MЁNYRA E ABDESIT

 
MĖ AFĖR ZOTIT, kjo tė qetėson! PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Avni Tafili   
e hėnė. 14 maj 2012
 Ke Zotin afër, të mjafton Atij t’i dorëzohesh, prej Tij ndihmë e mbrojtje të kërkosh! Çdo gjë është nevojtare për Krijuesin e çdo gjëje, Allahun e Gjithëpushtetshëm!





“Edhe vetëm një pikë loti me dashuri ndaj Zotit, mëshirohesh e falesh, e kodrat para teje bëhen të rrafshëta. Më pranë mëshirës, edhe kur njerëzit të largojnë e të urrejnë. Kur me inat e urrejtje të shikojnë, ty të mjafton që Zotin e ke afër, nëse me pendim të sinqertë i kthehesh. Njerëzit janë të ngutshëm, ata mund të jenë të mangët në dituri e të sëmurë në zemra, të gjykojnë e të fyejnë, por të mjafton që Allahu është Gjykuesi më i drejtë, të mjafton, Ai është Durimtar e i Butë. Përpiqu t’iu shmangesh mendjeve e zemrave të sëmura, ti afroju Zotit tënd!

Mos kërko prej njerëzve dashuri e paqe. Ata mund të jenë të vrazhdë, të ashpër, inatçor, e dashakeqës, ty të mjafton që ke Zotin afër, i Dashur e i Mëshirshëm. Mjafton që t’ia mbështetësh çështjet e tua, e të mos shpresosh prej askujt veçse prej Zotit tënd. Ata mund të thonë që janë adhurues të Zotit, Atë Zot që ti e beson, por mund të mos i kenë ikur kurtheve të djallit të mallkuar, e janë mbushur plot urrejtje e xhelozi. E të jenë kryelartë e kokëfortë, ndërsa duke e menduar veten e tyre të drejtë e të pastër, e ty zemrën ta thyejnë e të shqetësojnë; por ti falëndero e lartmadhëro Zotin tënd, Atë e ke afër!

Qëndro sa më afër Zotit, edhe kur shpifjet ndaj teje të rëndojnë zemrën e të shqetësojnë shpirtin; ty të mjafton Zoti, Atij i takon sundimi mbi çdo send, fjalët ende pa dalë prej gjuhëve të tyre, ishin në dijeninë e Zotit tënd, për ty mund të ketë përgatitur shpërblime të mëdha; kur sprovohesh, forcohesh, e je më afër Zotit tënd. Ti në sytë e njerëzve mund të jesh i ulët, mund të jesh i pavlerë, por përderisa ti i je nënshtruar vullnetit të Zotit tënd, e përderisa ti përpiqesh me aftësitë dhe mundësitë e tua për t’u bërë adhurues i denjë e i devotshëm ndaj Tij, të mjafton që je gjithnjë e më afër Zotit tënd!

Afër Zotit, në anën e djathtë të Arshit. Froni i pushtetit të të Gjithëpushtetshmit! Ai është i Gjithëfuqishëm. Ti kapu për fjalën e Tij. Në ditën e Llahtarshme, kur njerëzit tmerri e trishtimi ka për t’i kapluar, ti i qetë e i dashur tek Sundimtari i Vërtetë ke për t’u prehur. A je ti ai që do dhe urren ndaj të tjerëve atë që do dhe urren për veten? A je ti ai që e përmban veten në hidhërim e zemërim? A je ti ai që kur shkelet nderi i besimtarit e ndihmon e nuk hesht? A je ti ai që e shpërndan paqen e mirësinë, respektin e dashurinë? A je ti ai që respekton prindërit e vet, është i butë ndaj të moshuarve e i mëshirshëm ndaj të vegjëlve? A je ti ai që respekton fqinjin? A je ti ai që i ndihmon të varfrit e nevojtarët fshehurazi e haptazi? A je ti ai që mbron nderin e pasurinë e të tjerëve?

Vërtet prehje e qetësi për adhuruesit e devotshëm ndaj Zotit të tyre! Atë ditë, kur vepra flet. Kur gjymtyrëve të trupit u jepet e folura. Kur besimtarët e sinqertë nën hijen e Fronit të Zotit të tyre strehohen! Ke Zotin afër, të mjafton Atij t’i dorëzohesh, prej Tij ndihmë e mbrojtje të kërkosh! S’të vyen fjala e mendimi, e as ngushëllimi e admirimi i njerëzve. Çdo gjë është nevojtare për Krijuesin e çdo gjëje, Allahun e Gjithëpushtetshëm! Të kesh besim, fuqinë e udhëzimit të drejtë, e cila buron prej një zemre të zgjuar e arsye të shëndoshë; një bindje e fortë dhe e palëkundur, e cila lëviz jo vetëm gjymtyrët e trupit, dëshmitare nesër, por edhe ndjenjat, edhe lëkurën rrëqeth, kur Zotin e përkujton e të përkujtohet! Bindja ndaj Zotit, bindje e plotë. E ke shumë afër! Sinqeritet. Dëgjueshmëri e respekt; vepër e zemrës. Njerëzit nuk dinë ç’mbajnë zemrat.

Të jesh i dashur e i dhembshëm. I qëndrueshëm e guximtar. Kur lotët të rrjedhin, e shpina të përkulet, e kur fytyra në tokë të bie, e buzët të dridhen, e gjuha të lëvizë, kënaqësinë e Zotit tënd duke e kërkuar; me përgjërim e dashuri. Ata që në çastin e Tmerrit dhe Trishtimit, nuk frikësohen e as nuk shqetësohen!...” 

(Pjesë nga libri “Më afër Zotit” nga Avni Tafili)
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.