MЁNYRA E ABDESIT

 
Roli i femrės shqiptare nė krijimin e familjes (II) PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Labinot Kunushevci   
e mėrkurė. 10 prill 2013
 Martesa mbetet shtytësi kryesor drejt krijimit të një familjeje të shëndoshë dhe nuk njohin vizionarët e urtë tjetër rrugë drejt krijimit të familjes pos nëpërmjet martesës.



Trajtimi i femrës shqiptare në Kanunin e Lekë Dukagjinit
       

Gruaja shqiptare nëpër shekuj është trajtuar në forma dhe mënyra të ndryshme. Shumë batica dhe zbatica kanë rënë mbi të, shumë “të reshura” të fateve të ndryshme të kësaj jete janë derdhur mbi të, kohë pas kohe, fazë pas faze, sfidë pas sfide, ishte një kohë kur gjykohej me normat zakonore – kunanore, kur dihet se tek shqiptarët një kohë funksiononin normat e Kanunit të Lekë Dukagjinit në gjerësi, edhe pse edhe sot shumë familje nuk njohin ndonjë ligj apo traditë tjetër pos Kanunit të Lekë Dukagjinit.
    

Edhe pse njihen disa lloje të Kanuneve, si p.sh:
1. Kanuni i Skënderbeut ose Kanuni i Arbërisë, 2. Kanuni i Lekë Dukagjinit, 3. Kanuni i Labërisë, 4. Kanuni i Lumës, 5. Kanuni i Maleve etj”.
(Mimoza Dushi, demografe) Kanuni i Lekë Dukagjinit dominoi dhe shumë familje udhëhiqeshin nga normat e tij.      

“Fjala kanun ka prejardhje nga fjala latine canon, që e ka kuptimin e dispozitës, rregullores”. (Mimoza Dushi, demografe) 
      

Por femra shqiptare nën hijen e këtij Kanuni nga shumë njerëz është shikuar me syrin kritik dhe është vlerësuar dhe karakterizuar si përbuzje dhe degradim i dinjitetit të femrës, ndërsa nga disa të tjerë është shikuar me syrin e vlerësimit pozitiv dhe emancipimit të femrës.
      

“Ajo që e ngarkonte edhe më tepër pozitën e saj ishte zbatimi i normave të Kanunit të Lekë Dukagjinit, që e konsideronte femrën si diçka të dorës së dytë”. (Mimoza Dushi, demografe)
      

Se a konsiderohej femra si diçka e dorës së dytë apo jo, e që kjo ndikonte edhe në krijimin e familjes dhe zhvillimit të drejtave të femrës në shoqëri, do të shohim në vazhdim se çfarë trajtimi i kishte dhënë Kanuni i Lekë Dukagjinit femrës shqiptare në disa të drejta të saj, e që faktikisht Kanuni ia merrte ato të drejta nga duart e saj.
 

E drejta e gruas mbi fëmijët e saj

 
      Në familjen patriarkale, gruaja nuk kishte kurrfarë të drejta mbi fëmijët e vet; të gjitha i gëzonte babai. “Gruaja fare tagrit s’ka as mbi të bijt as në shtëpi”. (Kanuni i Lekë Dukagjinit përmbledhur dhe kodifikuar nga Shtjefën Gjeçovi) Nëna kishte vetëm lidhje morale me fëmijët. 

E drejta e trashëgimisë      

“Grueja shqyptare farë trashigimit s’ka te prindja, as më plang, as në shpi, - kanuja e xen gruen si nji tepricë në shpi. Prindja s’mendon per pajë as per kurrnji send per vajzë të vet. Kanuja njef për trashegues djalin e jo vajzën. Baba edhe në mos pasët djelm, nuk mundet me u lane bijave as tokë, as plang, as shpi”. (Kanuni i Lekë Dukagjinit përmbledhur dhe kodifikuar nga Shtjefën Gjeçovi)
 

E drejta e fejesës      

“Në fejesë vajzash do të shikjohet: a) Të mos jetë gjak e gjini; b) Të mos jetë të njij fisit; c) Të mos të jetë mesë fisit të djalit, qië do me e nxanë; d) Të mos të jetë grueja e lshume; e) Të mos të ketë kumari: 1) në të peshuem në derë të Kishës; 2) në kunorë; 3) në të marrun të flokvet; 4) të mos të jetë vllaznue me gjak të pim. Kanuja s’e ban fejesen e martesen, kur të ndermjetson ndalimet e naltpermenduna, edhe në katerqind breza me kenë (me gabue kush kundra këtyne ndalimeve, fisi i vet e giobitë, e qillon qi edhe shpin i a djegë)”. (Kanuni i Lekë Dukagjinit përmbledhur dhe kodifikuar nga Shtjefën Gjeçovi)
 

E drejta e të ankuarit në rast të ushtrimit të dhunës      

“Me rrahë burri gruen, nuk bie në faj kah kanuja, e as prindja s’mund t’a kerkojn të rrahmen”.
(Kanuni i Lekë Dukagjinit përmbledhur dhe kodifikuar nga Shtjefën Gjeçovi) 

E drejta e zgjedhjes së bashkëshortit të jetës       

Sipas zakoneve fejesa nuk mund të kundërshtohej. Kundërshtimi i saj ishte mospërfillje e zotit të shtëpisë, gjë që nuk tolerohej. Në rast se vajza nuk donte të martohej me të fejuarin që i ishte caktuar, atë e jepnin me dhunë me “nji fishek në shpinë”. (Kanuni i Lekë Dukagjinit përmbledhur dhe kodifikuar nga Shtjefën Gjeçovi)
      

Duke i marrë parasysh të gjitha këto dhe citate e norma tjera kanunore karshi femrës, në shumë të drejta të saj, sidomos kur është fjala tek e drejta e krijimit të familjes – bashkëshortësia, lirisht mund të konkludojmë se Kanuni i Lekë Dukagjinit femrës nuk ia kishte dhënë pozitën dhe vlerën që e meritonte dhe kjo ndikonte negativisht edhe në formimin dhe forcimin e një familjeje të shëndoshë nga ana e saj.
 

Femra shqiptare në shënjestër të vrasjeve dhe dhunimeve 

Trajtimi i tyre      

“Në Kosovë, numri i femrave të dhunuara sipas statistikave kap shifra të ndryshme varësisht nga organizatat e ndryshme të cilat kanë bërë hulumtime në këtë drejtim. Ato shifra sillen nga dymijë deri në dhjetëra mijëra! Unë, gjatë punës sime me Organizatën Joqeveritare “Jeta në Kastriot” mund të flasim për 2018 femra të dhunuara për të cilat përveç dëshmive gojore, video-xhirimeve, dëshmive me shkrim dhe fotografive kemi edhe raportet e mjekëve: gjinekologë, infektologë, neoropsikiatër, si dhe raportet mujore të të gjithave së bashku për ta konstatuar gjendjen e tyre momentale si dhe diagnozat e secilës veç e veç bashkë me terapinë e përdorur. Mosha e këtyre femrave është kryesisht e re duke filluar nga 14 e deri te 44 vjeç. Ne, përveç se i vizitojmë së paku një herë në muaj dhe kontrollojmë gjendjen momentale te tyre, vazhdimisht kujdesemi që 209 prej tyre të cilat janë në gjendje më të rëndë shëndetësore t`iu sigurojmë barna dhe ilaçe të nevojshme. Po ashtu sa herë na jepet rasti ushtrojmë ndikimin tonë mbi organizatat e ndryshme qofshin ato të huaja apo vendase, qeveritare apo joqeveritare në mënyrë që të kuptohet domosdoshmëria e ndihm
ës dhe trajtimit të kësaj kategorie të braktisur nga shoqëria! Prej rreth 24.000 të vrarëve gjatë luftës në Kosovë 31.2 për qind janë femra të të gjitha moshave dhe në bazë të të dhënave tona vetëm 1,3 për qind nga numri i përgjithshëm kanë qenë në moshë të shtyrë. Ndërsa tek ata që kanë përjetuar trauma të të gjitha llojeve, problemet e shëndetit mental janë tejet aktuale. Sipas hulumtimeve tona të bëra pas luftës, del se 62 për qindë e të hulumtuarve kanë qenë buzë vdekjes, 49 për qind viktima të torturave apo abuzimit, 42 për qind të ndarë nga familjet e tyre, 26 për qind kanë përjetuar vrasjen e ndonjë anëtari të familjes apo farefisit, 10 për qind kanë qenë të burgosur dhe 4 për qind të abuzuar seksualisht”. (Luljeta Selimi)      

Pra, siç po e shohim se femra shqiptare gjatë luftës së fundit ishte në shënjestër dhe e sulmuar nga regjimi serb, e torturuar dhe e dhunuar, gjë që pasojat ishin të mëdha. Por në anën tjetër edhe kujdesi e trajtimi nuk mungoi, dikujt i ra ndër mend edhe pse duhet një përkrahje edhe më e madhe e tyre dhe e familjeve të tyre nga institucionet përgjegjëse e jo vetëm përkrahje morale, por edhe financiare e institucionale.
 

Dhuna e ushtruar      

“Dhunimet sipas të drejtës ndërkombëtare dhe Statutit të Tribunalit të Hagës, janë vepra penale, të cilat radhiten në Krime kundër njerëzimit. Sipas Statutit të Tribunalit të Hagës (neni 5) dhunimet janë krime kundër popullsisë civile të cilat kryhen në konfliktet e armatosura, qofshin ato ndërkombëtare apo të karakterit të brendshëm. Një ndër format më të rënda të krimit kundër njerëzimit, të cilën e ka përdorur regjimi serb ishte edhe dhunimi masiv i femrave shqiptare. Kjo formë e dhunës është përdorur si mjet lufte dhe ka qenë e planifikuar nga vetë shteti serb, si dhe është kryer në forma të ndryshme. Në këto raste nuk mund të flitet vetëm për cenim të integritetit fizik dhe psikik të femrës, por para së gjithash edhe për cenim direkt të integritetit moral dhe shpirtëror të popullit, për këtë edhe kjo formë e dhunës dënohet me të gjitha rregullat ndërkombëtare”. (Mentor Neziri, jurist i diplomuar)
      

“Dhunimet seksuale të cilat forcat policore-ushtarake dhe paramilitare serbe i bënë kundër femrave shqiptare, kanë pasur karakter posht
ërues, politik, hakmarrës, si dhe kanë pasur karakter të thyerjes morale dhe shpirtërore të popullit shqiptar”. (Luljeta Selimi)      

Pra, edhe dhuna e ushtruar si ajo seksuale – fizike, psikike, morale e shpirtërore, ndikuan shumë rëndë në integritetin e femrës shqiptare, e cila trajtohej gjatë regjimit serb si vegël dhe objekt kënaqësie dhe kjo dhunë e ushtruar me gjithë pasojat që la pas vete, tortura, keqtrajtime e dhunime, të gjitha këto ndikuan që femrës t’i vështirësohet rruga drejt krijimit të familjes.
  

Rrëfime të femrës shqiptare që të mbulojnë me trishtim e pikëllim  

Plagët e cigares      

“R. N.-në nga rrethi i Prishtinës, pas mbarimit të luftës e kishin gjetur të lidhur në lokalet e Fakultetit Juridik. Ajo muaj të tërë nuk e kishte marrë veten. Herë pas here kur i vinte vetëdija, ishte e thyer shpirtërisht. Qante dhe fillonte rrëfimin e saj të tmerrshëm… “Pasi më nxorën nga shtëpia, më dërguan drejt në lokalet e Fakultetit Juridik. Aty më futën në një zyrë të profesorëve dhe më vunë prangat e më mbanin tërë kohën të lidhur. Nuk më kujtohet sa ditë me radhë nuk kam ngrënë asgjë. Për çudi nuk kisha uri, por vetëm etje edhe atë etje të madhe. Nga nevoja për ujë më ishin qarë e përgjakur edhe buzët. Pas disa ditësh, kur më morën gjoja në pyetje, njëri nga barbarët serbë më urdhëroi të zhvishem. Unë refuzova. Njëri nga policët më ra shuplakë dhe përnjëherë më pëlciti gjaku nga buzët e shkrumbuara. Tjetri nga “bosët” m’u afrua dhe mori nga buzët e mia me gisht gjakun dhe e lëpiu. “Si duket, të gjitha shqiptaret e kanë gjakun e ëmbël, dhe unë me këtë thikë, do t’i shijojë të gjitha…” tha me ironi, dhe me thikën e cila vezulloi para syve të mi, filloi të m’i priste rrobat, një nga një dhe… për një moment mbeta e tëra lakuriq. Tentova të bëja diçka, por isha e pafuqishme. Dy nga ata më mbanin, ndërsa njëri më dhunoi. Rezistenca ime e vetme, ishin disa gërvishtje me thonj në fytyrën e dhunuesit… ”Do ta paguash shtrenjtë këtë, ti dhe shqiptaret tjera që janë këtu, si dhe të gjithë ata që do të mbesin në Kosovë” më tha paksa i hidhëruar, ndërsa njëri nga dhunuesit sërish më lidhi dhe më la ashtu lakuriqe, ashtu si isha e rrahur dhe e dhunuar… Pas pak çastesh, ai e urdhëroi njërin nga kolegët e tij t’ia ndiznin cigaren. Më ofroi edhe mua një cigare… Ndihesha aq keq sa që për çdo sekondë në vijim më bëhej se vinte e më lëshonte fuqia. Pasi pushoi pak, u afrua dhe më tha: ”Më quajnë Nenad Stojanoviq, dhe nga unë do ta kesh një kujtim që do të shoqërojë tërë jetën. Ndoshta ti do të dëshirosh të jetosh jetën si e re dhe e bukur që je, por unë nuk do të lë gjatë kështu. Do të të vras ngadalë-ngadalë...” dhe ma ofroi cigaren mbi gjinjtë e mi dhe e fiku atë duke më shkaktuar plagë të rëndë të djegies. Pastaj e ndezi cigaren tjetër dhe sa herë donte ta fikte cigaren, e fikte në trupin tim atë, dhe më digjte pak nga pak. Ashtu ma dogji trupin për disa orë. Ishte një mizori e përcjellë me dhimbje,  ofshamë e britma, ishte një torturë nga më të tmerrshmet që nuk e kisha parë as në filma e as nuk kisha mundur të paramendoja se “njeriu” mund të veprojë ashtu kundër njeriut, pa qoftë ai edhe armiku më i madh! Natën që pasoi m’i zgjidhën duart dhe disa veta të tjerë më dhunuan me radhë. Nuk e di saktësisht sa vetë kanë luajtur me trupin tim, por sot e shoh se në tërë trupin tim ka me qindra plagë që më kanë mbetur nga djegiet me cigare, dhe nga thikat e tyre që prisnin e shkruanin fjalë në trupin tim…” R. N. e ndërpreu rrëfimin, sepse emocionet ishin të rënda për një rrëfim të tillë dhe filloi të ofshajë duke qarë. Për R. N. jeta ka një kuptim të hidhur sepse ajo mban vulën e cigares nga ato ditë prilli të thyer të vitit 1999”. (Luljeta Selimi)
      

Ky pra ishte njëri ndër krimet më të ç’njerëzishme të regjimit serb ushtruar kundër femrave shqiptare, e që nuk janë të rralla femrat që janë dhunuar kështu. Mbesim me shpresë që drejtësia e vërtetë të fiton, fajtorët ta marrin dënimin e merituar dhe femra shqiptare të mos vazhdojë e gjunjëzuar, por të ngrihet sepse me ngritjen e femrës, ngrihet i gjithë populli.
     

Përfundimisht mund të konkludojmë se martesa mbetet shtytësi kryesor drejt krijimit të një familjeje të shëndoshë dhe nuk njohin vizionarët e urtë tjetër rrugë drejt krijimit të familjes pos nëpërmjet martesës.
     

Drejt femrës shekuj me radhë ushtroheshin diskriminime dhe keqtrajtime të ndryshme, duke filluar nga privimi i shumë të drejtave dhe ishte kjo ajo që i shtynte femrat t’i kërkonin të drejtat haptazi me metoda organizative nëpër institucione të ndryshme dhe rezultati në shumë raste u arrit pozitivisht.
     

Femra shqiptare edhe pse me sfida e kushte të vështira, e luajti rolin e vet në krijimin e familjes, breza të tërë erdhën në dritë dhe falë shumë mundimeve e përpjekjeve ajo sot e gëzon një status mesatarisht të mirë martesor.
     

Dhe ishin shumë faktorë që ndikuan në trajtim jo të barabartë të femrës me burrin në marrje të të drejtave, prej tyre ishte Kanuni i Lekë Dukagjinit, ku shumica dërrmuese e normave të tij degradonin dhe shkelnin statusin dhe të drejtën e femrës për një jetë të mirëfilltë me të gjitha të drejtat që i takojnë e që janë të garantuara sot edhe në OKB dhe në të gjitha konventat ndërkombëtare.
     

Sfidë pas sfide, ishte koha e pushtimit të regjimit serb ku femra shqiptare ishte në shënjestër të vrasjeve dhe dhunimeve, ku mbi femrën e ndershme dhe të pafajshme shqiptare orvateshin sulme që në rast rrëfimi të tyre të trishtojnë dhe të pikëllojnë.
     

Shpresojmë në një të ardhme më të ndritshme të femrës shqiptare drejt rrugëtimit të saj në krijimin e familjes.
 

 

 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.