MЁNYRA E ABDESIT

 
Pasuria e muslimanėve PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Avni Tafili   
e martė. 01 maj 2012
 “Ata, të cilët pasurinë e vet e shpërndajnë (në rrugë të Zotit) natën e ditën, fshehurazi ose haptazi, ata shpërblimin e vet e kanë te Zoti i tyre dhe për ta nuk ka as frikë as pikëllim.” – [Kur’an, 2:274]




              
Ide e plane për të ushqyer të varfrit, jetimët e skamnorët, thuajse kanë të gjithë. Por, ide e plane për t’u dhënë krah të varfërve, jetimëve e skamnorëve për t’i gjallëruar e për t’i forcuar, ka fare pak! 
 

Muslimanët s’janë të varfër. E kush tha që të jesh musliman do të thotë të jesh skamnor, varfanjak, i pastrehë, i dobët, e i gjorë?! Muslimanët janë më të pasurit në fytyrë të tokës. Po, muslimanët janë të varfër, por jo në mall, por në ide. Jo, muslimanët nuk dinë të investojnë, nuk dinë ta zhvillojnë pasurinë e tyre. Dinë ndonjëherë të jenë të dhimbshëm, vetëm atëherë kur në media shfaqet ndonjë familje skamnore apo ndonjë rast i rëndë, e aty për aty preken emocionalisht dhe japin, pastaj mërdhihen dhe ulen e ngopen!

Të jesh dorëlirë deri në skaje, nuk është e ndaluar. E di, ty të vjen në mendje porosia kur’anore, që muslimani s’duhet të jetë as dorështrënguar e as tepër dorëlirë! Por, më thuaj, Ebu Bekri, (radijAllahu anhu), që dha tërë pasurinë e të tjerë që ndoqën shembullin e tij, u qortuan apo u lëvduan?! Jo, Ebu Bekri, (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), u lëvdua! E dorështrënguar janë ata që s’janë të bindur plotësisht ndaj Allahut dhe Ditës së Gjykimit, dhe të pafetë. Edhe pse japin shumë, ata japin për të marrë me tepër se sa e meritojnë!

Pse aty ku jeton shoqëria muslimane ka varfëri?! Ka prapambetje?! Ka ngecje në zhvillime?! Po ka edhe urrejtje, ndasi e përçarje?! Po, sepse muslimanët e pasur pasurinë e tyre ose e kanë fshehur në themelet e shtëpisë ose e kanë deponuar në shtëpitë e të huajve. E ata, të huajt, e menaxhojnë pasurinë e muslimanëve sipas planit të tyre – mbajtja nën robërim e shoqërisë muslimane.

Muslimanët të paditur, të rreptë e të dëshpëruar! E si të mos jenë? Po nëse në këtë gjendje do të ishin pasanikët e huaj në shoqëritë e tyre, do të shihje jo njerëz të paditur, të rreptë e të dëshpëruar, por njerëz mishngrënës! Por, muslimani i shkretë duron, duke shpresuar se një ditë pasanikët muslimanë do të udhëzohen dhe durimi i tyre do të shpërblehet.

E jo pra! Ata muslimanë pasanikë nuk kanë për t’u udhëzuar përderisa pasurinë e tyre e shfrytëzojnë për interesat e tyre të ngushta individuale. E s’kanë për të hyrë në Kënaqësinë e Allahut përderisa pasurinë e tyre nuk e investojnë në rrugë të Allahut! Ç’do të thotë të japësh në rrugë të Allahut?! Të shpëtosh e të gjallërosh një shoqëri! Të formosh fond, e të thërrasësh edhe pasanikë të tjerë muslimanë, e pastaj të hartohen projekte për t’i ndihmuar kategoritë e njerëzve më me urgjencë për t’u vënë në përkrahje.

Sot, për çka kanë nevojë më së tepërmi muslimanët?! Kanë nevojë për shkollim dhe edukim! Sa investojnë muslimanët për shkollimin dhe edukimin e gjeneratave të reja? Fare pak! Kush e mori një student të devotshëm, të mundur nga kriza dhe ta ndihmojë e ta përkrahë të mbarojë studimet në paqe?! E kush ndihmon në shkolla, e investon njëmend në aftësimin e të rinjve të Ummetit?! Po kush përkrah të miturit, të rinjtë e të rejat?! Pak, e fare pak, e sipërfaqshëm! Jo, muslimanët që kanë mall e pasuri kanë llafe! Jo, madje disa s’kanë as llafe, por paratë e tyre i investojnë në gjëra të ndaluara, në fusha që i ndihmojnë shkatërrimit të shoqërisë. Në dëfrim e shtim të mallit haram!

Projektet më të njohura ndër muslimanë janë: hoteleritë, restorantet, kafe-baret, supermarketet, butikët. Mos kam harruar ndonjë projekt tjetër, ku paratë e muslimanëve destinohen? Po, edhe në arkat e bankave! E ky është pra investim, që muslimanëve gjakun po ua pi me pambuk!

Islami është paqe! Nuk është luftë! E bankat joislame i kanë shpallur njeriut luftë, ndërsa Islami thotë: Ndal! Mos keqpërdor pasurinë e njerëzve! Kur paratë destinohen nëpër arkat e bankave joislame, deponuesit u paraqesin disa oferta (kurthe), ose bashkëpunim (aleancë në mashtrim), ndërsa qytetarit nevojtar ia tregojnë kushtet, ose me paratë e ofertuesit ose me paratë e bashkëpunëtorit. Jo, luftë s’kanë shpallur, por duan të bëhen të pasur në kurriz të njerëzve nevojtarë!

T’i kthehemi projekteve! Projekt me gjithë mend! Bejtu-l-Mal s’ka! E ç’dimë ne se ç’është kjo?! Është Shtëpia e Pasurisë së Muslimanëve. Kush prej muslimanëve është në gjumë, e lë pasurinë aty, ndërsa muslimanët e zgjuar marrin aty për të zhvilluar dhe shpërndarë pasurinë e tij në shoqëri. Kush s’ka ide sesi ta shfrytëzojë pasurinë e tij, nuk e deponon, por e le në qarkullim, ama në duart e njerëzve muslimanë që kanë ide dhe plane.

Ide e plane për të ushqyer të varfrit, jetimët e skamnorët, kanë të gjithë. Por, ide e plane për t’u dhënë krah të varfërve, jetimëve e skamnorëve për t’u gjallëruar e për t’u forcuar, ka fare pak. Nuk është rëndë të ndihmosh një familje, vetëm merr pak prej pasurisë dhe ua dërgon, por ta pavarësosh atë familje nga pasuria jote, është pak rëndë sot për sot! Sot pasuria e muslimanëve shkapërderdhet, varëson, e nuk qarkullon e nuk pavarëson!

E kjo është pra dora e shtrirë! Shtrihet, e shkapërderdhet, e vetëm barqet ngin. Ndërsa Allahu është Ai që furnizon. Dhe, thuhet fjala popullore: askush prej urisë s’ka vdekur. Edhe pse nëpër mediat e “të mëshirshmëve” – organizatat e huaja, na tregojnë neve sesi njerëzit nëpër Botë vdiqën prej urisë, jo ata s’po vdesin prej urisë, por prej bukës që u jepet.

Pra, le ta dimë o Ummet! Se pasuria është përgjegjësi e madhe. Sado qoftë ajo, nëse ti nuk e shfrytëzon në rrugë të Allahut, dije se, herët a vonë, ajo pasuri do të kthehet në zjarr kundër teje. Ruana Zot! Edhe dije se, sadakaja dhe zekati nuk duhet të shkapërderdhet, por të shpërndahet! Shpërndarje nuk është vetëm sadakaja dhe zekati, por e tërë pasuria jote! E kur ti tërë pasurinë tënde e fut në qarkullim në rrugë të Allahut – në dobi të shoqërisë, atëherë flasim edhe për zgjim të Ummetit dhe ngritje të tij!

Mjerë! Prapë mjerë për ata njerëz që shtiren se Zotit i besojnë, ndërsa me pasurinë e tyre rrugën e Tij e pengojnë! Kur vetëm për një fjalë, që dikë e ka rënduar, llogari do të kërkohet, po çka për atë që me pasurinë e tij dobëson e shkatërron me mijëra?!

“Ata që nuk besuan, shpenzojnë pasurinë e tyre për të penguar nga rruga e Allahut. Ata do ta shpenzojnë atë dhe ajo do të bëhet dëshpërim i tyre, madje ata do të mposhten. E ata që mohuan, do të përmblidhen vetëm në xhehennem.” – [Kur’an, 8:36]

Dijeni o ju muslimanë të pasur me mall, se malli e pasuria, gratë e familja, e gjithçka në këtë jetë është sprovë e provë. Ato u janë zbukuruar për t’u dalluar kush e do të ardhmen tek Allahu e kush jo.

“Njerëzve u është zbukuruar dashuria ndaj të këndshmeve, ndaj grave, djemve e ndaj pasurisë së grumbulluar nga ari e argjendi, ndaj kuajve të stolisur, bagëtisë e bujqësisë. Këto janë kënaqësi të kësaj bote, po tek Allahu është e ardhmja më e mirë.” – [Kur’an, 3:14]

E ti, pranove apo refuzove, gjithçka i takon Allahut, asnjë gjë s’është pronë e jotja! As orizin e sheshtë që hanë të pasurit!

Allahu na ruajttë e na udhëzoftë!  
 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.