MЁNYRA E ABDESIT

 
Dhikri – shkak qė tė arrijmė dashurinė e Allahut PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Blerta Shaqiri   
e hėnė. 19 shkurt 2007


Ata të cilët e përmendin Allahun, te Allahu janë të përmendur me lavdërim, autoritet dhe prirje të posaçme. Atyre u është premtuar falje dhe shpërblime të mëdha. Allahu i Madhërishëm na ka urdhëruar që të bëjmë sa më shumë dhikër duke thënë: “
O ju që besuat, përkujtoni Allahun sa më shpesh. Dhe madhërojeni Atë mëngjes e mbrëmje”. (El-Ahzab: 41-42)

Për vlerën e të kujtuarit të Allahut na tregojnë ajetet dhe hadithet e mëposhtme:
Ai që e kujton Allahun meriton që Allahu ta kujtojë atë, siç thuhet në Fjalët e Allahut të Lartësuar: “
Më përkujtoni mua (me adhurim) Unë ju Përkujtoj juve (me shpërblim), më falënderoni dhe mos më mohoni.” (El-Bekare: 152).
Shumëpërmendësit e Allahut dhe shumëpërmendeset e Allahut, Allahu për ta ka përgatitur falje (mëkatesh)dhe shpërblim të madh.” (El-Ahzabë: 35)
Dhe në hadithin kudsij: “Nëse më kujtoni në vete, edhe Unë do t’ju kujtoj në vete, ndërsa nëse më përmend në ndonjë shoqëri, edhe Unë do ta përmend atë në shoqëri më të mirë se ai."

Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Shembulli i atij i cili e bën dhikër Zotin e tij dhe i atij i cili nuk bën dhikër Zotin e tij, është sikurse shembulli i të gjallit dhe i të vdekurit.”
Poashtu, Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Allahu thotë: “Unë jam pranë robit tim ashtu sikur që më mendon: nëse më përmend në vete, do ta përmend në veten Time, nëse më përmend në grup, do ta përmend në një grup më të mirë se ai, e nëse më afrohet një pëllëmbë, do t’i afrohem një krah, nëse më afrohet një krah, do t’i afrohem një pashë, e nëse më vjen duke ecur, do t’i shkoj duke vrapuar.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
I Dërguari i Allahut alejhi selam gjithashtu ka thënë: “Ata njerëz të cilët ngrihen nga një tubim ku nuk përmendin Allahun (subhanehu ve teala), s’janë ngritur ndryshe vetëm sikur të ishin një trup i ngordhur i gomarit dhe kështu kanë dështuar.” (Transmeton Ebu Davudi)

Të kujtuarit e Allahut dëbon, dhe largon shejtanin dhe shkakton kënaqësinë e Mëshirëplotit. Kjo largon brengat, vuajtjet dhe pikëllimin, ndërsa në zemër fut gëzim, lumturi dhe hare.
Të kujtuarit e Allahut forcon zemrën dhe trupin. Kjo ndriçon zemrën dhe fytyrën me dritë të besimit dhe sjell furnizimin.
Të kujtuarit e Allahut pakëson dhe shlyen mëkatet, andaj si i tillë është një nga veprat më të mëdha të mira, ndërsa veprat e mira mënjanojnë ndryshkun.
Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Kush deklaron brenda një nate dhe dite: SubhanAllahi ve bi hamdihi (Allahu qoftë madhëruar dhe lëvduar) njëqind herë, do t’i falen mëkatet madje edhe nëse janë shumë sa shkuma e detit.

Me të kujtuarit e Allahut ëmbëlsohen frytet e Xhenetit. Në hadithin të cilin e transmeton Xhabiri thuhet se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Kush deklaron: Subhanallahil adhim ve bihamdihi (Qoftë madhëruar dhe lavdëruar Allahu i Madhëruar) për të do të mbillet një palmë në Xhenet.
Poashtu nga Ebu Hurejra transmetohet se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Kush deklaron: La ihale il-lall-llahu vahdehu la sherike leh lehul mulku ve lehul hamdu ve huve ala kul-li shejin kadir (S’ka të adhuruar përveç Allahut, Një dhe i pashoq, Atij i takon sundimi dhe Lavdërimi, Ai është i Plotfuqishëm mbi çdo send) njëqind herë brenda një dite, do të ketë shpërblim sikur t’i ketë liruar dhjetë robër, do t’i shënohen njëqind vepra të mira, ndërsa do t’i shlyhen njëqind vepra të këqija dhe do të jetë i mbrojtur nga shejtani deri në mbrëmje. Askujt nuk do t’i jepet shpërblim më i mirë për diçka, pos njeriut i cili bën më shumë se ai.

Të kujtuarit e shpeshtë të Allahut është garanca më e mirë që njeriu do të kursehet nga hiprokizia, ngase hipokritët e kujtojnë rrallë Allahun, siç thotë Allahu në Kuran: "…
ndërsa Allahun gati nuk e përmendin fare." (En-Nisa: 142)
Një njeri i tha të Dërguarit të Allahut: “O i Dërguar i Allahut, të shumta janë ibadetet islame, cili është gjithëpërfshirës? Ai u përgjigj: “Gjuha jote të jetë pandërprerë e lagur nga të përmendurit e Allahut”. (Transmetojnë Ahmedi, Tirmidhiu, Ibn Maxhe)

Dhikri është shprehje e adhurimit me zemër dhe gjuhë dhe nuk ka kufizim kohor, por  neve na është urdhëruar ta përmendim Allahun, të Adhuruarin dhe të Dashurin, në çdo situatë: në këmbë, ulur dhe shtrirë.
Dhikri mund të bëhet me zemër, gjuhë dhe zemër e gjuhë njëhohësisht. Të kujtuarit më i mirë i Allahut është ai në të cilin marrin pjesë bashkërisht zemra dhe gjuha.

Dhikret e zgjedhura

Këto janë dhikret në rrethana të caktuara dhe janë të ndara në ndërrimin e ditës dhe natës. Ata të cilët përpiqen që t’i bëjnë vazhdimisht kanë gjasa të hyjnë në fjalët e Allahut të Madhërishëm: “…
shumëpërmendësit e Allahut e shumëpërmendëset e Allahut, Allahu për ta ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh”. (El-Ahzab: 35).
Ibn Abasi thotë me fjalën “shumëpërmendësit e Allahut” mendohet në dhikrin pas namazit, dhikrin në mëngjes dhe në mbrëmje, në shtrat, pas zgjimit nga gjumi dhe gjatë daljes dhe hyrjes në shtëpi”.

Muxhahidi thotë: “(Njeriu) Nuk do të jetë prej atyre të cilët e përmendin shumë Allahun përderisa nuk e përmend Allahun në këmbë, ulur dhe shtrirë”.
Shejhu dhe imami Ebu Umer ibnus-Salahu, Allahu e mëshiroftë, kur është pyetur për sasinë e dhikrit me të cilën njeriu hyn në kategorinë e atyre të cilët e përmendin shumë Allahun, ka thënë: “Nëse në kontinuitet i bën dhikret të cilat transmetohen dhe të cilat janë të vërtetuara, edhe atë në mëngjes e mbrëmje, në kohë dhe raste të ndryshme, në netët dhe ditët e Bajramit, etj., njeriu i tillë hyn në mesin e atyre që e përmendin shumë Allahun e Madhërishëm”.
Ne nuk do t’i përmendim të gjitha dhikret, por këto mund t'i gjeni në librin “Mburoja e muslimanit” nga Seid El-Kahtani dhe në librin “Fjala e bukur” nga Ibn Tejmije.
Ju preferojmë që të gjithë t'i keni në shtëpitë tuaja.
                                                                                                   
                                                                                       Përgatiti: Blerta Shaqiri
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.