MЁNYRA E ABDESIT

 
Agjėrim nga zemėrimi, padurimi dhe dukuritė negative PDF Printoni E-mail
Shkruar nga ...   
e premte. 03 gusht 2012

 Përmes agjërimit të Ramazanit ndjehem më afër Zotit, e pastër, më e vetëdijshme dhe më e ndjeshme. Le të na zgjasë gjatë pjesës tjetër të vitit kjo forcë që e fitojmë nga agjërimi!



|


Si prezantuese në kanalin muzikor ‘MTV Europe’, Kristiana Bejker u bë ikonë e kulturës së muzikës pop të viteve 1990. Më 1995 pranoi Islamin. Në këtë artikull, Bejker ndan disa përvoja të saj personale të Ramazanit dhe mendon në kuptimin e muajit islam të agjërimit.

Prezantuesja televizive dhe gazetarja Kristiana Bejker merr forcë dhe gëzim nga agjërimi i Ramazanit, të cilin ajo e përshkruan si “përvojë të mrekullueshme”.

Ramazani im i parë, kur isha 30 vjeçare dhe myslimane relativisht e re, ishte  pak i vështirë. Që kur u bëra myslimane, e kisha një vit të rëndësishëm, plot ngjarje. Isha shpërblyer si prezantuese televizive në ‘MTV Europe’ dhe prezantuese e shfaqjes për të rinj ‘Bravo TV’ në Gjermani. Por konvertimi im i dha shkëndijë një fushate negative të shtypit në mediat gjermane të cilat ndikuan në humbjen e punës që kisha pothuajse gjatë natës.

Ndryshimet e mëdha të brendshme që i kaloja në rrugën për t’u bërë myslimane,  bënë që unë të përqendrohem në atë se çfarë ndodhte me mua: lidhja ime me Zotin, të mësuarit për besimin dhe fillimi i riorientimit të jetës sime dhe më e rëndësishmja, vetes sime.

Në mbrëmjen para Ramazanit tim të parë, bëra gabim se dola me shoqe dhe mora dy gota shampanjë. Ditën tjetër u shtriva në shtrat e dehidruar dhe me një dhembje të kokës. Më në fund, në orën tre pasdite, u zgjova duke i thënë vetes se Ramazani nuk është për mua. Zoti më faltë!

Testi i besimit , forcës dhe karakterit

Vitin tjetër gjeta një punë tjetër, drejtoja një program kulturor, ditor, në ‘NBC Europe’. Ramazani përkoi me festën e krishtlindjeve. Me qëllim që të kemi pushim për krishtlindje, duhej që t’i përgatitnim nga dy programe në ditë, që nënkuptonte  incizimet në terren dhe ato të zërit prej mëngjesit në mbrëmje. Mendoja se kurrë nuk mund t’ia dilja sepse gjithmonë pija ujë në mes këtyre xhirimeve, por Zoti e bëri ujë gojën time dhe kaloja shpejt agjërimin. Natyrisht më ndihmonte lënia e alkoolit. Shumë kolegë më bënin komplimente se dukesha e pastër dhe shkëlqeja. Vërtet ishte një përvojë e mrekullueshme. Prej atëherë, qe 13 vite, unë e agjëroj çdo Ramazan por në të vërtetë jam pak e brengosur për ditët e gjata që po vijnë. Por e falënderoj Zotin që çdoherë më forcon.

Ramazanin e kaluar isha e ngarkuar me një xhirim në Gjermani për ‘Travel Channel’. Në atë kohë mora mesazhe të shumta përmes e-mailit, Twiterit dhe Facebookut nga e mbarë bota, ku më uronin Ramazan të bekuar. Mendova “nuk mundem kurrsesi ta marrë si justifikim udhëtimin e t’i largohem agjërimit”. Kërkova nga hoteli lokal që të ma përgatisnin mëngjesin natën që të mund të haja syfyr dhe të pi ujë aq sa të mundem.

U ktheva në shtrat dhe isha gati në orën 9 të mëngjesit për xhirim tërë ditën. Vetëm se fillova të ndjej dhembje koke pasdite, por fatmirësisht atëherë e përfunduam dhe mund të pushoja në një ulëse komode në aeroportin e Frankfurtit, para hipjes në aeroplan. E fillova iftarin me një drekë të paketuar para uljes së aeroplanit dhe isha me fat se isha e mirëpritur në shtëpi nga shoqet në darkë.

Dita e parë e Ramazanit ishte më e vështira. Prej atëherë trupi im u adaptua me regjimin e ri dhe madje vërtet nuk ndihesha e uritur; vetëm se ndihesha e lodhur herët dhe pak e dobësuar kah fundi i muajit. Ndjeja se agjërimi më ndihmonte pamasë të sundoja egon time dhe ndihesha afër Zotit, afër agjëruesve dhe të varfërve.

Mrekullitë e Ramazanit

Sipas një hadithi, “Dyert e xhehenemit janë të mbyllura dhe dyert e parajsës janë të hapura” për ata të cilët agjërojnë gjatë Ramazanit. E ndjeja këtë se ishte e vërtetë dhe nganjëherë kisha përvoja që i quaja mrekulli të Ramazanit.

Njëherë pësova një rënie të unazës së shtyllës kurrizore pak para Ramazanit. Ishte e dhimbshme, por gjëja më e keqe ishte thënia e mjekut se duhej t’i harroja planet e mia për shkuarje në Haxh, në Mekë.

Falë namazit dhe fizioterapisë së thellë, u shërova pa operacion gjatë muajit të Ramazanit. Kirurgu vërtetoi se ishte vërtet mrekulli e shërimit pasi ishte shumë rast i keq. Kështu, falë Zotit, unë shkova në Haxh! 

Natyrisht puna nuk ndalet gjatë Ramazanit në Londër, kështu që mund të jetë pak e vështirë kur takohesh me njerëz që nuk agjërojnë, por kjo është pjesa e sfidës.
Unë nuk shoqërohem dhe nuk shkoj në kinema shpesh. Në vend të kësaj kaloj më tepër kohë duke lexuar Kur’anin ose libra fetarë, duke lutur dhe kërkuar prej Zotit. Dhe më së më shumti mundohem të agjëroj nga zemërimi, padurimi, thashethemet dhe nga veprat tjera negative.
 

Fryma e komunitetit në Ramazan


Këtë vit mund të marrë pjesë në “Agjërimi dhe ushqimi”, projekt në të cilin myslimanët i ftojnë njerëzit e pastrehë në xhami për t’iu shpërndarë ushqim dhe për të biseduar për rëndësinë e Ramazanit. Gjithashtu do të jem e pranishme në një iftar me deputetë dhe policë.

Por çka vërtet më pëlqen është iftari te shoqja ime arabe; ajo shpesh i fton shoqet për iftar. Kjo më jep ndjenjën e ngrohtësisë dhe dashurisë, fryma e festës së komunitetit në Ramazan, dhe ndjenja e shpërndarjes, e cila përkundrazi na mungon në perëndim, posaçërisht kur dikush nuk ka familje myslimane, është i pamartuar dhe punon.

“Prej MTV në Mekë”: Në librin e saj, Kristiana Bejker shkruan rreth kthimit të saj në Islam. Njëherë isha në Egjipt ditën para se të fillonte Ramazani. Fillova të qaj kur pashë qindra njerëz në sheshin kryesor duke shikuar hënën dhe duke qarë: Ramazan i bekuar, hëna e bukur, ku je? Kur e panë, ishte si një festë, një ngjarje e gëzuar e komunitetit.

Edhe në Londër e ndjej që Ramazani është një kohë e veçantë dhe e bekuar. Besoj se kjo disiplinë shpirtërore vjetore është çelës për transformimin dhe përmirësimin e vetes si qenie njerëzore – natyrisht është një rrugë e gjatë për t’u bërë. Kam marrë mbështetje në jetën time, kam menduar se çka dua të përmirësojë, me punë aktive në faljen e njerëzve, të cilët mund të më kenë lënduar dhe fyer zemrën time, natyrisht e lus Zotin për falje.

Në një pozitë më të lartë


Përmes agjërimit të Ramazanit ndjehem më afër Zotit, e pastër, më e vetëdijshme dhe më e ndjeshme. Madje edhe ndjesia e shijes është e rritur. Kjo sepse unë jam në një pozitë të ndryshme, më të lartë. Gjithmonë dëshiroj që kjo ndjesi të zgjatet sa më shumë që mundet. 

Më pëlqen pamasë namazi i Bajramit me xhemat; është shumë i bukur dhe melodik dhe njeriu ndihet vërtet i bashkuar me myslimanët tjerë në besim dhe në Zot. Gjithashtu ndjej një gëzim të pashembullt se jam e fortë dhe në kontroll të trupit tim dhe shtytjeve të mia – e jo në ndonjë mënyrë tjetër.

Le të na zgjasë gjatë pjesës tjetër të vitit kjo forcë që e fitojmë nga agjërimi!

Marrë nga: www.kristianebacker.com

Nga anglishtja: Fexhrie Kaçiu
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.