MЁNYRA E ABDESIT

 
Lidhja e bukur e quajtur: “Motra nė Islam” PDF Printoni E-mail
Shkruar nga ...   
e martė. 11 shtator 2012


Ju nuk jeni besimtare të vërteta deri sa të doni për motrën tuaj atë që doni për veten...





Lidhja e motrave në Islam është diçka shumë e veçantë. Nëse një motër afrohet në këtë lidhje si praktikuese fillestare, apo qoftë duke e zbatuar e plotësuar ndonjë urdhëresë si (mbulesën), motrat e saja në Islam e trajtojnë në atë mënyrë, saqë askush s’e ka bërë më parë, madje as familja e saj. 

Çfarë e bën këtë lidhje aq të veçantë?

1. Ato i duan motrat e tyre në Islam vetëm për Hir të Allahut.

Nuk është me rëndësi se çfarë ngjyre lëkure ke, gjuhën që ti flet, statusi i familjes tënde, nëse jeni të pasur apo të varfër, në Islam të gjithë jemi të bashkuar si një familje e vetme. Besimi në Allah na ka bashkuar. "S'ka dyshim se besimtarët janë vëllezër..." (Kuran 49: 10).

I Dërguari ynë, sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë:"Askush nga ju nuk do të arrijë kënaqësinë dhe ëmbëlsinë e besimit derisa të jetë Allahu dhe i Dërguari i tij më i dashur se vetja dhe çdo gjë tjetër, ta dojë një person vetëm për hir të Allahut pa asnjë arsye tjetër, dhe të urrej kthimin mbrapa në mohim ose mosbesim, ashtu siç urren të hidhet në zjarr." (Buhariu dhe Muslimi).

2. Gjendja e dy vetave që duhen për hir të Allahut

Ekzistojnë shpërblime të mëdha për ata që duhen për hir të Allahut.

"Ku janë ata që e donin njëri- tjetrin për hir të Madhështisë Sime? Unë sot do t'i strehoj ata nën hijen Time, në këtë ditë kur nuk ka hije tjetër, veç hijes Sime.” (Muslimi)

I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem thotë: Një njeri shkoi të vizitonte vëllanë e tij në një fshat tjetër. Allahu dërgoi një engjëll në rrugën nga do të kalonte. Kur ai kaloi pranë tij engjëlli e pyeti: Ku po shkon? Dua të shkoj të vizitoj një vëlla në këtë fshat,- u përgjigj ai. A ke ndonjë interes që po shkon?- vazhdoi engjëlli. –Jo,-tha ai. -Unë e dua atë për hir të Allahut, prandaj dua të shkoj ta vizitoj.“Unë jam meleku i Allahut. Jam dërguar tek ti për të të komunikuar, që Allahu të do, ashtu si e do atë për hir të Tij.- tha engjëlli. (Muslimi)

Po ashtu ne jemi të inkurajuar për t’i treguar njëri-tjetrit, për të nxitur dashurinë në lidhjet mes nesh. Transmetohet nga Enesi radijallahu anhu, që ka thënë se një njeri ishte tek Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem dhe kalon aty një njeri tjetër, kurse ky që ishte tek Pejgamberi tha: “O i Dërguar i Allahut, unë vërtet e dua këtë njeri.” Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem tha: “A e ke njoftuar atë se e do?” Tha: “Jo.” Pejgamberi i tha: “Njoftoje.” Ky e takon dhe i thotë:“Unë të dua për hir të Allahut.” Ai i tha: “Allahu të dashtë, që për hir të Tij më deshe”. (Ebu Davudi)

3. Efekti i dashurisë për hir të Allahut në jetën e besimtares

Është e rëndësishme që ne të përshëndetemi në mënyrën e duhur sipas rregullave islame. I Dërguari sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: Pasha Atë në dorën e të cilit është shpirti im, nuk do të hyni në Xhenet përderisa nuk besoni dhe nuk do të besoni përderisa nuk do ta doni njëri-tjetrin. A doni që t’ju këshilloj për diçka që nëse e praktikoni, do ta doni njëri-tjetrin? Përhapni përshëndetjen me selam mes jush”. (Sahih Buhari)

Dhe kur njeri prej nesh është i dëmtuar, i shtypur, apo duke vuajtur në një farë mënyre, ne të gjithë e ndjejmë atë dhimbje. Do të shikoni se besimtarët në dhembshurinë që kanë për njëri-tjetrin janë si puna e një trupi: nëse një pjesë e tij ndien dhimbje, pjesa tjetër e trupit vuan nga pagjumësia dhe ethet.

4. Ajo nuk heq dorë, nuk e braktis motrën e saj

Ne nuk lejojmë që mospajtimet tona apo keqkuptimet të na mbajnë larg. Ne punojmë që t’i mbajmë fort lidhjet tona. I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem thotë: "Nuk i lejohet besimtarit hidhërimi me vëllanë e tij më shumë se tri ditë, kur ata takohen dhe ia kthejnë njëri-tjetrit fytyrën, më i miri nga ata është ai që i pari i jep selam vëllait të vet". (Buhariu dhe Muslimi) Dhe e gjitha çka na duhet neve për të përmirësuar në këtë lidhje është të përshëndetemi me përshëndetjen e paqes “Es-Selamu Alejkum” “Paqja e Allahut qoftë mbi ju”.

Ne gjithmonë duam më të mirën për njëra- tjetrën, po ashtu shmangemi nga dëmtimi i motrave tona në Islam. I Dërguari i Allahut sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë:“Mos i bëni zili njëri-tjetrit, as mos e mashtroni njëri-tjetrin; mos e urreni njëri-tjetrin; mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, duke u hidhëruar; mos i ndërhyni njëri-tjetrit në shitblerje. Bëhuni, robër të Allahut, vëllezër të vërtetë. Muslimani është vëlla i muslimanit. Nuk i bën atij padrejtësi, nuk e dëmton, nuk e tradhëton. Devotshmëria është këtu.” Tri herë tha duke bërë shenjë në gjoksin e tij. “Një njeriu i del mjaft e keqja, nëse e nënçmon vëllanë e tij musliman. Çdo muslimani i janë të shenjta dhe të paprekshme patjetër jeta, pasuria dhe nderi i muslimanit tjetër”. (Muslimi).

Po ashtu porositemi të mos mbajmë mëri. I Dërguari ynë, Muhamedi sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: "Dyert e xhenetit janë të hapura të hënave e të enjteve, dhe çdo rob (i Allahut), që nuk bën shirk është i falur, përveç një njeriu që ka në mes tij dhe vëllait të tij mëri e inat. Thuhet: "Prisni derisa të pajtohen, prisni derisa të pajtohen, prisni derisa të pajtohen." (Muslimi).

5. Ajo fal, është toleruese ndaj motrës së vet

Allahu i Lartmadhëruar në Kuranin Fisnik thotë për të devotshmit “...e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit.” (Kuran 3: 134).

6. Ajo takohet me motrat e veta me fytyrë të buzëqeshur

Profeti Muhamed sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: "Mos e nënvlerëso asnjë të mirë, qoftë dhe një buzëqeshje para vëllait tënd." (Muslimi).

7. Ajo është besnike dhe e sjellshme ndaj tyre

Ne duhet të përpiqemi të bëjmë më të mirën për të ndjekur shembujt nga i Dërguari ynë sal-lallahu alejhi ue selem, i cili ishte shëmbëlltyra më e mirë e mirësjelljes dhe e tolerancës. Enes ibën Maliku, Allahu qoftë i kënaqur me të, shërbëtori i tij dhe shoqërues i vazhdueshëm e përshkroi karakterin e tij fisnik në këtë mënyrë: “I kam shërbyer të Dërguarit të Allahut, paqja e Allahut qoftë mbi të, 10 vite dhe ai kurrë nuk më ka thënë as “Uh!”. As nuk më ka thënë për çka do që kam bërë: ‘Pse e bëre këtë? As nuk më ka thënë për çka do që kam lënë: Pse e ke lëre këtë?(Buhariu dhe Muslimi).

Duhet të përpiqemi të bëjmë më të mirën në sjelljen ndaj motrave tona.

Pejgamberi ynë sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: Nuk hyn butësia në ndonjë gjë e që mos ta zbukurojë atë, dhe nuk largohet nga ndonjë gjë e që mos ta shëmtojë atë.” (Muslimi).

8. Ajo nuk përgojon ndaj tyre

Ne duhet të shmangemi rreptësisht nga shpifjet, thashethemet ndaj motrave tona në Islam. “...Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njeri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Sigurisht që ju do ta urrenit këtë! Kijeni frike Allahun! Me të vërtetë, Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë.” (Kuran 49: 12).

Pejgamberi ynë sal-lallahu alejhi ue selem ka paralajmëruar Muadh ibën Xhebelin, duke kapur gjuhën e tij e ka thënë:Ruaje këtë.” I thashë: “O Pejgamberi i Zotit, a thua edhe për këtë përgjegjës do të jemi?” Ai tha: “Të mos pastë nëna o Muadh! E çka tjetër i hedh njerëzit në zjarr përveç gjuhët e tyre të këqija." (Tirmidhiu).

9. Ajo është bujare dhe i nderon motrat e veta

Duhet te jemi gjithmonë të etur për të ndarë atë që e kemi, pa marrë parasysh sa e vogël mund të jetë. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: Përhapeni selamin në mesin tuaj, jepuni ushqim njerëzve, mbani lidhjet familjare, dhe, kur njerëzit të flenë, ju falni namaz, ngase kështu hyni në xhenet me paqe. (Ahmedi).

Muhamedi sal-lallahu alejhi ue selem gjithashtu ka thënë: "Në xhenet ka dhoma në të cilat ana e jashtme e tyre shihet nga brenda dhe ana e brendshme e tyre shihet nga jashtë. Këto i ka përgatitur Allahu për atë, i cili i ushqen nevojtarët, flet mirë, agjëron shpesh dhe falet natën, kur të tjerët flenë.” (Ahmedi).

10. Ajo lutet në mungesë të motrave të veta

Dhe kur ndonjë motër e dashur, apo ndonjë mike është larg prej nesh ne lutemi për të.

I Dërguari sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: "Lutja më e shpejtë për t'u përgjigjur është lutja e një njeriu që lutet për vëllanë e vet në mungesë të tij." (Buhariu)

Ju nuk jeni besimtare të vërteta deri sa të doni për motrën tuaj atë që doni për veten. Ne duam për motrat tona, që të jenë në xhenet, aq shumë sa duam për veten tonë, që të jemi atje. Ne bëjmë përpjekje t’i lutemi Allahut së bashku krah për krah në këtë lidhje të bukur të quajtur motra në Islam.

Përshtati nga anglishtja: Burbuqe R.
Revista Albislam
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.