MЁNYRA E ABDESIT

 
Besim, jo thjesht fjalė PDF Printoni E-mail
Shkruar nga Avni Tafili   
e enjte. 12 prill 2012
 Zemra e nënshtruar dhe mendja e bindur, është një shpirt i qetë dhe i siguruar. Po këta janë besimtarët; në zemra, në mendje e në fjalë, e në vepra.





Besim, thjesht fjalë, po s’u shijua, është e thatë. Pak e kuptueshme. Pak e rëndësishme. Edhe pse si fjalë thuajse jep një kuptim, por pak zemrën mund të ngrohë, e pak mund të gjallërojë. Si një formulë, po s’u provua lënda, ngelet thjesht fjalë. Numra. Po u provua lënda si lëndë dhe ndihet e preket, njihet e kuptohet. Uji, e shijojmë. Formula e saj nuk shijohet. Uji, etjen na e shuan. Jo formula. Jo fjala. Ujë, po s’e provuam etjen, po s’e provuam humbjen e tij, nuk i japim edhe aq rëndësi. Kur etja na kaplon, dhe e provojmë, pëshpëritim plot bindje për rëndësinë që ka. Edhe gjumë, fjalë që s’e shijojmë aq sa duhet, veçse atëherë kur ndiejmë plogështi të thellë.

Bindja, një provë. Njeriu duhet të provojë që të besojë. Besimi s’fitohet duke polemizuar, e as duke lozur, e as duke u shtirë. Kërkohet një provë. Edhe jo pa u sprovuar. Sprovë, kur të mungon malli e pasuria. Apo, kur prej teje kërkohet diçka, e ti të kesh nevojë shumë për të. Të japësh diçka, e të jesh i bindur se s’do humbasë. Ai që i mbështetet Atij që i beson. Dorëzues i çështjeve Atij që i takon gjithçka. Provë e sprovë, duke provuar, sprovohesh, aty fillon bindja të zë fill, nëse përballesh me durim e shpresë. Zemra fillon të ndiejë. E mendja njëmend të mendojë.

Plotësisht i sigurt. I bindur ose i nënshtruar. Kur ndien ngrohtësinë, ndien një fije. Kur ndien qetësinë, një fije tjetër. Fije-fije, bëhet litarë. Litar i shtrënguar, bindje e plotë. Bindja s’arrihet duke ushtruar forcë. E as symbyllas. Por, në paqe e qetësi e me symprehtësi. Kulmi i bindjes, kur zemra mbushet me dritë. Forcim i mendjes, kur mbushet me arsye të shëndosha. Di të kërkojë argumentin dhe, zemra e hapur pranon atë. Udhëzimi është çështje hyjnore. Udhëzohet kush sinqerisht e kërkon atë. Është dritë, që ndriçon mendjen e zemrën. Hap kraharorin për të pranuar të vërtetën. Është dhuratë. I jepet atyre që e meritojnë.

Injoranca, armik i bindjes. E pabesimi, mbulues i së vërtetës. Këtu kryen një punë të vyeshme edhe padituria. Njeriu më i prirë të bëhet i padrejtë, atëherë kur s’di të dallojë të drejtën dhe të padrejtën, të mirën dhe të keqen. Ndërsa, epshi e lakmia, prijnë në mbulimin e të vërtetës! Dituria është dritë e syve. Padituria sjellë edhe pabesimin. Mendjelehtëve, kur u flitet për ndonjë çështje, bëhen sikur binden, e besojnë, por është vetëm fjalë goje. Sepse, në fakt janë të pamend. Nuk mendojnë. Prandaj, dhe janë të paqëndrueshëm në atë që mendojnë, sepse s’janë të bindur edhe në atë që mendojnë. Janë e keqja e vetvetes. E familjes dhe shoqërisë. S’u zihet besë. Pra, janë edhe të pabesë.

Thirrja në rrugën e Paqes, bëhet në paqe. Pa paqe shpirtërore, s’mund të arrihet në qetësinë shpirtërore. Disa kur flasin, bërtasin. Bërtitma, shenjë e vetëdijes së ulët, shenjë e ngarkesës emocionale mbi atë racionale. Kur ndjenja anon kundër mendimit. Mendja dhe zemra, shpirti ekuilibër. Udhëzimi i drejtë, mban peshore. Ndoshta, duke dashur me zhurmën shurdhuese, jo rrallëherë, synohet që tjetrit t’i topitet mendja, e të bindet. E mendjet e topitura, janë mendjet e ngatërruara. Nuk dallojnë dot mendimet. Veprojnë pavetëdije, pa përqendrim, pa synim të qartë; spontanisht. Dhe, janë emocional. Aty binden, aty për aty, harrojnë se për çfarë janë bindur. Bindje e mbushur me forcë, me zhurmë. Jo me zë të lehtë, të arsyeshëm, e valë-valë; gradualisht. Por, me forcë e me dhunë. E në bindje, nuk lejohet të ushtrohet dhunë. Ajo duhet të arrihet në paqe.

Besimi, jo fjalë që thjesht e thotë gjuha. E as diçka që mund të shtyhet nga forca. Dëshmia, formulë, por atë vetëm një zemër e nënshtruar dhe mendje e bindur, mund ta shprehë drejt. Zemra e nënshtruar dhe mendja e bindur, është një shpirt i qetë dhe i siguruar. Po këta janë besimtarët; në zemra, në mendje e në fjalë, e në vepra.

Zoti na bëftë prej atyre që dëshmojnë me zemra të nënshtruara e me mendje të bindura; prej besimtarëve të sinqertë!

 

 

 

 

 
Copyright © 2006-2012 Pėr Ty Motėr. Fuqizuar nga VIVA4 Solutions.