MЁNYRA E ABDESIT

 
Gruaja e Rijahul Kajsit PDF Printoni E-mail
Shkruar nga --   
e shtunė. 03 mars 2007

 


 Ajo ishte njëra nga adhurueset e njohura që jetonte në Basra dhe njihej për seriozitet dhe përpjekje. Ajo njihej si gruaja e Rijahul Kajsit, i cili ishte bashkëshorti i saj. E kujdesshme për atë që i bënte dobi, ajo kujdesej për kohën më shumë se për zbukurimin e vetes dhe nuk linte t’i ikte asnjë moment pa përfituar diçka, veçanërisht në kohën e shtrenjtë, në një të tretën e natës.

Gruaja që njohu të vërtetën

Është cilësi e edukimit të bukur që femra të jetë shembull në jetën e saj, të jetë sistematike në punë dhe në adhurim, të ketë sjellje të mira dhe të kujdeset për familjen e saj dhe shoqërinë që ka përreth. Gruaja e Rijahul Kajsit ka vepruar kështu për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, në mënyrë që të fitojë ahiretin. Ajo e ndante ditën në disa pjesë: një pjesë për kryerjen e farzeve, një pjesë për të lutur Zotin dhe për ta llogaritur veten dhe një pjesë për meditim rreth asaj që ka krijuar Allahu. Megjithëkëtë, ajo nuk e anashkalonte kujdesin ndaj shtëpisë dhe ndaj bashkëshortit si dhe plotësimin e nevojave të veta. Ajo ka qenë grua e mençur dhe besonte se njeriu në këtë botë jeton vetëm për tri gjëra:
- të përgatitet për botën e ardhshme,
- të mësojë ndonjë zanat për të jetuar,
- të kënaqet, por jo në haram.

Bashkëshorti i saj thotë: “Ajo e adhuronte Allahun, por nuk i harronte të drejtat e të tjerëve. Kur e falte jacinë, parfumohej dhe zbukurohej, pastaj vinte tek unë dhe më thoshte: “A ke nevojë për diçka?” Nëse i thosha po, qëndronte me mua derisa plotësoja nevojat e mia. E nëse i thosha jo, çohej dhe i lutej Allahut.

Kjo është rruga e atyre që e kanë njohur të vërtetën. Kjo dynja është urë kaluese për në ahiret. Mos ndërto mbi këtë urë shpresa të gjata, sepse do të shpërngulesh për në shtëpinë e përjetshme. Gruaja e Rijahul Kajsit ka punuar për të dy botët dhe ky është qëndrimi i të mençurve.


Bashkëshorte dhe nxitëse për të mirë

Gruaja më e mirë është ajo që i bindet bashkëshortit (në atë që ka lejuar Allahu), edukon fëmijët dhe kujdeset për rehatinë e familjes. Kjo është e barabartë me luftën në rrugë të Allahut. Këtë mund ta bëjë vetëm një muslimane e vetëdijesuar dhe e ndërgjegjshme, e cila fle vetëm atëherë kur bashkëshorti i saj është i kënaqur, pasi ajo i frikësohet Zotit të saj dhe mallkimit të engjëjve.

Gruaja e Rijahul Kajsit mundohej shumë për të kënaqur bashkëshortin e saj në atë moment kur ai e shikonte dhe e ruante pasurinë e tij dhe veten kur ai nuk ishte në shtëpi. Ajo ka refuzuar që të ketë shërbëtore pasi ishte e thjeshtë dhe dëshironte të ishte nikoqire, për të arritur nderin e shërbimit dhe të bindjes ndaj tij me shpirt të kënaqur.

Për të thuhet


Ebu Jusuf El Bezari (shitësi i mëndafshit) ka thënë: “Të nesërmen e ditës së martesës me Rihajul Kajsin, ajo i mori leje atij dhe u çua të zinte bukën. Ai i tha: “A dëshiron të të sjell një shërbëtore, në mënyrë që të të ndihmojë?” Ajo i është përgjigjur: “Jo! Allahu më mjafton!”

Gruaja e Rijahul Kajsit çohej në një të tretën e natës dhe e thërriste edhe bashkëshortin e saj, një herë ose edhe më shumë, dhe ai i thoshte: “Do të çohem.” Ajo i thoshte atij: “Shkoi nata, janë rreshtuar punëmirët (bamirësit) dhe kanë fituar (shpëtuar) të devotshmit, ndërsa ti o Kajs po fle!”
Ajo e luste Allahun për të. Ajo u mërzit dhe mendoi se mos kishte gabuar që ishte martuar me të, duke qenë se kishte menduar se ai ishte prej mutehexhidinëve (atyre që bëjnë ibadet nate) dhe mustegfirinëve (atyre që kërkojnë falje në kohën e syfyrit). Ajo iu mbështet Allahut, bëri durim dhe u tregua këmbëngulëse duke e ndihmuar atë, saqë e kapte për dore dhe ngriheshin të bindur ndaj Allahut, derisa edhe ai iu bashkëngjit karvanit të të devotshmëve i nxitur nga bashkëshortja e tij, e cila ishte e devotshme dhe durimtare. Kështu është gjendja e thirrësve në të mirë dhe e ndaluesve së të keqes, pasi pa durim nuk ka as mirësi, as shpërblim.

Bashkëshorte, edukatore, bamirëse dhe që kënaqej me pak

Sa ka punuar kjo nënë besimtare! Ajo ka sakrifikuar dhe ka ofruar shembullin më të mirë dhe më të lartë për të vegjlit e saj, në mënyrë që ata të pasojnë rrugën e saj në jetë. Sa kemi nevojë për shembuj të tillë në këtë kohë, kur kanë humbur lidhjet familjare, që t’i edukojmë fëmijët tanë në rrugën më të mirë, që të kenë një të ardhme dhe histori të ndritur.

Bashkëshorti i saj tregon se ajo ia lehtësonte atij brengat dhe edukimin e fëmijëve. Sa bukur kur femra është pjesëmarrëse në mbartjen e këtij mesazhi, sepse ajo është një shkollë që nxjerr burra!

Nëse bashkëshorti shikon se dynjaja në sytë e bashkëshortes së tij nuk ka vlerë, ai nuk do të shqetësohet nga brengat e vogla të jetës.
Si do të ishte sikur femra ta shikonte dynjanë nga ky këndvështrim?Bashkëshorti i saj thotë se ajo nuk i ka kërkuar kurrë atë gjë që ai nuk e ka pasur, ose nuk ka pasur mundësi t’ia jepte. Kur i kërkonte diçka, ajo e kërkonte me butësi dhe ishte e mëshirshme. Nëse ai nuk kishte mundësi t’ia plotësonte, nuk i kërkonte diçka të re dhe nuk është zemëruar asnjëherë se ka pasur pak rroba, ushqim dhe shtrojë.
Allahu e mëshiroftë gruan e Rijahul Kajsit dhe e bëftë shembullin më të mirë për ne dhe pasardhësit tanë!


Përktheu: Merita Rexha
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.