MЁNYRA E ABDESIT

 
MEXHLISI- tubimi, etika dhe norma PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Ihsan b. Muhamed Utejbi   
e shtunė. 10 nėntor 2012
 I Dërguari i Allahut, paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Çdo popull që tubohet në një vend, e pastaj ngrihen prej tij duke mos e përmendur Allahun, do të jetë hidhërim për ta Ditën e Gjykimit”.






1- Shpeshtimi i përmendjes së Allahut

Abdullah b. Omeri transmeton se i Dërguari i Allahut, paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Çdo popull që tubohet në një vend, e pastaj ngrihen prej tij duke mos e përmendur Allahun, do të jetë hidhërim për ta Ditën e Gjykimit”. (shënon Ahmedi).
Prej përmendjes së Allahut janë edhe:
-Leximi i Kuranit. Ebu Hurejre transmeton se i Dërguari i Allahut, paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush trason një rrugë që përmes saj të kërkojë dituri, Allahu me të do ia lehtësojë rrugën për në xhenet. Njerëzit nuk tubohen në një shtëpi prej shtëpive të Zotit (xhamive) për të lexuar aty librin e Zotit (Kuranin) dhe për ta mësuar atë veçse mbi ta zbret qetësia, i mbulon mëshira, i përthekojnë melekët me krahët e tyre dhe i përmend Zoti tek krijesat që janë afër Tij (melekët). Andaj kujt nuk i bëjnë dobi (ditën e gjykimit) punët e tij nuk i bën dobi as prejardhja e tij. (Muslimi).
-Istigfari, kërkimi falje për mëkatet.
Ibën Omeri transmeton se i numëronte fjalët e të Dërguarit, paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të, pëmes të cilave kërkonte falje, numri i të cilave, vetëm në një tubim të vetëm arrinte në njëqind. (Tirmidhiu dhe Ibën Maxhe).
-Lartësimi, falënderimi, kërkimi i xhenetit dhe ruajtja nga zjarri...
Ebu Hurejre, radijallahu anhu, transmeton se i Dërguari i Zotit, paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Zoti ka melek që bredhin rrugëve duke kërkuar njerëz që e përmendin Atë. Nëse gjejnë njerëz të tillë, atëherë thërrasin njëri-tjetrin: vraponi tek ajo që e kërkoni. Pasi afrohen i përthekojnë këta njerëz me krahët e tyre njëri mbi tjetrin deri në qiell. Allahu, edhe pse e di se çka është duke ndodhur i pyet këta melek: “Çfarë thonë robërit e Mi”? Të lartësojnë, të madhërojnë dhe të falënderojnë, ia kthejnë melekët. Allahu thotë: “A më kanë parë që të veprojnë kështu”? Jo, o Zot, nuk të kanë parë. “Po çfarë do bënin sikur të më shihnin”? Po të shihnin do të adhuronin, lartësonin dhe madhëronin edhe më tepër. Allahu prapë i pyet: “Çfarë luten ata”? Kërkojnë nga Ti xhenetin. “Por, a e kanë parë atë”?. Jo, o Zot. “Sikur ta shihnin si do vepronin”? Sikur ta shihnin do të kujdeseshin edhe më shumë për të, do ta kërkonin më tepër dhe do t’u shtohej dashuria për të. Allahu pyet: “Nga çfarë kërkojnë mbrojtje”? Kërkojnë mbrojtje nga zjarri. “A e kanë parë atë”. Jo, o Zot ia kthejnë melekët. “Po çfarë do të bënin sikur ta shihnin atë”? Do iknin sa më shumë prej tij dhe do frikësoheshin edhe më tepër. Atëherë Allahu thotë: “Dëshmoni për ta se ua kam falur mëkatet”. Një melek thotë: o Zot, në mesin e tyre ndodhet një njeri i cili ka ardhur për nevoja personale. Allahu me këtë rast thotë: “(faleni edhe atë) sepse ata (ata me të cilët rri ai) janë popull që nuk ua sheh sherrin”. (Shënon Buhariu dhe Muslimi)

2- Zgjedhja e shokut të mirë për të ndenjur me të

Ebu Musa Eshariu, radijallahu anhu, transmeton se i Dërguari, paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Shembulli i ndejës me njeriun e mirë dhe me të keqin është sikurse shembulli i bartësit të miskut dhe fryrësit të zjarrit. Bartësi i miskut ose të dhuron pak nga ai ose blen nga ai ose –së paku- shijon aromë të këndshme prej tij. Ndërsa fryrësi i zjarrit ose t’i djegë rrobat –me gacë- ose ndien erë të keqe nga ai”. (Buhariu dhe Muslimi).
Ebu Seidi transmeton të ketë thënë i Dërguari i Zotit, paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të: “Çdo udhëheqës pas vete ka dy lloj këshilltarësh. Ata të cilët e urdhërojnë kah e mira dhe e stimulojnë për të, dhe këshilltarë të cilët e urdhërojnë nga e keqja dhe e nxitin për të”. (Buhariu)
Alkame tregon si kishte shkuar në Sham, pasi ishte futur në xhami dhe i kish falë dy rekate namaz, ishte lutur duke thënë: “O Zot, ma mundëso të rri me një njeri i cili vërtet është i devotshëm”. Ai vazhdon tregimin e tij duke thënë: eca pak derisa u afrova tek disa njerëz ku edhe aty u ula. Me atë rast afër meje u ul një i moshuar për të cilin pasi pyeta të tjerët se kush ishte më thanë se ai ishte Ebu Derdai (një nga shokët e të Dërguarit të Zotit, paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të), të cilit i thashë: “Ju luta Allahut të ma ofroj një shok të mirë e ja, Ai të solli ty”. Ai më pyeti: Nga je? I thashë: nga Kufja. Prapë m’u drejtua: A nuk është në mesin tuaj Abdullah b. Mes’udi, bartësi i nallaneve të Pejgamberit, ai që hynte kur dëshironte në shtëpinë e tij dhe bartësi i enës së tij? A nuk është mes jush (Amari) ai për të cilin na tregoi Allahu përmes të Dërguarit të Tij se e ka mbrojtur nga shejtani. A nuk është në mesin tuaj ai (Hudhejfi) të cilit i Dërguari ia mësoi fshehtësitë (që Allahu ia pat treguar)? Pastaj më pyeti se si Abdullah b. Mes’udi e lexon suren Vel-lejli idha jagsha. Pasi ia lexova, më tha: për Zotin, këtë sure i Dërguari, paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të, ma pat mësuar drejtpërdrejt nga goja e tij në gojën time. (Buhariu 3742)
Ebu Hurejre, radijallahu anhu transmeton se profeti, paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Njeriu është në fenë e shokut të tij, andaj, secili të ketë kujdes me kë shoqërohet” (Ebu Davudi 4833 dhe Tirmidhiu 2378)
Muadh b. Xhebeli thotë: Mos u ul me njerëzit nga të cilët nuk përfiton dituri.
Ibën Mes’udi thotë: “Tri gjëra e mbushin zemrën e njeriut me besim: shoqërimi me dijetarë, leximi i Kuranit dhe agjërimi.”
Abdurrahman b. Ebi Lejla thotë: “Mos u ul me armikun tënd, ngase ai t’i përgjon dhe t’i tubon gabimet si dhe polemizon me ty kur ti e thua të vërtetën.”
Ibën Axhlani thotë: “Tri gjëra kurrë mos u pakësofshin por gjithmonë u shtofshin: Dirhemin e fituar në hallall që shpenzohet në hallall, vëllain në fe tek i cili gjen prehje dhe njeriun besnik të cilit kur i beson pasuri të rehatohet zemra”.

3- Ndalohet ngritja e njeriut nga vendulja e tij

Ibën Omeri transmeton se i Dërguari, paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të, ka ndaluar ngritjen e njeriut nga vendi i tij që të ulet në të personi tjetër. Por, ai ka thënë: “Zgjerojeni vendin për të tjerët duke u ngushtuar mes vete.” Për këtë shkak Ibën Omeri e urrente të ngritet njeriu nga vendi i tij që të ulej ai në të. (Buhariu dhe Muslimi). Ibën Omeri vepronte ashtu nga modestia, sepse kishte frikë se mos tjetri nuk ngrihet me dëshirë por nga turpi prej tij.


4- Njeriu nëse kthehet në vendin e tij, pasi është ngritur, ai ka të drejtë më shumë se çdokush tjetër të ulet aty

Ebu Hurejre, radijallahu anhu, transmetoi se i Dërguari, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Nëse ndokush nga ju ngrihet prej vendit të tij, e pastaj kthehet në të prapë, atëherë ai ka të drejtë më shumë se çdokush tjetër të ulet në të”.(Muslimi)
Imam Neveviu thotë: Fjala e të Dërguarit, paqja dhe lëvdatat e Allahut qofshin mbi të, e sapopërmendur tek dijetarët tanë ka kuptimin se nëse njeriu ulet në xhami apo të ngjashëm me të për namaz ose diç tjetër e pastaj largohet nga aty për të marrë abdes ose për ndonjë nevojë tjetër të shpejtë dhe kthehet shpejt, në këtë rast ky njeri ka të drejtë më shumë se çdokush tjetër të ulet në të në atë kohë të namazit. Nëse ndodhë të ulet gjatë kësaj kohe aty dikush tjetër atëherë e drejtë e këtij të parit është ta ngreh dhe të ulet vet në të kurse obligim i të dytit është ta respektojë kërkesën e tij duke u bazuar në këtë hadith. Ky është kuptimi i hadithit sipas dijetarëve të medhhebit tanë. Ndërsa disa dijetarë tjerë thonë: ngritja e të dytit nga vendi do të ishte e pëlqyer e jo obligim. Mendim ky të cilin e përkrah imam Maliku, edhe pse mendimi i parë është më i saktë. Dijetarët thonë se nuk ka dallim nëse njeriu ngrihet nga vendi duke mos lënë kurrfarë shenje në atë vend apo duke lënë ndonjë shenjë siç është sexhadja dhe të ngjashme. Por kjo e drejtë i takon atij vetëm për namazin paraprak e jo për të gjithë namazet. Allahu e di më së miri!

5- Mos pengimi i bashkëulësve në asnjë formë prej formave

Xhabiri tregon se një njeri ecte në xhami me shtizë në dorë të cilin kur e pa i Dërguari, salallahu alejhi ve selem, i tha: “Kape shtizën tënde nga maja”. (Buhariu dhe Muslimi)
Ebu Musa transmeton se i Dërguari ka thënë: “Kur ecni në tubim apo rrugë duke bartur me vete shtizë le ta kapë nga maja e saj, le ta kapë nga maja e saj, le ta kapë nga maja e saj”. Ebu Musa duke e komentuar këtë hadith thotë: eja me ne çfarë ndodh sot, nuk na erdhi vdekja veçse pasi i drejtuam majat e shtizave tona në fytyrat e vëllezërve tanë”.


6- T’i përshëndet me selam të pranishmit kur vjen dhe largohet nga mexhlisi

Ebu Hurejre transmeton se i Dërguri thotë: “Kur dikush nga ju vie në tubim le t’i përshëndesë të pranishmit me selam e pastaj nëse do le të ulet e pastaj le të ngrihet. Pasi të largohet prapë le t’i përshëndes prapë të pranishmit sepse selami i parë nuk është më i vlefshëm se i dyti”. (Ebu Davudi 5208, Tirmidhiu 2706).


7-Të ulet aty ku përfundon mexhlisi


Xhabir b. Abdullahu tregon se në kohën e profetit kur shkonin në mexhlis uleshin në fund të tij. (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu).


8-Mos t’i ndajë dy vetë që janë të ulur së bashku duke u ulur mes tyre


Abdullah b. Amër transmeton se profeti, thotë: “Nuk i lejohet askujt t’i ndajë dy persona duke u ulur mes tyre, veçse me lejen e tyre”. (Ebu Davudi 4844 dhe Tirmidhiu 2752)


9- Ta thotë lutjen e mexhlisit në fund të tij


Ebu Hurejre transmeton se pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Kush rri në tubim në të cilin shpeshtohen gabimet, pastaj para se të ngritet thotë lutjen: (Subhaneke allahume ve bi hamdike esh-hedu en la ilahe il-la ente estagfiruke ve etubu ilejke) i falen gabimet e atij tubimi”. (Tirmidhiu 3433)


10- Mos të ulet ca në hije e ca në diell


Ebu Burejde transmeton se babai i tij e ka dëgjuar të Dërguarin, salallahu alejhi ve selem, duke ndaluar uljen në një vend ku gjysma e trupit është në hije e gjysma tjetër në diell. (Ibën Maxhe)


11- Nëse kotet në tubim le të largohet që aty


Ibën Omeri tregon se e ka dëgjuar profetin, salallahu alejhi ve selem, duke thënë: “Nëse dikush nga ju kotet në xhami ditën e xhuma, le të largohet nga vendulja e tij duke u ulur në një vend tjetër”. (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu)


12- Mos të vëzhgojë bisedat e tjerëve që janë të ulur afër tij


Ibën Abasi transmeton se i Dërguari, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “Kush pretendon se ka parë ëndërr duke mos qenë e vërtetë një gjë e tillë, do të detyrohet që (ditën e gjykimit) t’i lidhë dy qime mes tyre gjë të cilën nuk mund ta bëjë. Kush mundohet t’i dëgjojnë dy vetë që janë duke biseduar mes vete e ata nuk kanë dëshirë, do i hidhet ujë i ngrohtë në veshin e tij. Kush vizaton fotografi (me shpirt), detyrohet t’ia jep shpirtin por nuk mundet”. (Buhariu 6635).


13- Mos të ndahen dy vetë për të biseduar duke u larguar nga i treti pa kërkuar leje prej tij


Abdullah b. Mes’udi radijallahu anhu transmeton se i Dërguari, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Nëse jenë tre vetë, mos të ndahen dy prej tyre që të bisedojnë fshehurazi duke e lënë anash të tretin, derisa nuk përzihen me njerëz tjerë sepse kjo gjë e hidhëron atë”. (Buhariu 5932, Muslimi 2184)


14- Mos ndërhyrja në bisedë folësit derisa të përfundojë


Ebu Hurejre, radijallahu anhu, transmeton se një ditë kur i Dërguari, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, ishte duke u mbajtur fjalim shokëve të tij erdhi një nomad dhe i ndërhyri në bisedë duke e pyetur; kur do të ndodhë kiameti, por i Dërguari vazhdoi në fjalimin e tij duke mos i dhënë përgjigje. Disa nga të pranishmit thanë se profeti nuk e dëgjoi, të tjerët thanë se e dëgjoi por e urrejti këtë pyetje prandaj nuk iu përgjigj. Pasi e kreu fjalimin e tij pyeti: “Ku është pyetësi i për ditën e gjykimit”? Pyetësi tha: ja ku jam, o i Dërguar i Zotit. Profeti i tha: “Kur të humbë amaneti prite kiametin”. Si humb ai, o i Dërguar, pyeti ai. Pejgamberi salallahu alejhi ve selem, tha: “Kur t’i besohet detyra personit jo korrekt për të, prite kiametin”. (Buhariu).


15-Nuk lejohet të mbështetet në shuplakën e dorës së majtë pas shpine kur është ulur


Sherid b. Suvejd thotë: “Kaloi afër meje i Dërguari, salallahu alejhi ve selem, unë duke qenë ulur në këtë pozicion, pra i mbështetur në shuplakën e dorës së majtë pas shpine, dhe më tha: “Mos u ul si ata me të cilët Allahu është i hidhëruar me ta” .(Ebu Davudi me sened të mirë).


16- Largimi nga rrugët dhe mos pengimi i njerëzve


Ebu Seidi transmeton se i Dërguari, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Largohuni nga ulja rrugëve”. Shokët e tij thanë: ndonjëherë na duhet patjetër të ulemi në të sepse kemi nevojë të bisedojmë. Atëherë profeti, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, ju tha: “Nëse duhet patjetër të uleni, atëherë jepjani rrugës të drejtën e saj”. Pyetën: Cila është e drejta e rrugës, o i Dërguar i Zotit? Tha: “Ulja e shikimit, mos pengimi i tjerëve, kthimi i selamit (përshëndetjes), urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja”. (Buhariu dhe Muslimi).


Përshtati: Lulzim Susuri
 
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.