë të gjakut (trashëgimi familjar)
- Mbipesha trupore
- Lëvizja,ecja e pakët, etj.
Në rast se konstatohen këto shenja, menjëherë duhet kërkuar ndihma urgjente mjekësore. Sëmundja mund të parandalohet vetëm me një mjekim të rregullt, mosndërprerjen e ilaçeve, kontrollin e  vazhdueshëm të tensionit dhe largimin nga situatat stresive.
Hipertensioni mund të sjellë deri te sëmundjet e rënda të enëve të gjakut-mureve arteriale, apoplekseve, infarktit të trurit dhe infarktit të zemrës.

Hipertensioni kryesor (parësor) gjendet në pothuajse 95% të të gjithë pacientëve me hipertension.
Hipertensioni dytësor është tensioni i lartë i gjakut i cili shkaktohet nga një çrregullim bazë. Pra, rreth 10% e rasteve me hipertension janë rezultat i ndonjë sëmundjeje tjetër, si p.sh.:
- Sëmundje veshkash, tumor adrenal, ngushtim i aortës,
- Ngushtimi i arterieve të caktuara
. Çrregullime të gjendrës mbiveshkore
. Çrregullime të veshkave
. Përdorimi i mjekimeve, ilaçeve apo kemikaleve të tjera
. Shtatzënia
. Përdorimi i kontraceptivëve oralë, antihistaminës, steroidëve, ilaçeve kundër depresionit ose ilaçeve antipezmatuese josteroidale
. Çrregullime dhe sindroma të tjera të ngjashme.
Në këto raste kur sëmundja tjetër që shkakton hipertensionin zhduket edhe hipertensioni zakonisht zhduket bashkë me të.

Hipertensioni është një prej sëmundjeve shumë të rrezikshme gjatë periudhës së verës. Edhe më serioze sëmundja bëhet te personat që paralelisht vuajnë edhe nga sëmundje të tjera kronike. Për të gjithë këta të sëmurë shumë e rëndësishme është shmangia e ekspozimit në diell gjatë pikut të vapës, pasi mund të pësojnë infarkte ose kriza të rënda, që çojnë në humbjen e jetës.

                                                                     Përgatiti: Fexhrie Kaçiu



 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.