MЁNYRA E ABDESIT

 
Margaret Marcus, shkrimtare (Nju-Jork,SHBA) PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Mexhid Yvejsi   
e enjte. 03 gusht 2006

"E kush kërkon fe tjetër përveç Fesë Islame, atij kurr­sesi nuk i pranohet dhe ai në botën tjetër është nga të dëshpëruarit.” (Kur’ani, 3:85)

Me këtë ajet nga Kur’ani i Madhërueshëm, që është Fjala e All-llahut, e fillon librin e saj me titull Islam and Modernism (Isla­mi dhe Modernizmi), ish-studentja amerikane e Universitetit të Nju-Jorkut, zonja Merjem Xhemileh, libër që bëri jehonë e që u botua në gjuhën angleze në qytetin Lahore të Pakis­tanit.

Kush është zonja Merjem Xhemileh?
Zonja Merjem Xhemileh është një amerikane e cila ka pranuar Islamin, autore e rreth dyzet librave. U lind nga prindër ame­rikanë, me prejardhje gjermane-hebraike, në Nju-Jork, në vitin 1934. Si nxënëse, e më vonë edhe si studen­te në Universitetin e Nju-Jorkut, dallohej prej të gjithëve me zgjuarësinë e seriozitetin e saj në më­sime e studime. Ishte adhu­ruese e madhe e librit, vazhdimisht lexonte, ngase ishte e pango­pur për dituri.

    Kur lindi, prindërit e saj e emëruan me emrin Margaret Marcus, por erdhi një ditë kur ajo e ndërroi emrin dhe fenë e saj.
Rruga deri në agimin e asaj dite ishte e gjatë, e mundimshme, pë­rplot dëshpë­ri­me e zhgënjime. Më në fund u bë ashtu  siç  dë­shiroi i Madhi Zot: Feja Islame, Drita e saj, ngadhënjeu mbi errë­sirën e filozofisë, humanizmit ateist, mate­rializmit, baha’­iz­mit dhe cionizmit.

   Në librin e lartpërmendur, “Islami dhe Moder­nizmi”, zonja Merjem Xhemileh përshkruan rrugën e vet jetësore në kapitu­llin e parë, me titullin: "Përse e pranova Islamin?"
Një përshkrim interesant, prekës dhe frymëzues, ku ajo ndër të tjera thotë: “Gjatë adoleshencës isha nën ndikimin e filo­zo­fisë huma­niste.
Kur fillova të përkryhem intelektua­lisht nuk kënaqesha më me ateizmin e kësaj filo­zo­fie. Pas një kohe iu bashkangjita gru­pit të baha’ive në Nju-Jork. Në fillim, Baha’izmi më dukej tër­he­qës, meqë edhe prejardhjen e kishte islame... Por, kur zbu­lova sesa keq e kanë devijuar e dështuar, pas një viti u largova tejet e dëshpëruar prej tyre.
Në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare u bëra anëtare e lë­vizjes fetare të quajtur “Mizrachi hatzair”, që ishte një lëvizje cioniste. Kur e kuptova natyrën e vërtetë të cionizmit, i cili nxit dhe farkon armiqësinë ndërmjet hebrenjve dhe arabëve, pas disa muajsh e braktisa këtë lëvizje dhe prej tyre u ndava e mërzitur dhe e zhgënjyer.
Kur isha njëzetvjeçe, e njëkohësisht studente në Universitetin e Nju-Jorkut, profesori im, Rabbi Abra­ham Isaak Katch, përpiqej në çdo mënyrë të na bindte se Islami rrjedh nga Judaizmi! Aq më tepër edhe tekstet universitare, që ishin të shkruara prej tij, ki­shin atë përmbajtje dhe synonin atë qëllim, që studentët të bin­den se Judaizmi është burim i Islamit dhe se është superior ndaj tij!
 Sa më përket mua, në vend që të më bindnin, fjalët dhe vep­rat e profesorit arritën efekt të kundërt!
Megjithëse kisha dëshirë që të bëhem muslima­ne që në atë kohë, pra kur isha studente 20 vje­çare, pengesë e pakaluesh­me m’u bë familja.
Ata më qortonin, më paralajmëronin se Feja Islame do ta ndërlikojë jetën time dhe se ajo fe nuk është si Ju­da­izmi e Krishterimi, që janë pjesë e traditës amerika­ne. Më tho­shin se Feja Islame do të më tjetërsojë dhe si pasojë e kësaj do të armiqësohem me familjen dhe do të izolohem nga rrethi e komuniteti...
Besimi im në atë moshë nuk ishte aq i fortë sa t’u bëja ballë këtyre presioneve.
Pjesërisht si rezul­tat i këtyre presioneve, pa­ta një tronditje të brendshme, u sëmura rëndë dhe u detyrova t’i ndërpres studimet... Për afër dy vjet isha në depresion të the­llë.
Gjatë viteve 1957 - 1959, prindërit më vendosën në spitale private dhe shtetërore. Ndërsa qëndroja në spital, një ditë u betova: “Nëse ndonjëherë shërohem, përmi­rë­sohem dhe dal nga spitali, do ta pranoj Fenë Islame.

    
Deshi i Madhi Zot dhe gjendja shëndetësore e Margaretës u përmirësua dhe ajo doli nga spitali. Por­sa doli nga spitali, filloi të hulumtojë nëpër Nju-Jork se ku mund të takojë besimtarë e be­simtare të Fesë Islame. Për fat të mirë gjeti ata që ishin ndër nje­rëzit më të mirë, për të cilët vetëm se kishte shpresuar se mund t’i gjente ndonjëherë.
Ndërkohë, ajo filloi të shkruajë për Fenë Islame dhe ta mbro­jë atë nga akuzat e rënda që i bëheshin nga të gjitha anët, sipas direktivave të aleancës heb­raiko-krishtere dhe qarqeve sekula­riste anti-islame. Botoi shumë punime e studime në revista isla­me dhe emri i saj u bë mjaft i njohur. Njëkohësisht, mbante ko­rres­pondencë me udhëheqësit më eminentë të riz­gjimit islam në mbarë botën.
Mbante letër-këmbime me Shejh Ibrahimin, lider i ulemave në Algjeri, dr. Muhammed  Al-Az’-harin, Egjipt, dr. Mah­mud F. Hoballahun, drejtor i Qendrës Islame në Uashington, dr. Hamidullahun e Parisit, dr. Said Ramadanin, drejtor i Qendrës Islame të Gjenevës dhe me dije­ta­rin e mirënjohur Mevlana Sejjid Ebul Ala Meudu­diun[1][4], në Pakis-tan.

      Betimin që kishte dhënë studentja Margaret Marcus sa ishte në spital, se nëse shërohet dhe lësho­het nga spitali do ta pranojë Fenë Islame, All-llahu (xh.sh.) ia kishte dëgjuar dhe ia realizoi.
Ditën e Madhërueshme të Kurban Bajramit, në praninë e dy dësh­mitarëve, studentja amerikane Margaret Mar­cus e tha me gojë e me zemër Fjalën e Dëshmisë: “Dëshmoj se s’ka zot tjetër veç All-llahut dhe se Muhammedi është i Dërguari i Tij” dhe kështu, pas Fjalës së Dëshmisë, ajo u bë muslimane edhe zyr­tarisht.
Në Qendrën Islame në Bruklin, Nju-Jork, mori çertifikatën me emrin e ri musliman, Merjem Xhe­mileh, të cilën ia lëshoi udhëheqësi i Qendrës, Shejh Daudi.
Merjem Xhemileh thotë se krenohet me emrin e ri musli­man, sikurse edhe me Fenë Islame, të cilën e përqafon me gjithë shpirt!
Këtë e dëshmoi edhe me vepra, duke shkruar rreth dyzet libra...

   Më në fund, zonja Merjem Xhemileh thotë:
“Nuk e pranova Fenë Islame nga urrejtja ndaj të parëve të mi, ose ndaj popullit tim, por për mua kjo do të thotë kalim nga një fe që po jep shpirt dhe që është aq e kufizuar, në një fe dinamike e plot gja­llëri... Feja Islame është e Vërteta Hyjnore Univer­sale, e cila vlen për çdo vend e për çdo kohë...”

Marrë nga libri: “Prej errësirës në dritë” Mexhid Yvejsi



 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.