MЁNYRA E ABDESIT

 
Roli i femrės shqiptare nė krijimin e familjes PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Labinot Kunushevci   
e martė. 12 mars 2013
 Qëllimi më i lartë i femrës në bashkësi martesore, veçanërisht në shoqërinë shqiptare tradicionale, ishte lindja e fëmijëve. Martesa konsiderohej ngjarje shumë e rëndësishme familjare...






         Kam zgjedhur të shkruaj për rolin sociologjik të femrës shqiptare në krijimin e familjes. Jo për faktin se deri më tani pak është shkruar në lidhje me sfidat e formimit dhe forcimit të familjes nga ana e femrës shqiptare. Sepse është folur dhe është shkruar; sa e sa studime, hulumtime dhe trajtime të ndryshme janë bërë në këtë drejtim, nga autorë shqiptarë dhe të huaj. Prapëseprapë mbetet hapësirë dhe nevojë edhe në vazhdimësi që të shkruhet dhe flitet në baza shkencore dhe historike për rolin e femrës shqiptare në ndërtimin e familjes.     

Është një temë që vërtet ka shumë për të studiuar e shkruar për të, pasi që përfshin shumë elemente dhe shumë degë, prek shumë dispozita, shumë sfida dhe shumë rrugë, por unë do të mundohem të jem sa më argumentues dhe sa më i qartë në përmbledhjen e një numri faktesh që flasin për rolin e femrës shqiptare në krijimin e familjes, duke i përmendur disa prej fazave dhe sfidave me të cilat është ballafaquar femra shqiptare: duke filluar me konceptimin e martesës, si institucionin më të lartë të ndërtimit të familjes, më pas duke përmendur rolin që ka femra shqiptare në krijimin e familjes, pastaj një përmbledhje të shkurtër mbi një trajtim që ia bën Kanuni i Lekë Dukagjinit femrës shqiptare, atëbotë kur tek shqiptarët njihej dhe funksiononte e drejta zakonore – kanunore. Pastaj do të përmendi njërën ndër krimet më makabre dhe njërën ndër sfidat më të rënda të femrës shqiptare, atë të vrasjes dhe dhunimit, që i është bërë nga regjimi serb gjatë luftës së fundit në Kosovë. Dhe të shohim pastaj se a gëzon femra në këto ditë ndonjë përkujdesje apo trajtim nga ana e ndonjë institucioni apo jo. 
     

Do ta përmendi njërin ndër shumë rastet e hidhura që i ka përjetuar femra shqiptare gjatë okupimit serb. 
     

Pas gjithë këtij elaborimi në pika të shkurtra dhe përmbledhëse, për fund do të shkruaj edhe për përpjekjet që janë bërë apo bëhen edhe sot në mbrojtjen dhe zgjerimin e të drejtave të femrave, e që kjo quhet feminizëm.
   

Koncepti i martesës dhe familjes në këndvështrimin sociologjik
      

Dijetarë, autorë dhe ekspertë të ndryshëm të shkencave sociale kanë dhënë koncepte dhe mendime nga më të ndryshmet rreth martesës dhe familjes. Teoricienë dhe sociologë të ndryshëm martesën dhe familjen e kanë konceptuar në rrafshe dhe karaktere të ndryshme. 
     

Faktet historike na flasin për një zanafillë të mirëfilltë të njeriut në tokë, duke filluar së pari me krijimin e mashkullit dhe femrës, më pas me bashkimin - çiftëzimin e tyre, ku si rezultat pasoi shumimi i qenies njerëzore, prej një mashkulli – shumë meshkuj dhe prej një femre – shumë femra. 
     

Më pas ndarja e tyre në popuj e fise të ndryshme, të pasuruar me një diversitet ngjyrash e gjuhësh, e gjithë kjo në shërbim të ndërtimit sa më të shëndoshë të mbarë njerëzimit.
 

Ç’është martesa?
     

Martesa tek populli ynë shqiptar e ka luajtur rolin më të madh në krijimin e familjes si grup shoqëror, ruajtjen dhe prodhimin e brezave të ndryshëm etj. Lirisht mund të themi se martesa mund të përcaktohet si një bashkim seksual i dy individëve të rritur, të dashuruar, i njohur si akt i miratuar nga shoqëria nëpërmjet një ceremonie, e cila legjitimon vlefshmërinë e saj. Dhe janë të qarta fare mirë qëllimet e martesës, e që janë bashkëjetesa dhe krijimi i pasardhësve.
       

Ekzistojnë definicione të ndryshme mbi martesën që teoricienë të ndryshëm kanë dhënë për të. 
     

“Qëllimi më i lartë i femrës në bashkësinë martesore, veçanërisht në shoqërinë shqiptare tradicionale, ishte lindja e fëmijëve. Martesa konsiderohej ngjarje shumë e rëndësishme familjare, sepse sillte fat dhe sidomos pasardhës dhe krah të ri të punës, ishte faktor i kontinuitetit të familjes dhe të ekonomisë shtëpiake. Martesa përcaktohet si bashkim i dy individëve të rritur (burrit dhe gruas), i njohur dhe i miratuar nga shoqëria në mënyrë zyrtare ose zakonore. Kur dy individë martohen, ata bëhen të afërm me njëri-tjetrin dhe formojnë familjen. Lindin fëmijët, të cilët e forcojnë lidhjen martesore, e vazhdojnë apo trashëgojnë familjen, e ruajnë bashkësinë njerëzore dhe i plotësojnë humbjet në popullatë (zëvendësim i brezave) që i shkakton vdekja”.
(Mimoza Dushi, demografe)
   

  
Ekzistojnë edhe koncepte të tjera mbi nocionin e martesës, mbi vlerën dhe rolin që ka ajo në ndërtimin dhe zhvillimin e njerëzimit dhe përfundimisht mund të themi se roli i martesës është shumë i rëndësishëm dhe tejet produktiv në ciklin zhvillimor të brezave të shëndoshë.
 

Ç’është familja?
     

Edhe për familjen janë dhënë shumë definicione dhe koncepte. Familja në sociologji vazhdimisht është trajtuar si grup shoqëror. Dhe kemi parasysh se ekzistojnë teori e funksione të ndryshme mbi familjen, si një institucion shumë i rëndësishëm për zhvillimin njerëzor.
     

“Familja është institucion bioemocionalo-socioekonomik që përbën bazën e çdo shoqërie”.
(Mimoza Dushi, demografe)
     

Aristoteli e konsideronte familjen si bërthamë të shoqërisë, ndërsa i ashtuquajtur “Kumbar i Sociologjisë” Ogys Konti, gati 22 shekuj pas Aristotelit, familjen e trajtoi si qelizë themelore të shoqërisë. 
     

Lidhja e dy individëve me gjini të kundërt bazohet në marrëdhënie seksuale dhe raporte sentimentale bashkëshortore dhe kjo mban të shëndoshë një familje. Ka teori të ndryshme që flasin për familjen, si ajo funksionaliste, interaksioniste, evolucioniste etj. 
     

Gjithashtu në këndvështrimin sociologjik njihen edhe një numër funksionesh të familjes, prej tyre është funksioni biologjik, funksioni ekonomik, funksioni social etj, që të gjitha këto flasin dhe trajtojnë familjen në rrafshe, role e karaktere të ndryshme. 
     

Por tek ne në Kosovë familjen e kemi patriarkale që përbëhet nga burri, gruaja dhe fëmijët, dhe karakterizohet nga pozita dominuese e burrit në familje, e që për mendimin tim patriarkalizmi është më ideal se të qenit një familje konjugale, pra kur kemi të bëjmë me raporte të barabarta në mes të anëtarëve të një familjeje. Edhe pse në Kosovë janë të pakta këto raporte apo elemente konjugale, por unë personalisht e vlerësoj dhe e shoh shumë ideale që në një familje të jetë funksional patriarkalizmi.
     

“Ndër shqiptarët ekzistojnë dy lloj familjesh patriarkale: familja e madhe dhe familja e vogël. Familja e madhe përbëhej nga prindërit me dy djemtë e tyre të martuar dhe me nipërit e mbesat, që do të thotë se përbëheshin nga disa gjenerata apo nga disa familje të vogla. Familja e vogël kryesisht ka numër më të vogël të anëtarëve, mirëpo ka pasur raste kur kjo familje ka mund të ketë edhe 12 anëtarë e më shumë anëtarë (p.sh. prindërit me dhjetë fëmijë)”.
(Mimoza Dushi, demografe)
     

Prej produktivitetit të zhvillimit të cikleve martesore është edhe zgjerimi i farefisnisë, e që nënkupton lozën e pasardhësve, e cila krijohet si rezultat i marrëdhënieve intime në familje.
     

Mbrojtja dhe lufta për të drejtat e femrës
      

Femra në përgjithësi, në veçanti ajo shqiptare, në shumë kohë dhe vende të ndryshme shtypej dhe diskriminohej dhe arsyet për këtë ishin nga më të ndryshmet. Gjithmonë kishte nevojë për mbështetje dhe përkrahje, jo vetëm morale por edhe institucionale, jo vetëm me fjalë por edhe me vepra, duheshin zëra dhe iniciativa kolektive e organizative feministe që femrës t’i ktheheshin disa nga të drejtat prej të cilave ajo privohej padrejtësisht.
     

“Feminizmi është lufta për të mbrojtur dhe për t’i zgjeruar të drejtat e grave”. (Anthony Giddens, sociolog)
 

Lëvizjet feministe
     

Lëvizje feministe kishte në shumë vende dhe zhvilloheshin e sfidoheshin në mënyra të ndryshme, por feminizmi në Evropë, Francë e SHBA mbetët model i feminizmit.
     

“Një nga veprat më të hershme që parashtronte ide feministe ka qenë libri i Mary Wollstonecraft-it “Mbrojtja e të Drejtave të Grave”, i botuar për herë të parë më 1792. Kuvendi i parë mbi të drejtën e femrave u mbajt në Wesleyan Chapel në Seanca Falls, Nju-Jork me 19-20 korrik 1848, ku morën pjesë mbi 300 gra e burra. Gratë formojnë Shoqatën Shtetërore për Votën e Grave dhe vazhdojnë aktivitetet e tyre për të drejtën e votës për gratë. Konferenca e Dytë e Gruas, e mbajtur në Kopenhagë me 1980, vazhdimësi e konferencës së parë. Konferenca e Tretë e Gruas, mbajtur në Nairobi (Keni) më 1985 mbi Strategjitë e së Ardhmes për Përparimin e Gruas. CEDAW-ja sot numëron 185 shtete anëtare të cilët janë të obliguara që çdo katër vjet, gjatë seancave që mbahen dy herë në vit, të raportojnë për kërkesat e grave, në mënyrë që të përmirësojnë pozitën e tyre në territore të ndryshme. Gjatë periudhës së Revolucionit Francez të vitit 1789, në Paris, dhe në disa qytete tjera të Francës, u formuan disa klube grash të frymëzuara nga idealet e lirisë dhe të barazisë. Klubet ishin vende takimi, ku gratë përgatitnin programe politike për të drejta të barabarta në edukim, punësim dhe qeveri. Udhëheqësja e njërit prej klubeve në këtë kohë ishte Marie Gouze, e cila më 1791 hartoi dhe publikoi një deklaratë të titulluar “Deklarata për të drejtat e njeriut dhe të qytetarit”.
(Mimoza Dushi, demografe)
     

E shumë iniciativa, organizime, projekte e ide feministe nga të dyja gjinitë filluan dhe u përhapën shumë shpejt nëpër botë, në veçanti në ato vende ku zëri i femrës ishte më i vogël, ku të drejtat e saja ishin të privuara dhe shumë herë shkelej e diskriminohej dhe pak ndihmë e përkrahje i ofrohej. 
     

Por sfida nuk kishin vetëm femrat në Evropë e SHBA, por edhe në Ballkanin tonë jugor, respektivisht tek shqiptarët, ku femra shqiptare në shoqëri dhe në krijimin e familjes kishte një rol tejet të vogël dhe të kufizuar. 
     

Në vazhdim do të bëjmë një elaborim në lidhje me rolin dhe sfidat e femrës në shoqërinë tonë shqiptare drejt krijimit të familjes.
 

Roli i femrës shqiptare në krijimin e familjes
      

Pasi që kemi paraqitur konceptin e martesës dhe familjes, tani na intereson të dimë për rolin e femrës shqiptare në këto dy drejtime.
     

“Qëllimi më i lartë i femrës në bashkësi martesore, veçanërisht në shoqërinë shqiptare tradicionale, ishte lindja e fëmijëve. Martesa konsiderohej ngjarje shumë e rëndësishme familjare, sepse sillte fat dhe sidomos pasardhës dhe krah të ri të punës, ishte faktor i kontinuitetit të familjes dhe ekonomisë shtëpiake”.
(Mimoza Dushi, demografe)
       

Shumë njerëz në botë, për dallim nga kulturat, njohuritë dhe besimet e ndryshme që i kanë, martesën e shohin si zgjidhjen dhe metodën më të mirë drejt krijimit të familjes, shtimit të brezave dhe plotësimit të nevojave njerëzore, por jo të gjithë. Ka prej atyre që i japin përparësi bashkëjetesës, e që ndryshe quhet si martesë kohabituese, apo abortin e bëjnë pjesë të planifikimit familjar. Është planifikimi familjar i servuar nga kulturat e huaja perëndimore ai që sot shumë të rinjve ua ka ndërruar stilin dhe planifikimin e krijimit të bashkëshortësisë. Na intereson të dimë gjithashtu në shoqërinë kosovare se si ka rrjedhur procesi martesor, konkretisht të shohim në vazhdim për numrin e martesave dhe moshës mesatare të hyrjes në martesë.
      

“Numri më i madh i martesave, i arritur ndonjëherë në shoqërinë kosovare, është pas Luftës së Dytë Botërore, ku shënohen 11.3 lidhje martesore në çdo njëmijë banorë”.
(Mimoza Dushi, demografe) Ndërsa në kohët e sotme fatkeqësisht shohim një numër të reduktuar të martesave dhe një rritje të shkurorëzimeve.
     

“Në vitin 1960 mosha mesatare e hyrjes në martesë ka qenë 23.8 (21.8 për femrat dhe 25.7 për meshkuj)”.
(Mimoza Dushi, demografe) Edhe pse ka pasur disa raste kur janë martuar në moshë të re adoleshence 15-16 vjet.
     

“Ende i hasim martesat e vajzave të shkollave të mesme të cilat nuk i kanë mbushur 18 vjet”. (E përditshmja Koha Ditore, dt. 11.6.2006, f. 9)
     

Gjithashtu përveç hyrjes në martesë, në bazë të një hulumtimi të bërë për moshën e nënës, na del që shumë femra të mitura që në kohë adoleshence pas martesës janë bërë nëna me fëmijë. 
     

“Femra në grup moshën 15-19 vjet, të përfshira në hulumtim, kanë realizuar dy lindje të gjalla”. (Mimoza Dushi, demografe) Janë bërë shumë hulumtime në lidhje me rrjedhën dhe procesin e lindshmërisë së femrës shqiptare, konkretisht për numrin e përgjithshëm të femrave që kanë lindur në martesa e që këto kanë të bëjnë me trendin e natalitetit të popullit tonë.
     

“Sa i përket intervalit protogjenezik, hulumtimi nxori në pah se nga numri i përgjithshëm i femrave që kanë lindur në martesa, 54,6% lindjen e parë e kanë realizuar brenda vitit të parë; mesatarja e këtij intervali është 18,5% muaj, ndërsa vlera më e përsëritur në seri (modusi) është 12 muaj. Ky fakt tregon se motivacioni për pasardhës është ende i fuqishëm. Përtëritja e popullsisë zhvillohej shumë joracionalisht, sepse ekuilibrimi demografik arrihej me humbje të mëdha njerëzish. Në këtë periudhë, në mes viteve 1911 – 1940, nataliteti mesatarisht sillej 40.4 promilë në vit, do të thotë se kishte vite kur kjo normë ishte nën apo mbi këtë vlerë, varësisht nga ndikimi i faktorëve të jashtëm. Gjatë Luftës së Parë Botërore, përkatësisht në vitin 1915, ishte regjistruar norma më e ulët e natalitetit (vitet 1911 – 1940), vetëm 27.7 promilë, ndërsa më e larta menjëherë pas kësaj lufte, në vitin 1912, duke arritur nivelin në 52.1 promilë”.
(Mimoza Dushi, demografe) 
     

Ndërsa një hulumtim tjetër thotë se 23.000 fëmijë kosovarë në vit shkojnë në shkollë fillore, pra numër shumë më i vogël në krahasim me të kaluarën. Këto pra ishin proporcionet e lindshmërisë – natalitetit. Dhe kuptohet se femra shqiptare kishte një rol tejet të rëndësishëm dhe kyq në krijimin e familjes së shëndoshë edhe përkundër sfidave dhe barrierave, ajo gjithmonë ishte dhe mbetet shtyllë dhe themel i shoqërisë, faktor me ndikim në ciklin zhvillimor njerëzor. Shpresojmë që edhe mbështetja dhe investimet institucionale të mos mungojnë së inkurajuari femrën shqiptare që t’u shmanget dhe të shpëtojë nga trafikimet dhe skllavërimet karshi saj, t’u ik dukurive devijante dhe t’i qaset sferave arsimore drejt ndërtimit të personalitetit, të bëhet një nënë e ndershme dhe punëtore e denjë që t’ua zbardhur fytyrën dhe imazhin shoqërisë së saj.

(vazhdon)
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.