MЁNYRA E ABDESIT

 
Si tė sillesh me robėrit e Allahut, ashtu Allahu do tė sillet ndaj teje PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Abdul Kajjum Es Suhejbani   
e premte. 23 shkurt 2007

  


Falënderimet i takojnë Zotit të botëve. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, pejgamberin tonë Muhammed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët e pasojnë rrugën e tij.

 I Dërguari i Allahut - paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të - ka thënë: "Vërtet, Allahu i mëshiron robërit e Tij të mëshirshëm." (Buhariu)

Allahu i Lartësuar thotë: "A mund të jetë shpërblimi i veprës së mirë diç tjetër, pos së mirës!" (Err-Rrahman: 60)


Kush është i mëshirshëm ndaj krijesave Allahu është i mëshirshëm ndaj tij. I dërguari i Allahut - paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të – ka thënë : "Të mëshirshmit i mëshiron Mëshiruesi, mëshirojeni atë që është në tokë t'ju mëshirojë Ai që është në qiell." (Tirmidhiu)

Shpërblimi varet prej punës. Allahu i trajton robërit e Tij ashtu siç sillen ata me njerëzit. Sillu ndaj robërve të Allahut ashtu siç dëshiron të të trajtoj Allahu ty. Allahu i Lartësuar  thotë: "…e nëse nuk merrni masa, nuk ua vini veshin dhe i falni, ta dini se edhe Allahu është Mëkatfalës, Mëshirues" (Et-Tegabun: 14) dhe thotë: "… le t'ua falin (gabimin) dhe mos t'ua zënë për të madhe. A nuk dëshironi që Allahu t'u falë ju? Allahu falë dhe mëshiron shumë." (En-Nur: 22)

Përkujdesu që t'ua lehtësosh vështirësitë njerëzve në mënyrë që Allahu t'i lehtësojë ty. I Dërguari i Allahut - paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të – ka thënë: "Kush ia  lehtëson një brengë muslimanit, Allahu ia lehtëson atij një brengë nga brengat e Ditës së Kijametit." (Buhariu)

Ndihmoju njerëzve në kryerjen e nevojave të tyre, do të gjesh ndihmë nga Allahu. I Dërguari i Allahut - paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të – ka thënë: "Allahu është në ndihmë të robit të tij përderisa robi është në ndihmë të vëllait të vet." (Muslimi)

Ua lehtëso vështirësitë të tjerëve që Allahu t'i lehtësojë vështirësitë e tua.
I Dërguari i Allahut - paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të – ka thënë: “Kush ia lehtëson një  vështirësi muslimanit, Allahu ia lehtëson vështirësitë e tij në dynja dhe në ahiret.” (Muslimi)

“Më herët, ka qenë një tregtar i cili iu jepte borxh njerëzve. Kur shihte se dikush ishte nevojtar dhe vinte për t'ia kthyer borxhin nuk ia merrte, por iu thoshte fëmijëve të tij: Lëreni, faljani se ndoshta Allahu na i fal mëkatet dhe Allahu ia ka falur atij.” (Buhariu)

Sillu me butësi ndaj robërve të Allahut në mënyrë që të kaplojë lutja e të Dërguarit të Allahut - paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të – i cili ka thënë: “O Zot, kush sillet me butësi ndaj ummetit tim, bëhu i butë ndaj tij dhe kush ia vështirëson (çështjet) ummetit tim ia vështirëso tij.” (Ahmedi). Gjithashtu, ai ka thënë: “Vërtet, Allahu është i butë dhe e don butësinë, ia jep të butit atë që nuk ia jep të vështirit.” (Muslimi) I Dërguari i Allahut poashtu ka thënë: “Kush privohet prej butësisë (dashamirësisë) është privuar prej hajrit.” (Muslimi)

Mbuloji të metat e njerëzve, Allahu t'i mbulon të metat e tua. I Dërguari i Allahut - paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të - ka thënë: “Kush i mbulon të metat e një muslimani Allahu ia mbulon të metat e tij në këtë dynja dhe në ahiret.” (Muslimi) dhe gjithashtu ka thënë: “Kush i mbulon turpet e një muslimani Allahu do t'i mbulojë turpet e tij në Ditën e Kijametit.” (Ibn Maxhe)

Ushqeji muslimanët, Allahu do të ushqejë ty. I Dërguari i Allahut - paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të – ka thënë: “Çdo besimtar i cili e ushqen një besimtar tjetër të uritur,  Allahu do t'ia mundësojë të hajë nga frutet e Xhennetit.” (Tirmidhiu)

Jepi për të pirë një muslimani të etur që Allahu të japë ty për të pirë nga “Rahijkul Mehtum” në Ditën e Kijametit. I Dërguari i Allahut - paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të – ka thënë: “Çdo besimtari i cili ia shuan etjen një besimtari tjetër, Allahu do t'ia  mundësojë të pijë nga “Rahijkul Mehtum” në Ditën e Kijametit.” (Tirmidhiu)

Vishe një musliman nevojtar që Allahu të të veshë ty me rroba të Xhennetit.
I Dërguari i Allahut - paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të – ka thënë: “Çdo besimtar  i cili e vesh një besimtar Allahu do ta veshë atë me veshje të Xhennetit” (Tirmidhiu)

Pra, si të jesh ti me robërit e Allahut, Allahu do të jetë me ty. Zgjedhe për veten tënde mënyrën të cilën dëshiron të trajtoj Allahu i Lartësuar ty. Trajtoji krijesat e Allahut në atë mënyrë, sepse ashtu do ta gjesh shpërblimin.

Kujdes, mos i torturo njerëzit sepse të ndëshkon Allahu. I Dërguari i Allahut - paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të - ka thënë: “Vërtet, Allahu i ndëshkon ata të cilët i ndëshkojnë njerëzit në këtë dynja. (Muslimi)

Allahu i Lartësuar thotë: “Përkujtoni edhe kur u shpëtuam prej popullit të faraonit, që nga ai shijuat dënimin më të idhët, …” (El Bekare: 49) dhe thotë: "… e ditën e kijametit (u thuhet engjujve): Ithtarët e faraonit futni në dënim më të rëndë.” (Gafir: 46)

Kujdes, mos të bëhesh i vështirë ndaj robërve të Allahut se të kaplon lutja e të Dërguarit të Allahut: “O Allah, kush udhëheq çështjet e ummetit tim dhe ua vështirëson atyre, vështirësoja atij, dhe kush udhëheq çështjet e ummetit tim dhe është i butë ndaj tyre bëhu i butë ndaj tij.” (Muslimi)

Mos i dëmto muslimanët duke i zbuluar të metat e tyre, se i Dërguari i Allahut - paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të - ka thënë: “Kush i zbulon të metat e vëllait të vet musliman, Allahu ia zbulon të metat e tij dhe kujt Allahu ia zbulon të metat e tij ia zbulon qoftë edhe në familjen e tij.” (Ibn Maxhe)


Mos e kurse mëshirën tënde ndaj të tjerëve. I Dërguari i Allahut - paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të - ka thënë: “Kush nuk i mëshiron njerëzit atë nuk e mëshiron Allahu.” (Muslimi) Gjithashtu, i Dërguari i Allahut - paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të – ka thënë: “Nuk hiqet mëshira vetëm se nga i keqi.” (Tirmidhiu)


Ashtu si i ndihmon robërit e Allahut në ndonjë çështje, qoftë ajo edhe e vogël, ashtu do ta gjesh shpërblimin te Allahu .

Ibn Kajjimi ka thënë: “Vërtet, Allahu është Bujar dhe i don robërit e Tij bujar, është i Gjithëdijshëm dhe i don robërit e Tij të dijshëm, Allahu është Kadir dhe i don trimat, është i Bukur dhe e don bukurinë, i Lartësuari është i Gjithëmëshirshëm dhe i don robërit e Tij të mëshirshëm dhe i mëshiron ata robër të cilët janë të mëshirshëm, është Mbulues i të metave dhe i don ata të cilët ua mbulojnë të metat robërve të Tij, është Falës dhe i don ata të cilët i falin të tjerët, është i Butë dhe i don robërit e Tij të butë, e urren ashpërsinë,  vrazhdësinë dhe sjelljen e keqe, është i Durueshëm dhe i don robërit e Tij të durueshëm, e don bindjen dhe ata të cilët janë të bindur prej robërve të Tij, është i Drejtë dhe e don drejtësinë.

Allahu e shpërblen robin e Tij në bazë të cilësive që i ka. Kush i fal të tjerët, Allahu e fal atë; kush është i butë ndaj njerëzve, Allahu është i butë ndaj tij; kush i mëshiron krijesat e Tij, Allahu e mëshiron atë; kush është bamirës ndaj të tjerëve, Allahu është bamirës ndaj tij; kush iu bën dobi të tjerëve, Allahu i bën mirë atij; kush ia mbulon të metat njerëzve, Allahu i mbulon të metat e tij; kush i zbulon të metat e të tjerëve, Allahu ia zbulon të metat e tij dhe e turpëron; kush ia ndalon të mirën të tjerëve, Allahu ia ndalon të mirën atij; kush është i vështirë ndaj krijesave të Allahut, Allahu është i vështirë ndaj tij.

Me atë cilësi të cilën e ka njeriu dhe i trajton krijesat e Allahut, Allahu do ta trajtojë në këtë dynja dhe në ahiret. Allahu është me robin e tij ashtu si është robi me krijesat e Tij.

Si të veprosh me të tjerët, do të veprohet me ty. Vepro si të duash se Allahu është me ty ashtu siç je ti me krijesat e Tij.
 
Mundohu që t'u bësh dobi njerëzve se i Dërguari i Allahut - paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të – ka thënë: “Kush prej jush ka mundësi t'i bëjë dobi vëllait të vet le t'i bëjë.” (Muslimi) Bëhu bamirës ndaj njerëzve se Allahu i don bamirësit. 
Bëhu i thjeshtë, jo i vështirë; i butë e jo i ashpër; lehtësues e jo vështirësues. I Dërguari i Allahut - paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të - ka thënë: “I është bërë haram zjarri  atij që është i thjeshtë (modest), i butë, i lehtë dhe i afërt me njerëzit.” (Ahmedi)  
Ua fal gabimin të tjerëve nëse gabojnë ndaj teje, në mënyrë që Allahu të të fal ty. Vërtet,  Allahu nuk e humb shpërblimin e atij që është bamirës.
Lutja jonë e fundit është: falënderimet i takojnë Zotit të botëve dhe paqja e shpëtimi i  Zotit qofshin mbi pejgamberin tonë Muhammed, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij në përgjithësi.
  

                                                                      
                                                                                  
Përktheu: Merita Rexha  

 

 
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.